23/12/2024
u6_Edison-Ypi

Nga Edison Ypi

Duke vajtur në Roskovec, befas, shtrirë nën hije pranë e pranë, më dolën para ca roskovecarë të rrumbullakët me zemra të kuqe.

Janë të urtë. Janë të pasherr. Rrinë në hall’ të vet. Ikin edhe në kurbet. Por nuk qahen, nuk ankohen. Nuk flasin. Nuk bërtasin. S’janë në Fejsbuk. S’janë në Instagram. S’kanë email. S’lexojnë gazeta. S’shetisin në Internet. Thonë: Jemi roskovecarë. Zemrën e kemi të kuqe dhe të ëmbël. Kaq na mjafton.

Vdes t’ua kafshoj roskovecarëve zemrat kuqalashe.

Ngordh t’ua pi gjakun e kuq.

J’u afrova ca roskovecarëve të tillë. Fshehtas, tinëz, pa potere. Rrëmbeva me marifet njërin prej tyre. E përkëdhela pak me duar. I thashë roskovecarit: Hë buçko, si të kam ? Zemërkuqi nuk u përgjigj. Më mbeti pak qefi. Por nuk e zgjata. Ja ngula biçakun. I dhembi. Por nuk bëri gëk. Veç kërrciti pak. Ja krreva zemrën. Ja ngula dhëmbët. Ja kafshova, ja hëngra si i babëzitur zemrën e kuqe, të ëmbël, të shijshme. Ja piva gjakun e ngrohtë. Zemra e kuqe e roskovecarit zhytur në stomakun tim. Surrati im mbytur në gjakun e tij.

Nuk u ngopa.

Një zemër roskovecare kurrë nuk mjafton.

Një zemër roskovecare gjithmonë është pak.

Pak më tutje ca zemërzjarrtë roskovecarë të tjerë.

Ju vësula njërit si ujk i uritur. Pa aspak mëshirë. Pa asnjë hezitim. E çava me biçak. Zemrën e kuqe ja krreva me krrabë. Nga kënaqësia, ulurita si qën me turi nga hëna. Pastaj, si vampir ja piva gjakun e kuq.

Një tjetër roskovecar zemërkuq po rrinte rrëzë një ferre duke u dridhur. Bëhu burrë, i bërtita, dil nga ferra. S’lëvizi. Një të nxjerrë biçakun. Një tja ngulur frikacakut. Jo në mëlçi. As në mushkëri. Drejt e në zemrën e kuqe roskovecare. Mblodha gjakun që rrodhi. Kafshova zemrën e zjarrtë. Piva gjakun e kuq. Njëkohësisht. Si hamburgeri që shoqërohet me dhallë.

Mos lëvizni – u bërtita nja pes a gjashtë roskovecarëve që ishin mbledhur e po llafoseshin në një qoshe si komplotistë.

Myzeqarët zemërkuqë e zbatuan urdhërin. I lanë pëshpërimat e rrezikshme.

Bam, bam, bam, i përplasa komplotistat pas murit. Vu gjaku i kuq. E mblodha gjakun në një kanaçe. Zemrat e kuqe, ua kafshova dhe ua hëngra si ha qëni i kasapit rropullitë e qingjit. Pra me kokën brenda barkut të porsatherur, i përqëndruar dhe me ngut. Kanaçen me gjak të kuq roskovecar e piva me eks.

Zemërkuq kryeneç roskovecar i vetmuar po llafoset me veten e vet. Nuk e zgjas. Mendimtarit zemërzjarrtë ja çaj barkun me thikë. Ja fus duart në bark. Ja shkul zemrën me gishta. Pankreasin, prostatën, shpretkën, nuk ja prek. Gjakun nuk ja pi. Gjakun ja lëpi. Kot. Se ashtu më pëlqen. Se ashtu mu tek. Zemrën e kuqe roskovecare ja kafshoj si Vampiri i uritur sapo ngrihet nga varri në filmat e horrorit. Bëhem helaq me gjak të kuq roskovecari të rrumbullakët me bisht.

S’ngopem së kafshuari zemra roskovecare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok