ZGJEDHJA E PRESIDENTIT NGA POPULLI, SHMANG PAZARET E DEPUTETËVE
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Nga zgjedhja në zgjedhje është thënë dhe përsëritur, se zgjedhjet e presidentit/es, nuk duhet lejuar të bëhen praktikë pazaresh të pista kuvendore. Dhe, ka mundur të zgjidhet pa pritur edhe këto ditë të fundme. Republikë parlamentare apo presidenciale, zgjedhja e presidentit/es drejtpërdrejtë nga populli nuk ndryshon asgjë, kur këtë e kanë provuar edhe disa shtete tjera, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut. Vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit/es nga populli, shmang pazaret e partive politike, përmes deputetëve të tyre.
Normalisht, kur një mandat presidencial është përmbyllur, në mënyrën më të mirë të mundshme, pse nuk duhet dhënë shansi dhe mundësia për një mandat të dytë protagonistes të këtij suksesi?!
Presidentja aktuale i plotëson të gjitha kërkesat, kriteret e vazhdimit të mandatit të dytë. Ndërkohë, opozita humbëse me votë, kërkon fitoren në tavolinë, edhe pse nuk kanë vota as për ta plotësuar kuotën prej 30 firmave të deputetëve, sa kërkohen për konkurrim, për postin e presidentit.
Kërkesa për një president konsensual, asnjëra nga subjektet politike nuk kanë ofruar zgjidhje, sepse pretendojnë të gjithë të kenë kandidatin e tyre president. Nëse edhe nesër nuk ka zgjidhje, pasnesër ka vendim për zgjedhje të serishme, të jashtëzakonshme.
Populli ka një shprehje: “Zëri i popullit, zëri i Zotit”. Nëse, vërtet, dëgjohet, përfillet ky disponim i popullit, për Vjosë Osmanin presidente, zgjidhja është e gatshme. Kjo preferencë nga shumësia e shqiptarëve, vjen nga suksesi domethënës, që Presidentja ka arritur përgjatë mandatit të saj të parë.
Dhe, pa mëdyshje vazhdimi i Vjosë Osmanit do të ishte zgjidhje e duhur. Sepse, duke qenë se për 5 vjet me radhë nuk i përkiste asnjë subjekti politik, përmbush njërin nga kushtet bazë, kandidati të jetë jashtë angazhimit partiak. Megjithatë, këtë nuk e kushtëzon Kushtetuta, andaj, ta “nxjerrësh nga xhepi”, pikërisht, tani, është bajate, jo serioze dhe hiç relevante. Sepse, përjashto një rast unik, të porositur nga ndërkombëtarët, rastet tjera kanë qenë presidentë krye politikë, meqë vinin nga të qenit në kreun e subjekteve të tyre politike.
Rrjedhimisht, nuk ka asnjë bazë ligjore apo morale, që pengon zgjedhjen e serishme të Vjosë Osmanit në krye të Presidencës të Kosovës. E gjithë kjo zhurmë është e stisur dhe e shpikur, thjeshtë, për interesa të pista të grupeve të inkriminuara.
Angazhimi idiotesk i Shoqatës të OVL të UÇK-së, përkatësisht, nga subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, për t`u përzier në punët e Drejtësisë të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, duke e sakrifikuar dhe viktimizuar UÇK-në, për ta konvertuar dhe inkorporuar brenda saj Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (NPK). A e kupton turma masive e shqiptarëve, që mbushin sheshet në protesta, se kjo turpëron shqiptarët. Eurodeputetja gjermane, Doris Pack, mike e madhe e shqiptarëve, deklaroi: “Më armiq janë ata që protestojnë, se sa ata që janë në burgun e Hagës!”
Është kjo opozitë e çoroditur, të cilës nuk i intereson as shteti dhe as nuk merakoset për dëmtimin e Atdheut, nga qëllime të tilla të errëta, por vetëm pushteti. Sipas mendjes së tyre të mykur, duan një president kukullë, për ta përdorur në forume ndërkombëtare, ashtu siç bënë karaxhozi Edwin Rama. Protesta paralajmërohet për “gjykim të drejtë”, por në sheshin e Prishtinës dhe të Tiranës, i bëhet ultimatum Gjykatës të Hagë, për lirimin e menjëhershëm të “çlirimtarëve”! Dhe, kjo nuk u ndihmon as atyre në Hagë.
Rreshtimi i presidentes Vjosë Osmani në protestën, me moton fallco “Drejtësi, jo politikë”, në Prishtinë, nuk ishte në standardin e presidentes. Sepse burgu ka një derë, kurse varri jo! Kjo prani e të parës të shtetit, ishte lëndim i rëndë për mijëra familje të viktimave të Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale (NPK). Prindër, motra, nuse, dhe fëmijë jetimër, të mbetur në zinë e përjetshme, për ekzekutimin e njerëzve të tyre.
Me Shqipërinë tonë londineze, me popullin shqiptar, duhet ta ruajmë dashurinë e dëlirë dhe vëllazërore. Por, me Edvin Ramën dhe “byroistët” e tij, duhet të mbajmë atë qëndrim që mbanë opozita shqiptare, e kryesuar nga Dr. Berisha, e përjashtuar dhe e përçmuar poshtërsisht nga kryeministri aktual mostër.
Kryeministri Rama në të gjitha nismat e tij ogurzeza për Kosovën, ka qenë palë me Serbinë dhe vëllain e tij më shumë se ideologjik, Vuçiq. Përçarësi i përhershëm i shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë; bashkëthemelues i “Open Ballkan”, me primat Serbinë; projektues i ndarjes të Kosovës, së bashku me Thaçin dhe Vuçiqin; përbuzës dhe përjashtues i Vjosës dhe Kurtit në Shqipëri; presion ndërkombëtar të Kosovës, për ta bërë “Zajednicën”, pavarësisht nëse Serbia i kryen obligimet reciproke” dhe pisllëqe të tjera.
Kosova dhe drejtuesit e saj, sot dhe nesër, duhet të bëjnë shumë kujdes nga intrigimet e krye “hoshtaplerit”, mashtruesit Edvin Rama!
