ZËRI KUMBUES DËGJOHEJ LARG NË MALE
Programi kulturor veror “EtnoFest” në fshatin Kukaj, gjithnjë e më shumë, po e zgjeron pjesëmarrjen e artistëve nga të gjitha trojet ku jetojnë e veprojnë shqipfolësit. Sivjet, pjesë e festivalit ishin dyshja nga Zara: etnomuzikologia, Dina Bushiq dhe kitaristja, Melita Ivkoviq
Nga Sylejman Morina
Fshatin malor të braktisur e afirmoi kultura
Kur errësira e mbuloi fshatin kulturor Kukaj, dritat e neonit e shndrisnin çdo pjesë të kompleksit artistik ku zhvillohej jeta kulturore e ’’EtnoFesti-t”. Ato sikur donin t’i porositnin yjet, se ne këtu do ta largojmë errësirën, ndërsa ju shndrisni malet dhe fushat për rreth.
Kudo zotëronte gjallëri, disponim dhe fytyra të qeshura; gjithandej kompleksit artistik në fshatin Kukaj.Aty prezantohej program i pasur kulturor, por nuk mungonin as gatimet tradicionale. Në një hapësirë të caktuar lëviznin vizitorët-dashamirët e artit, ngado shiheshin vepra arti, gjëra tradicionale artizanale. Thjeshtësia këtu ngritët në lartësi artistike; shumica llojeve të artit sikur ishin bërë bashkë në një vend, dhe krijonin një harmoni të bukur. Vendi po merrte pamjen e një shenjtërie artistike. Pamje magjepsëse ngado që silleshe. Nata krahëhapur sikur dëshironte që gjallëria të vazhdonte në pa kufi.
Mbi një dekadë ky fshat ka lënë pas pamjen e një fshati malor të lënë pas dore. Përditë e më shumë po gjallërohet, sa nga ndërtimi i shtëpive dhe kasolleve tradicionale, ku më shumë dominon tradicionalja, po aq edhe nga pasuria kulturore që begaton këtë fshat. Por, shtrohet pyetja: meritë e kujt është ky ndryshim pozitiv. Padyshim këtë fshat të harruar që e kishin lënë të shkretë banorët e tij, nëse ka pasur mallkim për atë, e theu regjisori i njohur, Fadil Hysaj, duke e futur në hartat e botës së artit dhe duke ia kthyer gjallërinë dhe e duke ia dhuruar famën që s’e ka asnjë fshat tjetër.
Janë 13 vjet, përpjekje e investime të vazhdueshme të regjisorit Hysaj, dhe jo vetëm atij, që të krijohet një ambient autokton për kulturë që të tërheq dhe të përvetëson nostalgjia për traditën. Ai përmes manifestimit kulturor “EtnoFfest”, gjithherë e kërkon përsosmërinë artistike, duke u bazuar në trashëgimin që na lanë të parët tanë. Festivali ka një karakter multimedial me një sërë programesh: shfaqje teatrale, ekspozita, koncerte, rite arkaike dhe shfaqje bashkëkohore, promovime krijuesish etj.
Zaraset pjesëmarrëse të programit
“EtnoFest-i”, çdoherë befason me risi në program. Kësaj radhe pjesë e programit qenë etnomuzikologia arbneshe Dina Bushiq me zërin e saj kumbues e të ëmbël dhe kitaristja,e njohur Melita Ivkoviq. Ato i trandën zanat e vjetra dhe të rejat të atyre maleve, më këngët të padëgjuara më parë. Fjalë të një gjuhe që tingëllonin ndryshe, por që ngjallnin kërshërinë e tyre. Zanat e reja u kërkonin shpjegime për fjalët e pakuptueshme zanave të vjetra. Ato, atyre u thanë se këto fjalë janë të gjuhës ilire të kësaj ane, të cilat qëmoti nuk i kemi dëgjuar. Por që na krijojnë nostalgji.
Jehonin këngët e vjetra arbneshe
Dina dukej krenare, siç janë arbneshet, por edhe kishte arsye të jetë e tillë, sepse këndonte para njerëzve të gjakut të saj; e ndiente veten se nuk është në vend të huaj; ishte në tokën e të parëve të saj, të stërgjyshërve ilirë, pra, nuk ishte mysafire. Këngët e moçme arbneshe me bukurinë e tyre jehonin në qiellin e hapur dhe depërtonin thellë në shpirtrat e etur të publikut për të dëgjuar këngë arbneshe. Publiku i respektuar, që ishte i ulur në shkallët e gurit të teatrit të hapur, krijonte imazhin e zonjave e zotërinjve ilir të Butrintit apo Durrësit, duke shikuar shfaqjet në teatrot e tyre. Flladi i mbrëmjes që zdirgjej nga kodrat ia flladiste ballin artisteve nga ngrohtësia e brendshme e krijuar nga atmosfera e këndshme.
Dina, vetë i kishte gjurmuar këngët e vjetra arbneshe, duke i shpëtuar ato që kishin mbetur në kujtesën e arbneshëve pleq e plaka nga zhdukja e sigurt; ajo e ringjalli jetën e tyre, ua bëri të sigurt e të qëndrueshme. Dyshja nga Zara tregoi profesionalizëm, nivel të lartë artistik, respekt ndaj publikut artdashës. Dina, para fillimit të këndimit të këngëve me pak fjalë i informonte publikun me njohuri për Arbanasin. Për këto vlera kulturore nuk kanë pasur njohuri të gjithë arbneshët, e sidomos gjeneratat e reja, të cilët tani kanë mundësi t’i dëgjojnë edhe t’i mësojnë. Gjatë historisë shumë degë ishin shkëputur nga trupi arbënor, e, disa edhe ishin tharë; disa u bënë ballë furtunave shekullore dhe po e dëshmojnë gjallërinë e tyre, si arbëreshet në Itali e e arbneshët në Zarë.
Dina po e vazhdon traditën e komunikimit me institucionet kulturore shqiptare
Etnomuzikologia, Dina, bëri që të vazhdojë e tejkalojë plejadën e kufizuar të intelektualëve arbneshë, që kishin krijuar kontakte me institucione a individë nga trojet shqiptare, siç ishte prof. Aleksandër Stipçeviqi që kishte vizituar të gjitha viset shqiptare. Akademik Pavle Deshpali kishte performuar në Kosovë, por që, fatkeqësisht, Shqipëria kurrë nuk ia kishte dhënë këtë mundësi .
Me punime letrare në revistën “Jeta e Re”, me qarqet intelektuale, kishin komunikuar: Josip Rela, Shime Deshpali, Budimir Peroviqi etj, të cilët edhe e kishin vizituar Kosovën. Maksimilana Barançiq kishte mbajtur ligjëratë në njërin nga “Seminaret e gjuhës shqipe për të huaj” në Prishtinë. Ajo, bashkëpunon me disa intelektualë shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë. Po ashtu, është meritore për organizimin e kurseve të arbnishtes në Arbanas. Nga ana tjetër, Josip Gjergja kishte punuar si trajner basketbolli në Prishtinë, etj. Tani traditën po e vazhdon Dina.
Projekti që nuk është dashur të deshtojë
Një projekt i mundshëm kulturor që do të vinte nga Arbanasi do ishte Libreti “Nita” i Budimir Peroviqit, me muzikën e bërë nga Luigji Mateshiqi, i planifikuar të realizohej në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e që kishte dështuar; nuk do t’i them të gjitha shkaqet pse ndodhi kështu, po e vë në pah vetëm një fakt: Luigji e kishte sugjeruar Budimirin që teksti i libretit duhej domosdo të botohej, dhe ishte botuar më 1977 në revistën letrare ”Jeta e re”, (“Nita” libret, 1977, nr.5, faqe 971-997). Autori nuk ka qenë fare i informuar për botimin e tekstit të tij. Kështu, në vitin 1981, ia kam dërguar një kopje të “Jetës së Re” që rastësisht e kisha hasur. Sikur të njoftohej me kohë Budimiri më 1977, ky aktivitet kulturor i dy arbneshëve do të realizohej qysh atëherë .
Pas demonstratave studentore, më I981, në Prishtinë, arsimi dhe kultura ishin të sulmuara, me të gjitha mjetet, nga nacionalizmi serb. Situata politike ishte tejet e rënduar. Budimiri kishte menduar se serbët, dy arbneshëve dhe ekipit nga Italia nuk do t’u lejohej shfaqja e libretit ”Nita”. Ai mendonte se libreti duhej të përgatitet me arbneshët që jetojnë në Zagreb, pra ishte kategorik që të realizohej projekti, por vdekja ia ndali procesin e realizimit të projektit aq të dëshiruar.
Dina publikisht e ka pranuar origjinën e saj arbneshe
Të kthehemi te Dina. Rruga e zgjedhur e Dinës doli të jetë triumfuese. Fitoi dashuria ndaj origjinës së saj arbneshe. Publikisht ka treguar se nuk është mëkat të pranojë se është me origjinë arbneshe dhe kjo nuk e pengon të jetë më pak kroate.Këngën e moçme arbneshe e bëri që të dëgjohej në trojet shqiptare e më gjerë. Me praninë e saj ajo e begatoi programin e “EtnoFesti-t”. Po ashtu befasoi edhe publikun, duke kënduar këngën e njohur të arbëreshëve të Italisë, “Moj e bukura More” që njihet edhe si himn i tyre.
Gjithsesi, në të ardhmen në repertorin e saj, besoj se do të ketë edhe këngë të shqiptarëve të Ukrainës, arvanitasve të Greqisë,si dhe këngë të vjetra të trojeve shqiptare. Stafi i ambasadës kroate, që ishte i pranishëm, ishte i entuziazmuar me suksesin e dyshes zarase. Ata, së bashku me Dinën e të tjerët mund ta fuqizojnë bashkëpunimin kulturor me Kroacinë, sidomos duke i dhënë hapësirë bashkëpunimi elitës kulturore arbneshe. Rrugëtim i mbarë artistik u qoftë Dina Bushiqit dhe Melita Ivkoviqit në realizimin e projekteve të reja!