19/12/2025

Zgjedhjet e 28 dhjetorit sfidat dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës

0
Gjon-Keka

Nga Gjon Keka

Tani sapo janë vu në lëvizje makinat e partive politike për qëllimet e tyre, menjëherë shihet një fillim i lodhshëm që nuk gjeneron ndonjë një lëvizje të madhe midis popullit, sepse edhe vetë populli është lodhur me zgjedhje të njëpasnjëshme.

Në këtë lodhje të popullit në të gjithë vendin,të gjitha partitë politike të Kosovës do të mundohen të gjejnë mundësit e tyre të vlefshme për propagandë sa më të madhe për t’i bindur popullin se në cilin krah të votojnë; njëri krah do të merret me të kaluarën dhe të ardhmen, ndërsa tjetri me unitetin politik e popullor, rrugën europiane dhe miqësinë e aleanca me botën demokratike perëndimore.

Sidoqoftë zgjedhjet e 28 dhjetorit që do të zhvillohen këtë vit pas humbjes së kohës dhe dështimeve të njëpasnjëshme për të ecur me kohën nuk do të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor të skenës politike të shtetit të Kosovës. Sigurisht do të ketë koalicione joparimore e të panatyrshme (koalicione të përziera ideologjiko-politike e fetare) sepse më herët nuk e kuptuan qartë se pa koalicione asnjë parti qoftë ajo fituese apo e dyta dhe e treta për nga renditja nuk do të mund të arrijnë të formojnë as qeveri, as kuvend dhe as zgjedhjen e presidentit apo presidentes së ardhshme të republikës së Kosovës. Por duhet nënvizuaar edhe këtë se çdo koalicion i panatyrshëm mund të shkaktoj probleme në të ardhmen nëse njëri nga palët fiton zgjedhjet me një koalicion të tillë, sepse një koalicion i panatyrshëm nuk mund të funksionoj gjatë ashtu sikur një martesë e panatyrshme. Rreziku i përsëritjes së vazhdueshme të gabimeve dhe të zgjedhjeve do të jetë më i madh nëse koalicionet bëhen në mënyrë të panatyrshme dhe për qëllime egoiste.

Si për LVV e cila ishte në krye të qeverisjes së vendit ashtu edhe për LDK,PDK,AAK etj, këto zgjedhje do të jenë një provë e forcës së tyre të brendshme, sepse rrethanat në të cilat do të mbahen zgjedhjet nuk mund të jenë më të favorshme për asnjërën qoftë Vetëvendosjen ashtu edhe Partitë opozitare. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të të gjitha partive politike në Kosovë për të mbajtur dhe ruajtur votën e simpatizantëve të tyre ka dhe do të ketë pakënaqësi për të gjithë spektrin politik partiak që nuk kanë arritë të përmbushin premtmet e tyre, as nuk janë treguar fleksibel e as të gatshme për kompromise në arritjen e ndonjë koalicioni apo marrëveshje politike ndërmjet partive në Republikën e Kosovës për të çuar vendin përpara dhe përshpejtuar punën drejtë integrimit në familjen europiane.

Pesha e votave të partisë fituese në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të qëndrojë më pak në forcën e grupit parlamentar qoftë ajo të fituar nga LVV apo ndonjë nga Partitët tjera si LDK,PDK,AAK etj, për faktin se asnjë parti pa koalicione nuk do të kenë numrat në parlament për ta konstituar atë, as në atë të Qeverisë dhe më pas të zgjedhjes së presidentit apo presidentes,kështu që në bazë të kësaj padyshim nuk do të ketë më asnjë parti që do të dal më e forta në vend në këto zgjedhje dhjetori të ftohtë.

Kosova sipas statistikave të fundit ka rreth dy milionë ,por që nuk kishte dhe nuk do të ketë më dalje masive për të votuar ,sepse një dalje masive ishte vetëm në kohën kur president ishte dr.Ibrahim Rugova dhe pothuajse e gjithë Kosova votonte për të dhe LDK.Tani kanë ndryshuar gjërat nuk ka më votues të tillë, tani ka votues sipas stinëve. Presidenti Rugova në kohën e tij e mbajti avantazhin vendimtar të fitores, e ruajti fuqinë politike të tij dhe të Partisë së tij,sepse ai në atë kohë ishte më i admiruar dhe më i votuari në Kosovën pas çlirimit.

Ndërkaq së fundi ishte edhe LVV në krye me Albin Kurtin që arriti fitore të tillë duke e ruajtur avantazhin për dy mandate qeverisëse,por që nuk arriti të ruaj fuqinë politike të tij dhe të Lëvizjes së tij. Kurti së fundi ishte më i votuari dhe i preferuar nga qytetarët ,por që nuk arriti ta ruaj këtë performancë dhe as të kuptojë në tërësi lojërat politike brenda teatritë të saj, të diplomacisë si dhe të kompromiseve e koalicioneve që do të duhej të bëheshin për të mbajtur peshën e votës ,fuqinë e tij politike dhe të Lëvizjes së tij e cila i fitoj zgjedhjet nga vitit 2019 radhazi por me përqindje të ndryshueshme.

Megjithatë kjo fushatë zgjedhore u jep folësve të partive politike mundësi të mjaftueshme për të ndarë skenën me qyetetarët respektivisht popullin, për të shpalosur programin e tyre nëse kanë program serioz dhe të arritshëm për relaizim, nëse programi është fantastik nuk do të ketë asnjëherë realizimin e tij,pastaj për të zhdukur paragjykimet mbizotëruese kundër njëri-tjetrit dhe për të praktikuar aftësitë dhe kuptimin e tyre se partitë politike janë aty për të folur për atë që qytetarët kanë nevojat e tyre dhe kërkesat e domosdoshme, të mirëqenjes ekonomike dhe të forcimit të shtetit të së drejtës ,sigurisë dhe të ardhmes së vendit të cilat për fat të keq mungojnë në mishërimin dhe plotësimin e asaj që me pompozitet thuhet do ta bëjmë këtë ,do ta bëjmë atë etj etj.

Sa i përket motivimit sikur dihet ka një rënje të votuesit ,kjo për shkak të siç u nënvizua më lartë lodhjes së tyre nga përsëritja e vazhdueshme e zgjedhjeve, prandaj për të arritë te shumica e votës popullore duhet të punohet në motivimin dhe në bindje reale të realizimit të kërkesave të natyrshme e jetike të të gjithë qytetarëve pa dallim respektivisht popullit. Në të vërtetë, në Kosovë ka pushuar prej kohësh që nga vdekja e presidentit dr.Ibrahim Rugova dhe LDK-s së tij të kenë një shumicë të besueshme e të qëndrueshme votuesish apo qytetarësh e populli.

Që nga ajo kohë votuesit nga të gjitha partitët politike janë lëkundur nga një parti në tjetrën dhe anasjelltas, thjesht për të parandaluar që secila prej tyre të fitojë një avantazh shumë të madh,pra nuk i është lejuar asnjë partie politike në Kosovë të ketë një shumicë të qëndrueshme votuesish, pra nëse ka marrë ndonjëherë ndonjë parti shumicën, nuk ka shkuar larg dhe në zgjedhjet të radhës ajo ka rënë sikur ka ndodh më parë me LDK,pastj me PDK dhe së fundi ndodhi edhe me LVV e cila e kishte një shumicë votuesish dhe një shumicë parlamentare,por që më nuk e ka tanimë për asyet që tanim dihen. Ka të ngjarë që këtë herë zgjedhjet të jenë pothuajse të barabarta në të dy krahët e partive që tani janë ndarë, pra partive që ishin në opozitë dhe atyre që ishin në pushtet, dhe rrjedhimisht edhe në këto zgjedhje një situatë në të cilën tendenca për mashtrim zgjedhor dhe blerja e votash do të përhapet në të dyja palët, padyshim që do të kontribuojnë ndjeshëm edhe në pasqyrimin e të ardhmes parlamentare dhe të qeverisjes në vendin tonë.

Fakti që përveç Kurtit ka edhe dy apo tre pretendentë të tjerë për postin më të lartë të kryeministrit brenda partisë së tyre politike, asnjëri prej të cilëve nuk do të mund të sigurojnë shumicën nëse nuk do të lidhin ndonjë koalicon që është bërë tanimë një domosdoshmëri për të ecur përpara vendi. Disa nga partitë politke tek shihen se janë më të mira në kritikë sesa në ndërtimin e zgjidhjeve pozitive dhe për ndërtimin dhe forcmin e shtetit dhe të ardhmes europiane të tij dhe kjo është e vërtetë. Megjithatë, kërkesat e tyre pozitive i tejkalojnë shumë ato të partive dhe shkollave të tjera të mendimit politik modern europiane të cilat nuk duken kurrë më patetike sesa kur u kërkohet të propozojnë zgjidhje për çështjet e ndryshme e të rëndëishme për vendin që nga ato sociale,ekonomike, të rendit, ligjit dhe të rrugës së referomave për t’iu bashkuar familjes europiane. Ndërsa fija e talljes dhe sipërfaqësisë përshkon të gjithë vendin, askund nuk është më e dukshme sesa aty ku ato parti politike dhe udhëheqës të tyre përpiqen të jenë pozitiv. Këtu zhgënjimi, pikërisht këtu është më i madh, përpjekja për të qenë pozitiv kur dihet se tërë kohën populli e ka parë secilin se sa pozitiv ka qenë për vendin dhe të ardhmen e brezave. Nuk është aspak mëria që na çon në këtë gjykim. Aq më tepër se secili mund të mësojë edhe prej kundërshtarëve të tij. Fatkeqësisht asnjëri nga udhëheqësit e partive politike dhe partitë në përgjithësi nuk janë ndonjë kundërshtar nga i cili mund të mësohet diçka nga njëri tjetri. Në vend që të çmontojnë makinerinë egoiste të partive të tyre politike për të lejuar një shpërthim entuziast idesh të reja dhe aspiratash vetëmohuese për të mirën e përgjithshme të të gjithë popullit e vendit dhe të ardhmes së shtetit të Kosovës i cili nuk ka të ardhme tjetër pos bashkimit me familjen e saj europiane.

Nëse pas zgjedhjeve koalicioni nuk do të jetë i fortë dhe koheziv, vendi nuk do të mund t’i kryej detyrat e shtëpisë si duhet dhe rruga e integrimit në familjen europiane do të jetë e gjatë dhe me sfida.

Uroj dhe shpresoj që në këto zgjedhje të fitojnë ata që e duan sinqerisht atdheun e tyre që e mbajnë në mendje e gjak identitetin kombëtar arbëror europian, që e orientojnë popullin kah qytetërimi europian dhe familja europiane dhe jo kah primitivizmi dhe prapanikja e huaj ideologjiko-fetare, sepse Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe nuk duhet të mbetet si një mish e shpirt i huaj në trupin e kontinentit dhe familjes europiane së cilës duhet natyrshëm t’i takojë.

Koha që Kosova si shtet të jetë vërtetë e aftë për reforma rrënjësore që e bëjnë rrugën e saj më të shpejtë të anëtarësimit në NATO, në Këshillin e Europës, në organizatat tjerë të rëndësishme ndërkombëtare dhe në Bashkimin Europian.

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok