21/11/2024

ZËRI UNIVERSAL KUNDËR TOTALITARIZMIT – ISMAIL KADARE

0

Me rastin e përvjetorit të lindjes

“Si çdo shkrimtar i madh, Eskili ishte i ndërgjegjshëm se, në krahasim me një zyrtar – të mesëm apo të lartë – që përfaqësonte shtetin, ai ishte një princ, dhe jo vetëm i artit, por i gjithë kombit të vet. Si i tillë, ai qëndronte më lartë se çdo burrë shteti dhe se fati i Greqisë i rëndonte atij mbi supe më shumë se ç’i rëndonte ndoshta krejt mekanizmit të shtetit grek.” – Ismail Kadare

Nga Prof. Xhelal Zejneli

ISMAIL KADARE (1936- ) – Shkrimtar gjenial, i njohur në përmasa botërore, i përkthyer në 45 gjuhë të botës. Lindi në Gjirokastër. Studioi gjuhën dhe letërsinë në Universitetin e Tiranës. Para vitit 1960 studio letërsinë edhe në Institutin Gorki në Moskë. I martuar me shkrimtaren Elena Kadare (1943- ), e para grua në Shqipëri që botoi një roman të plotë – “Një lindje e vështirë”, Tiranë, 1970. Kanë dy vajza – Gresën dhe Besianën. Në fund të vitit 1990, bashkë me familjen u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Paris. Lidhjet me atdheun nuk i ndërpreu kurrë. Është një ndër shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit XX.

*   *   *

Kadareja nuk ka qenë as shkrimtar oborri, as eksponent i regjimit dhe as konformist. Përkundrazi, ai ka qenë disident i heshtur. Kudo në veprat e tij, regjimin diktatorial e sulmon në formën e alegorive. Vepra e tij duhet të vlerësohet nga një pikëpamje tërësisht letrare, pra me kritere estetike. Fuqia e realizmit socialist ishe e pamjaftueshme përpara një talenti, siç ishte Kadare. Kadare krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Veprat e tij janë pasqyrim i peripecive të jetës politike shqiptare. Ai është zëri universal kundër totalitarizmit.

Për krijimtarinë e vet letrare Kadareja është shpërblyer me çmime letrare ndërkombëtare prestigjioze dhe me dekorime, në shumë vende të botës: në Francë, në Britani të Madhe, në Spanjë, në Itali, në Austri, në Izrael, në ShBA etj. Është vlerësuar lart dhe është dekoruar edhe në Kosovë.

Çmimet dhe titujt më prestigjioz me të cilët është dekoruar Kadareja:

–  Prix Mondial Cino Del Duca, Francë 1992;

– Në vitin 1996 Kadareja u shpall anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës;

– Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”;

– Çmimi Bokacio, Itali 1997;

– Herder Prize, Austri 1998;

– Ovid Prize, Rumani 2003;

– Man Brooker International Prize, Britani e Madhe, 2005; kandidatë për këtë çmim ishin edhe nobelisti gjerman Gynter Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), nobelisti kolumbian, i famshmi Gabriel Garsia Markez (Marquez, 1927-2014), nobelisti japonez Kenzaburo Oe (1935-) i lauruar me Çmimin Nobel më 1994.

 Çmimi Princ of Asturias Awards për artet, Spanjë 2009; ishin 31 kandidatë nga 25 vende të botës;

– Çmimi Lerici Pea, Itali 2010;

— Çmimi i Jerusalemit që në qarqet letrare botërore njihet si pararendës i Nobelit për letërsi, Izrael, 2015;

– Në vitin 2017 u nderua me titullin prestigjioz Komandant i Legjionit të Nderit, titull ky që e rendit Kadarenë në mesin e 250 personaliteteve më të shquara të botës;

– Çmimi “Nomino” në qytetin Udino të Italisë, 2018;

– Çmimi ndërkombëtar për letërsi Neustadt, i njohur si Nobeli amerikan, Oklahoma, ShBA, 16 tetor 2019;

– Më 31.12.2019 Presidenti i Francës Emanyel Makron ia jep titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit;

– Çmimi Pak Kyongui, Korea e Jugut, 2019 (në mesin e 350 anëtarëve); etj.

*   *   *

Veprat – Ka shkruar poezi, tregime, ese dhe romane. Ka shkruar edhe sprova, studime letrare, kritika, përshtypje udhëtimesh. Është edhe autor përkthimesh. Më 1961, bashkë me Dritëro Agollin (1931-2017) dhe me Fatos Arapin (1930- ) solli risi në poezinë shqipe: F. Arapi me përmbledhjen Shtigje poetike, Tiranë 1962, D. Agolli me përmbledhjen poetike Hapat e mia në asfalt, Tiranë 1961 dhe Kadareja me përmbledhjen Shekulli im, Tiranë 1961. Që të tre, realizuan qëllime estetike, të ndryshme prej poetëve paraardhës.

Vëllimet poetike të Kadaresë: Frymëzime djaloshare (1954), Ëndërrime (1957), Ëndërr industriale (1960), Shekulli im (1961), poemat epiko-lirike Poemë e blinduar (1962), Përse mendohen këto male (1964), Shqiponjat fluturojnë lart (1966), Shqipëria dhe tri Romat; vëllimet Motive me diell (1968), Koha (1976). Në një përmbledhje me titull Pa formë është qielli janë përfshirë 100 poezitë dhe poemat e Kadaresë.

Në pjesën më të madhe të poezive të tij, përdori vargun e lirë. Në poezinë intime, poeti flet me të dashurën që është larg tij.

Në poezinë e Kadaresë mbizotëron miti i së kaluarës. Poeti evokon lavdinë e dikurshme. Poezia e tij është thuajse përherë optimiste, sidomos tema e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë. Poezia e tij hyjnizon historinë kombëtare, qëndresën epike të shqiptarëve, tokën e të parëve, gjuhën shqipe. Himnizon qëndresën në motin e madh – në epokën e Gjergj Kastriotit. Himnizon periudhën e humanizmit evropian. Në poezinë Balada e zhvarrimit flet për fatin e shqiptarëve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Shqiptarët, popull vazhdimisht në rrudhje.

PROZA

Romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Tiranë 1963 flet për një gjeneral të një vendi të huaj, të shoqëruar nga prifti, i cili vjen në Shqipëri, në fushëbetejat e saj, për t’i mbledhur eshtrat e ushtarëve të vrarë. Këta ushtarë kishin ardhur në Shqipëri për ta pushtuar atë dhe për ta nënshtruar, por aty kishin gjetur vdekjen.

Më1965, në revistën Nëntori u botua romani i shkurtër Përbindëshi. Vepra ra viktimë e censurës staliniste. Libri u ribotua pas një çerek shekulli në Prizren 1990 dhe Tiranë 1991. Përbindëshi në fjalë nuk ishte veçse kali i Trojës para portave të Ilionit, por këtu – përbindësh në përthyerjen e kohës. Për kritikën zyrtare, romani mund të kishte aludime politike.

Vitet 1966-1969 janë vite të “Revolucionit Kulturor”.  Vepra Lëkura e daulles (1967) u botua në revistën “Nëntori”, për të dalë si libër më vete me titullin Dasma. Romani Dasma, Tiranë 1968, me vlera artistike të kufizuara, trajton temën e emancipimit të femrës.

Në vitet ‘70, Kadareja i kthehet prozës historike.

Romani Kështjella, Tiranë 1970 është vepër e qëndresës historike të shqiptarëve, përmendore e heroizmit kombëtar. Kadareja i kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Kemi rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej 70.000 vetash. Ngjarja zhvillohet në shek. XV, në epokën e Gjergj Kastriotit. Autori pasqyron rrethimin nga turqit të një kështjelle mesjetare shqiptare, që simbolizon Shqipërinë në fushatat e Perandorisë Osmane për ta nënshtruar atë. Shqipëria shihet me sytë e një të huaji – pashait turk. Vepra drejtohet kundër pushtuesve të huaj. Kemi qëndresën e arbërve të shekullit XV. Kështjella simbolizon qëndresën, rrethimin ose ngujimin (izolimin). Ky roman të kujton romanin Il deserto dei Tatari, Milano 1940 (Shkretëtira e tatarëve) të romancierit, tregimtarit dhe dramaturgut italian Dino Buxati (Dino Buzzati, mbiemri paraprak Buzzati-Traverso, 1906-1972).

Më 1967 doli vepra Qyteti jugut. Më vonë, Qyteti i jugut shërbeu si bazë për lindjen e romanit Kronikë në gur, Tiranë 1971 me 18 kapituj dhe një epilog. Në të flitet për Gjirokastrën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 1975 u botua në Tiranë romani Nëntori i një kryeqyteti. Këtu bëhet fjalë për luftën e partizanëve kundër pushtimit gjerman në Tiranë më 1944.

Romani Dimri i vetmisë së madhe, Tiranë 1973, flet për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Është vepër me përmasa historike e politike. Është një analizë psikologjike e gjendjes së shoqërisë gjatë periudhës totalitare. Pas një rishikimi të autorit, në vitin 1977 doli në Tiranë me titullin Dimri i madh.

Dimri i vetmisë së madhe duhej të ishte libri i dytë i triptikut “Koha e grindjes”, një sagë bashkëkohore mbi tre acarimet e Shqipërisë: me Jugosllavinë, më pas me Bashkimin Sovjetik, e së fundmi me maoizmin kinez. Libri i parë, grindja me jugosllavët, nuk u shkrua kurrë. Pjesa përmbyllëse e diptikut Koha e grindjes, d.m.th. libri i tretë Koncert në fund të dimrit, i shkruar në vitet 1980-1981, ia doli ta shohë dritën e botimit vetëm pas shtatë vitesh. Kritika zyrtare e cilësoi romanin si vepër antisocialiste që satirizonte komunizmin shqiptar dhe atë botëror. Romani u botua më 1988, pak para rënies së komunizmit.

Romani i parë Qyteti pa reklama është shkruar në Moskë, në vjeshtë të vitit 1959, kur autori ishte 23 vjeç.

Romani Muzgu i perëndive të stepës (1978) është vepër bashkëkohore me elemente autobiografike, si Kronikë në gur. Autori flet për jetën studentore të vet si student në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë, pak pas prishjes së raporteve ndërmjet Tiranës dhe Moskës. Kemi një histori dashurie të Kadaresë me një vajzë ruse. Kemi dhe një kapitull për shkrimtarin disident Boris Pasternak (1890-1960), autor i romanit Doktor Zhivago (1958). Në vitin 1958, në Perëndim iu dha Pasternkut çmimi “Nobel”, por pas një fushate të egër që u ndërmor kundër tij në BRSS, ai refuzoi ta pranonte.

Romani Daullet e shiut denoncon izolimin e zgjedhur vullnetarisht. Ka qenë titulli fillestar i romanit Rrethimi. Për herë të parë është botuar në vitin 1970.

Në romanin Ura me tri harqe, Tiranë 1978 autori u kthehet fillesave mitike të historisë së Shqipërisë. I jep jetë një legjende shqiptare dhe ballkanike – murimit. Legjenda e murimit të një qenieje njerëzore në themelet e një ure apo të një kështjelle është e përhapur në letërsinë gojore shqiptare. P. sh. legjenda e kështjellës së Rozafës. Autori na jep një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar. Balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për murimin në kështjellë.

Novela Komisioni i festës (1977 )është një tjetër histori ballkanike. Jemi në Shqipërinë e shekullit XIX, të mbërthyer në darët e Perandorisë Osmane. Më 1830 Mehmed Reshid pasha vjen në Manastir për të shpallur një amnisti për fiset kryengritëse. Gjatë kremtimit të këtij akti, trupat e tij masakruan 500 krerë me familjet e tyre, duke zhdukur kësisoj të gjithë krerët e Shqipërisë së jugut.

Romanet Muzgu i perëndive të stepës dhe Kamarja e turpit, si dhe novela Komisioni i festës janë shkruar në vitet 1972-1976.

Romani Pashallëqet e mëdha (1978) flet për pashallëkun e Ali pashë Tepelenës (1741-1822), Luanit të Janinës. Ky e krijoi shtetin e tij autonom në Shqipërinë e jugut dhe mbajti marrëdhënie diplomatike me Napoleonin dhe Perëndimin. Kryengritja e tij u shua nga Porta e Lartë. Në janar 1822, Ali pasha u kap dhe u ekzekutua duke ia prerë edhe kokën në një ishull në liqenin e Janinës ku ishte ngujuar. Kokën e çoi në Stamboll korrieri i mbretëror Tunxh Hatai për t’u ekspozuar për publikun në kamaren e turpit. Në disa botime në gjuhë të huaja, romani mban titullin Kamarja e turpit.

Shumë tregime dhe romane të shkurtra të Kadaresë janë botuar në tri përmbledhje: Emblema e dikurshme, Tiranë 1977Gjakftohtësia, Tiranë 1980 dhe Koha e shkrimeve, Tiranë 1986. Dy vëllimet e fundit qenë thellësisht jokonformiste.

Breznia e Hankonatëve (1977) është roman i shkurtër me 78 episode. Autori vë në dukje zellin, paragjykimet, konfliktet dhe rivalitetet e vogla, arritjet dhe dështimet e kësaj familjeje, duke e ndjekur nga brezi në brez gjatë një periudhe prej dy shekujsh. Është një rrëfim i gjatë, saga e një familjeje të vjetër të Gjirokastrës, shkruar në formë kronike, traditë kjo në kulturën shqiptare që nis me “Rrethimin e Shkodrës” të historianit Marin Barleti (rreth 1450-1512) të shkruar në gjuhën latine.

Në romanin Kush e solli Doruntinën? (1979) autori zhytet në të kaluarën legjendare të Shqipërisë, në një legjendë. Para nesh kemi historinë e Kostandinit dhe të së motrës Doruntinës. Një grua plakë ka nëntë djem e një vajzë. Tetë nga djemtë i kanë vdekur. Nëna nguron ta martojë larg të bijën. Kostandini ndërkaq ia jep fjalën se do t’ia sjellë të bijën sa herë të dëshirojë e ëma. Kostandini vdes. Nëna digjet nga malli për të bijën. Mallkon të birin e vdekur që nuk e mbajti fjalën, besën. Ndonëse i vdekur, për ta mbajtur fjalën, besën, Kostandini çohet nga varri dhe niset në Boheminë e largët për te motra. Në një natë tetori të mjegullt, Doruntina mbërrin tek e ëma. Por ajo tanimë ishte në agoni. Papritmas, Zonja mëmë dhe e bija Doruntina, vdesin. Kostandini rikthehet për ta trazuar shpirtin e të gjallëve. Kush vërtet ishte personi që e solli Doruntinën?! Me çështjen merret kapiten Stresi, nëpunës i ulët në Shqipërinë mesjetare.  Kjo të kujton romanin e teoricienit, kritikut dhe romancierit italian Umberto Eko (1932-2016) Il nome della rosa (Emri i trëndafilit, 1980).

Romani Prilli i thyer (1978) u botua në vëllimin Gjakftohtësia. Ka ngjashmëri me Kush e solli Doruntinën? Subjekti fillon me një vrasje. Ngjarja zhvillohet në vitet 1930. Gjorg Berisha ka kryer atë që ka kërkuar babai i tij – të vërë nderin në vend duke vrarë vrasësin e të vëllait nga fisi i Kryeqyqes. Kemi të bëjmë me gjakmarrjen të parashikuar me të drejtën zakonore shqiptare – Kanunin e Lekë Dukagjinit. Gjakmarrja kishte fshirë nga faqja e dheut familje të tëra. Gjorgu ndoqi kanunin, duke u bërë edhe vetë viktimë e radhës. E vranë në lule të moshës, në mes të prillit, në muajin e pranverës, muaj i jetës. Prilli i thyer është ekranizuar tri herë në versione kinematografike të ndryshme. I fundmi, i titulluar “Përtej diellit”, është realizuar nën regjinë e regjisorit brazilian Uolltër Sales (Walter Moreira Salles Jr., 1956- ).

*   *   *

Shënim: Kodifikimin monumental dhe botimin e së drejtës zakonore shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit, e bëri studiuesi i kulturës shqiptare, i cili la gjurmë në fushën e arkeologjisë, Shtjefën Konstatin Gjeçov-Kryeziu (1874-1929). Gjeçovi ishte i pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më sistematike dhe më shkencore. Në vendbanime të caktuara të Shqipërisë së veriut, përfshirë Laçin rrëzë malësisë së Kurbinit, Gomsiqen në lindje të Shkodrës, Thethin, në cepin verior dhe Rubikun në rrethin e Mirditës – mes fisesh malësore – Gjeçovi mblodhi material për letërsinë gojore, kanunin fisnor, lëndë arkeologjike, si dhe objekte të kulturës popullore.  Kanuni i Lekë Dukagjinit u botua në Shkodër, në vitin 1933, d.m.th. pas vdekjes së Gjeçovit.

*   *   *

Romani Nëpunësi i pallatit të ëndrraveTiranë 1981 është botuar edhe si Pallati i ëndrrave. Është konsideruar si kryevepër e Kadaresë. Këtu e kemi botën e Franc Kafkës (1883-1924) dhe të romanit “1984” të Xhorxh Oruellit (George Orwell, 1903-1950). Personazh i romanit është Mark Alemi. Ky caktohet me punë në Tabir Saraj që ndodhet në Stamboll. Kjo zyrë shtetërore e Perandorisë Osmane merret me studimin e ëndrrave. Detyrë e Mark Alemit është të interpretojë ëndrrat për t’u dhënë mundësi autoriteteve osmane të mbysin që në embrion çdo rebelim kundër PerandorisëNëpërmjet kësaj vepre autori demaskon edhe regjimet totalitare.

Romani Krushqit janë të ngrirë u botua më 1986 në Koha e shkrimeve. Flet për ngjarjet dhe kryengritjen shqiptare në Kosovë në mars dhe prill të vitit 1981. Kërkesa e shqiptarëve për statusin e republikës brenda Federatës jugosllave u ndesh me vendosjen e shtetrrethimit nga Beogradi. Sipas legjendës, ora e mitologjisë shqiptare i ngrin krushqit para se të arrijnë, në mënyrë që të parandalohet ajo që nuk duhet të ndodhëJanë dy ditë nga jeta e Teuta Shkrelit, kirurge në një spital të Prishtinës gjatë ngjarjeve të përgjakshme të sipërthëna. Serbët ëndërrojnë kohën e Aleksandër Rankoviqit (1909-1983), i cili është personifikim i gjenocidit serb mbi shqiptarët.

Edhe romani Viti i mbrapshtë u botua në librin Koha e shkrimeve. Flitet për vitin 1914, vit i rrëmujshëm dhe vendimtar në luftën e shtetit shqiptar të sapolindur, për të mbetur gjallë. Është viti kur mbi qiellin e Ballkanit kaloi kometa e Hale-Bopit. Në Shqipëri mbretëronte rrëmuja dhe jo princi gjerman Vilhelm Vid (1876-1945). Qeveria e Turhan Pashës kontrollonte vetëm një pjesë të territorit të vendit. Ndër shqiptarë kishte përplasje interesash. Po kështu edhe midis francezëve, britanikëve dhe holandezëve. Shtetet fqinje ndërkaq, kishin aspirata ekspansioniste. Forcat greke, serbe dhe malazeze e kishin shkelur vendin. Pas gjashtë muajve princi largohet nga Shqipëria.

Tregimi Sjellësi i fatkeqësisë – Islamo nox (1984) – Sulltani kishte urdhëruar që të gjitha femrat e Perandorisë Osmane të mbuloheshin me perçe. Rrobaqepëse nga dhjetë qytete turke përgatitën gjysmëmilioni perçe për motrat kokëforta evropiane. Perçet u ngarkuan në mushkat e Haxhi Miletit dhe prej Stambolli morën rrugën për në Shqipëri.

Romani Koncert në fund të dimrit, Tiranë 1988 ka mjaft paralele me romanin Dimri i madh. Kemi një kronikë 700 faqesh. Është një vështrim grotesk mbi shkëputjen e Shqipërisë nga Kina postmaoiste më 1978. Personazhet Besnik Struga, Skënder Bermema dhe Marku tani janë 17 vjet më të mëdhenj se në kohën e prishjes së Shqipërisë me sovjetikët. Si në veprat e tjera, edhe në këtë roman autori përdor gjerësisht simbole.

Në romanin Dosja H dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton nisen për në malet e Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë ekzistimin e një lidhjeje të mundshme ndërmjet poezisë homerike dhe këngëve heroike të kënduara me lahutë nga malësorët shqiptarë. Nënprefekti i zonës ua qep prapa agjentin sekret Dullë Baxhanë për t’i vëzhguar. Popullata vendase dyshon mos të ardhurit nga jashtë janë spiunë? E bastisin selinë e tyre në Hanin e Rrashtbuallit. Pajisjen e tyre, me zërin e incizuar të fshatarëve, e shkatërrojnë. Misioni i tyre në Shqipëri merr fund. Romani në fjalë është një satirë. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1930. Autori u jep një goditje anësore edhe prirjeve izolacioniste të autoriteteve të pasluftës.

Me studimin letrar Autobiografia e popullit në vargje, Tiranë 1971, princi i kombit – Kadare, kërkon të zbulojë rrënjët e legjendave dhe të poezisë popullore që aq shumë e kanë tërhequr në prozën e vet.

Studimi më i shkurtër Mbi eposin e kreshnikëve (1979) heton prejardhjen e ciklit kryesor të eposit heroik shqiptar që njihet me emrin Këngë kreshnikësh apo cikli i Mujit dhe HalilitShtatqin vjet do t’i djeg kullat, i kanoset armikut, heroi kreshnik i eposit shqiptar.

Në monografinë Eskili, ky humbës i madh, Tiranë 1990, Kadare flet për babanë e tragjedisë antike greke, Eskilin (rreth 525-456 para erës sonë), i cili ka shkruar 80 pjesë. Prej tyre kanë shpëtuar vetëm shtatë.

Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991 është një sprovë për Migjenin (1911-1938) i cili me skicat në prozë dhe me përmbledhjen poetike Vargjet e lira, Tiranë 1936 dhe 1944, i dha fund romantizmit në letrat shqiptare. Në këtë monografi Kadareja shkruan: “Ka diktatura të tmerrshme e djallëzisht të përsosura ku profesioni i shkrimtarit është një mallkim i vërtetë”Në këtë sprovë Kadareja përfshiu edhe një trajtim të gjerë “të autorëve reaksionarë” të lënë në heshtje nga kritika letrare zyrtare.

Ftesë në studio, Tiranë 1990 është botimi i fundit i Kadaresë para largimit për në Francë në vjeshtë të vitit 1990. Libri përmban 32 poezi si dhe përkthime poezish nga greqishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rumanishtja dhe rusishtja. Libri përmban edhe refleksione për letërsinë e artet si dhe për ngjarjet aktuale. Autori lanë edhe ca llogari të vjetra me shkrimtarë rivalë.

Dy muaj para rënies së pushtetit monist, me gruan Eelenën si dhe me dy vajzat, Kadareja iku nga Tirana dhe kërkoi strehim politik në Francë. Motivet e largimit Kadareja i shpjegoi në të përditshmen parisiene Le Monde.

Nga një dhjetor në tjetrin, Paris, shkurt 1991 është një kronikë që mbulon periudhën nga dhjetori 1989 deri në dhjetor 1990. Libri ka edhe tone sarkastike. Në frëngjisht, libri doli me titullin Printemps albanais, Paris 1991 (Pranvera shqiptare). Vepra është vazhdim i librit Ftesë në studio. Vala e parë e emigrimeve nëpërmjet ambasadave gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë, në korrik të vitit 1990 shkakton panik në aristokracinë e kuqe. Kadare botoi edhe letërkëmbimin me presidentin Ramiz Alia në maj 1990.

Pesha e kryqit, Paris 1991 është vepra e dytë e Kadaresë e botuar në mërgim. Mendohet si vazhdim i librit Ftesë në studio. Të dyja veprat u botuan në një vëllim të vetëm prej 558 faqesh në frëngjishte. Nga një dhjetor në tjetrin, Ftesë në studio dhe Pesha e kryqit formojnë një lloj trilogjie politiko-letrare. Pesha e kryqit zbulon ankthin e Kadaresë gjatë viteve të pushtetit diktatorial. Është autobiografia e një romancieri nën regjimin stalinist i cili boton vepra pa qenë i sigurt për reagimin e gjysmëperëndive të Byrosë Politike. Në këtë libër, autori flet për vuajtjet e veta nën regjimin komunist, por jo edhe për agoninë më konkrete të shumë shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë. Mbase kjo, nuk ka qenë qëllimi i veprës.

Romani Piramida është një alegori politike e historike. Gjysma është shkruar në Shqipëri dhe gjysma tjetër në Francë. U botua pjesë-pjesë si tregim në gazetën Rilindja demokratike në janar 1991. Në Paris autori e zgjeroi në roman 17 kapitujsh. Së pari, më 1992, doli në frëngjisht, i përkthyer nga Jusuf Vrioni (2016-2001; është i biri i Iljaz bej Vrionit). Është një rrëfim marramendës i idesë dhe i ndërtimit të piramidës së Keopsit në Egjiptin e lashtë, por edhe i pushtetit politik absolut, e madje i marrëzisë njerëzore.

“Arkeologu i diktaturës, Kadareja zbërthen hieroglifet e tmerrit që tiranët e të gjitha ngjyrave kanë damkosur në trupin e viktimave të tyre” – thotë zhurnalisti letrar Andre Klavel (André Clavel, 1946-2019).

Romani Pasardhësi (2006) është shkruar në Paris. Kadareja sjell në kujtesë enigmën e 13 dhjetorit, vdekjen misterioze në dhomën e gjumit të pasardhësit të diktatorit komunist. Në trupin e pasardhësit u gjend një plumb në zemër. Vajza e Agamenonit dhe Pasardhësi përbëjnë një  diptik.

Tregimi Leximi i Hamletit si dhe dy novelat “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”tregimi Ditë kafenesh është botuar si libër më vete në Amerikë;

Qorrfermani për shkak të subjektit delikat, mbeti i pabotuar;

Hija, Vajza e Agamemnonit, Nata me hënë janë shkruar në vitet 1984-1986 në Tiranë;

Romani Spiritus është shkruar në Francë në vitet 1995-1996. Në të trajtohen njgarje që u përkasin dy kohëve: përpara dhe pas komunizmit;

Romani Lulet e ftohta të marsit është shkruar në Francë në vitet 1998-2000. Është një nga veprat e rralla të autorit, subjekti i së cilës bazohet tërësisht në ngjarjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Është vepra më e pikëlluar e Kadaresë, gati një requiem. Autori del hapur përballë realitetit shqiptar, i zymtë dhe pesimist, për një tokë që e braktisën perënditëMarsi nuk është veçse i ftohtë. Të ftohta janë dhe lulet.

Novela Tri këngë zie për Kosovën është shkruar dhe është botuar në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë.

Në Çlirimi i Serbisë prej Kosovës Kadare flet për ndarjen midis shqiptarëve dhe serbëve, për shtrembërimin e historisë nga serbët, për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte pavarësinë e Kosovës.

Dy romanet e shkurtra Shkaba dhe Çështje të marrëzisëShkaba është shkruar në verën e vitit 1995 në Deauville të Normandisë.

Romani Aktori i njohur më parë me titullin “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”;

Kadareja është i pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit e saj – babanë e tragjedisë antike Eskilin (Eleuzinë, Atikë, 525-/524 – Gela, Sicili, 456/455 para K.) dhe babanë e tragjedisë moderne Uilljëm Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616). Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike.

Tre romanet e fundit Aksidenti i shkruar në vitet 2003-2004, u botua në frëngjisht nga shtëpia botuese Fayard; Darka e gabuar, Tiranë 2008 dhe E penguara shkruar në vitet 2008-2009;

Sprovat Dantja i pashmangshëm, Hamleti, princi i vështirë dhe Don Kishoti në Ballkan janë shkruar dhe janë botuar pas rënies së komunizmit.

Ra ky mort e u pamë (1999) është një ditar për Kosovën; sprovat Kushëriri i engjëjve dhe Arti si mëkatLegjenda e legjendaveSorkadhet e trembura, një synops i gjerë për tjetër art; dy dialogë të Kadaresë: me revistën “Hylli i Dritës” dhe E vërteta që del nga qilarët me publicistin dhe shkrimtarin francez Stefan Kurtua (Stéphane Courtois, 1947- ) botuar në Odile Jacob si pasthënie e botimit frëngjisht të librit të Prof. Shaban Sinanit; sprova Identiteti europian i shqiptarëve.

Drama Stinë e mërzitshme në Olimp është e vetmja pjesë teatrale e Kadaresë. Autori rindërton trilogjinë e famshme të Eskilit, prej së cilës, pas humbjes së pjesës së parë dhe të tretë, ka mbetur vetëm pjesa e mesme “Prometheu i lidhur”.

Vepra e Kadaresë – princit të kombit – vazhdimisht ka qenë në listën e kandidatëve për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok