26/12/2024

ZGJEDHJET NË KOSOVË: A ËSHTË KY NDRYSHIMI I MADH NË POLITIKËN SHQIPTARE?

0
Vjosa-Albini

Nga Frank Shkreli

Me 6 Tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare në të cilat, sipas rezultateve paraprake, dolën fituese Lëvizja Vetvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.  Në pritje të certifikimit të rezultatit përfundimtar, pasi të jenë numëruar të gjitha votat, Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, bashkë me kandidaten e kësaj partie për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani, janë pajtuar për formimin e koalicionit qeverisës dhe për vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme, midis këtyre dy partive, për formimin eventual të qeverisë së re të Republikës së Kosovës, të dalur nga zgjedhjet e 6 Tetorit.

Në një konferencë të përbashkët para disa ditësh për shtypin në Prishtinë, të dy këta janë shprehur se hollësitë e ndarjes së pushtetit të ardhëshëm qeveritar do të njoftohen pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave.  Media e Kosovës  ka cituar Vjosa Osmanin të ketë thënë me atë rast se, “Në radhë të parë ne si Lidhje Demokratike e kemi deklaruar edhe më parë që po presim rezultatin final dhe natyrisht në qoftë se rezultati konfirmohet kushdo që del se ka marr më së shumti vota në atë moment, ne në asnjë mënyrë nuk do të hesitojmë që në bashkëqeverisje të pranojmë kushdo që ka fituar, ta merr pozitën e kryeministrit” ka thekësuar kandidatja e LDK-ës, Vjosa Osmani.  Në lidhje me këtë, sipas të dhpnave në media, Kryetari dhe kandidati për Kryeministër i Vetvendosjes, Albin Kurti theksoi të njëjtin qëndrim për të pritur numërimin përfundimtar të votave, duke thënë se, “Për dakordim e për korrektësi, natyrisht, që e kuptoj që fjala e fundit është certifikimi në fund i zgjedhjeve nga KQZ-ja.  Por besoj që PDK-ja është në opozitë dhe kjo nuk do të ndryshojë.  Vetëvendosja dhe LDK-ja do të qeverisin së bashku, as kjo nuk do të ndryshojë dhe mund t’i ruajmë fjalët e fundit për fund, por mendoj se shumëçka, për të mos thënë gjithçka është e qartë”, tha ai.

A është ky modeli i ri i qeverisjes ndër shqiptarë?

Në të vërtetë janë deklaratat e mësipërme dhe të tjera si këto – gjatë ditëve të fundit — nga të dy protagonistët kryesorë të politikës së Kosovës sot për sot, që më bëjnë optimist se ndoshta, më në fund, diçka mund të ndryshojë për më mirë në skenën politike, anë e mbanë trojeve shqiptare.   E them këtë sepse, fotoja e mësipërme e Kurtit dhe Osmanit, dalur së bashku para medias, duke mbajtur pothuaj të njëjtin qëndrim në lidhje me numërimin e plotë të votave, pa pretendime, është shpresëdhënse dhe me shton besimin se vërtetë, diçka e re po ndodhë në politikën shqiptare.

“Kënaqësi të pritem sot në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nga z.John Erath, Drejtor për Evropë.   Patëm diskutime shumë produktive rreth prioriteteve dhe sfidave që e presin Kosovën gjatë muajve e viteve në vijim”, ka shkruar Vjosa Osmani të martën në portalin e saj të fejsbuk-ut.

Foto: Zoran Zaev / FB

“Insistoj që politikanët shqiptarë, në të dy anët e kufirit që na ndanë padrejtësisht, duhet të kenë mendjen tek historia, kur kanë punë me Serbinë”.  Albin Kurti në një intervistë me Ora News, gjatë të cilës u shpreh gjithashtu se gjëja e parë për të cilën do të flasë në takimin e parë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë i ashtuquajturi, “shëngen ballkanik”.

Thuhet se çdo gjeneratë i qet udhëheqsit e saj – nga njëherë për mirë, nga njëherë për keq.  Këto 30-vitet e fundit, shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor, politika shqiptare dhe klasa politike që ka udhëhequr shqiptarët, nuk u ka shërbyer mirë.  Shqiptarët në përgjithësi po përballen me vështirësi të përditshme—kryesisht të shkaktuara nga klasa politike që po i udhëheqë ata – vështirsi e probleme këto të cilat kanë shkaktuar një lëkundje të madhe dhe tronditëse në besimin e shqiptarëve për të ardhmen e jetës në trojet e veta.  Ngjarjet politike të këtyre dekadave të fundit që, pothuaj, kanë përmbysur jetën e shumicës së shqiptarëve, janë themeli i shqetësimeve të mëdha ndër shqiptarët e ditëve të sotëme.  Fatkesisht, janë ngjarje që mund të thuhet se nuk mund të parashikoheshsisn as nga arsyeja dhe logjika njerëzore.  Duket sikur shumë shqiptarë kanë humbur shpresën, perspektivën dhe besimin në të ardhmen, duke pritur dhe menduar se punët po shkojnë keq e më keq dhe po përpiqen t’i gjejnë vetes dhe familjes një “qoshe të qetë” e të sigurt dhe të largohen masivisht nga trojet stërgjyshore.  Është fatkeqsi kombëtare, që të shtërnguar nga halli, nga nevoja ose nga deshpërimi, shumë shqiptarë po zgjedhin këtë rrugë – më keqë se pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe dhe më keq se pas pushtimit komunist ndërkombëtar.

Unë nuk e kam ndër mend të qortojë as të kritikoj askënd që merr një vendim të tillë, përballë vështirsive të jetës, pasi më në fund, shumë prej nesh kemi bërë një gjë të tillë, gjysëm shekulli më parë, përballë diktarurës së egër komuniste.  Edhe ne mendonin që atë kohë se komunizmi do të ishte i përjetëshëm se asgjë nuk do të ndryshonte në jetën tone, për derisa të sundonte ai regjim.  Por, më në fund, edhe ajo e keqe, ndryshoi!

Mesazhi im modest me këtë rast është që të mos humbasin besimin, pikëspari në veteveten.  Fara e ndryshimit duhet të mbillet që sot.  Jo nesër, jo pasnesër, por tani.  Fatkeqsisht, Kombi shqiptar, për pothuaj një gjysëm shekulli u sundua nga një prej regjimeve më të egra komuniste në botë, bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, krejtësisht e huaj për karakterin shqiptar dhe të okupimeve sllave të trojeve shqiptare. Si rrjedhim, mendohej se dielli shqiptar po mbulohej përgjithmonë nga re të zeza dhe se fati i keq nuk do ti ndahej atij kurrë.  Është e vërtetë se gjithnjë, forcat barbare, autoritare dhe më reaksionare të ditës së sotëme — Rusia, Serbia dhe Turqia — po kërcënojnë gjithnjë, jo vetëm identitetin kombëtar dhe gjeografinë tokësore të trojeve stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe kulturën, gjuhën dhe jetën e pasardhësve të Arbërit.  Sot, si gjithmonë më parë, valë të egërsuara armiqësh shekullorë po përplasën në tokat shqiptare.   Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë – jo për pushtetarë që bashkpunojnë me këto forca të errëta, historikisht, anti-shqiptare, por për udhëheqës të ri të këtij brezi të shqiptarëve, të cilët do t’i dalin përpara kësaj stuhie të tmershme dhe t’i thonë ndal, se këtu ende ka shqiptarë!

Unë jam i bindur se ky brez i ri politikanësh shqiptarë do të dijë t’i dalë përpara kësaj stuhie të egër dhe do të përballojë rreziqet që sot i kanosen Kombit.  Unë besoj se nëqoftse punët shkojnë mirë, tani e tutje, ka mundësi që zgjedhjet e fundit në Kosovë, të sinjalizojnë fillimin e një ndryshimi madhor të proceseve politike ndër shqiptarët.  Kjo është shpresa ime, i bindur se në shpirtin e shqiptarit ekziston gjithnjë ajo cilësia që e ka karakterizuar gjithmonë popullin shqiptar:heroizmi përball fateve të zeza, të shkaktuara nga të huajt e nganjëherë edhe nga të vetët, siç ishte përvoja e shekullit të kaluar.  Jam i vetdijshëm se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk do ta kenë të lehtë detyrën e tyre, por udhëheqsve të rinjë politikë – të këtij brezi të ri politikanësh shqiptarë të Kosovës — iu urojmë sukses, në javët, muajt dhe vitet e ardhëshme – ashtuqë fitorja e tyre politike sot, të shënojë gjithashtu edhe fillimin e një fitoreje të madhe për të ardhmen e mbarë Kombit shqiptar dhe njëkohësisht edhe fillimin e një ndryshimi të madh të cilin e presim për më shumë se një shekull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok