03/03/2026

ZGJEDHJA E KRYETARIT TË KOSOVËS

0
Vjosa-Osmani1

Vjosa Osmani është e Kosovës, e qytetarëve të saj dhe jo e një partie politike. Ajo i tejkalon përmasat e një subjekti politik. Do të ishte mirë që të mërkurën, më 4 mars të vitit në vazhdim, atë ta votojnë deputetë të të gjitha partive politike, të tërë spektrit politik.

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Të mërkurën, më 4 mars të vitit në vazhdim, Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë kryetarin e shtetit. Kandidaturën e ka paraqitur kryetarja e përtashme, Zonja Vjosa Osmani.

Për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, në raundet e para nevojiten 80 vota. Me fjalë të tjera, duhet të votojnë dy të tretat e 120 deputetëve të Kuvendit. Në rastet kur një zgjedhje bëhet në raundin e tretë, atëherë mjaftojnë 61 vota.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti ka 57 deputetë; Lidhja Demokratike  e Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku ka 15 deputetë, ndërsa minoritetet joserbe kanë dhjetë deputetë.

Po t’i bashkojnë deputetët subjektet e sipërthëna, do të arrihej numri prej 82 deputetëve. Ky numër do të mundësonte që Vjosa Osmani të rizgjidhet kryetare e Republikës së Kosovës.

Zgjedhja e kryetarit të vendit është interes i të gjithë qytetarëve të tij. Moszgjedhja e kryetarit e çon Kosovën në zgjedhja të reja. Nga zgjedhjet e reja nuk përfiton askush. Përkundrazi, të gjithë humbin. Kosova s’e ka dot luksin të shkojë në zgjedhja të reja. Qytetarët e saj janë lodhur prej tyre, d.m.th. prej zgjedhjeve. Përveç kësaj, ato janë edhe të kushtueshme.

Edhe po të shkohet në zgjedhje të reja, do ta kemi po këtë rezultat që e kemi tani, do ta kishim të njëjtin raport të forcave.

Vjosa Osmani e gëzon mbështetjen e shumicës dërmuese të qytetarëve të republikës. Ajo është e shkolluar, është familjare, komunikon rrjedhshëm në disa gjuhë të huaja, ka vizituar shumë vende të botës, është takuar me shumë liderë botërorë, me kryetarë shtetesh, me kryeministra, me politikanë të Bashkimit Evropianë, të ShBA-së etj.

Bashkimi Evropian ia hoqi sanksionet Kosovës. Nga kjo, ajo do të përfitojë një shumë monetare të konsiderueshme. Zvarritja e zgjedhjes së kryetarit të shtetit, do të ndikonte edhe në prolongimin e dërgimit të ndihmave financiare nga Brukseli. Kjo do t’u shkaktonte vuajtje dhe mundime qytetarëve të Dardanisë.

Kryetarja e përtashme, Vojsa Osmani ka mbajtur raporte korrekte me të gjitha partitë politike në Kosovë, me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK-në), me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK-në), me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-në), me Nismën, partitë e minoriteteve joserbe, me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Po të rizgjidhet, ajo edhe në mandatin e ri do të mbante raporte të mira me partitë politike të vendit.

Vjosa Osmani gëzon respekt edhe ndër shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Mal të Zi, ndër çamë.

Ajo gëzon mbështetje edhe te shumica e shqiptarëve në diasporë, ndër shqiptarët që jetojnë dhe që punojnë në Evropë, si dhe te shqiptarët që jetojnë dhe që punojnë në ShBA.

Si kryetare e shtetit të Kosovës dhe si politikane, kurrë s’ka ndodhur që ajo ta ketë fyer dikë, ta ketë shpërfillur apo ta ketë anashkaluar.

Vjosa Osmani ka fituar një reputacion të konsiderueshëm, si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Si politikane, është treguar e baraspeshuar apo e ekuilibruar.

Vjosa i ka nderuar personalitetet historike të kombit, përkatësisht të Kosovës. Midis tyre Adem Demaçin, Ibrahim Rugovën, heroin legjendar Adem Jasharin. Ka treguar respekt të thellë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Vjosa Osmanin e kemi parë në tubimin “Liria ka emër” të organizuar nga kryetari i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së , Hysni Gucati.në mbrojtje të drejtësisë për të akuzuarit nga Gjykata Speciale.

Vjosa u angazhua për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës, të tërësisë së tokave të saj si dhe të sovranitetit të saj. U angazhua për integrimin e Kosovës në organizmat euroatlantik – Në NATO dhe në BE. Veproi për ruajtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë së Republikës dhe të mbarë rajonit. Pikërisht për këto vlera dhe virtyte të saj, ajo është e papranueshme nga udhëheqja politike e Beogradit.

Vjosa Osmani deri tani ka punuar pa reshtur për zhvillimin e proceseve demokratike në Kosovë, për ndërtimin e shtetit ligjor apo të shtetit të së drejtës, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve të Republikës.

Ajo nuk është arrogante, megalomane as mendjemadhe. Atë e shquan modestia dhe gjykimi racional. Paraqitjet e saj në publik dëshmojnë për transparencën e politikës që ndërton dhe që ndjek.

Ajo vazhdimisht ka treguar interesim për problemet ekonomike dhe sociale me të cilat janë ballafaquar segmente të caktuara të shoqërisë kosovare. Para problemeve të nevojtarëve, nuk ka ndenjur indiferente. Përkundrazi, është përpjekur që brenda mundësive dhe kompetencave të saj, t’i sensibilizojë organet e shtetit për t’u dalë në ndihmë shtresave të brishta të shoqërisë.

Me veprimin dhe sjelljen integruese dhe të palodhshme, Vjosa Osmani u shndërrua në një personalitet relevant në skenën politike të Republikës së Kosovës. Ajo u dëshmua si një faktor bashkues dhe jo si një shtetar përçarës apo çintegrues. Ajo u tregua racionale, trime dhe e guximshme. Nuk ka pranuar asnjë marrëveshje në dëm të interesave të Kosovës.

Kosova për të është një rezultante historike, për lirinë dhe për pavarësinë e së cilës janë sakrifikuar nëpër shekuj breza të tërë.

Qëndrimet politike dhe kombëtare të Vjosa Osmanit kanë qenë konzistente dhe të paluhatshme. Ajo ka treguar konsideratë të theksuar edhe ndaj aleatëve të Kosovës, pa të cilët ekzistenca e Republikës mund të rrezikohet prej hienave.

*   *   *

Vjosa Osmani është e Kosovës, e qytetarëve të saj dhe jo e një partie politike. Ajo i tejkalon përmasat e një subjekti. Do të ishte mirë që të mërkurën, më 4 mars të vitit në vazhdim, atë ta votojnë deputetë të të gjitha partive politike, të tërë spektrit politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok