22/12/2024

Zanafilla e romanit “Lumi i Vdekur” të Jakov Xoxës

0
Jakova-Xoxa-Lumi1

Monografi

(Varianti i plotë pergatitur me rastin e 100-vjetorit të lindjes së autorit)

Gurin e rëndë të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mban.-  (marrë nga romani ‘Lumi i Vdekur’)

Nga Aristotel Mici

I

Për herë të parë emrin e Jakov Xoxës e kam gjetur ne librin e gramatikës të Prof. K. Cipos, kur isha në shkollën unike rreth vitit 1949. Autori i librit kishte zgjedhur një fragment nga novella e Jakovit “Përsheshi i Paput” dhe e kishte vendosur ne faqet e kapitullit të sintaksës duke e titulluar “Kallci i ri”[1]

Duke lexuar atë pjesëz gati një gjysmë faqe, më ra në sy ne një herë gjuha e rrjedhëshme, me fjalë të figurëshme, që lidheshin bukur. Nga përsëritjet e leximit me qëllim mësimor në atë kohë shkollore, më kanë mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite fjalët e atij fragmenti: “Ujët e lumit merrte tatëpjetë duke kënduar e murmuritur mbi zajet që kishte zbritur nga mali dhe kur e kur kthente kokën pas, andej, bërrylave, ku mezhda e ngritur dy bojë e ca njeriu, s’i bënte udhë”. Sado që isha në moshën e   adoleshencës, më bënte përshtypje fakti që autori i librit të gramatikës kishte marrë nga një novelë e Jakovit një fragment për kapitullin e sintaksës.  Kurioziteti im rritej, tek shikoja se “Kallci i ri” i Jakovit qe vendosur pas një pjesë të Shollohovit “Janari” nga Tokat e Çara” (me përkthim të S. Cacit) dhe pastaj ndiqej nga “Deti”(fragment nga Kënga e Skifterit) të  M. Gorkit, përkthyer nga L.Kodra, si dhe  “Fshati në mëngjez” prej romanit “Kasollja” të V. B. Ibanez, me përkthimin e F.Nolit, dhe kur po thuajse, mungonin firma të tjera nga letërsia. Dihet se çdo libër gramatike nuk është antologji, ku përfaqësohen shkrimtarët me veprat e tyre, po, sidoqoftë, për zgjedhjen e një fragmenti prej krijimit artistik të një autori të ri, siç ish Jakovi atëherë, kjo gjë ish shenjë vlerësimi që do të gëzonte çdo shkrimtar për fillimet e veta, aq më tepër të ndodheshe midis firmave letrare të njohura. Dhe gjellitja letrare nuk qe bërë nga një përpilues i zakoshëm tekstesh mësimore, po prej një personaliteti të gjuhësisë, nga një linguist i shquar me kulturë të gjërë klasike dhe moderne, nga Prof. Cipo me emër të dëgjuar. Thënë ndryshe, Prof. Cipo qe lajmëtari i parë që pohoi se letrave shqiptare u kishte ardhur një firmë e re.

Në klasën e tretë unike që korespondon me klasën e tetë sot, do ta gjeja Jakov Xoxën përsëri, po kësaj radhe në librin e antologjisë, ku qe përfshirë novela “Kurorat e Masar Beut”.  Unë dhe nxënësit e tjerë të klasës, tek shikonim emrin e tij në faqet e librit, na dukej krejt fierak, dhe kjo për arsyen se edhe nje mësues i shkollës unike, Xoxi Xoxa, mbiemrin e tij kishte. Po këtë hamendje na e bëri të vërtetë mësuesi ynë i pasionuar, i gjuhës, i ndjeri Llaqi Kola, i cili, para se të niste komentin letrar, na tha që  “autori i kësaj pjese të leximit është nga Fieri dhe se  para shumë vjetësh e kam pasur nxënës në shkollën fillore; po tani ai studjon për lëtërsi në Sofje të Bullgarisë.”

Në këtë rast, për ta konkretizuar dhe për ta bërë më interesant mësimin, mësuesi u përpoq ta “dramatizonte” novelën… pra bëri ndarje rolesh. Një nxënës caktohej të lexonte fjalët e autorit, i dyti luante rolin e Masar Beut, i treti luante për një partizan fshatar që quhej Selim, kurse një vajze iu dha roli i dados së Masar Beut. Duke ndjekur këte orë mësimi të “dramatizuar”, ne si nxënës , ndjenim  edhe një  krenari që nga qyteti ynë i vogël  kishte dalë një njeri që shkruante novela të bukura aq mirë, sa të futeshin  edhe në librin e antologjisë shkollore.  Atë kohë gjithnjë e më shumë kureshtja më shtynte të dija se si do të ishte ky shkrimtar.

*

*                     *

 

Pak muaj më vonë emri i Jakov Xoxës do të më shfaqej në Shkodër, ku  kisha vajtur për të ndjekur shkollën e mesme. Kjo ndodhi një të shtunë mbasdite, kur kishim liridalje nga konvikti. Më kishte hipur në kokë që të bëja xhiro me biçikletë, si për t’u dëfryer e për të çlodhur mendjen.  Po ecja me nxitim për të arritur një minutë e më parë tek vndi, ku jepeshinm biçikleta me qera.  Kur po kaloja para një librarie të vogël pranë lulishtes karshi Kafes së Madhe, më zunë sytë në vitrinën ndanë rrugës një libër bojë rozë me titullin “Novela”, kurse sipër ishte emri i autorit, Jakov Xoxa. Ndalova. Hyra në librari. Mora librin në duar, dhe, duke e shfletuar, ndërrova mendje. Me aq pak lekë sa kisha më mirë mendova të blija librin, se sa te merrja biçikletë me qera. Ashtu bëra. Bleva librin edhe me atë ndër duar, u ula te një stol brenda lulishtes edhe nisa të lexoja. E fillova me novelën “Frika e xha Llukanit”.  Nuk më shqiteshin sytë nga libri. Po më dukej sikur ishja në Fier, sikur endesha rrugëve të fshatit e mblidhja ftonj tok me kushurinjtë e mi. Kur e mbarova atë novelë, u ngrita nga stoli i lulishtes dhe shkova drejt e në konvikt, ku kishin dalë po thuajse të gjithë. Kishin mbetur më të zellshmit. Njeri nga ata që shquante për vullnet dhe përpikmëri ishte edhe shoku im i klasës Fatmir Agalliu, i cili, sa më pa librin me novela të Jakovit, u bë kurioz dhe kërkoi ta çfletonte. Fatmiri[2], që qysh atëherë ishte shumë i dhënë pas mësimeve të gjuhes shqipe, tek po lexonte, deshi të nënvizonim dy fraza, që atij iu dukën interesante, me qëllim që të mos na dilnin nga kujtesa. Dhe sot e kësaj dite ruhen në libër nenvizimet nga dora e tij: “Atë natë Frosina e ndjeu veten  pendë”. “Ajo e bëri zemrën gur dhe u fut brenda.

– E merr me mend pse i bëra me vijzë më të errët fjalët “pendë” dhe “gur”? – më pyeti Fatmiri.

– Jo, – i thashë, – mbas nga që do të jenë dukur fjali të bukura.

– Në radhë të parë, – u dëgjua ai, – për kallëzoren predikative. A të kujtohet si e sqaron Profesor Cipua në kapitullin e mësimeve të sintaksës?

– Përkufizimin nuk më kujtohet, – iu përgjegja, – po gjithësesi më vjen në mend shprehja “mos e bëj mizën buall”.

– Ja pra, që e ditke, pse the që nuk më kujtohet kallëzorja predikative, që këtu tek këto novela të Jakov Xoxës e kemi të dukshme në disa raste.

Duke e parë Fatmirin aq të interesuar, i thashë që ta merrte ai librin dhe ta lexonte para meje.

Jo, ore, – tha, – ky qenka i lirë, po shkoj ta blej vetë.

Dhe ashtu ai u nis me një herë drejt librarisë, kurse unë mbeta në sallën e stuidimit. Ndër kohë, i ndodhur vetëm, hapa librin dhe fillova të lexoja novelën “Prërsheshi i Paput”.

Kur kishja vajtur nga gjysma e novelës, hyjnë në sallë të studimit dy shokët e mi të ngushtë: Llazar Moja dhe Kostandin Boçova, të cilët kishin takuar Fatmirin gjat rrugës dhe prej tij kishin marrë vesh se kishja blerë librin me novela të Jakov Xoxës, porse vetë Fatmiri nuk pati gjetur asnjë kopje dhe qe nisur ta merrte në bibliotekë.

Ndërkaq aroma e çajit të luleblirit nisi te shperndahej nga kuzhina në oborr, gjë që na shtoi oreksin për të ngrënë darkë. Duke pritur të binte zilja për t’u futur në mencë, ne, si ishim ashtu grumbulluar, filluam një këngë popullore, që e drejtonte me violinën e tij Kostandin Boçova:

A e mban mend moj Viti,

Kur losnim me arra?

Fusharakja, fusharakja,

Vajza Semanjakja.

Në mbarim të këngës ia mbrrijti Fatmiri, që as në bibliotekë nuk e kishte gjetur librin me novela të Jakovit

Mos kij merak, – i thashë ngadalë, – ky nuk është voluminoz. Ja, merre lexoje ti përpara.

Të nesërmen, në darkë, Fatmiri ma ktheu librin, ku kishte bërë ça vijëzime fare te lehta. Nga ato nënvizime ai kishte zgjedhur dhe i kishte shkruar në nje fletore tre shprehje të veçanta, që të tërhiqnin vemendje nga ana gjuhësore në përgjmithësi, po në veçanti nga ana sintaktike:

Më të mirë se xha Lipi, për punë druri, nuk gjeje të rrihje dhenë.

“Mallakastëriotët nisën t’ia hiqnin fillin.

“Plaku ndehu veshët big dhe hapi sytë katër”.

 

Dëgjo, – më tha mua, – duke komentuar për anën gramatikore të novelave,  ky libër është fare i lehtë për t’u kuptuar, po nuk është i lehtë gjithnjë, për t’u analizuar, nga ana sintaktike.

Dhe kur pa që unë nuk ishja shumë i përqendruar në fjalën e tij, vazhdoi:

Ja si do t’i merrje ti nga ana e sintaksës fjalët që unë i kam nënvizuar me laps:

(“Të rrahësh dhenë …. t’ia hiqnin fillin…. Ndehu veshët big…. hapi sytë katër”.)

 

Atëherë unë, që nuk ishja në gramatikë më i zoti nga Fatmiri, i thashë se këto lloj shprehjesh do të ishte më mirë t’ia tregojmë ndonjë profresori, se sa të gjykonim vetë si në tym.

Dhe ashtu vendosëm. Të nesërmen, në kohën e pushimit të madh, midis orëve mësimore, gjetëm rastin dhe u takuam me professor Jup Kastratin.  Ai ishte ende i ri në moshë dhe i gatshëm në kmomunikime me nxënësit.

Pasi na dëgjoi dhe, pasi pa shenimet tona dhe vizimet në libër, na përgëzoi për leximin e vemendshëm të novelave të Jakovit, i cili, sipas tij, po dilte në letërsi me një stil origjinal. Pastaj, pasi dëgjoi shqetësimin tonë lidhur me analizën gramatikore – sintaktike të disa frazave në faqet e novelave, profesori na sqaroi duke na thënë: “Dëgjoni, djema, këto shprhje nuk mund të merren veçmas, si me thanë të shkoquna, sepse janë idioma”. Dhe, kur profesori e kuptoi se fjala “idiomë” ishte një koncept  jo aq i qarte për ne, shtoi: “Idioma asht thanie me ndërtim të ngurosun, kuptimi i së cilës nuk del prej marrjes veçmas të çdo fjale, po  nga përngjitja njiherit e të tana fjalëve në kuptimësinë e tyne.  Çdo gjuhë ka idiomat e saj, të cilat nuk përkthehen fjalë për fjalë në gjuhët e tjera. Kështu ka edhe gjuha jonë shqipe. Fjala vjen: “Atij  i  ranë më qafë” … kjo asht idiomë. Po kështu janë idioma tek novelat e Jakov Xoxes shprehjet që keni nënvizuar ju: “Të rrahësh dhenë…t’ia hiqnin fillin…ndehu veshët big”

Ra zilja e mësimit dhe ne u ndamë me professor Jupin duke qënë më të sqaruar për ato raste shprehjesh tek novelat e Jakov Xoxës.

*

*         *

Po kërshëria ime për ta njohur nga afër Jakov Xoxën rrinte herë pas here e zgjuar deri sa u dha rasti tre vjet më vonë, që do ta shikoja konkretisht dhe do ta dëgjoja direkt, kur ai erdhi në gjimnazin e Shkodrës tok me dramaturgun Kolë Jakova. Atëherë Jakovi sapo qe larguar nga Instituti i Shkencave dhe qe emëruar redaktor për “Tribunën  Letrare”, që  dilte si fletë e brendshme   e gazetës “Zëri  i Rinisë”. Dukej njeri i qetë, me trup mesatar, me sy të zgjuar.  Shumë i rregullt në veshje dhe në krehje, i vemendshëm në bisedime dhe me etikë qytetare. Fliste nga dale dhe fjalët e rëndësishme i theksonte në mënyrë të veçantë.

Në tubimin e organizuar me letrarët e rinj të shkollës Jakovi foli për mundësitë e bashkëpunimit me të gjithë ata që kishin dëshirë të dërgonin shkrimet e tyre tek “Tribuna Letrare”, që do të ishte një mundësi e prezantimit fillestar për talentet e reja. Më pastaj ai sqaroi disa çështje, që kishin të bënin me procesin e krijimtarisë letrare. Të gjithë pjesëmarrësit dëgjonin me vemendje, se e kuptonin që kishin të bënin jo vetëm me një gazetar, po më shumë me një person, i cili fliste me kompetencë për artin e fjalës.. Si pedaog i lëndës së teorisë së letërsisë në fakultet, Jakovi shtjelloi bukur koncepte teorike për procesin e krijimit, duke e ilustruar fjalën e tij edhe me shëmbuj nga vepra të ndryshme letrare. Në mënyrë të vaçant ai theksoi të kuptuarit e stilit dhe të individualitetit krijues të autorit, po ashtu ndriçoi konceptin rreth subjektit letrar, elementëve të subjektit dhe të kompozicionit. Në bisedën e tij tërheqëse i dha rëndësi edhe kuptimit të fabulës në subjekt, a po thëne ndryshë, intrigës letrare, “të fshehtës”, që rrit kuriozitetin e lexuesit  tok me dramacitetin e veprimit. Duke folur për poezinë lirike ai kërkoi që ajo të jëtë e vetëvetishme, spontane, mundsësisht të marrë diçka nga mushti i këngëve popullore. “Sillni në mendje para të gjithave poezinë “Voji i Bylbilit” të Ndre Mjedës, vargjet e kësaj poezije shkasin aq vetiu, ose “Fjalët e Qiriirit” të Naim Frashërit, po kështu elgjija për Luigj Gurakuqin e Fan Nolit”.

 

Në mbarim të atij takimi letrar,  tok më Dhori Qiriazin iu afruam, i dhamë të njohur dhe shkëmbyem mendime.. Kur e mori vesh që ishim nga krahinat jugore të vendit, mbaj mënd që na tha: “Është fat për ju që po studjoni këtu në Shkodër, ku ekziston një traditë e herëshme letrare, kulturore dhë folklorike.  Qysh në kohë të herëshme Shkodra është e shquar për nivelin intelektual. Nuk është e rastit që në këtë qytet ka një theatër profesinist, po ka edhe një bibliotekë të pasur, ku ju mund të gjeni  libra që të  zgjeroni njohuritë që merrni brenda orës së misimit të letërsisë.    Para të gjithëve mësoni nga shkrimet e Migjenit. Mësoni nga intuita e tij për të vëzhguar realitëtin; si i pasqyronte ai pamjet e jetës së përditshme, duke i kthyer ato në realitet artistik. Edhe në gjuhë…. të mos mbeteni fare krahinor; të zgjdhni fjalë edhe nga e folmja shkodrane, fjalë të atilla që mund të tikngëllojnë bukur dhe natytëshëm në shkrimët tuaja si janë fjalët “zana”, “shtojzavalle”, “shtrjegull” “i  tretun”,  “ranishte” “teposhte”, me qëllim që edhe leksiku juaj të pasurohët, po edhe dialektet të ndikojnë te njeri tjetri për gjuhën e përbashkët letrare”.  U ndamë me Jakovin atë mbas dite duke i dhënë shkrimet tona, Dhori i dha disa vjersha lirike kurse unë nje tregim.

Një vit më vonë, si për koincidencë, Jakov Xoxën do ta kishja pedagogun e teorisë së letërsisë në Institutin e Lartë Pedagogjik. (Atëherë nuk qe themeluar ende Universiteti i Tiranës).

Një herë, në intervalin e një konsultimi, gjeta momentin ta takoja, tek shkallët e Institutit dhe të flisja sado pak. Jakovit i pëlqeu bashkëbisedimi i shkurtër që kish të bënte me kuriozitetet e mia për novelat e tij të para, për personazhet realë dhe të fantazuar, me subjekte nga Fieri dhe Myzeqeja dhe më tha ta vazhdonim bisedën edhe pas konsultimit.

Në mbarim të leksionit u takuam edhe udhëtuam tok prej Institutit, që atëherë ndodhej te godina para maternitetit, ku tani eshtë Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dhe ecëm dejt trotuarit deri te Sheshi Skënderbej. Për gjatë udhës më pyeti edhe për familjen, dhe, kur mori vesh për konfliktin e fisit tonë me Vrionasit u bë shumë kurioz dhe më tha se do të vinte për vizitë në fshat, në Shën-Pjetër.

*

*         *

Ishte një mesditë e gushtit të vitit 1955. Po studjoja historinë e letërsisë së vjetër shqipe të hartuar nga Ziaudin Kodra, kur më vijnë në dritaren e dhomës përdhese fëmijë të kushurinjëve e më thonë se ka ardhur një mik nga Tirana dhe të kërkon. Dola jashtë dhe më vajti mëndja se duhej të ishte Jakovi, meqë me kish dhënë fjalën. Dhe vërtetë ai qe. Po më priste duke mbajtur në duar një biçikletë.

Paske gjetur kalë të shpejtë, – i thashë.

Është biçikleta e Lil Beles, -m’u përgjegj. – Më bëri nder.

Pasi mbështetëm biçikletën në trungun e një fiku, Jakovi më tha:

More , po si nuk më tregove, kur u takuam në Institut, se më kishje  nisur dikur një tregim në redaksi? M’u duk e papritur, kur pashë emrin tënd dhe titiullin e tregimit “Subash Pallamari”.

Tregimin nuk ua kam nisur me postë,- iu përgjegja,- po ua kam dhënë në Shkodër, kur erdhët dhe organizuat një takim me letrarët e rinj në gjimnaz.

Ke të drejtë, – më tha,- ka  më shumë se një vit.. Gjatë kësaj kohe kam grumbulluar mjaftë shkrime nga studentët e shkollave të mesme dhe të Fakultetit të Letërsisë.. I kam sistemuar në dosje dhe po bëj një seleksionim. Në këtë proces pune hasa edhe tregimin tënd, i cili më pëlqeu dhe në një të ardhme do të botohet. Po mos harro se “Tribuna Letrare” si faqe e brendshme  e gazetës del një herë në dy javë, kështu që siç  kuptohet  për tregimet nuk ka shumë sipërfaqe. Është ndryshe me poezitë.  Me që ra fjala për shkrimet që jam duke përzgjedhur, desha të them gjithashtu se këto krijime, pasi të shaptilografohen, do të përmblidhen në një dispencë, e cila do të shërbejë si bazë për një seminar me letrarët e rinj, që do të mbahet nga fillimi i vitit të ardhshëm; mbase dhe në muajin shkurt. Kjo dispencë do t’u dërgohet gjithë autorëve të rinj.  Po ti mos prit sa të të arrijë me postë. Kur të vish në Tiranë për provimet e sesionit  të dimrit në janar, kthehu edhe nga redaksia e gazetës dhe merre vetë  përmbledhjen me shkrime që të fitosh kohë për t’u njohur me materialin.

Ishte akoma vapë gushti, prandaj e pëlqyem të rrinim jashtë dhe u ulëm tek  dy stola dërrase që ishin vendosur nën hijen e shelkut në oborr, ku dëgjoheshin mijëra  cicërima të  harabelave  tok me këngën e pandërprerë  të gjinkallave.  Aroma e lule tatullave ne mezhden e gardhi e bënte edhe më të këndshem qendrimin përjashta .

Ndërkohë nëna ime, dukë parë se dikush kishte ardhur e po bisedonte me mua në oborr, doli nga shtëpia dhe, kur erdhi pranë nesh, te hija e shelkut, unë i thashë se “miku ka ardhur nga Tirana, është shkrimtar dhe e kam profesor në Institut, e quajnë Jakov Xoxa.”

Atëherë nëna i dha dorën dukë thënë:

“Mirësenaerdhe!  Dhe të qoftë e mbarë ardhja që bëre dëri këtu !   Me sa dëgjova nga djali,  mos jeni nga dera e Xoxallarëve.

Po- u dëgjua Jakovi- i biri i  xha Nasit.

Pastaj nëna m’u drejtua mua: “Po ti më mirë thuaj se e kemi mikun nga Fieri dhe jo nga Tirana.  Me Xoxallarët kemi njohje të vjetra, sidomos me avokat Zoin.”

 

II

 

Sigurisht, në ato vite, ardhja në fshat e një intelektuali prej Tirane, dhe aq më tepër e një profesori nga Instituti i Lartë, ishte një vizitë e rrallë që nëna e priti me nderim.

“Gëzohem, vazhdoi të fliste ajo që djali di të mbaj lidhje me njerëz të ditur e të mirë . Ashtu si i thonë një fjalë, nga i dituri dhe nga i vuajturi ke çfarë të mësosh gjithnjë”.

Duke parë se jashtë në hije ishte bukur, nëna nuk kërkoi të qendronim brënda shtëpisë  me një hërë sipas zakonit; ajo na la të vazhdonim bisedën  që kishim nisur dhe pas pak minutash na solli me një tabaka dy gota me dhallë të freskët tundësi.

Ndërkohë, nëna vuri shkarpa të thatë të vatra me tulla jashtë shtëpisë, aty prane, tek hija e atij shelku, ndezi zjarrë me to dhe nisi të përgatiste vezë të skuqura me djathë të bardhë.

Kur ishim duke ngrënë atë drekë të shpejtë, Jakovi iu drejtua nënës tek po zjente xhezvenë e kafesë.

– Si e mban mend zotrote shpërnguljen e fisit nga Griza?

– Më tepër se shpërngulje, ikja jonë ishte dëbim. Na dëbuan në mënyrë të pamëshirëshme,-  iu përgjegj nëna, duke afruar shkarpat  te urat e zjarrit.

– Po si ndodhi? Për çfarë arsye?

– Në të vërtetë inati i beut filloi me kthimin e tim shoqi, Çaçit, nga kurbeti.. Ai kur erdhi nga Amerika, solli me vete ca para, dhe për çudi edhe një makinë shkrimi.

Atëherë, beu, me të marrë vesh, na erdhi gjoja për urim dhe i tha tim shoqi se fisi i Micallarëve i detyrohej atij për hakën e të tretave për dy vjet, që ishin të padhëna ende..

-Vërtëtë nuk ia kishit dhënë ?

-Ia jepnin, po nuk i mbushej syri qehajajit. Është pak, thoshte, e kini fshehur misrin dhe grurin .

– Po kishte fakte për atë që thoshte.

-Aspak. Qehajai fliste në tym. E treta dilte me pakicë, sepse  pak u prodhua. Ishte koha e Luftës së Madhe.  Austriakët erdhën që andej nga veriu;  ushtarët e Italisë së  Parë nga Vlora…..dhe bënin luftë midis tyre. Mjaftë të ruaje kokën; lëre më pastaj  atë sëmundjen e keqe të gripit spanjoll. Gjysma e njerzëve të fisit vdiqën.  Po ata nuk donin të dinin as për këtë mynxyrë as beu, as qehajai. Dhe kështu, kur erdhi Çaçi me ato para gjithë mundime, ia behën ata, siç thashë. Në fillim i  kërkuan makinën e shkrimit për një avokat të tyren.  Po nuk u mjaftuan me aq.  “Mos harro”,  ngulnin këmbë: “kemi dy vjet pa të tretë.”

“-More zotërinj, –  ua ktheu Petua, një kushuri, – me ato para  që na solli Çaçi, lamë borxhët , që qenë marrë nëpër miq, tani shpirti  ka mbetur.”

Po nuk na dhatë hakën, nuk do t’i keni mirë punët, – u hakërrua qehajai.

Në ato kohë Çaçi qe përzierë edhe me fanolistat. E kishte njohur Fan Nolin qysh në Amerikë.  Një më dy dhe fliste për të. Pastaj u lidh edhe me ata të “Bashkimit”. Mirëpo më vonë, kur Fan Noli ra dhe iku, beu ngriti zërin edhe tha: “Më mirë një bujk më pak, se sa një kokëlartë më shumë. …. Nuk të lintë beu të çoje kokë sipër, ja, fjala vjen të ngrije oxhak në vend të baxhasë.

Dhe, atëherë, nga kërcënimi i beut, ju ikët me një hërë.- pyeti Jakovi.

Nuk shkuleshim kollaj ne, Micallarët ishin fisi i madh. Gjithë djemtë kishin armë. Po me gjithë atë, ishte koha e bejlerëve. Ata bënin ligjin se kishin qeverinë me vete. Pastaj, duhet thënë se armiqësia e beut me fisin e Micallarëve ishte e vjetër. Shumë e shumë vite para se unë të futesha nuse në këtë derë….Me të dëgjuar e kam se mëria kishte nisur  qysh kur qe djegur një pjesë e kashtës së kënetës së Grizës. Po për këtë sherr, që u kthye në hasmëri, më mirë pyesni xha Kolin, sepse ai e ka më të qartë se sa unë. Dhe ashtu, ta ngas llafin, beu na kishte si halë në sy, sidomos kur guxuam të bënim oxhak në vend të baxhas. Ditën e Pashkës së Madhe na dërgoi lajmin që brenda muajit të largohëshim nga Griza.  Dhe, kur pa se fisi nuk kishte sy për të lëvizur, beu vendosi të vriste burrat duke u zënë pusi. Ashtu mendoi dhe ashtu bëri. Si kohë më të përshtatshme atëherë gjeti një ditë të martë, që ishte dita e pazarit në Fier.

Atë dit im shoq Çaçi dhe kushuriri i tij, Petro, u nisën kaluar për në qytet, po ecnin si për ditë pazari. Atyre nuk u shkonte në mend se tek kthesa e Mbyetit, tek një vend që i thonë Çesma e Shën-Kollit”, poshtë kodrës, tek ca blaca të mëdha me ferra dhe marina, i ligiu, një njeri i beut iu kishte zënë pusi. Kur burrat iu afruan kthesës kaluar, duke u llafosur qetë- qetë midis tyre, i ligu,  ai vrasësi, qëlloi dy herë.  Petron e kapi plumbi në zemër dhe ra për tokë i vilanosur, kurse im shoq, Çaçi, që nuk e zuri plumbi, u hodh nga kali, nxori revolen dhë u sul vringthi nga vrasësi, duke qëlluar drejt tij, po ai u zhduk në shkorretë..                                                       Ishte ditë pazari dhe tërë kalimtarët dhe pazarasit u grumbulluan për rreth të vrarit, ndanë rrugës. U bë zhurmë e madhe; dhe ashtu përmes asaj berihaje Peton e vrarë e sollën në shtëpi me qerre  të lyer me gjak.  Ditën e varrimit , tok me vajet, u  nxor e u këndua  edhe një këngë me  “oi”, nga gratë, dhe me kaba nga burrat::

Të vranë, Peto të vranë,

Të vrau beu me qehajanë.

Në Mbyet ç’ta zunë pusinë,

Tek  Çezm’e Shën-Kollit,

Tek blacat me marinë.

 

Ditë pazari, u muar vesh,

Ç’u bë në Grizë Godolesh.

Shkrepi dyfeku për t’ vrarë,

Për të vrarë një grizar.

 

 

*            *         *

Ndër kohë Jakovi hapi bllokun e shenimeve dhe shkroi shpejt e shpejt fjalë dhe fjali që i interesonin, duke pyetur përsëri:

–         -Dhe pas kësaj ngjarje të dhimbshme, beu vazhdoi t’u binte më qafë?

-Për ca javë beu nuk u ndje, po në mbarim të gushtit, na vjen një lajmëtar nga komunia më një shkresë në dorë, një bazmata, që ua dorëzoi burrave. Me anë të asaj karte të vulosur, si bazmata, nga kryetari i komunes jepej urdhëri që të largoheshim një orë e më parë dhe t’ia linim të lirë oborrin edhe tokën të zotit të çifligut. Po ne, gjene, nuk po luanim, nuk na benin këmbët të lëviznim. Dhe ku do të shkonim?… Ku të mbyteshim…… Ishim shtëpi e madhe me shumë fëmijë të mbetur jetim që nga koha e Gripit Spanjoll. Nuk kaloi dhe shumë kohë dhe në fillim të vjeshtës së parë një mëngjes, u çuditëm kur pamë qehallarët dhe xhandarët, që kishin sjellë me vete edhe ça argatë me shkallë dhe sqeparë.

Keni shkelur urdhërin e komunës, na thanë.  Meqënëse nuk u larguat vetë, po u dëbojmë ne, folën ata si më hakërrim.  Vunë shkallet e drunjta nga jashtë dhe urdhëruan argatët që të hipnin lartë e të na hiqnin çatinë. Nuk kishim se çfarë të bënim. Nuk i bihej murit me kokë. Bejlerët e kishin marrë përsëri fuqinë. Kjo u duk qysh kur pazarin e Fierit, që tregëtarët në kohën e Fan Noli e shpunë në Bishanak, bejlerët e hoqën dhe e vunë brenda trojeve të tyre siç pati qenë para Fan Nolit.

 

–  Me lotë në sy ngarkuam qerret dhe kuajtë edhe u nisëm për në Fier. Në fillim na hapi oborrin dhe shtëpinë një mik i Çaçit, Tonç Bufi. Ku u sajuam e qëndruam për javë të tëra.

Po për këtë kohë nuk është për t’u harruar ajo që bëri Nëna e Mdhe, e veja  e Petos së vrarë. Atë e quanin Urani, po djemtë e thërrisnin Gjyshe Maja. E vrerosur nga gjëma që na gjeti, ajo, Nëna e Madhe, një ditë nuk e mbajti veten;  e ndërkryer nga gjëma e vrasjes dhe e dëbimit , na merr bastunin e të shoqit dhe vendosi të shkonte tek sarajet e beut dhe ta  takonte atë dhe t’i fliste sy më sy. “Mos shko tek beu, i thanë djemtë, se ai do të vrasë”. Le të më vrasë, tha, turpi i tij do të jetë. Nuk më dhimbet më jeta. “Çfarë do të ndreqësh tani, o Gjyshe Maja?”  E pyesnin çunat. Asgjë, u tha ajo, vetëm do ta nëm sy  më sy. Zoti që është lart shikon, mënon, po nuk harron. Tha ato fjalë dhe mori udhen drejt sarajeve.  Po djemtë nuk e lanë vetëm. Dikush mori një çfurk druri, dikush çomange gjuetije dhe i shkuan asaj pas. Vajti atëherë Nëna e Madhe dhe trokiti te porta e rëndë. Pas pak, u hap një derë dhe doli qehajai.

Çfarë kërkon ? – i foli si  nëpër dhëmb.

Dua të takohem me beun , – i tha .

Qehajai atë çast hodhi shikimin nga çunat dhe e pyeti Nënën e Madhe se ç’ donin ata  djemtë  prapa saj.

Ata janë në merak se mos rrëzohem unë dhe, po të bie, të më marrin hopa dhe të me shpjenë në shtëpi..

Do të presësh ca aty, sa të vete dhe të lajmëroj beun, – foli si me inat qehajai , duke mbyllur derën me panxhë.

Më kot po priste Nëna e Madhe t’i hapej dera përsëri.  Beu nuk po dukej të zbriste shkallët që të shpinin në oborr.  Po, megjithatë, ai doli në ballkonin e katit të dytë dhe iu drejtua prej andej nga lartë Nënës së Madhe, duke shikuar edhe djemtë për rreth saj:

Për se ke ardhur?  Çfarë kërkon?

Nuk të kërkoj gjë, po jam këtu që të të them se Zoti atje lart, shikon, mënon, po nuk harron. A i sheh këta djem jetim dhe pa strehë? Ja kështu

mbetsh dhe ti o zot, kështu me trastë krahu, që kur të të vërsulen qentë e të rrotullohesh, t’u biesh, të të këputet gjalmi i torbës e të përndahen kotheret e bukës e t’i hanë zagarët![3]

Nëna ime, sado që nuk trembej nga bestytnitë, ajo prap i ruhej ”syrit të keq” dhe mallkimit , prandaj  dhe shtoi një ide të saj: “Sot kanë dalë  ca  djemuri  që thonë se nuk ka Zot. Mirëpo ja që mallkimin e Nënës së Madhe të fisit e dëgjoi Zoti. Pas shumë vjetësh, …do ti që beu i humbi çifliqet edhe sarajet. Ngeli si i thonë fjalës me gisht në gojë;  dhe ashtu, i pazoti për çdo lloj pune, ai e gjeti më të udhës  të lypte.” Dhe për çudinë tone, një herë, Nëna e Madhe, megjithëse qe plakur shumë, sa që ecte me bastun,  një ditë pazari, i zunë sytë beun  me trastë në dorë duke lypur . Atëherë ajo e la inatin  mënjanë, bëri kryq me shikim nga qielli, duke thënë: “Mëshiroje, o Zot, se nuk dua ta shoh më keq” .

 

Ndër kaq, Jakovi, i tërhequr dhe më shumë nga ngjarja, mori fjalën dhe shtoi nga ana e tij: “Kjo Nëna e Mdhe, a po Gjyshe Maja, më sjell në mendje nje grua tjetër guximtare nga Myzeqeja. Më kujtohet se kur ishja ende i ri, shkoja në avokatinë e Zoi Xoxes, ku lexoja dhe koleksionin e “Gazetës Zyrtare”. Një herë në atë gazetë më zunë syte një njoftim të padëgjuar ndonjëherë.  Botohej një thirrje e gjyqit paqtues se “kërkohej një grua e ve nga fshati Pishë i  Levanit të Fierit,  grua, e cila, pasi kishte kundërshtuar  tagrambledhësin e pat qëlluar atë, dhe ishte larguar në drejtim të paditur, duke marrë me vete edhe fëmijët e saj. Kjo grua e ve quhej Pulie Spiro Pali ….. Që të dyja këto raste tregojnë se edhe gratë e Myzeqesë kanë protestuar kundër dhunës dhe shfrytëzimit.”

Dhe pastaj, pasi bëri këtë krahasim, Jakovi pyeti nënën përsëri:

– Po duke qenë se ishit të strehuar ashtu, në një farë mënyre në Fier, si vendosët edhe  erdhët pikërisht këtu, në Shën-Pjetër ?                                                                                      -Shkak për ardhjen tonë këtu në këte vend qe njohja e Çaçit me ca shokë kurbeti qysh nga koha kur ishin ne Amerikë. Ata, me t’u kthyer në Fier nga mërgimi, filluan të merreshin me tregëtira; kishin dhe ortakëri midis tyre dhe u pati ecur ekonomia, kishin bërë prokopi. Dhe këta, ortakët, i thanë Çaçit: “Ti nuk ke fëmijë të rritur, po ke plot nipër; ….nipa që duan punë. Për të ndihmuar fisin tuaj, …a nuk do të ishte mirë të bënim një marrëveshje? Në Shën-Pjetër ne kemi gjetur një shtëpi të madhe dykatëshe, që ka disa dhoma dhe konakë edhe oborr të gjërë. Shtëpia që të mbahet do njerëz, kurse ju doni shtëpi. Vendosuni atje, ku ne duam të bëjmë një si fermë, një si bujqësi alla amerikane, me që atje ka hapesira për kullota. Në këto mera[4] gjysëm kënetore do të rrisim kuaj dhe derra, se i kërkon tregu i jashtëm. “Ne do t’u japim “mall” me “hakë” “për gjysëm”;  pra “krerët tona”, kurse “prodhi” në mes.  Kjo ide u pëlqye nga të gjithë dhe fisi vendosi të ngulitej këtu, në Shën-Pjëtër..

 

Ashtu u krijua mundësia që gjithë fisi të grumbullohej tek kjo shtëpi e madhe dykatëshe. Nuk u sqarua atëherë se kush e kishte ndërtuar a po shitur godinën. Vetëm se ne mësuam se këtu ishin trojet e Mingajve , të cilët qenë larguar kohë më parë në Vlorë. Në do të dish, këtu, në këtë truall e në këtë shtëpi ka lindur edhe Jani Minga, për të cilin thonë se u  bë njeri  shumë i ditur. Për këtë arsye toka jonë dhe sot e kësaj dite quhet “Minga”, ose Arat e Minges .

Kështu, në fillim puna po ecte mirë. Kuajt kishin hapësirë dhe u shtuan e u bënë tufa si gjysëm të egër. Kishin plot mera, hanin truskë dhe çole që nga Vija e Ngjalës në kënetë dhe deri në bëset [5]e Povelçës. Ishte vërtetë një kullotë kënetore, dhe kishte lloj lloj barërash të egra që rriteshin vetiu dhe kuajt i hanin e u bënë si të hasdisur. Kuajt e rinj, mëzenjte, u bënë aq të egër, sa nuk i kapje dot. Ndonjë herë thërriteshin pelarë të zotë ciganë, arixhinj, që ishin mjeshtra për zënien e kuajve të egër. Ata dinin të përdornin leqe të mëdhënj për këtë punë.                                Në fillim ne gëzonim, sepse na dukej që punët në këtë lloj ferme po ecnin mirë dhe shpresonim se e kishim lënë pas varfërinë.  Ditë e natë, gjithë fisi gëzonte; të mëdhenj e të vegjël mendjen dhe sytë i kishin te kafshët dhe gjëja e gjallë, tek bagëtia, se si i thonë asaj fjalës së moçme që gjëja e gjallë të mban gjallë.

Mirëpo kënaqësia jonë se po shpëtonim nga skamja nuk zgjati dhe aq. Përpjekja e

tyxharëve ortakë që të fitonin sa më shumë e të shpenzonin sa më pak, nuk doli për mbarë. Kuajt dhe kafshët e tjera vërtetë u shtuan për disa vjet, se qenë me dimra të butë, nuk pati dëmtime. Mirë po na qëlloi që një vit dimri na doli tmërrsisht i keq. U bënë kallkan gjithë kullotat. Fryjti ajo era e fraqit që vjen nga Elbasani, që të merrte shpirtin. Pushonte fraqi, edhe thoshnim ne se po ikte dimri, po jo, dimri nuk tundej, do të bënte të tijën; fillonte smoreci, një erë edhe më e ftohtë. Në ato netë me acar kuajt donin  kasolle, donin çati, donin ushqim, donin tagji .Kështu që në atë dimmër të egër, ca nga mungesa e kasolleve edhe ca nga pa ushqimi kuajt i zuri tartakuti. Mëkat nga zoti, shumica e kuajve ngordhi nëpër mera  në mes të cingrimës.

Në ato rrethana tyxharët ortakë e panë të udhës ta prishnin marrëveshjen , të merrnin gjënë e gjallë të tyre, dhe ne, gjithë fisi, të mbeteshim pa bukë e pa dhallë.

Dhe, si jetuat pastaj? Si e përballuat jëtën?  –  Pyeti  i bërë kurioz  Jakovi, që e ndiqte ngjarjen me vëmendje.

Shpëtimtarja e fisit tonë atëherë u bë kamina….. Shën-Pjëtra nga ana e kënetës është e rrëthuar nga toka shëllirë, kërkërishte, vende trokë, që nuk prodhojnë asnjë gjë. Po këto lloj dherash, ama, kanë një të mirë, se janë argjil e gjallë, argjil e pastër, “tallabak”, që bëjnë një baltë të përsosur për qeramidhe.  Im shoq, në atë kohë, gjeti një usta, që bëntë shtëmba balte, po që ishte edhe mjeshtër për kaminë. E solli këtu që t’u mësonte djemëve si të ngrinin kaminë.   Brenda një muaj ai ua dha atyre zanatin. Kurse ne nga ana jonë i dhamë një mës peshqesh. Kështu djemtë filluam të prodhojnë  mijëra tulla dhe qeramidhe. Me to nxirrnim bukën e gojës. Shkëmbenim mall me mall. Jepnim dy mijë tulla, fjala vjen, për një kuintal misër ose grurë. Ishim të vetmit që ngritëm kaminë në këto anë dhe prandaj nuk na ngeleshin pa shitur  qeramidhet.  Po edhe kjo punë nuk doli për mbarë. Duhej paguar shqopa, lënda djegëse, pa le taksat, që dilnin më shumë se sa fitim. Me një fjalë iknim nga varfëria në varfëri. Ngelëm përsëri, në udhë kryq., si i thonë fjalës.

Kështu e mbylli fjalën nëna atë pas dreke, tek pinim nga dalë filxhanët e kafesë.                      Lidhur me këto episode si dhe këngën e mësipërme të asj kohe, Jakovi do të shkruante  dhe do të komentonte  me shokët e kolegët  e tij.  Siç tregon shkrimtari dhe studjuesi i mirënjohur  Prof.  Nasho Jorgaqi në librin e vet me kujtime, kur flet për një nga takimet me Jakovin, ai shkruan: “ Kësaj radhe m’u duk krejt ndryshe, gati i ngazëllyer, kur, sapo u ulëm, më tha:  “Më në fund, u zgjidh lëmshi. E gjeta ngjarjen maja!” Unë akoma nuk po e kuptoja se për çfarë e kish fjalën konkretisht, sepse vetë togfjalëshi më tingëllonte i paqartë. Vetëm kur më shpjegoi, mora vesh se kish gjetur më në fund ngjarjen që do të lidhte lëndën e mbledhur e do ta ngjizte veprën. Si vjen puna,- më tha,-  njoha rastësisht një mësues nga Shën Pjetra. Nuk di në se e njeh, se edhe ai shkruan. Aristotel Mici e quajnë. Më ftoi bile edhe në shtëpinë e tij në fshat, ku u takova me të ëmën.. Ajo ishte një arkiv i gjallë. Këtë e kuptova kur u shtruam në muhabet. Familja e tyre kishte një histori sa dramatike, aq dhe heroike. Ishte historia e një familjeje myzeqare, vrarë e gjakosur me bejlerët, për të cilët këndohet edhe këngë, gjë e rrallë kjo në këto anë, ku shtypja dhe padrejtësia ishte ulur këmbëkryq. Fisi i Micallarëvë është nga Griza, por armiqësia me bejlerët e shpërnguli prej andej dhe i solli në Shën Pjetër. Nuk e ke idenë se sa u gëzova nga gjithësa më treguan. Gati sa n uk thirra :”eureka”[6]

 

I I I

 

 

Atëherë, pasi qemë llafosur nja dy orë, pasi kishim pirë edhe kafenë, kur ra vapa, e nxora Jakovin për të njohur sadopak fshatin. Në fillim e shpura tek kisha e Shën- Pjetrit, që i ka dhënë edhe emrin fshatit. Po nuk e gjetëm kisharin që të na hapte derën. Doja që Jakovi ta shikonte kishën nga brenda. Ishte kishë e vjetër, e ndërtuar me gurë të Apolonisë dhe shumë e ngjajshme nga konstrukti me kishën e Shën Mërisë së Pojanit. Në auditorium, karshi ajodhimës, kishte afreske artisitke, ku figurat e aureolat e shënjtorëve qenë pikturuar me ngjyrë limoni, si në bojë të verdhë veze , ose bezh në gri. Kisha e Shën-Pjetrit ishte e kohës paraturke. Kur erdhën turqit kanë gjetur dhe regjistruan shtatëmbëdhjetë çifçinj. (Qe një humbje më vete prishja e asaj kishe e shekujve të Mesjetës).  Në oborrin e kishës e njoha Jakovin edhe me varrin e tim eti, që ndodhej aty afër mureve të saj. Ishte i vetmi varr që kishte fotografi prej porcelani. Babai atë fotografi e kishte pas  bërë në Boston, po që nëna më vonë, pas vdekjes  së tij, ia pat dhënë të kushuririt, Nas Shtëmbarit, i cili e rifotografoi në Itali, në porcelan.

Këtu,- i thashë Jakovit, – tek ky varr më fillojnë kujtimet e  fëmijërisë. Ishja vëtëm katër vjeç, kur prifti, Papa Kristua, u tha njerëzve përqark arkivolit, që po tendosnin qefinin:

Le ta hedh djali dheun e parë !

Dhe unë, i mësuar nga nëna, mora me dorë një copë plisi të zi dhe e hodha mbi qefinin e bardhë.

Dhe, kur  atë çast u përlota pak, duke shqiptuar ato fjalë, më dorën mbi fotografinë e tim eti, Jakovi më ngushëlloi me atë shprehjen lapidare: “S’ thonë kot që gurin e rëndë   të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mban”.

 

*

*                 *

Pastaj dolëm prej kishës që shprehte “antikitetin” e fshatit për të vajtur nga ana romantike e Shën Pjetrës. Pra, do të ecnim andej nga ana e lumit.

Tani do të shkojmë anës lumit, – i thashë,- po mos prit të shohësh lumë me ujë të valëzuar sot.

Po pse?

Sepse  ky është lumë pa ujë tani në verë. Dikur ka qenë shtrati i vjetër i Lumit të Semanit, prandaj i thone edhe Lumi i Vjetër; që thahet dhe vdes në vapë.  Ky është një lumë i çuditshëm, bën të kundërtën e lumenjëve të tjerë. Ndërsa gjithë lumenjtë, në kohë dimri, e shpjenë ujin nga toka në det, ky e sjell ujin nga deti në tokë.

Po kur fillon kjo dukuri? Kur ngjet? Në ç’ kohë ?

-Atëherë kur do të ringjallet iu përgjegja, në kohën kur ngrihet bura e detit……

Atë çast, siç e kishte zakon për raste të veçanta, Jakovi nxori bllokun e shënimve nga xhepi dhe, duke buzëqeshur më tha:

Më dukët sikur po flasim si në lëgjenda, për lumë qe vdes dhe ngjallet.

Dhe në këtë moment, duke folur për atë lumë të vjetër që vdes dhe ringjallet, Jakovi, ngadalësoi çapat, ngriti pak zërin dhe më tha: tani, tek po përfytyroj këtë lumë, që vdes dhe ngjallet, më lindi ideja, që ta titulloj romanin “Lumi i Vdekur” .

Është për t’u shënuar me këtë rast dhe koincidenca midis Lumit të Vjetër, që ekziston realisht, që vdiste e ringjallej në Shën-Pjetër dhe imazhit të Jakovit për Legjendën e një lumi të vdekur. Vet ai ka shkruar se “qysh më 1945 kisha shkruar rrethth 80 faqe të romanit me titull“Legjenda e Lumit të Vdekur”[7].

*

*          *

Tok me Jakovin ndoqëm rrugën anës Lumit, shtrati i të cilit në vazhdim bën disa bërrylakë. Pas një ore ndalëm tek vendi që quhet Kurora e Laçanit. Në të djathtën e saj çoheshin ca pirgje të mëdhenj më rërë, që vendësit i quajnë bëse, kurse në të majtë shtrihej Pylli i Shëne Premtes. Pas drurëve të pyllit shquanin  disa rrënjë ullinj pranë njëri tjetrit, duke  formuar një si korije të vogël  më vete. “Këta ullinj – i thashë Jakovit,- i bëjnë kokrrat më bërthama të mëdha, po janë shumë vajës dhe që në të folmen e fshatit quhen “ullastër”.                                  – Mbase nga italishtja,”oleastro”,- tha ai, mundet nga koha e venecianëve .

Pranë ullinjve, buzë lumit, ndodhej kisha e Shëne-Premtes. U afruam dhe e soditëm nga jashtë. Kisha të bënte një përshtypje të çuditshme, jo me bukurinë e arkitekturës, po me fortësinë murale dhe vjetërsinë e saj. Qysh në shikimin e parë dukej sa e vjetër ishte. Themelet ishin bërë nga gurë të stërmëdhenj ciklopik, kurse muri, afro një metër i trashë, lartësohej me tulla të mëdha të kuqremta si ato të tipit të Apolonisë, çatija e kishës ishte në formë ovale, si qemerët e furrave të kaminës, ose si  harqet e urave; ajodhima dilte si  gungë nga ana lindore, po e pandarë nga  dhoma që shërbente si auditorium.  Hapëm derën prej dërrase të vjetër nga ana e veriut dhe hymë brenda. Nuk kishte asnjë ornament.  Nuk kishte asnjë dritare, që mund të hapej. Një që kish pas qënë, qe zënë me tulla të lidhura me gëlqere.  Në murin që binte nga jugu ishte një kamare. Mbase ishte vend ku vihej shtatorja e gurtë e shënjtores, ose si bazament për të vendosur ndonjë, ikonë, llambadhe, a po qirinj për ndriçim. Pjesa perndimore e kupolës së godinës ishte e rrëzuar nga një gjyle në kohën e Luftës së Parë Botërore. Ndonjë nga anijet luftatarake italiane, duke e marrë atë për odjekt ushtarak të austriakëve, e kishte goditur kishën e Shën-Premtes në pjësën ballore, kundruall detit.  Hamendja e marinarëve Italiane, se kishin rënë në gjurmë të ndonjë baze  të ushtrisë armike, përforcohej mbase, edhe nga fakti, se komanda e ushtrisë austriake qe vendosur në Manastirin e Shën Mërisë në Apoloni, rreth pesë  kilometra në lindje të Shëne-Premtes. Po megjithë goditjen e bombardimit godina e kishës dukej ende e fortë.

Për të matur gjatësine dhe gjërësinë e kishës ecëm duke numuruar hapat mbi dysheme. Këtë matje e bëmë pastaj, duke hapur krahët,  pra, edhe me pash.                                                                                                                 Ndonse kisha nuk e bënte ritualin e meshës, pra nuk meshohej, kulti i Shënjtores ruhej ende i gjallë. Kisha e Shëne-Premtes nuk kishte as prift, as kamban, dhe as enorije, megjithatë, më 27 korrik, kur ishte e kremtja e saj e përvitshme, njerëzia e fshatrave anës Lumit të Vjetër, shkonin atje edhe faleshin. Kurse ata që kishin probleme shëndetesore për vete, ose për fëmijët e tyre, merrnin qilima  për të fjetur atje rreth mureve të asaj kishe për tërë natën. Kisha e Shëne Premtes sikur na bëri magji me freskinë e saj brenda mureve dhe nuk po na bënim këmbët të largoheshim.

Me të dalë nga dera e kishës, u ulëm në shkallët e saj të drunjta. Dhe, atë çast nisa t’i rrëfeja Jakovit  se kush e di se sa herë tok me shokët e mi të moshës së fëmijërisë, kur vinim gjatë muajve të vjeshtës ose të dimrit për të gjuajtur mullenja me gracka, sa herë qëllonte të na zinte shiu, futeshim brenda  kësaj kishe të vjetër që të mos lageshim. Gjahtarët e peshkatarët  e vegjël e kishin kishën e Shëme-Premtes si shtëpi të dytë.

Pas pak minutash zbritëm shkallët e drunjta dhe shkuam nga shtrati i  thatë i lumit . Vajtëm dhe qendruam tek një lundër e braktisur, prej disa muajsh, që prej kohës, kur qe tharë uji. Po rrinim duke soditur heshtur kishën  edhe nga ajo anë.  Lundra, ku ishim ulur, kishte formën e sovajkës,  e cila vozitej  jo me lopatë, po me anë të një druri si shkop i gjate që në Myzeqe i thonë “koll”. Sado primitive ajo lundër, nga mënyra se si vozitet, të kujton gondolat e Venetikut, të cilat, brenda lagunës, ngiten me nje dru, si shufër e madhe, që venecianët  e quajne “palo”.

 

Shenojmë se më vonë, kur Jakovi do të blente çiften dhe do të bëhej gjahtar, ai do të kishte raste ta përdorte edhe vetë këtë lloj lundre.

Duke e vëzhguar kishën nga ana e shtratit të lumit, shikonim qartë ronitjen a po brejtjen që i  kishin bërë murit valët e ujit, kur mbushej degë më degë.  Pra çdo dimmër kisha e Shëne-Premtes ishte e kërcënuar nga lëpirja dhe grryerja që i bënte uji në themele, gjë që ishte e rrezikshme për godinën sado e fortë që të dukej.

Dhe duke biseduar për rreziqet e mundshme të asaj kishe, Jakovi tha duke  marrë një zotim: “Sa të shkoj në Tiranë , do të vete  në Institutë të Shkencave dhe do t’ua bëj të qartë gjendjen e kësaj kishe, që është vërtetë një  monument i herëshëm kulti.”[8]

Në atë çast e gjeta me vend që, të bisedoja me Jakovin për motive dhe kuriozitete që më shqëtësonin qysh kur ishja fëmijë dhe dilja këtej nga ana e Kurorës së Laçanit për të zënë peshq dhe për të gjuajtur mullenja: ”Pse ishte ngritur aq larg prej të gjithë fshatrave ajo kishë?  Ku ishin gjetur ata gurë aq të mëdhenj? Po tullat aq të veçanta nga do t’i kishin sjellë? Pse çatia e kishës ishtë bërë ovale në formë qemeri me tulla? Ç’ ishtë ajo ajodhimë si një e dalë në formë gunge?. Dhe në fund të fundit pse ishte ndërtuar ajo kishë aq larg qendrave të banuara!?    Jakovi, pasi më dëgjoi, m’ u përgjegj pa vonesë: ”Këto që thua janë kuriozitete  me inters, po janë ca jashtë profilit tonë. Në qoftë se do të përpiqeshim të bënim ndonjë shpjegim, do të dukeshim amatorë. Unë e kuptoj se kjo kishë meriton të studjohet, po nga një historian,… specialist për objektet e kultit, siç është fjala vjen Theofan Popa.

Kisha e Shëne-Premtes me vjetërsinë murale të saj si dhe me panoramën  romantike e plot ekzotizëm do t’i linte një përshtypje të veçantë Jakovit . Shumë nga ngjarjet e subjektit të romanit “Lumi i Vdekur” do të realizohen aty tek kjo faltore e moçme , prandaj shikojmë shprehje të tilla në roman: te kisha e Shën e Premtes në Laçn, tek Pylli i Shëne-Premtes, tek ullastrat e Shëne-Premte, tek kurrizi i Shëne-Premtes, tek lëndinat e Shëne-Premtes,  tek kullotat e Shëne-Premtes, nga Trokthi në Shëne-Premte, tek shkallët e drunjta të Shëne-Premtes, drejt dajlanit të Shëne -Premtes,(janë emra nga toponimia e veprës në fjalë).

Të gjitha këto detaje, brenda romanit, tregojnë përkushtimin e shkrimtarit ndaj faktit real, që i jep dorë frymëzimit të tij, ashtu siç pohon studiuesja Sh. Islamaj se Jakovi është sinonimi i ndërgjegjes krijuese[9].                                                                                                                             Një nga episodet më të pikëllueshëm të romanit do të pasqyronte Jakovi pikërisht këtu në mjediset e Shëne-Premtes, kur do të ndodhte përmbytja nga vërshimi i Lumit të Vdekur. Kjo tablo, që do të pershkruante ai në vepër, shpreh një pamje tronditëse mjerimi me përmasa migjeniane:

Dhe le ta shikojmë konkretisht si e pasqyron shkrimtari episodin e përmbytjes në vepër::

 

U ngjall Lumi i Vdekur, mjerë të gjallët!

U ngjall Lumi i Vdekur, mjerë të gjallët !- Klithi lopari me sa pati në kokë, duke shprehur frikën e tij…. Dhe krisi nëpër fushë, duke thirrur fort e më fort

– U ngjall Lumi  i  Vdekur! U ngjall Lumi i Vdekur!

Britma të tjera barinjsh të tmerruar i bënin jehonë:

U ngjall Lumi i Vdekur!

Në fushën e mbytur në mjegull e ujë nisën të dëgjoheshin llapashitjet e çakërdisura të njerzëve e të gjësë. Çobanët, zënë befas në mes të fushës, andej det këtej lumë e kënetë, s’ dinin nga t’ia mbanin…Qante qielli, ulurinte deti, thërriste robi, blegërinte e pallte   gjëja e gjallë ..Fshatarët shkonin e vinin tutje-tëhu me vrap, me plaçka ngarkuar e bagëti vënë përpara, pa ditur nga t’ia mbanin e si t’u shpëtonin vërshimit e munxosjes së Lumit të Vdekur, që kishte dalë nga “varr” i  tij. Dhe ja atëherë……………..

 

Leksi me djalin e mbytur ndër duar ngjiti shkallët e drunjta të ShënePremtes dhe u fut në të ndarën e vetme, gjysmë të rënuar e gjysmë të zbuluar, të faltores së lashtë. Shtroi gunën mbi truall dhe vendosi mbi të, lehtë e lëndimthi, trupin e njomë e të shuar të të birit..

 

E dhamë këtë pasazh nga romani për të kuptuar se si merrte spunto fantazia e Jakovit,  duke nisur nga realiteti konkret siç është rasti  i kishës së lashtë të Shëne-Premtes.  . I gjithë episodi që ka të bëjë me fundin tragjik të Ndonit, eshtë një shprehje që tregon  se në veprën e tij Xoxa ka dashuri të pandalshme  për njeriun e tokës së tij, për popullin, atdheun, e kombin dhe si i tillë është  pjesë e ndërgjegjes së popullit, është shprehës  i saj.[10]

*

*                    *

Në këto e sipër lamë pas Shëne-Premten buzë Lumit të Vdekur. Dhe ikëm duke ndjekur tragën e qerreve, që çante përmes kullotës verore drejt fshatit. Prapa shpinës kishim detin Adriatik, dhe disa gjole, që vinin si varg  para grykës se Lumit të Vjetër, si gjolin e Kërrnicës, gjolin e Gallanit dhe atë të  Povelçës, që arrinte deri te Pylli  i Madh.. Kurse përball na shfaqej pylli i Shën-Pjëtrit gjithë qiparisa, vidha e lisa të stërlashtë.. Para syve tanë, nga e djathta, shtrihej edhe kodra e Apollonisë me rrënojat murale sipër dhe, ndanë saj  ngrihej  si një gisht i zgjatur gjiganti, Shtylla  antike e Shtyllasit, që lartësohej sa takonte qiellin. Tek shikonim rrethe përqark, na dukej sikur ecnim në një si skenë në formë patkoi. Ashtu ngjante atëherë sipërfaqja kënetore e Hoxharës.  I përmënda gjithë këto emra vëndesh, sepse mbi to fantazia e Jakovit do të ndërtonte veprimet e subjektit të romanit të ardhshëm “Lumi i Vdekur”. Tek iknim për gjatë tragës që gjarpronte midis bimëve dhe barishteve të ndryshme, kudo na shfaqej flora e kënetës me gjithë shumëllojshmërinë e vetë: fshesa kripje, jamruk, truska, çole , grëmi i kripur, shkurre marinash dhe labot i egër.

Dielli  kish anuar shumë  nga perëndimi, po rrezet e tij e kishin nxehur tokën e çarë kënetore gjat tërë ditës. Avujt e kripur sikur dridheshin dhe shumë figura bimësh edhe kafshësh transfiguroheshin, dukë marrë pamje vigane për arësye të iluzioneve optike. Atë çast xhamat e dritareve të Manastirit të Shën-Mërisë në kodrën e Apolonisë reflektonin butësisht rrezet e diellit në perëndim e sipër. Flladi që vinte nga deti përhapte erën e kripur të gjolit të përtharë, që kishte edhe atë aromën ngacmuese të jodit . Në ecje e siper ndjehej ajo kënaqësi që të jepë natyra virgjine me gjithë erëzat e saj dehëse të bimëve të egëra. Pasi kishim ecur nga dalë gati për një gjysëm ore përmidis bimësisë kënetore, ndalëm dhe u ulëm tek një trung druri të rrëzuar nga barinjtë e merasë. Ndodhëshim në atë pjesë të kullotës që ishte krejt shëllire dhe e zhveshur nga çdo lloj bimësie. Atëherë, duke soditur hapësirë rreth e qark, i thashë Jakovit:

-Këtë pjesë të kullotes e quajnë Trokas dhe është vendi më i pëlqyer i barinjve.. Këtu luhet cingël, dokërr dhe bidakthi me shumë kënaqësi.

– Po pse të jëtë aq i pëlqyer?- tha Jakovi..

– Sepse nuk të humbet as cingëla, as dokërra edhe kur i jep me aq forcë sa të ha krahu.

Jakovit siç dukej i kishte tërhequr vëmendjen emri i asaj ngastre me shëllirë të thatë ” Troka-s” dhe vazhdoi të më thoshte:”Po sikur ta quajmë Vendi Trokth”?

Është mbase e njëjta gjë, ia kthëva unë, vëtëm se ndryshojmë gjininë gramatikore.

Edhe për këtë rast ai seç shkroi në bllokun e tij të shënimeve. Nuk e pyeta për  efektin që do të kishte ky detaj toponomastik “Troka-s” në “laboratorin” krijues të  shkrimtarit . Vëtëm se kur u botua romai “Lumi i Vdekur”, morëm vesh se ngjarjet e subjektit të veprës, që fillonin në Grizë, dhe vijnë e shtjellohen në fshatin tjetër, pranë Lumit të Vdekur, që quhet Trokth.  Siç do të shkruante vetë Jakovi:

Trokthi ne roman është  fshati Shën- Pjetër”[11]

 

Atë kohë kur u bëmë gati për të nisur rrugën drejt shtëpisë, pamë se po na afroheshin dy gjahtarë, ishin kushurinj të mi, Vllas Mici dhe Sokrat Mici, që në atë kohë ishin shumë të rinj dhe për t’u dukur se u kishte ecur gjahu, kishin nxjerrë sqepat e shpendëve jashtë çantave të tyre;  i pari kishte vrarë një  pëllumb të egër guhak dhe tjetri dy turtuj.  Sa u njohën, dhe biseda që nisi kishte të bënte me gjahtarinë, me llojet  e shpendëve të egra, me lepujt e egër, dhelpërat dhe çakenjte, që ndonjë hërë dilnin pa pritur. Dhe, ndërsa dëgjonte rrëfimet e tyre për çështje të gjahut, Jakovi nuk harronte “gjahun” e tij për të gjuajtur fjalë të rralla, ose pak të dëgjuara si  “verriu bigaç”, “peligorga e bukur”, “llogaçe me lluçë”, “pllashtirë e vogël”, vetëm se kësaj radhe nuk nxori bllokun e shënim, me qëllim që ato fjalë, të cilat i dukeshin te veçanta,  të përsëritëshin natyrshëm dhe ashtu t’i fiksonet në kujtesë.

Edhe mua më pëlqen sporti i gjahut – u tha Jakovi,- dhe gëzohem që njoha dy mjeshtra gjahtarë. Vitin tjetër shpresoj se do të mbledh para nga botimet e mia dhe me to do të blej një çifte.

Ndërsa ata me një mënyrë shumë miqësore ia kthyën atij me çiltërsi:”Mos prit sa të blesh çiften tënde. Hajde me ne , kur të duash, dhe  të gjuash me armët tona. Dhe ashtu u bë. Sokrati në Shën – Pjetër dhë Vllasi më banim në Pojan qenë “instruktorët” e parë

për Jakovin në sportin e gjahut. Jakovi mbeti mik i pandarë nga ata për gjithë jëtën.

Kur i tregova Jakovit për Vllasin se ai djalë ishte nga dega e Micallarëve të shpërngulur prej Shën-Pjëtrës në Pojan, atij iu shtua dëshira që të dëgjonte më shumë rreth vendosjes së tyre atje.

Po të kini dëshirë të dëgjoni për familjen tonë, – i tha Vllasi,- urdhëroni nga shtëpia; babai do ta ketë për nder  që të llafosë me ju, jo vetëm  për familjen, po edhe për tërë fisin.

Si thua, do t’i përgjigjemi ftesës,- foli Jakovi, duke shikuar nga unë.

Shkojmë, i thashë,- nuk është aq larg;  tre çerek  ore me ecje normale.

Ashtu u ndamë me Vllasin dhe u nisëm drejt shtëpisë tok me Sokratin.

Sa u futëm në oborr, ndjemë aromën e koprës, përzjerë më ato të gjethe dafinës, mendrës dhe  rigonit. Në vatrën jashtë shtëpisë nëna po piqte me çerep një tavë më patate dhe me mish bibe.

– Kjo pamje dhe këto erëza më kujtojnë fëmijërinë, se edhe nëna ime me kunatën e saj teto Marien e përdornin shpesh here çerepin  jashte në oborr  për të pjekurr tavë dhe byrekë,- u dëgjua Jakovi tek u ulëm në stolat  e rëndë pranë tavolinës prej dërrase ,  nën dritën e hënës, të ndriçuar edhe  nga një llampë vajguri.

– Me sa duket,- tha nëna, në bisede e sipër-  ju paskan mbetur në mendje peripecitë  tona si fis.

Po,- shtoi Jakovi,- kjo ngjarje më ka  tërhequr më shumë nga gjithë sa kam dëgjuar rreth të kaluarës në Myzeqë. Për punën time si shkrimtar, kjo ndodhia  e rëndë e fisit tuaj është si ajo majaja, që i hidhet  miellit në magje për të zënë bukën e mbrume.                                                                                                              – E po, atëherë, të daltë për mbarë,- uroi nëna, dhe shkoi për të sjellë pjatat dhe tavën  e pjekur në çerep, për  të shtruar darken.

Pastaj, kur u ul në tavolinë, si për të mbajtur gjallë bisedën, nëna pyet përsëri:

-Nga shetitja që bët sot, gjetët ndonjë gjë të mirë që ia vlente per tërë atë udhë të gjatë, që bëtë më këmbë.

.- Nuk më hiqet nga mendja Shëne-Premtja, – u dëgjua Jakovi,- Sa mirë që nuk e kanë prishur njerëzit, qoftë edhe  për t’i marrë gurët për themele shtëpish, me  që dihet  se në këto anë nuk ka gurë si material ndërtimi.

-Është vetë  Shenjtorja, që e ruan kishën, – sqaroi nëna,  se Shëne -Premtja ka hije ashtu  siç ka edhe  Shend- Illiu, që ndodhet midis Pojanit dhe Kryegjatës. Që ta ngasim fjalën ,- shtoi nëna,- ca vjet përpara  se të  hynte Italia e Dytë, kumandari i xhandarmarise në Fier donte lëndë ndërtimi për të ngritur  një shtëpi, dhe na urdhëron ca spatarë, që t’i prisnin dru në pyllin  e Shënd-Illiut. “Jo,- i thanë ata druvarët,- Shënd-Illiu  ka hije dhe të shuplakë”. “Prisni dru dhe në qafën time” u tha ai kumandari. Dhe ata ashtu bënë, shkuan në pyll dhe  prenë me spatë lëndë ndërtimi për qepra, për  trarë dhe binarë. .Po ç’ ndodhi…. Pa pritur të mbërthehej qeresteja lartë në çati, kumandari i xhandarëve pethiti, luajti nga trut e kokes dhe, atëherë shokët e tij e shpunë në Itali që të shërohej nga mendja….  Kështu, që kjo ndodhi u bë një mësim për të gjithë dhe qysh atëherë askush nuk ka guxuar të prek trojet e shenjtorëve.

–  Shumë përshtypje më la edhe Lumi i Vjetër, nuk është dhe aq i gjatë, po ka shumë kurora. Nga të dyja anët kishte ca gjelbërime, kurse shtrati i tij dukej i thatë si tokë e shkretë, pa asnjë bimë, pa jete, tamam si shtrat i një lumi të vdekur.

– Tani, në verë, – vazhdoi nëna,- ashtu i heshtur dhe i qetë duket ai, si një vend ku mund të luajnë dhe kalamajtë si të duan  dhe çfarë të duan…., po,  po ta shikosh nga fundi i vjeshtës, pa le në dimër,…….. sa i egër bëhet. Është lumë gënjeshtar. Në çdo kurorë të tij bën nga nje vorbull, ku thonë se bëjnë fole shejtanët. Mbase janë edhe fjalë kot. Po siç tregojnë pleqtë e vjetër të kësaj ane, ata laçot, që flenë tek Pirgjet e Laçenjëve, ndanë Shëne- Premtes, me të ndjerë se vjen ujët e detit, zgjuhen dhe secili futet në një vorbull si  në një fole.  Ç’ është e vërteta, duhet thënë se tok me ujin e detit vjen e futet dhe një sasi e madhe peshku nga të gjitha llojet. Pa nisen pastaj për gjuajtje peshkatarët me fushnjera, me rrjeta e me çërrnik[12] e çikëza[13]. Ka dhe nga ata që nuk i dinë gjithë hilerat e vorbullave të lumit dhe humbasin jeten pa u kuptuar. Ja, pak kohë më parë e gënjeu lumi një djalë, Meçan e quanin, dhe prandaj barinjtë sot e quajnë atë vend Kurora e Meçanit.       Biseda e asaj darke u mbyll duke folur për atë pjesë të trungut të Micallarëvë, që u shpërngulën nga Shën -Pjetra në Pojan.  Me që të nesërmën do të shkonim atje, pra në Pojan, Jakovi deshte të dinte paraprakisht diçka më shumë rreth shkakut të vendosjes së kësaj dege të fisit në atë truall te ri.

Arsyeja e parë qe skamja, varfëria, – foli nëna,- ishim familje e madhe me shumë fëmijë, që donin të hanin. Siç e thamë me ortakët i lamë duart, kamina nuk po na ecte, toka ishte kërkërishte gjysëm e kripur dhe nuk prodhonte. Atëherë, kur dëgjuam  se një kosovar, për arsyet e tij, do ta shiste shtëpinë jo shumë shtrenjtë atje në Pojan, u mor vendimi dhe u  ble ajo shtëpi dhe ashtu  shkoi atje xha Koli me gjithë fëmijë e tij dhe me një të  vëllane, Pilo Micin. U vendosën në atë godine, midis dy tre shtëpive të tjera kosovare, që qenë  rregulluar,  po atje, ca kohë më parë .

Me një fjalë, të shpërngulurit nga Kosova dhe të shpërngulurit nga Myzeqeja bëhen fqinj, a po jo,? – shtoi Jakovi.

Fise të ndryshme, po me halle të njëjta. Nevoja të mëson si të bësh fqinjësi dhe shoqëri – tha nëna.

Për librin që do të shkruaj, mua më interson një rast i tillë , ku të ikurit nga Kosova dhe të shpërngulurit nga  Myzeqeja miqësohen si njerëz të dëbuar nga trojet e tyre pa dashje, po me dhunë prej të tjerëve.

Pastaj Jakovi u drejtua nga unë me sy që po i ndrinin nga mendimi, duke më thënë: “do te doja  që këtë fqinjësi ta kthej artistikisht në një miqësi, dhe, simbolikisht të  lë të nënkuptuar idenë e dashurisë, të vëllazërimit dhe të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën  për sot edhe për kohët që do të vijnë.

 

 

I V

 

Të nesërmen në mëngjes u nisëm për ne Pojan. Rruga më e shkurtër binte përmes  kënetës së tharë, pikërisht në atë hapësirë që quhet  “Vija e Ngjalës”. Ecnim për gjatë një trage , që gjarpëronte midis bimëve të egra barishtore të kënetës. Pas pak minutash, në mbarim te Vijës së Ngjalës; udha na nxori te nje vend me shumë çole dhe truskë.[14]   Dhe midis këtyre bimëve barishtore u dukën tri gropa të thella dhe të gjëra, të cilat nuk ishin tharë deri ne fund. Për rreth tyre kishte cifla te ndryshkura hekuri.

 

“Këto gropa,- i tregova Jakovit, – jane gjurmë të një bombardimi të kohës së luftës. Ishte pranvera e vitit 1944. Atehere ishja ende femijë dhe po mblidhja lule shengjergji me porosi të nënës për darkën e Epitafit, që kremtohej në kishë të Premten e Zezë. Ndodhesha tek ai  Pylli i Madh i xha Rrapos, ndanë kënetës. Kur po përpiqesha të lidhja tufat me një fill zhuke, dëgjova zhurmën e tre aeroplanëve që u shfaqën me një herë sipër pyllit.  Duke fluturuar  mbi kokën time, zhurma e tyre u bë trondiste; u struka  midis drurëve, që të  mos më shikonin pilotët dhe më merrnin  për gjermanë që po  maskohej  për t’u fshehur. Ashtu më dukej mua. Me zemër që më dridhej nga tmerri, u bëra njësh me tokën. Po pas nje minute, ata, aeroplanët, qenë larguar nga pylli për në drjtim të kodrës së Pojanit, ku ishte një garnizon ushtarak gjerman. Pra, ata, pilotët, nuk kishin pumë as me pyllin  dhe as me mua, po me gjermanët, të cilët nisën me një herë t’u kundërviheshin me mitralos kunder ajror nga kodra e Apolonisë, ku qenë vendosur. Edhe aeroplanët filluan të gjuanin nga sipër. Zjarr me zjarr. Në ato rrethana, i frikësuar, u  zvarrita pas nje dru lisi me trung të  madh dhe degëgjërë. Qendroja në heshtje si një zog i trembur. Sikur më dridheshin gjunjët dhe nuk më bënin këmbët të merrja udhen për në shtëpi. Për një çast m`u duk sikur gjuajtjet me mitralos u ndërprenë. Dhe pikërisht atëherë ……  se si më ngjajti  që nga barku i aeroplanëve diçka vetëtiu si dritëz në pasqyrë . Po pas nja dy tre sekondash u ndje një buçitje e llahtarshme bombardimi sa u drodh toka. Mua m’u ngjeth misht.  Pastaj dëgjova se si gjëmuan një herësh edhe dy bucitje ,  po  me të njëjtën forcë shperthimi. Në ato sekonda gjëmimi, tejet i frikësuar, m’u bë sikur  aeroplanët do t’i  ktheheshin pyllit, ku qeshë strukur unë. Po jo, aeroplanët nuk kishin punë fare me Pyllin e xha Rrapos. Ata, siç dukej kishin urdhër të bombardonin vetëm mbi kodrën e Apolonisë . Po të pasigurt për të gjuajtur pikërisht atje mbi garnizonin gjerman, e kishin parë të udhës t’i hidhnin bombat aty tek “Vija e Ngjalës”. Dhe, Pas atij bombardimi, aeroplanët nisën fluturimin drejt perëndimit nga an a e detit Adriatik, për të vajtur te baza e tyre ajrore ne Mesdhe.

Kur aeroplanët humben tutje në qiell përmbi det, unë mora vrapin dhe me nje frymë mbrrijta në shtëpi. Nëna, që po më priste, më përqafoi dhe më pyeti se mos më uturinin veshët nga bombardimi.  “Dëgjon mirë më tha”, po thashë, “të dhemb koka anës veshëve”, jo iu përgjegja.

Mbas pak kohe, po atë paradite, shume djem të Shen-Pjetrës dhe të Pojanit, të bërë kuriozë erdhën këtu, tek “Vija e Ngjalës”, për të parë vendin që qe bombarduar. Ciflat dhe ashklat metalike të bombave, që shkëlqenin nga dielli, qenë shperndarë për rreth gropave të hapura  nga shperthimi. Disa nga çunat e mëdhenj, qe kishin nisur të pinin duhan fshehur, kërkuan dhe gjetën copa predhash pak të trasha dhe i merrnin që t’i përdornin si masat, mbi gurin shkrepës me qëllim që t’i jepnin zjarr eshkës.

Duk dëgjuar rrëfimin e asaj ngjrjeje, mbaj mend se Jakovi më tha, perveç te tjerave, se kishja një fëmijëri me episode interesant nga jeta, dhe se përdorja nje fjalor popullor të pasur nga ana leksikore, që do të më jepnin dorë për shkrimet e mia në të ardhmen..

 

*

*                     *

 

Pas pak minutash, me biçikletën për dore mbrrijtëm në Pojan. Duke iu ngjitur kodrës së Apolonisë, kthyem koken pas dhe pamë si në pëllëmbë të dorës gjithë hapësirën, ku  patëm shetitur një ditë më parë.

Duke ecur iu  afruam  murit rrethues të qytetit antik, afër të cilit  ndodhej oborri i xha Kolit, i cili,  i lajmëruar nga i biri se do t’i vinim për vizitë, nuk pati dalë  prej shtëpisë dhe po na priste. U takuam në oborr dhe pastaj ai na futi në shtëpi. Me t’u ulur në divan, me një herë xha Koli iu drejtua Jakovit:                                                                                                    – Si e pëlqen  duhanin, o mik? me kuti, a  po të hekurosur…..

Të falemnderit, po unë nuk e tymos fare.

Mirë ke bërë që e paske lënë, po ne këtej nga fshati e kemi këtë të flamosur duhan si shtytje për muhabetin.

Pastai ai u kthye nga unë dhe më zgjati kutinë me duhan të grirë, ku kishte edhe cigare të dredhura.

Në të vërtetë as unë nuk e pija duhanin, po nuk mund t’ia prishja xha Kolit, se jo vetëm po më bënte nder, po edhe po më “gradonte” midis të njerzëve të fisit. Për atë, tani e tutje, unë nuk isha më një çunak, po një djalë i rritur midis burrave. Dhe sakaq, ai vuri eshkën mbi gurin shkrepës, i ra me masat dhe xixat e gurit e ndezën atë, që do t’i jepte zjarr cigares. Era e eshkës dhe e duhanit të grirë krijonin vetiu një aromë të veçantë që po më dukej e këndshme, vetëm se duhani ishte i fortë dhe unë më tepër tymosja se sa e thithja.

Pasi ndezi cigaren, xha Koli u bëri zë vajzave që të nxirrnin kovën nga pusi, ku ishte vënë një pjepër qarrës për t’u freskuar . Pjepri sa kaq qe prerë nga vajzat dhe fetat e tij qenë vendosur nëpër pjata. Dhe ashtu biseda filloi duke ngrënë fetat e shijeshme të pjeprit. Në fillim xha Koli foli për dëbimin e fisit nga Griza dhe pastaj për largimin e tij dhe të të vëllait nga Shen-Pjetra, në Pojan.

Kur e ndjeve veten më keq, kur ikët nga Griza, a po kur u larguat nga Shën-Pjetra- i  itha atij Jakovi.

Largimet dhe ndarjet janë gjithnjë të dhimbëshme, – u dëgjua xha Koli, – sepse lë pas njerëzit, shtëpinë, truallin, varret e njerëzve të gjakut. Po dëbimi nga Griza na lodhi dhe telikosi shumë, se për ne në atë kohë ishte larg, tepër larg që të lëvizje   si familje edhe si fis.. Pastaj që andej nga Griza ne na dëboi i ligu.. Kurse ikjen nga Shën-Pjetra, për në Pojan, e patëm më të lehtë. E para se e zgjodhëm vetë vendin, dhe e kishim shumë afër, si fshat. Dhe lidhjet me vëllazërinë nuk i ndërpremë .  U ndamë vërtetë, po ishim prap zëre se një shtëpi.

Po ajo kënga për vrasjen e Petos, që na e tregoi Nënë Lina, a të kujtohet? – e  pyeti prap Jakovi.

Si nuk më kujtohet, në ato kohëra e këndonim nëpër gostira, kishte raste që merrej dhe me valle, – i u përgjegj ai.- Po kjo kënga, që u ka treguar nëna Lina është  ca e vonëshme, sepse tregon hasmërinë  e dytë. Kurse kënga me e vjetër është ajo që rrëfen për hasmërinë e parë. Që ta dini ju, nëna Linë ishte çupë fare e vogël atëherë, mbase nuk kish lindur akoma.  Dhe, kështu, mbase nuk e ka ditur mirë hasmërine e vjetër. Që ta merrni vesh mirë , hasmëria e parë me beun filloi me gjyshin tim xha Trifonin dhe të vellanë e tij, xha Jançen. Beu nuk i donte dhe si shkak për t`i debuar, gjeti djegien e kashtes së kënetës së Grizës. Kashta pirrë dhe kashta fryjtje e Grizës ishte e mrekullueshme për mbulesë çatish, si për kasolle, si për shtëpi. Ishte koha kur nuk kishte qeramidhe, tjegulla, si i thonë tani. Dhe, prandaj kushtonte shumë kashta. Beu, që e dinte atëherë këtë gjë, me qëllim fitimi e pati marrë iktizam[15] nga shteti, kështu që sipas rregullit të atëhershem, kishte të drejtë të shiste kashtë sa të donte e me çmimin që i pëlqente. Mirëpo nje ditë te nxhetë gushti në kashtë ra zjarri. Askush nuk u gjent si fajtor. Bekçiu i kënetës, si punë roje të themi, si me porosi të beut shpifi, se gjoja Micallarët, i kishin vënë zjarrin kashtës. Çështja vajti dhe në gjyq, ku bekçiu doli jallan shahit[16], duke thënë se Jançe Mici dhe Trifon Mici kishin vënë fshehur nje eshkë të ndezur në një dëng me kashtë. Kështu gjyqin e fitoi beu, dhe gjyshi im me të vëllanë e tij u dënuan me burg dhe i shpunë në burgun e vilajetit, në Janinë. Bënë ca vjet burg dhe, pastaj, duke paguar ryshfet, më në fund dolën nga burgu. Kur ata u kthyen nga Janina, djemëria e fisit kishte nxjerë një këngë , që  siç ma ka treguar  Nëna e Madhe edhe e kënduan,  asi kohe:

 

O Zengjel bekçiu, jallan shahit dole,

Jançen e Trifon, në burg të Janinës çove.                                                                            O Zengjel  bekçiu, herët ose vonë,

Hakën do ta lajmë për Jançen e Trifon .

 

Kështu, si thotë dhe kënga, haka u mor, po hasmëria mbeti. Kënga që u ka treguar juve Nëna Lina, për vrasjen e Petos, në Mbyet, te Çesma e Shën-Kollit, tregon hasmerinë e dytë, flet për atëherë, për atë kohë, kur na dëbuan fare nga Griza.

Atë çast, si për t’u ndodhur në bisedë, unë ndërhyra dhe i thashë xha Kolit në se e dinte se pse profesor Jakovi e pyeste për shumë hollësira nga jeta e fisit.

Si ore nuk e di,…. po më tregoi Vllasi, djali i madh, mbrëmë. Ky ka ardhur me synimin që të na bëjë një libër për të kaluarën tonë dje. Mora vesh nga djali se miku është një profesor, që lë Institutin e Lartë dhe lë bulevadin e Tiranës dhe vjen këtu te ne, në Pojan dhe në Shën-Pjetër, midis pluhurit dhe baltës. Prandaj, more çun , për këtë gjë unë e nderoj këtë njeri në mënyrë të veçantë, i cili edhe pse është profesor dhe ka një barrë mend, di të ulet edhe në rrogoz, për të dëgjuar brengat e njezëve të vuajtur.

I  prekur nga ngjarjet e vjetra që gjoi, Jakovi e pa të udhës  t’ i  thoshte burrit të moshuar:

– Po edhe unë bir i kësaj balte jam , o xha Koli,  në Fier jam rritur. Fieri nuk është as dhjetë kilometra që këtu nga Pojani,…  si të mos kem dëshirën të dëgjoj e të shkruaj për ngjarje nga jeta juaj.

– Për këto që po thua, t’ u bëfshin gjithë fjalët e shkruara ar dhe argjend, – uroi xha Koli

– Çështja është se për librin që do të shkruaj Jakovit do t’ i duhet të shkelë herë pas here këtu në Pojan edhe në Shën-Pjeter, – i thashë unë atij.

– Po le të vijë pa gajle fare, ja tek e ka dhomën; kur është miku yt, është edhe miku ynë, – u dëgjua me një herë xha Koli.

U falem nderit për mikpritjen dhe dëshirën që po tregoni për të më ndihmuar. Me fjalët tuaja marr zemër që të vij sa më shpejt për t’ u takuar dhe për të biseduar.

-Të urdhëroni pa teklif. Një shkronjëtari si ju e ka për nder ta pres jo vetëm unë, po çdo pojanak .

U ndamë me xha Kolin, duke marrë me vete përzemërsinë e tij dhe u nisëm sipër për në qender të qytetit antik..

*

*       *

Dhe ja, kur kishim bërë vetëm disa çapa në të përpjetën për te manastiri, u pa duke zbritur ciceroni plak i Apolonisë, Pilo Samarxhiu.

Paske ardhur me biçikletë, – i tha ai Jakovit, – kurse xha Naka, kur ishit të vegjël, u sillte me birotçe.

– Më vjen mirë që na mbajke mend, – ia ktheu Jakovi.

– E, po si djem qyteti, ju i bënit nder manastirit të Shën-Mrisë, kur vinit, atë ditë të shenjtë të 14 gushtit.

Atë çast Jakovi mori që ta njihte me mua, duke i thënë xha Pilos:-                      Ky është studenti im .

Po ai ia preu fjalën:

Edhe këtë e njoh, – u dëgjua xha Pilua,- Ky është i biri i Çaçit. Tok  me të atin e këtij kam bërë kurbet në Massachusetts. Kemi punuar në  American Optical Company [17] për vite me radhë, në Southbridge, afër Bostonit.

Pastaj, xha Pilua u drejtua nga unë e më tha si më njanë: “Ti mos e ça koken se them kështu; se fundja në vamë në Amerikë, për punë vamë…- dhe, pasi më ra pak në sup, na tha të dyve:

Mora vesh se po më kërkonit.                                                                        —– Dhe ja, u gjetëm pa zor,- foli Jakovi.

E po tani, kthehuni nga shtepia . Ja tek është shtëpia ime, ngjitur me oborrin e xha Kolit.

Do të më pëlqente edhe mua, – shtoi Jakovi, – po do ta lëmë për një herë tjetër. Kësaj radhe, vetëm sa të takoja dhe të bisedonim sadopak për një fjalë që kam dëgjuar se do të fillojnë gërmimet arkeologjike në Apoloni.

Që do të fillojë puna arkeologjike, do të fillojë, po se kur nuk dihet me siguri. Vetëm se do të jënë për kohë vere.

Po mendoj se mos merrem vesh me arkeologët dhe të rregulloj një krevat sa për të fjetur.

Po nuk të volet, – ia ktheu xha Pilua,- Ata do të qëndrojne vetëm  gjatë muajve të verës.. Po për strehë mos e vra mendjen. Çdo derë në Pojan është e hapur për ty. Pastajza, si do të rrish vetem ti në Manastir!

E di si është puna: – vaszhdoi Jakovi, – Kur shkruaj, mua më duhet edhe vetëmia.

Po pse, o i uruar, kërkon të ikësh si era. E shikoj që ke një hall. Rri të llafosemi shtruar dhe të largohesh me mendje të mbledhur.

Nxitoj, xha Pilo, se dua t`i dorëzoj biçikletën të zotit, dhe pastaj kam punët e gazetës. Herën tjetër do të vij të rri një kohë vërtetë të gjatë.

 

 

Po me gjithë ngutjen që kishte Jakovi për t’u kthyer në Tiranë atë ditë, vizitën lartë në kodër nuk e lamë pa bërë. Mbështetëm biçikletën te lisi i  manastirit dhe morëm të përpjetën nga hyrja e akropolit. Pamë godinën e sajuar si shtëpi të arkeologut frëng, Leon Reit, gurët e stermëdhenj ciklopik, tek hyrja e Akropolit, murin rrethues të qytetit dhe ndaluam te portiku, që kishte shërbyer si një lloj shetitoreje, që nga shfaqej një pamje romantike e hapësirës së Myzeqesë..Që atje, nga lartësia e kodrës, dukej si në pëllëmbë të dorës, pylli i Shën-Pjetrit, Lumi i Vjetër me kurorat dhe bërylakët e tij, që shtrihej deri te  kisha e Shëne- Premtes, Gjoli i Kërrnicës dhe pas tyre dukej deti  Adriatik si një pasqyrë e kaltër. Kurse nga jug-perëndimi binin në sy dy kurrizet e murmë të ishullit të Sazanit, që ngjanin sikur po notonin në kaltërsinë e detit, sikur të ishin dy delfinë gjigantë, që po largoheshin nga cepi i hundës së zgjatur të Karaburunit.

Duke ecur ngadalë midis rrënojave të Apolonisë, m’u kujtuan ditët e fëmijërisë, kur vija e luaja me fëmijë të tjerë nëpër skutat e kodrës, ku shtriheshin gurë të vjetër, të rrëzuar. Në ditë pranvere, mësuesi ynë i shkollës fillore, Llaq Prençi, që kishte miqësi dhe njohje me mësuesit e Pojanit, Liu Lenën dhe Koço Xheron, na merrte  tufë dhe na ngjiste për shetitje te kodra e Apolonise, ku na prisnin nxënësit e Pojanit. Dhe, ndersa mësuesit rrinin, duke biseduar, në hijen e lisit të moçëm, ne të vegjëlit, gjenim rastin e gëzuar të endeshim, duke luajtur gjith hare “milingoçi- troçi,- “hapa-dollapa”, “Symbyllaz”, a po lojën me “tura”.

Po kënaqësia jonë e madhe ishte kur shkonim tek një relike e kohës së luftës.          Si në ëndërrim më kujtohet, një objekt i rëndë metalik, i lyer me bojë të gjelber, i ngulur në tokë me beton, që rrotullohej përqark një boshti të madh. Ky objekt ishte shtrati mitralozit kundër-ajror. Kishin kaluar disa muaj që ushtarët gjermanë qenë larguar, mitralozin e kishin marrë me vete, po shtratin rrotullues, të montuar në tokë e kishin lënë. Atëherë, kur shkonim atje për shetitje, ajo relike lufte bëhej për ne të vegjëlit një tjetër lojë zbavitëse. Dhe kur e rrotulloja me duart e mia tok me kushurinjte dhe shokët atë objekt lufte, më vinte në mendje, ajo ditë e të Premtes së Zezë të vitit të kaluar, kur unë mblidhja lule Shën-Gjergji te Pylli i Madh, dhe, kur më erdhën mbi kokë tre aeroplanë të aleatëve, të cilët ai mitralos  kundër-ajror i qëllonte nga poshtë. Atë çast sikur ngazëllehesha dhe doja ta rrotulloja, rreth boshtit, sa më shumë atë send të rëndë prej hekuri, që ta harroja atë ditë të frikëshme.

 

Dhe ashtu, pas kësaj shetitjeje të shpejtë midis rrënojave të Apolonisë, Jakovi u nda me ciceronin plak të qytetit antik, duke i dhënë fjalën atij se do të vinte përsëri..

Ecëm nga dal të dy deri atje, ku rruga bigëzohet. Unë do të kthehesha në Shën Pjetër dhe ai do të nisej për në Fier me biçikletë.

Po para se të ndaheshim, Jakovi nxori bllokun e shenimeve dhe në një fletë të bardhë hoqi dy vija paralele. Midis tyre shkroi fjalët “Lumi i Vdekur”, duke më thënë mua: “Në qoftë se ky është Lumi i Vdekur, këtu poshtë,  i takom te jetë Shën-Pjetri, poshtë, në të majtë duhet të jetë vendi “Troka-s”, a po Trokthi;  më sipër kisha e Shëne-Premtes, dhe këtej, ende më  majtas, e veçuar  Vijae Ngjalës dhe këtu, në kodër, Apolonia .

Si të duket, i kam vendosur mirë vendet”

I ke fiksuar aq qartë, – ia ktheva,- sa në një hartë topografike.

Atëherë ai buzëqshi dhe më foli me optimizmin e tij karakteristik:

– Kështu, në këtë fletë letre, më duket se kam shtruar ekspozicionin e romanit të ardhshëm. Natyrisht, kjo skicë është vetëm fillimi. Në këtë kuadrat, që shtrihet në të dyja anët e Lumit të Vjeter, duhet të sistemoj gjithë materialin që kam mbledhur dhe do të vjelë tash e tutje. Do të kemi raste të takohemi dhe të flasim”. Më falnderoj për vemendjen dhe, tek u përqafuam, më la porosi, që kur të vija në Tiranë për provimet e janarit, të kthehesha edhe nga redaksia e gazetes për t’u takuar.

Më dha dorën duke më thënë:

Po largohem duke marrë me vete kaq shumë kujtime, ngjarje dhe shenime.

Dhe vërtet qysh ditën e parë të këtij udhëtimi Jakovi njohu vende që do ta ndihmonin për toponomastikën e romanit të ardhshëm: Shtratin e  Lumit të Vjetër,  kishën e Shen-Pjetrit, kishën e Shëne-Premtes, Vijën e Ngjalës si dhe vende, të cilat do të përshkruheshin dhe ndërlidheshin  në mënyrë mjeshtërore prej autorit në romanin me emrin metaforik “Lumi i Vdekur”. Kështu që jo vetëm nga ana faktike, po edhe në kuptimin figurative, Lumi i Vdekur do të ishte si kolonë vertebrale e veprës  me të njëjtin titull. Nuk e merrja me mend se isha bërë ashtu dëshmitar i zanafillës së një vepre tërheqëase, i një romani epope, me një nivel aristik, që romani shqiptar nuk e kish pasur deri atë kohë.

 

 

 

V

 

 

 

Pas kater muajsh shkova per provimet e sesionit te dimrit në Tiranë. Ishte janari i vitit 1956. U rregullova në hotel  “Donika” se e kishja afër Institutit; po ashtu edhe menca e studentit ishte ngjitur me të. Që te nesermen, pasi studjova nja dy orë, u nisa dhe shkova te redaksia e gazetës “Zëri i Rinisë”, që ndodhej ngjitur me agjensinë e autobusëve. Zyra e“Tribunës Letrare” qe në katin e dytë. Ishte një zyrë fare e vogël, brenda së cilës qe vendosur një tavolinë e rëndë me shumë sirtare, skrivani, siç i thoshnin dhe dy karrike. E gjeta Jakovin të përqendruar duke redaktuar dorëshkrimet e renditura mbi tavolinë. U takuam dhe u ula në karriken e lirë. Që në minutat e para ndjeja se sa ngushtë ishte brenda asaj zyre. Ku e ku hapësirat midis Apolonisë, Shen Pjetres dhe Shene-Premtes së Laçanit dhe asaj zyre si kotec. Po matesha t’i thoshja Jakovit që të dilnim për ndonjë kafe, po nuk dija se si ishte rregulli dhe praktika zyrtare në orarin e punës. Po atë çast vjen e hyn brenda një vajzë e pashme, me trup mbi mesatar, me floke gështenjë me onde të  mëdhaja , me sy të zes që shkëndijonin vezullime natyrshëm. Hijeshija e saj sikur e zgjeroi ngushtësinë e zyrës. E kuptova se i kishja zënë vendin dhe mora te ngrihesha, po atë moment u dëgjua Jakovi:    “Kjo është Eglantina,  redaktorja e re në gazetë”. Pastaj më prezantoi edhe mua. “Vjen nga Fieri”- i  tha.                                                                                            E takova gazetaren e re dhe nuk e di pse m’u kujtuan shoqe shkolle nga qyteti i Shkodrës. Ndërkohë, Jakovi nxori  nga sirtari një dispencë të mbërthyer dosido dhe ma dha  mua, duke thënë:

Është e jotja, janë shkrime të letrarëve të rinj nga disa vende të Shqiperisë.

Me të marrë dispencën unë u ngrita. Të njëjtën gjë bëri edhe Jakovi, duke i

thënë redaktores së re:

– Tina, po dalim për një kafe.

Po në të vërtetë ne nuk shkuam në asnjë kafene. Kaluam përmes Pazarit të Vjetër dhe u futëm në klubin e gjahtarëve, një godinë përdhese pranë rruginave me gurë si gunga ovale. Klubi me ekspozimet e veta, disa lloj lëkurash të kafshëve të egra, të varura anendej këndej, si lëkura dhelprash, kunadhesh, lepujsh, ishte një kënd romantik qetësues. Shpendët e egra, të ballsamosura, si thëllënza, shaptorja, e rosaku qafëgjelbër e shtonin edhe me teper pamjen e romantizmit, duke e përforcuar edhe më shumë atmosferen e gjahtarisë. Atje morëm nga nje birrë me kriko dhe bërxollë dhe filluam të flisnim lirshëm për Myzeqenë e atyre ditëvë, dhe për tërë të kaluaren. Jakovi gjithnjë i jepte rëndësi njohjes reale te jetës nga çdo pikëpamje. Po në biseda ai ishte gjithnjë brenda vetes, edhe pedagog, professor i teorisë së letërsisë dhe shkrimtar, mjeshtër i stilistikës  për krijime artistike të frymëzuara, po edhe amator i gjahut. “Faktet dhe episodet e jetuara me efekte dramatike duhet te jene embrione të veprave letrare, – më theksoi ai në atë takim, – që të bindesh për këtë praktikë krijuese, le të kujtojmë vetëm dy vepra të Shekspirit, “Romeo dhe Zhuljeta” a po “Hamleti”, zanafilla e të cilave është nisur nga ndodhi të jetuara. Naturisht, Shekspiri nuk bëri kopjimin e ngjarjeve, po subjektet e tyre fillestare i sherbyen atij si “maja” për të ngjizur e përgatitur “brumin” e dy tragjedive të tij të famshme. Dhe, ndërsa unë po mendoja për fjalen “maja”, që metaforikisht Jakovi e kishte gjellitur nga goja e popullit dhe po e fuste normalisht në fjalorin e teorisë së letërsisë, ai vazhdoi të më sqaronte më tej mbështetjen e vetë tek dy emigrimet e dhunëshme të fshatarësisë sonë, siç ishte rasti i  fisit të Micallarëve nga Griza në Shën-Pjetër dhe i familjeve kosovare të dëbuar nga vatrat e tyre për qëllime shoveniste nga qeveria sërbe .

 

Gjithësesi në qendër te bisedës ishte dëshira e tij për të shkruar nje vepër të re për Myzeqene. Ndjehej i frymëzuar dhe pasionant.  Nga biseda merrej vesh  se sa i dëshiruar ishte për të shkelur  përsëri në Myzeqe.

“Mezi ç’pres të vij prap atje, – më tha , –  të shkel në ato hapësira ku u endem bashkë, po edhe më gjërë, po për këto endje nëpër fusha më duhet të kem një shtysë, që të më nxisë, për të dalë nga Tirana, prandaj kam vemndosur me doemos të blejë nje çifte dhe të merrem me gjah, për të qënë sa më shumë midis jetës së gjallë.”

– Po, do të mjaftonte të shkoje atje,  se çiften a po tekjen  ta jepë çdo gjahtar, – i thashë.

– Jo, joo,- u dëgjua ai,- nuk bëhet dasma  me miell hua.

– Sidoqoftë, – një çifte, në këtë kohë, kush e di se sa mund të kushtojë, duhen para.

– E di ç’ po mendoj, – vazhdoi ai, duke shikuar armët e gjahut të varura nëpër mur, – do të përdor parat që do të marrë nga honoari i botimi  të drames “Buçet Osumi”.

– Je i sigurt se do ta blesh vetëm me lekët e honorarit.

– Do të merrem vesh dhe me Dhuratën; më tepër se kushdo ajo do ta kuptojë qëllimin tim për të pasur një armë gjahu.  Çiftja do të më nxisë të vete sa më shpejtë në Myzeqe. Jo më kot Turgenievi qe aq i lidhur me sportin e gjahut. Do të kesh rast ta lexosh librin  e tij “Kujtime të një gjahtari” që do të dalë së shpejti nga shtypi.

*

*                        *

Dhe vërtetë, pas disa muajsh Jakovi u bë me çifte të re, që ngjalli kuriozitet midis  gjahtarëve në Shën-Pjetër dhe në Pojan. Jo vetëm sepse ishte e re, por ndryshe nga  çiftet e njohura në Myzeqe, ajo e Jakovit nuk i  kishte tytat paralele dhe horizontale, por njerën tyt mbi tjetrën. Ai e mbante me aq kujdes armen e gjahut, e fshinte lehtësisht anash me një leckë me vaj, i pastronte tytat përbrenda dhe e fuste në çantë rregullisht, sa herë bënte udhë të gjatë.  Ndërkohë ua plotësonte kuriozitetin gjahtarëve të fshatit…….ua jepte edhe atyre të  gjuanin me çiften e tij. Mbaj mend se një herë Sokrati u kthye nga këneta dhe solli në shtëpi  një rosak gushë jeshil. “Gjuajta me çiften e Jakovit, – tha,- po është  me të vërtetë armë gjahu e përsosur, merr shenjë dhe  nuk të lë në baltë..

Po Jakovi, nga shkoi ?-  e pyeta Sokratin.

U nis për në Pojan, e morën pojanakët me vete.

Pra, kuptohej se tani ai nuk ishte më një gjahtar fillestar. Tani qe përshtatur me shoqërinë e gjahtarëve dhe përpiqej të ndjehej i barabart për problemet e gjahut. Nuk ishte më ai Jakovi, që nxirrte bllokun e shenimeve nga xhepi për të shenuar fjale dhe fraza të veçanta. Tashmë ai e kishte bërë krejt të tijën leksikun e   gjahtarëve. Në xhepat e tij tanime në vend të bllokut të shënimeve, gjendeshin shtupa liri, që i përdorte si siki[18] për të mbajtur të shtërngauar barutin dhe saçmet në fishekët e gjahut .      .

Një herë, tek po ktheheshin nga gjahu i kënetës, e dëgjova t’i thoshte Vllasit të xha Kolit nga Pojani:

“Një rosë  ngake, që  e qëllova në fluturim, ra për tokë  dhe  m’ u fsheh në pllashtirat  e mbushura me truskë, aq keq, sa  mezi e gjeta  tek një llogaçe midis rrënjëve të jamrukut.  Ishte kjo një e folur e gjahtarit me gjahtarin, pa qënë e nevojëshme të sqarohej fjala “truskë”, llogaçe,  a  po “pllashtirë.

Siç kuptohet tashmë, Jakovi dallonte me një herë gjithë shpendët e kënetës, po siodomos roast e egra. Ai ua dinte atyre sipas llojit emrat, fluturimin, ngakitjet e klithmat, që nxirrnin . Kjo prirje e tij, për të qënë sa më afër natyrës, do të ishte pjesë e stilit të larmishëm, gjë që do t’i jepte aq gjallëri dhe kolorit romanit të ardhshëm “Lumi i Vdekur”. Ja se si do ta përshkruante ai më vonë në roman një pamje kënete me rosa të egra në një kohë dimëri me ngrica:

“Natën e parë të acarit, kur kërret[19] s’ duruan, po lanë menjëherë lerat e dolën në stere, ngakiet, jeshilsit, fishkëllemat, çallmadarët e sqeplugat qendruan në zemër të  moçalit, duke llapashitur me këmbët e tyre, që të mos ngrinte ujët.” ( Nga“ Kapitulli XII i romanit në fjalë)

Dhe si autor  i ndjeshëm pas natyrës dhe botës së gjallë  të shpendëve, Jakovi do t’i përshruaj  ato me aq realizëm:

“Kërret, në errësirë, s’e kanë të gjatë fluturimin. Ngrihen këtu e bien pak më tej, duke rrahur krahët mbi ujë e duke lënë një vazhdë të argjendtë mbi kënetë, ndërsa fishllemat çajnë ajrin me një fërshëllimë shrapneli dhe e mbajnë frymën e

krahët larg, sa më larg rrezikut.”[20]

(“Lumi i Vdekur”- Kap.XI)

 

Jakov, i cili i qe futur sportit të gjahut nga pasioni për letërsinë, dalngadal po bëhej                                                                                                                                       gjahtar i regjur. Ishte praktikuar me me gjithë llojet e gjahut, me gjahun e lepurit, me gjahun e pyllit, me atë të kënetës dhe të lëndinave për thëllënza..  Me një fjalë  midis gjahtarëve Jakovi qe bërë gjahtar dhe donte të ishte i barabartë me ta. Sa herë që do të shkonte me grupin e gjahut nga Gjoli i Laçanit, a po i Povelçes, ai do të vishej me xhup të trashë, me çizme të gjata dhe me kokore.

Ishte koha kur Jakovi bënte një punë të trefisht, jepte leksione ne fakultet, merrej me krijimtari letraredhe ndiqte sportin e gjahut. Dukej aq i angazhuar mendërisht dhe fizikisht, po gjithnjë këmbengules dhe pasionant për synimet e veta letrare.

 

Tek e shikoja Jakovin të veshur ashtu me rroba të trasha dhe çizme të rënda dhe të nisej drejt Gjolit të Kërrnicës me çantën e gjahut në krah, më vinte mendja tek paraqitja e tij në auditoret e Institutit, i veshur shik, me hijeshi dhe i krehur me kujdes, sa nuk i lëviste asnje qime floku,  dhe thoshja me vete “ja se ç’bën  pasioni për artin”.

*

*                       *

Pasi bleu çiften, Jakovi u dha edhe më shumë pas natyrës dhe hobisë së gjahut. Ai i shtoi edhe më shumë takimet me miqtë e gjahtarisë dhe mezi ç’ priste ftesat për gjueti nga ata. Në bisedë e sipër u tregonte atyre se në gjueti nuk vërej vetëm gjahun, po edhe ambientin rreth e përqark, bimësinë karakteristike të vendit, llojet e luleve, aromat e tyre, gjethet e drurëve, shpendët, cicërimat e zogjëve dhe shushurimën e pyllit, a po mërmerimen e përroit, të cilat nuk i kam në qytet. Fjala vjen, kur shkruaj më duhet të kem para sysh … erërat e luleve… si ndryshon aroma e lule tatullës nga ajo e konopicës a po e bovicës, ose të dalloj erën e koprës nga ajo e kopërmaçes. Dhe këto lloj detajesh i duhen shkrimtarit, sepse i japin gjallëri veprës, kanë të bëjnë me koloritin. Këto hollësira artisti nuk i gjen dot në asnjë kabinet. Kështu që çiftja mua po më fut për ditë e më shumë në laboratorin e madh të Nënës Natyrë. Me një fjalë çiftja dhe pena japin dhe marrin me njera tjetrën në fantazinë time.

Për këtë dualitet të përzier të Jakovit, midis gjahtarit dhe shkrimtarit, kolegu dhe miku i tij, Nasho Jorgaqi, do të shkruante kohë më vonë: ”nga të gjitha ato që tregonte, ndihej gjahtari, por akoma më shumë artisti. I dyti në ato çaste i bënte hije të parit. Brenda tij zgjohej vrulltas krijuesi, me gjithë aksesorët e vetë, që viheshin në lëvizje” [21]

 

 

*    *     *

Jakovi ishte gjithnjë i prirur për të dëgjuar fjalë dhe shprehje nga ligjërimi popullor dhe futej në biseda shumë natyrshëm dhe me kujdes. Një herë më tregoi se  kish dashur të dinte gjithë emrat e pjesëve të qerres,  veglat dhe pjesët përbërëse të saj.

“Ju drejtova   xha Llazit, babait të Sokratit, për këtë gjë- më tha,- i cili  pa përtuar më kërkoi  të shkonim tok tek hangari i qerres dhe të m’i tregonte një për një. Dhe, sa kuptova disa nga ato fjalë janë të rralla, që nuk i ka ende fjalor i botuar, fjalë që   i kam shenuar dhe këtu në bllokun e tim, se do t’i shpije edhe në Institutin e gjuhës, siç janë fjalët: rrapina  e qerres, shtiza e qerres, qajka, bucela e qerres, zaboi, kleçka e kularit, shqekëza e kleçkes.

Brenda në hangar, ndanë qerres ishin edhe makina e ugarit dhe parmenda. Me t’i parë aq afër, u bëra kurioz dhe e pyeta rreth përdorimit të tyre: se ku ndryshonte  përdorimi i makinës së ugarit  nga ai i parmendës. Dhe xha Llazi atëherë më sqaroi me atë urtësinë e tij karakteristike: Për ta punuar sa më mirë tokën, që të dyja janë të nevojëshme. Makina e ugarit e ka plugn të thellë dhe shërben për ta çarë tokën, prandaj thonë edhe “ tokat e çara..”.  Kurse parmenda ka plor, që e lëron ugarin sipër tokës së çare, pasi të jetë lesuar me lesë . Po kështu, edhe mbjellja e farës bëhet me parmendë, sepse ajo, parmenda, nuk e bën vijën e brazdës shume  të thellë dhe e mbulon farën lehtësisht me aq dhe sa  i  duhet për të mbirë fara e për të dalë në siperfaqe bima.

 

Me sjelljen e tij dashamirëse Jakovi futej në zemrat e njerzëve të thjeshtë, duke fituar admirimin e tyre. Kur shkonte për gjah, ai bënte kujdes, që t’u thoshte gjahtarëve, për ta shoqëruar, vetëm atëherë, kur të ishin të lirë, me qëllim që të mos i tërhiqte nga punët e bujqësisë dhe blegëtorisë.  Më kujtohet që më tregonte një here tjetër, tek po udhëtonim tok nga ferma “Çlirimi” për në Fier, se si në një ditë të vrenjtur kish dalë për gjah vetëm. “Ishte fund vjeshte, koha kur ktheheshin  patat e egra, që  si të qorrollisura zbresin tufa- tufa duke gagitur dhe me përplasje krahësh si me batare. Hodha çiften krahut dhe pa i thënë njeriu mora rrugën  vetëm. Qielli qe bërë ngjyrë plumbi, po shi nuk po binte. Ika me nxitim përmes kënetës deri atje ku kishte bërë ballë uji, te ca gëmusha të mëdha, që quhen Marinat e Kuqe. Atje zura ushez [22]dhe isha në pritje, që të vinte vargani i patave të egra. Nuk kish kaluar shumë kohë, që po rrija duke vrojtuar, kur më zënë sytë një njeri që po lundronte drejt meje. Kur arriti te vendi i cekët, ku lundra nuk rrëshqiste dot më, ai vuri kollin[23] mbi koritë edhe erdhi drejt e te usheza ime. Hapa sytë mirë dhe e pashe, ishte Sokrati Mici, djali i xha Llazit.                                                                                   –  Do të gjuash këtu?- e pyeta.                                                                                         -Jo,-më tha.- Kam ardhur për ty.                                                                                -Pse ?

– Ja, – tha dhe shenoi me gisht nga jug-perëndimi, nga ishulli i Sazanit.- Shiko se si po vetëtinë te Qafa e Rosakut. Ka filluar Juga e Zezë dhe ato vetëtima paralajmërojnë shtrëngatë të madhe.                                                                                                           Atë çast, përmes mjergullnajës së Jugës së Zezë, Sazani po më dukej si një kredharak gjigand, që përpiqej të notonte me sqepin ndën uje dhe me qafën  e përkulur sipër. Ajo ishte “Qafa e Rosakut”,  që më tregonte  djaloshi, ku po kryqëzoheshin vetëtimat.                                                 Pastaj Sokrati drejtoi dorën nga perëndimi dhe më tha përsëri: “ E dëgjon buçimën e burës së detit”. Deti është egërsuar nga Juga e Zezë. Dallgët e tij po e mbushin Lumin e Vjetër buzë më buzë e tani nga minuta në minutë  do të teptisin, duke vërshuar këtu, ku toka ështe e ulët  dhe ka për t’u bërë një , det e kënetë. Dhe unë, kam ardhur që të të marrë me lundër.                                                                                                              “          – “Po si më më gjete këtu?”

– Unë nuk e dija se ku kishe zënë ushez, po më tha Pilo Spirua, që  të kish parë  tek po shkoje nëper kënetë, po ai nuk ka lundër, prandaj ma bëri mua të ditur.                                                   – Mirëpo, mua më presin në Sop për darkë, i thashë Sokratit.                                                              – Në rregull ,– tha,-. Në Sop shko, Po  pa vonesë.                                                           Ashtu  u ndava me Sokratin, duke  i shprehur mirënjohjen  atij për kujdesin e  pakursyer për mua ..Dhe do ti, që i doli  atij fjala…. Deri sa  mbrrijta unë në breg, këneta u mbulua e gjitha nga uji. Qielli sikur  qe shpuar dhe po rridhte si me gjyma. Nga ana tjetër Lumi i Vjetër vërshonte trarë trarë me dallgë të vrullshme,  të cilat vinin nga deti të shtyra prej burës dhe shtrëngatës.

Me një fjalë, qeshë në rrezik, atë mbrëmje, nga mosnjohja aq mirë e zonës kënetore dhe e tekave të motit. Dhe sa herë e kujtoj këtë ngjarje, më kujtohet zemër-mirësia e Sokratit dhe them me vete se sa fisnikë  e bujarë janë njerzit në fshat.

Përjetimi i kësaj atmosfere para furtunës me qiell e det të trazuar do të ketë bërë aq efekt te shkrimtari, sa do të ndihet edhe ne faqet e romanit në përshkrimin e shtrëngatës, kur Lumi  i Vdekur , do të “ngjallej” dhe do të përmbyste Trokthin dhe gjithë  hapësirat e fushës së gjërë: Kjo pamje  rrebeshi e natyrës do t’i shërbente autorit  për episodin  tronditës të  kapitulli XVI të romanit, episod nga i cili kuptojmë se si  Jakovi e përjetonte realitetin emocionalisht.

 

VI

Në pranverën e vitit 1959, kur Jakovi kish ca kohë që qe rregulluar në një ngjë nga ato dhomat e manastirit të Shhëm Mërisë,  u organizua një shetitje shkollore  në qytetin antik të Apolonisë. . Kështu  kisha rastin të takohesha  përsëri me të. U nisa qetësisht drejt dhomës ku ai banonte dhe shkruante. Trokita në derë. Hyra brenda dhe në mes të një qetësie olimpike pashë Jakovin të kërrusur mbi tavolinë midis aq shumë dorëshkrimesh  dhe librash . Dukej se ish i përqendruar e i pushtuar nga zelli dhe po shkruante me frymëzim. Në qendër të tavolinës ndodhej një gotë me shumë lapsa të mprehur me maja përpjet si shigjeta. Nga dritarja e hapur dëgjoheshin këngët e guguftuve, të cilat, duke iu përgjegjur njera tjetrës, prishnin heshtjen totale, që e rrethonte manastirin..

Mbase nuk jam në kohë të përshtatshme, – i thashë.

“Ç` është ajo fjalë!- m’u përgjegj me ngrohtësi, –  përkundrazi, më gëzove,- foli i qeshur dhe u ngrit në këmbë.-  Ke ardhur në një kohë kur  kam nevojë për të bërë një pushim. Doja që të shkëputesha pak nga ndeshja me personazhet e romanit. E di,- më tha,- me siguri e ke provuar, që rishkrimi është më i lodhshëm se sa shkrimi i parë. Tani që romani ka marrë formen, duhen bërë skalitjet, heqje, krasitje, ndonjë shtesë, po do ti që sikur…. nuk më lejojnë personazhet. Ndryshe është puna kur kam të bëj me fjalët e mia si autor.  Ja, fjala vjen, tani sa kam perfunduar rishkrimin e kapitullit të katërt. Fillimisht e mbyllja kapitullin me një paralelizëm figurative, midis udhës së dy lumenjëve të Semanit dhe të Vjosës nga njera anë , dhe dy karvaneve me qerreve të të shpërngulurve nga ana tjetër. E kisha shkruar këtë paragraf vitin e kaluar, kur nuk i kisha shkelur me këmbë udhën, që bën lumi  i Semanit nga Mbrostari deri në Kolkondas, e më tutje manastirit të Shën-Kozmait, deri sa derdht ne det. Nuk kisha  shkelur as udhën që bën Vjosa nga Mifoli e deri te Gryka Pishë dhe në Dëllinjas, buzë detit.  Po tani, kur i kam ndjekur çap më çap udhët e tyre, vendosa  ta rishkruaja këtë tablo, ku  shkon paralel rrjedha e jetës me rrjedhat e lumenjëve.”

Nga këto fjalë të tij kuptova edhe më tepër se me sa kujdes dhe pasion e ndiqte ai jetën e njerzëve tok me natyrën e hapësirave të Myzeqesë.

Dhe më tregoi pastaj variantin  e përpunuar të veprës përmes gëzimit që ndjen njeriu, kur e ka arritur një qëllim.

*               *                *

Nga bisedat e përditshme me njerëzit si edhe nga njohja e mjediseve të ndryshme, mjeshtëria krijuese e shkrimtarit pasurohej, duke i dhënë veprës karakter realist me detaje bindëse nga jeta e gjallë. Përmes skenave jetësore të para e të dëgjuara autori do të pasqyrtonte situata ekonomike dhe psikologjike të trazuara për gjithë fshatin Trokth, po sidomos për familjen e sapongulitur aty.  Siç do të tregohet në roman, pas përmbytjes nga lumi, me kalimin e kohës, në shtëpinë e Shpiragajve,  filloi rrokopuja. Mëria dhe grindja bëri punën e vetë brenda familjes. Vëllazëria e tyre dikur ishte grusht e bashkuar, sa që nuk pati ç’ t’i bënte as beu, tani në kohën e ortakëve, u nda e u përça.

Dhe ja, me të dalë të marsit, kur fshatarët e varfër të Trokthit bashkoheshin në punë, bënin qetë tok, dy e nga dy, se me nje ka nuk bëhej dot, Shpiragajt u veçuan me njeri tjetrin. Ndanë pendët, pelat, lopët, buacat e shqerrat, që kishin për gjysmë e pastaj kasollet. Ndër kohë, Piloja kujtonte se ç’kishin qënë Shpiragajt nën bejlerët dhe se si  janë katandisur sot nën reshperët. Po prap ai kish mbetur ende punëtor i palodhour,  një njeri që do ta ruaj deri në fund emrin e tij të nderuar dhe të familjes. Veçse ligjet e pashkruara dhe valët e jetës do të bjenë mbi të pa mëshirë dhe do ta trondisin dhe lëkundin.

Siç tregohet në romanin “Lumi i Vdekur” një e keqe më e madhe do të pllakoste vëllazërinë e Shpiragajve. Ky fis i ndjekur me forcë nga Griza prej beut, kish ardhur për të mbijetuar në Trokth, duke qënë të mbështetur nga një marrëveshje me tre ortakët tregëtarë. Por pas përmbytjes, ata do të vijnë, një ditë të keqe nga Fieri në Trokth, për ta prishur kontratën dhe do t’ju marrin gjithë bagëtinë , madje edhe gjysmën e prodhit. Me një fjalë fisi i Shpiragajve iku nga shiu dhe ra në në breshër.  Shpiragajt e shpërngulur, me sendet dhe orenditë e tyre, u nisën nga Griza me një karvan qerresh, për të mbrrijtur në Trokth, nga vendi prej të cilit do të dalin me nje gomar plaçk. Pra, siç u pa, me fisin e Shpiragajve, të shpërngulur nga Griza dhe të vendosur në Trokth nuk kemi të bëjmë me një rrëfim soditës letrar, po me një dramë vërtetë tronditëse me karakter social dhe me dy kahe të kunderta.

Siç shtrohet në vepër, Pilo Shpiragu, Koz Dynjaja, teto Konxhja, Sulejman Tafili, Ferhat Tafili, Adili, Llazi, Karilla, Trifon Kulari, Kozma Ndreka, Pip Kedhi, Tonç Marini, Peç Mblaci ashtu siç janë portretizuar nga autori, ata formojnë botën e njerzëve të punës të fshatit shqiptar të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, të atyre që punojnë e djersiten për të mbajur gjallë familjet e tyre. Po krahas tyre dhe përzjerë me ta, në roman shikojmë edhe një shtresë tjetër lloj njerëzish si Suat Bej Vërdhoma, Myftari i Veshnjes, Sabri Kallamatreshi, Gaq Gjanica, Lip Gjanica, Kol Shpërvjeli, Xox Longari, xhandarët, qehallarët, të cilët edhe pse nuk punojnë si bujq a po si blegëtorë, jetojnë më mirë dhe pasurohen nga puna e të tjerëve. Pra shikojmë në roman dy lloj shtresash shoqerore, që formojnë dy kahet e kundëta të koloizionit, që e përshkon gjithë subjektin e veprës  për mes skenash familjare dhe ngjarjesh me rëndësi sociale tronditëse dhe dramatike.

Po në galerinë e personazheve të “Lumit të Vdekur” në radhë të parë të bie në sy Pilo Shpiragu. Jo më kot kritikët letrarë do ta quanin atë si “strumbullarin” që mbante rreth vetes gjithë ngjarjet e subjektit të vepres. Ai vuajti me gjithë familjen e tij të dy llojet e çfrytëzimit dhe atë të bejlerëve, po edhe atë të reshperëve. Figurën e tij e shohim në çastet e dëbimit të fisit nga Griza, në vendosjen e përkohëshme të Shpiragajve në hanin e Bishtanakës, ku e shoqja dot’i sillte në jetë një vajzë dhe do t’i vdiste lehonë, ku ai do të takojej me fisin e Tafilajve të ardhurit nga Kosova, ku do të njihte edhe reshperët, me të cilët do të merrej vesh për të ardhmen e gjithë familjes së Shpiragajve. Duke parë e dëgjuar reshperët , Pilo Shpiragu mbeti me  përshtypjen se ata, reshperët, ishin  si më të qartë se bejlerët, mjafton të firmosësh një kartë, ose të vesh gishtin me bojë në një letër dhe merr atë që të takon. Nuk të kërkohej më e treta si tek çifligu i beut. Jo. Tyxhari qenkej ndryshe, të jepte krerët e bagëtive, që t’ia ruaje dhe “prodhi në mes”. Kjo mënyrë e re pune i pëlqeu Pilo Shpiragut dhe ashtu bëri marrëveshje me tre ortakët e Trokthit. Ai kishte besim te puna e tij dhe e njerzëve të të gjithe fisit.  Ai kish bindjen se me krahët e tyre do të bënin prokopi dhe do ta shtonin pasurinë. Tek shikonte krerët e bagëtive, që do t’ia dorezonin ortakët reshperë, si gjë të gjallë përgjysëm, ai ëndërronte, tufat e reja, që do të dilnin nga ajo që quhej “prodhi në mes”.

Po pikërisht në atë kohë Pilo Shpiragun ,do ta mbërthente lakmia e fitimit. Të kapte sa më shumë nga gjëja e gjallë e ortakëve:  tufën e lopëve, atë pelave, kopenë e dhenëve. Pra ç’kishin ortakët në fermë t’i mbante   brenda fisit, t‘i ruante e t’i shtonte me familjen e tij, duke mos e vrarë mendjen për troktharakët e varfër, që mund të ndihmoheshin me bagëti të dhëna “përgjysmë”.  Dukej qartë se qe punëtor i palodhur, veçse i mungonte shpirti i solidaritetit.    Atij, Pilo Shpiragut, atë kohë “i kish zënë dhëmbi bukë” dhe as që donte të afrohej me Koz Dynjanë dhe troktharakët e tjerë, të bisedonin se si të ndihmonin njeri tjetrin  në kushte varfërie. Ai nuk çante kokën për trotharakët, sepse ata ishin nën hijene beut, kurse ai tash e tutje nuk kish më punë me bejlerët, ai po i lidhte fijet me reshperët. Po nuk do të kalonte shumë kohë, dhe pas  përmbytjes nga vërshimi i Lumit të Vdekur, ai dhe gjithë familja e tij do të humbiste gjithçka e do të mbetej me gisht në gojë. Atëherë u dukën që të vinin në Trokth ortakët me avokatë dhe me gjyqtarë e përmbarues dhe në bazë kontratës do t’ia merrnin të gjitha. Shpiragajt mbetën përsëri pa tokë, pa shtëpi dhe pa gjë të gjallë. Për me keq se sa beu, reshperët u morën edhe gjysmën e “prodhit” që u takonte. Krejt i mbaruar,  me një gomar plaçka ngarkuar, Pilo Shpiragu ndodhej në mes të katër udhëve, i vetëm, pa ditur nga t’ia mbante. Ato çaste sikur iu kujtua një porosi e  tetos plakë”Pilo, mos zgjat dorën, tek s’arrin krahu”. Dhe për çudinë e tij, ashtu në vetmi, kur nuk e priste, ai pa se iu afruan fqinjët trotharakë dhe deshnin t’i vinin në ndihmë me ç’të mundeshin. Atëherë, Piloja, i prekur nga përkujdesi i tyre, foli i penduar, se sa mirë do të kishte qenë sikur t’i paskësha venë gishtin  kokës që aheraj, kur më thatë ju…..

Ndër kaq shkatërrimi ekonomik i Pilo Shpragut i bëri qehallarët që t’ia  punonin atij një reng. Kështu njeri nga ata iu afrua Pilos dhe iu shtir atij si i keqardhur, me që ndodhej  në pikë të hallit, pa tokë dhe pa një pendë qe. Ky qehaja  gjoja po perpiqej qe ta ndihmonte, duke e këshilluar Pilo Shpiragun, qe për të dalë  nga gjendja, t’i kthente sytë nga Suat bei Vërdhoma, i cili mund t’i rregullonte një pendë qe, pa qenë nevoja ta paguante. Në vend të hakës së qeve le të shpite vajzën e tij, Vitën, si pastruese të konakut, ose, si i thoshin, te sarajet. Kjo ide e lëndoi tej mase Pilon. Natyrisht, këtë zgjedhje askush nuk do ta pëlqente, jo vetëm të gjallët, po as të vdekurit. Po ç’të bnte ? ku ta pëplaste kokën , ku të vinte, për të qarë hallin, që  mos ta bënte vajzën, kopile,a po kurban? Në subkoshiencën e tij të turbulluar edhe gruaja e vdekur ishte kundër. Kur ai ishte në dilemë, atij iu bë sikur ajo u çua nga varri dhe si një hije erdhi dhe i tha: “E ore, Pilo, për gruan dole dhe e mbrojte, bëre dyfek me beun; po për çupën pse po ul koken… Dhe ai  mbase, mbase, do t’i jetë përgjegjegjur hijes së fantazmës:Të gjithë shtigjet mi kanë zënë me drizë” ……….

Po në këtë rast, trimërinë, qe duhej ta bënte babai, do ta tregonte vetë vajza, Vita, që mori vrapin tek i dashuri, duke realizuar një arratisje dashurie, që nuk qe parë dhe dëgjuar.

*              *                 *

Tok me linjën sociale ne subjektin e romanit “Lumi i Vdekur”, autori ka endur edhe linjën lirike përmes dshurisë së vashës myzeqare me emrin Vita dhe Adilit, një djaloshi kosovar. Tërheqja emocionale e këtyre dy të rinjve ishte shprehja e një dashurie të jashtëzakoshme, që rrit dhe më tepër aksionin brenda subjektit, gjë që e bëri romanin  edhe më interesant. Të dy të rinjtë kishin rënë në dashuri që me shikimin e parë.  Kjo dashuri e çilter nga dita në ditë u rrit pa u kuptuar si grëmi ndën dhe.

Po që të fitonte kjo dashuri nuk ishte gjë e lehtë. Të dy të dashuruarve do t’ju duhej të kalonin përmes shumë pengasash të karakterit psikologjik dhe zakonor. Kjo dashuri nuk ngjante me fejesat e zakoshme të të rinjve myzeqarë midis tyre, a po e të rinjve kosovarë me kosovare. Pra, kishim të bënim me një dashuri të vështirë, sepse duhej shkelur mbi dallimet, që vinin nga ndasitë krahinore dhe ato fetare, që për vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, nuk ish aq e lehtë për t’u kapërcyer.

Pra, lidhja dashurore e Vita Shpirasgut me djaloshin kosovar, Adilin bëhej më dramatike, edhe për arsyen se  bukuroshen myzeqare na e lakmonte edhe beu, Suat Verdhoma , i cili e kishte parë, një herë vajzën,  tek po shkonte drejt pyllit të Shëne-Premtes. Ai, sakaq, qe tërhequr nga  pamja e saj. E kish pyetur si e quanin. Dhe kur ajo i shqiptoi emrin e vetë “Vita”, beu ia kish përkëthyer nga italishtja në shqip “Jeta”. Dhe qysh atë ditë, Suat bej Vërdhomës do t’i mbetej mendja te ajo bukuroshe.

Synimi i beut për ta hedhur në dorë vashën e bukur do ta forconte edhe më tepër intrigën letrare në rrjedhat subjektore të veprës, duke shtuar efektet dramatike dhe duke e bërë ngjarjen më tërheqëse.

Në ato rrethana, e vetmja rrugëzgjidhje për dy të rinjtë e dashuruar do të ishte arratisja në Pyllin Mbret, një aventurë dashurie në një mjedis romantik gjithë gjelbërim, buzë detit. Ashtu të dy, me zjarrin e dashurisë së tyre të pastër, do të  kalonin natën e parë ndën pishat e egra me kurorat deri në qiell, ku bënin fole turtujt edhe pëllumbat guhakë. Në vend të këngës së dasmorëve dëgjonin këngët e pandërpreara të guguftuve dhe shpendëve të pyllit tok me nanuritjen e valëve të detit Adriatik. Ishte një gjetje artistke e guximshme dashuria e Vitës me Adilin, po të kemi para sysh  kushtet e atëhersme. Pavarsisht nga konceptet frenuese të atyre viteve, Jakovi arriti ta japë dashurinë e dy të rinjve me vërtetësi dhe bukur, përmes situatash psikologjike të motivuara me frymëzim. Pa këtë linjë të fuqishme lirike as nuk mund të merret me mend suksesi i “Lumit te Vdekur”[24]

Duhet të theksojmë me këtë rast se ikja fshehurazi e dy të rinjve në mes të pyllit nuk është një  “rrëmbnim”,  apo “arratisje” dosido dashurie, nuk është asnjë idil i rëndomtë pastoral.. Largimi i guximshëm i Vita Shpiragut me të dashurin e saj  kosovar, Adilin, në Pyllin Mbret është  një revoltë e dy të dashuruarëve. Dhe kjo revoltë shpreh triumfin e dashurisë  së  vërtetë kundër paragjykimeve fisnore, kundër dasive fetare e krahinore. Përveç të tjerash, ky akt dashuror i dy të rinjëve është edhe një goditje kundër ambicies  epshore të Suat bej Vërdhomës. Për më tepër kjo aventurë dashurie aq pasionante ka një herit edhe simbolikën e dashurisë mbarëkombetare të vëllazërimit të tërë Shqiperisë me Kosoven, një motiv i herëshëm ky i autorit të romanit

Me fitoren e kësaj dashurie mbi normat zakonore të asaj kohe në subjektin e  romanit “Lumi  i Vdekur”, Jakov Xoxa del si i pari shkrimtar që trajton lidhjet shpirtërore midis  të shpërngulurve nga  Kosova dhe vendasve në Shqipëri.

 

*

*          *

 

Një ditë të qetë pranvere, duke ngjitur kodrën  që të shpinte tek ish shtëpia e Leon Rreit, Jakovi e solli fjalën te gjuha e personazheve, pra te individualizimi gjuhesor i tyre.

-Fjala vjen, – tha, – unë dua që Ferhat Tafili të duket se është kosovarë jo vetëm pse mban plis dhe vishet si në Kosovë, po edhe të flasë si kosovar i lindur atje. Nga kjo anë jam përpjekur që edhe e folura e tyre të jetë e natyrshme, mos të duket e sajuar. Prandaj do të  dëshiroja të kisha edhe  ca takime të ndryshme me kosovarë të lindur në Kosovë.

Në të  vërtetë,  ndjeja kënaqësi sa herë bisedoja me Jakovin për probleme letrare dhe sidomos për motive të romanit “Lumi i Vekur”. Edhe kësaj radhe, kur pashë se ai po ndante me mua një shqetësim lidhur me  të folmen e personazheve kosovarë të veprës, se si m’u kujtuan disa nxënës të shkollës së fermës, po edhe të gjimnazit, që vinin  nga familje kosovare, prindërit e të cilëve kishin lindur në Kosovë.  Më kujtohet që i përmenda familjen e ish nxënësit Ymer Mavriqi nga Hamili. Po nga ky fshat  vinin në  gjimnas  disa nxënës të tjerë me mbiemër të njëjtë: Halit Stojku, Mustafa Stojku, Muharrem Stojku, Harije Stojku.  Ndërsa ngjitur me Pojanin, në Dërmenas, ishte familja kosovare e Selacëve. Prej fisit  të tyre kisha pasur nxënës në shkollën e fermës një djalë,  Miran Selacin, kurse vëllanë e tij të madh Azemin e kishja shok dhe ish nxënës në shkollën e mbrëmjes.

– Po , me që këta Selacët qenkan afër, mund t’i takojmë edhe sot, – foli Jakovi  .

– Duhet t’i lajmërojmë  më parë, – i thashë dhe, ashtu, vendosëm të zbrisnim poshtë nga kodra e Apolonisë në shkollën e Pojanit, ku takuam drejtorin, mësuesin me përvojë Koço Xhero. Aty u duk edhe një mësuese bjonde me sy të kaltra, që fliste e qeshur dhe me një theks muzikal.  Ajo kishte një stil bisedor të këndshëm dhe me një etikë mirësjelljeje të kulturuar, e cila, kur gjeti rastin, iu drejtua Jakovit dhe i tha se disa nga novelat e tij i kishte përdorur si tekste për biseda “jashtë klase”. “Dhe tani jemi ne pritje të romanit “Lumi i Vdekur”- shtoi ajo, duke qeshur dhe duke  tundur kokën me flokët e verdha – mezi ç’ po presim që të vërshojë”, këtej nga këto anë, ku “Buçet Osumi”, duke bërë aluzion për dramën e Jakovit, botuar më parë në revistën “Nëndori”.

– Zakonisht, lumenjtë vërshojnë, kur shkrin bora, në fillim të pranverës, – iu përgjegj Jakovi, – po Lumi i Vdekur është krejt ndryshe, sepse ndërvaret nga huqet e detit, po edhe nga bura dhe shtërngatat.

– Pra, do të presim dimrin e ardhshëm, – shprehu dëshirën e vet mësuesja me buzëqeshjen e saj karakteristike.

– Kështu shpresojmë, – vazhdoi Jakovi, – po për sot kërkojmë një ndihmë nga  ju.

– Si është puna ?- pyeti drejtori i shkollës.

-Duam të lajmërojmë tek shtëpia e Selacëve, se kemi dëshirë t’ju bëjmë një vizitë, – u thashë unë, – kemi shkruar edhe një letër, sa për t’i vënë në dijeni. Djalin e madh të shtëpisë së tyre, Azemin, e kam shok, kurse Miranin e kam pasur nxënës. Arsyja e vizitës është se Jakovi do të bisedojë me babanë e tyre, me Bacën Halit.

Drejtori i shkollës mori letrën , që kishim shruar, dhe na siguroi se do ta niste me një herë atë  me një nxënës, që e kishte shtëpinë pranë Selacëve.

……………………………………………………………………………

Pa humbur kohë shkuam me Jakovin në mencën e kooperativës në qendër të fshatit. U ulëm në tavolinë, për të ngrënë drekë, dhe bisedonim me traktoristë e njerës të tjerë. Duke ngrënë tok në mencë , mbaj mend se Jakovi pyeste edhe interesohej edhe për të dhëna konkrete për të shkruar një reportazh, që ia kishin kërkuar lidhur me prodhimtarinë  bujqësore, për plehrat kimike, për llojet e farërave , për bimët foragjere dhe për fuqizimin e blegëtorisë..Ndërsa ai shkruante në bllokun e shenimeve të dhëna nga bisedat me njerëzit, një nxënës na solli një letër të drejtorit të shkollës, që na thoshte se Selacët na prisnin me kënaqësi në çdo kohë.

Atëherë Jakovi u çua, u nda nga traktoristët dhe të pranishmit e tjerë, duke i falnderuar për bisedat dhe u drejtua përsëri në kuzhinë, ku la një enë karakteristike, me kate, që quhej “supertas”, me të cilën merrte dy tre lloj gjellësh. Dhe, pastaj u nisëm për të bërë vizitën në shtëpinë e Selacëve, në Dermenas, ngjitur me Pojanin. Ecëm ngadal në ajrin e patër që flladitej nga era e detit. Në të djathtë të rrugës kositësit po korrnin jonxhë dhe tërfil. Gjithë udha kundërmonte nga era  ushtre  e barit të korrur. Pa ndjerë lodhje, si duke shetitur, kishim mbërrijtur tek Selacët.

 

Azemi, djali i madh i shtëpisë, po na priste tek porta, që dilte në udhën e Semanit. U takuam me të dhe shkuam pas tij në odën e miqëve, ku ndjemë me një herë erën e kafesë, që sa qe pjekur edhe bluar me mulli dore. Atje në odë, na mirëseardhi plaku i Selacëve, baca Halit, i përzemërt dhe i mençur në të folur. Na bëri përshtypje dhoma e shtruar me qilima të bukur. Pranë divanëve qenë vënë edhe  sixhade me gjyra dhe figura të ndryshme. Dukej me një herë epërsia e traditës kosovare në tezgjah. Kurse në mur qe vendosur një band e bukur e bërë nga duart e kosovareve, ku shquante fusha e kuqe dhe shqiponja me dy krerë. Në një kënd të odës ishte edhe një tavolinë e mbuluar me trapezamant dhe me disa karrike për rreth.

Dhe ashtu u drejtuam te divanet kundrull oxhakut dhe plakut të shtëpisë.

Sapo u ulëm, Azemi hapi një paketë duhani “Diamanti” edhe na nxori nga nje cigare, dhe, sakaq na i ndezi me shkrepse. Tymosnim duhan tok me bacën e u shtruam në muhabet. Dëgjonim rrëfimet e baca Halitit për jetën e tij në Kosovë, për dhunën që ushtronte krajli i Sërbisë dhe për shpërnguljen e tyre të dhimbëshme nga vendlindja. Dashuninë për Shqypninë e kena pas të madhe. Të gjithë, pa përjashtim. Shqypninë e kishim në mendje dhe në zemër. Shqypninë e kishim andër, i thoshnim Nanë. Kurse    shtëpisë, ç’e besa, e mbajshim, ja nji kshu, dhe shenoi me gisht tek banda e bukur prej sixhadeje e vendosur në mur, ku qe endur një shqiponjë me dy krerë.

Kur erdhi fjala për martesat, motiv që i interesonte Jakovit aq shumë  për linjën lirike të romanit, baca Halit tha se “ne si kosovarë  pranojmë që djelmt tanë të marrin vajza të fushës, po nuk dum që çikat tona të venë në shtëpi jo kosovare”

Ndërkohë, Azemi  na solli me tabaka filxhanët e kafesë. Atëherë Jakovi iu drejtua Bacës po edhe Azemit, për t’u siguruar lidhur me shqiptimin e disa fjalëve të të folmes së Kosovës, prej të cilave më kujtohen :

 

“tjerat që m’i dha begu kapar, qe tek i ki”

“Po na hala s’jena da”

“Ani, mirë, po shkoj vetun”

 

Për këto fjalë edhe shprehje  të tjera të ngjajshme, që përdornin personazhet kosovarë midis tyre, shkrimtari  qe më se i interesuar të sigurohej lidhur me përdorimet e tyre natyrshëm, sepse deshte që gjuhësisht  edhe në rrafshin dialektal, të ishte sa më në rregull. Ky përkushtim i shrimtarit Xoxa për t’i parë dhe pëshkruar kosovarët, e ardhur në Shqipëri, nga të gjitha anët, jo vetëm nga hallet, po edhe nga gjuha, dialekti dhe shqiptimi i fjalëve në bisedime

 

 

 

 

 

 

, e ka bërë  kritikun Ahmet Qeriqi, që në në studimin  e tij

“Lumi i Vdekur, roman i pa përsritshëm në letërsinë shqipe”, të shkruaj se Xoxe del të jetë pa asnjë dyshim njohësi më realist i karakterit  dhe i temperamentit të shqiptarit nga Kosova;  kujdesi që ai ka treguar në  skaslitjen e personazheve nga  Kosova është i veçantë dhe është kryekrejt realist, pa fshehur një dozë  të simpatisë, që ka shprehur dhe që është për çdo nder e lavd, sepse dhembja e tij për gjysmën e atdheut të mbetur  nën robëri, ishte ndjenja e pastër njerëzore e kombëtare e kolosit të letrave shqipe. Në këtë kontekst, asnjë krijues tjetër në letërsinë para dhe pas  Xoxës nuk e ka trajtuar me aq realizëm kosovarin e kohës .

*

*                   *

 

 

Kështu, pasi Jakovi foli me miqtë kosovarë dhe shkoqiti shumë fraza dhe fjalë të të folmes së tyre, ne i dhamë fund asaj vizite në atë ditë pranvere në shtëpinë e Selacëve, duke i falnderuar për mikpritjen dhe shkëmbnimin e mendimeve, po edhe për ftesën që t’u shkonim për vizitë dhe herë të tjera.

Ndërsa ecnim në xhadenë e shtruar me gurë dhe zhavor, Jakovi më përmendi se sa rëndësi kanë takimet me njerëzit:

–  Sidomos, kur është puna për të krijuar tipin përkatës,- më thoshte ai,- tipin, të cilin e arrin vërtetësisht mirë vetëm me njohjen direkte. Ashtu e përcepton karakerin  konkretisht, nga veshja, nga të folurit, nga botëkuptimi dhe psikologjia. E vure re ti se si u shpreh  baca Halit per martesat: pranojnë të marrin  vajza nga Myzeqeja, po jo të japin  çikat kosovare  tek shtëpitë e myzeqarëve. Dhe, mendo, kur sot është  kjo psikologji dhe ky zakon, po në vitet tridhjetë ,  kohë, kur unë kam vendosur subjektin e romanit………..

-Sidoqotë, nga ai deklarim i bacës, a del e motivuar dashuria dhe lidhja e Adilit me Vitën në roman?- i pyeta  në vazhdim të idesë.

– Natyrisht, këtë psikologji dhe këtë mentalitet, në mjediset e familjeve kosovare të ardhura këtu kam pasur para sysh, kur ndërtova linjën lirikie të romanit “Lumi i Vdekur” , kur ideova  lidhjen  dashurore midis  vajzës myzeqare, Vitës me Adilin, djalë nga familje kosovare.. Do të kisha bërë një zgjidhje skematike, në qoftëse këtë lidhje dashurie do ta kisha ndërtuar, fjala vjen, midis Sanijes, motrës së Adilit dhe Llazit, vëllait të Vitës, që në fakt nuk do të ish e realizueshme, ….  kur ke parasysh një mungesë tolerance nga burra si fjala vjen Baca Halit, a po burra të tjerë, që kanë po atë mendësi.. Gjithësesi jam përpjekur per një motivim psikologjik dhe social sa më të besueshëm.

 

Kjo veçori e stilit të Xoxës  për të individualizuar personazhet në përputhje me psikologjinë  dhe gjuhën e tyre, i tërheq vemendjen sot studiueses Sh. Islamaj, kur vë re

se “shkrimtari i drejtohet  shqipes  në të gjithë shtratin e saj. Në detin e madh të gjuhës standarde dallohen qartë ngjyrat krahinore myzeqare dhe kosovare me tingëllim të veçantë, të cilat vlejnë të studiohen sidomos në aspektin e leksikut”[25]

 

VII

Ndërkaq, dita qe thyer, dielli kish marrë nga perëndimi, dhe ne, duke biseduar, kishim mbrrijtur te kthesa e Pojanit. Po atje, para se të ndaheshim, si papritur, Jakovi më tha:

-Tani dua të falnderoj dhe një herë që më je gjendur në kaq raste takimesh të natyrshme me njerëz  të ambjenteve dhe zakoneve të ndryshme.

– Po është edhe kënaqësia ime, në qoftë se  arrij të  jap ose të sugjeroj  ndonjë episode, a po detaj nga jeta në Myzeqe, aq më tepër kur  shikoj përkushtimin dhe angazhimin e një mjeshtri si ju, që synon  të pasurojë letërsinë  shqiptare me një vepër për Myzeqenë.

– Mirëpo oreksi vjen duke ngrënë,- u dëgjua Jakovi,- kështu që mbase nuk e teproj , po të shprehja dëshirën  që të vizitonim  për pak kohë të dielën e ardhshme edhe Grizën, fshatin, ku fillon subjekti i romanit.

Edhe unë e kam këtë dëshirë, që të shkoj në Grizë, – i thashë,- se kam nostalgji për  vendlindjen e tim eti dhe të të gjithë të parëve të mi. Nuk e di se si, po malli për Grizën, më kujton gjithnjë mallin e arbërshëve për Arbërinë. Kur isha i vogël, shkoja shpesh në Grizë……. Atje kisha edhe një kushuri vërsnik, Rrapi Micin, djalin e xha Lamit, po tani ai është me studime në Tiranë. Po do të takojmë njerëz të tjerë të fisit të mbetur në atë truall. Mbi të gjitha do të bisedojmë me baba gjyshin, me më plakun e fisit, xha Nasin.

Jakovi u gëzua nga  fjalët e mia, më dha dorën, u përqafuam edhe u ndamë. Ramë dakord dhe u morëm vesh që të takoheshim të dielën para dite, tek lulishtja qendrore e qytetit, që nga do të niseshim për në Grizë.

*

*                   *

Në mëngjesin e të dielës, në orën e caktuar, Jakovi po më priste ulur në stolin mdis pishave të buta, tek “Bar  Rinia”. Morëm nga një kafe dhe u nisëm drejt Grizës. Në ecje e sipër më tha se Grizën e përfytyronte, duke e parë nga dritarja e autobusit,  kur merrte drejtimin për në Patos, po ajo njohje nuk i mjaftonte. “Po përveç të tjerave jam kurioz të njoh kashtën fryjtje,- më tha duke ecur,- që rritet në kënetën e Grizës, po që nuk bëhet në kenetën e Hoxharës dhe të Povelçës.Ta shoh si bimë të gjallë. Sot kjo lloj kashte e ka humbur rëndësinë ekonomike, po nuk duhet harruar se për kohën  kur zhvillohet subjekti i romanit “Lumi i Vdekur”, ajo ish lëndë e parë për mbulimin e çative, për rrogozat e terinat në fshat.

Të parën gjë që do të shohim, para se të futemi në Grizë do të jetë  këneta  me kashtë fryjtje, që do të na shfaqet si “plantacion”.

– E thua me gjysëm shakaje, – foli Jakovi, – po në të vërtetë dikur plantacion ka qënë. Mjafton të kujtojmë konfliktin e herëshëm të Micallarëve me beun, kur kashta fryjtje  u përdor  si shkak i hasmërisë së parë. Me jallan shahit vërtetë, po gjithësesi, në bazën e  konfliktit qe sajuar kashta, kashta fryjtje.

Pas  një gjysëm ore mbrrijtëm te rrëzë e kodrës së Mbyetit, në çukën e së cilës dukej kisha e Shën-Kollit. Kurse në të manjtën e xhadesë ishte një fushtirë, ku një bari mesoburrë po ruante dhëntë që po kullosnin bar të njomë. Iu afruam, e përshëndetëm, i dhamë të njohur edhe e pyetëm për emrin, të cilin tani nuk ia kujtoj, po mbiemrin e kishte “Mile”.  Meqë Jakovi  qe kurioz të dinte se sa jehonë kishte pasur  dëbimi i Micallarëve nga  Griza, e pyeti bariun, që  po ruante delet, se mos  kish dëgjuar  rreth asaj ndodhie.

– Unë nuk jam nga Griza, – foli ai, – jam nga Verbasi, po kam dëgjuar për dëbimin e tyre. Ata i ndoqi beu. Madje, para se t’i përzinte, nisi t’i trembte; njerin nga ai fis e vrau fare. Atëherë nxorën për atë që u vra dhe një këngë.

-Dhe, a e di ti  se ku do të jetë bërë ajo vrasje,?

– Ja, aty matanë, tek kthesa e Shën-Kollit,- u përgjegj bariu

-Po, ndërkohë, a futi beu atëherë bujk tjetër në truallin e tyre?- i tha Jakovi atij përsëri.

-Jo, jo, – dëgjua ai,- e lanë shkretë gjithë tokën e atij fisi, po të vini në Grizë , do ta shikoni truallin e Micallarëve djerrë dhe sot e kësaj dite. Ua shëmbën shtëpinë që nga themelet,dhe,  truallin dhe ugaret e tyre i kthyen në kullotë

E falnderuam bariun për rrëfimin e tij të çilter dhe morëm rrugën me kalldrëm drejtë Grizës. Pas pak, në të manjtë u shfaq këneta, që bleronte nga kashta e re. Ishte pranverë dhe kashta e re frytje donte edhe dy muaj që të bëhej për t’u korrur, aq kohë sa të merrte ngjyren bezh në kafe të çelur dhe të bëhej me formë të tultë..

Jakovit nuk iu ndenjtë, doli nga udha, kaloi mezhdën e ulët dhe gjithnje kurioz u fut në kënetë. Shkuli një rrënjë kashte të gjelbërt me gjithë  kërcell dhe gjethe, dhe ashtu vazhduam rrugën drejt Grizës, duke komentuar rreth kashtës fryjtje dhe zhukave.

Me degën e kashtës frytje në dorë nisi të më thoshte: ”Çudi është se si i ka mësuar  nevoja për të jetuar njerëzit. Fjala vjen kashtën pirrë e përdorin për mbulesë çatije, kashtën fryjtje, si këtë, e përdorin edhe për të mbular çati, po edhe për rrogoza, ndërsa zhukën, edhe pse zhulatet[26] si kashta, e përdorin për litar edhe për shporta. Kurse italianët  bëjnë edhe më shumë gjëra me to, i përdorin  për karrike, edhe për të bërë  shporta dhe  kapele”.  Me një fjalë ai donte të ishte sa më i sigurt e më i qartë për çdo detaj, objekt ose veprim. Jakovi i jepte shumë rëndësi njohjes direkte të faktit dhe përjetimit të veprimeve. Duke udhëtuar drejt Grizës, mbaj mend të theksonte nevojën e të vetëjetuarit të detajeve të ndryshme: ”Tjetër gjendje shpirtërore ke kur përshkruan një  gjahtar, që e ke parë në ushez , dhe, të tjera emocione ke, kur e ke jetuar vetë realitetin i strukur në ushez si gjahtar, ditën a po natën, në erë ose në acar. Po kështu edhe një peshkatar, e përshkruan emocionalisht më bindshëm, kur edhe vetë e ke përdorur fushnjerën, apo çërrnikun”.[27]

Me t’u future në fshat, shkuam tek kodra e butë, ku kish qënë trualli dhe shtëpia e të parëve të mi. Vumë re se vërtetë asnjë shenjë prej themelve te shtëpisë së tyre nuk dukej, përveç grykës së pusit me gurë. Që aty zbritëm  prap në rrugë, ku ndanë saj nga e majta ishin shtëpitë e fisit të Micallarëve të mbetur.  Tok me Jakovin u futëm në oborrin e gjysh Nasit. Atje, sa na pa, na priti çupa e shtëpisë, mbesa e Baba-Nasit, vajza e xha Lamit, Liria, një vajzë e  e sjellur, gojë-ëmbël, me tipare të derdhura, vajza  më e pashme e fisit. Atëherë ajo sapo ishte fejuar me mësuesin Kristul Tase dhe po përgatitej të dilte nuse në Fier. Liria na shpuri tek divitja, në odën e madhe të miqëve, ku zakonisht rrinte Baba Gjyshi, Nas Mici, që i kish kaluar të nëtëdhjetat, po mbahej mirë, kuvendonte nga dalë dhe me kujtesë të qartë. Duke pirë kafenë, ai i tregoi Jakovit gjithë historinë e fisit, pak a shumë, ato ngjarje, që i kishin rrëfyer më parë Nëna e Madhe dhe xha Koli.

Po si mendon zotrote se pse e e bëri beu vrasjen e Petos?- e pyeti shkrimtari  Baba Gjyshin.

Beu bëri vrasje që të trembeshin të tjerët, prandaj e bëri dhe në ditën e pazarit, që ta merrnin vesh sa më shumë njerëz.

Ndërkohë, Jakovi i bërë kurioz nga rrëfimi Gjysh Nasit, e pyeti se cilat ngjarje i kishin lënduar më sëhumë zemrën.

Kush rron gjatë ka gëzime për të rrëfyr, po ka edhe pikëllime. Nuk më hiqet nga mendja Gripi Spanjol në fund të Luftës së Madhe në kohën e Austrisë dhe të Italisë së Parë. Na vdisnin njerëzit e fisit nga dy tre në ditë dhe nuk kishim kohë as t’i shpinim në kishën e në Shën-Koll për t’i varrosur me prift, po i varrosnim këtu në Shën-Mark, pa prift e pa litani. Ishte si kolere, gjëmë e madhe nga perëndia. Po do ti, pa na u shëruar plagët e vdekjeve, na plasi një e keqe tjetër..Po kësaj radhe nuk e patëm  nga perëndia, po nga qeveria. Na dëbuan dhe na degëdisën më të shumtën e fisit. Sikur na prenë krahët. Qe ngjarje e rëndë, që u shkaktua nga zullumi i beut, ngjarje kjo që ju e paskeni marrë vesh edhe nga të tjerë.

 

Ndërsa ne bisedonim me xha Nasin, Liria tok me nënën e saj, teta Marien, kishin bërë gati një drekë të shpejtë me mish pule kotoletë, djathë të bardhë dele dhe kos të freskët.

Dhe, pasi hëmgrëm drekën, u duk të vinte gjyshe Patra, teta Maria, e ëma e Lirisë si edhe vetë Liria me filxhanët e kafesë mbi tabaka.

Atëhere, kur u bëmë bashkë të gjithë, pranë Baba Gjyshit, duke pirë kafenë, unë i falnderova për mikpritjen dhe u tregova qëllimin e vizitës me Jakovin. Ua prezantova atë, si mikun tim. U thashë se është shkrimtar dhe po shkruan një libër, që mbështetet në dëbimin e Micallarëvë nga Griza dhe vendosjen e tyre në Shën-Pjetër, pranë Lumit të Vjetër.

Me një fjalë, – u dëgjua Liria,- beu dikur na ndau, kurse shkrimtari  tani në librin e tij po na afron..

Ashtu është, – shtova unë,- po duke u nisur nga ngjarjet e trazuara të fisit, libri do të rrëfejë jetën jo vetëm për ne, po për të gjithë Myzeqenë; pra nuk do të jetë histori, po një libër letrar, një roman, ku emrat dhe mbiemrat do te jenë ndryshe.

Mbas dreke u larguam nga shtëpia e Micallarëve të Grizës , duke shprehur mirënjohjen për nderin që na bënë, dhe u nisëm për në Fier. Pas disa minutash, te kthesa e Patosit, pamë të vinte një kamion. I bëmë shenjë të ndalonte dhe shoferi na mori e na shpuiri në qytet brenda pak minutash.

Është me vend të shenoj se kjo vizitë e Jakovit në Grizë do t’i jepte dorë atij për të konceptuar realitetin artistik rreth kapitullit të parë të romanit. Është kapitulli, që tregon Pilo Shpiragun e dëbuar nga shtëpia e vetë, të ngarkojë qerren dhe të marrë rrugën  me laçkë e plaçkë drejt qytetit të Fierit, në hanin  e Bishtanakës, para se të nguliteshin në Trokth. Po në këtë kapitull Teto Konxhja do të bënte mallkimin e saj profetik kunder Veli Beut..

Kur po kalonim urën me shkallë të lumit Gjanica, që gjarpëron përmes Fierit, Jakovi ndali dhe u takua me nje të njohurin e tij, që e kish mik te vjeter nga familja e dëgjuar e Porove të Fierit dhe ma prezantoi. Me sa mbaj mend e quanin Arqile Poro, ose Stavri Poro. Dhe, duke i folur për mua, i tha atij:”Ky ka qënë çelësi im drejt Myzeqesë”

Tek dëgjova ato fjalë, e ndjeva veten të mbivlerësuar, dhe  reagova, duke i thënë Jakovit:

Po të ishit nga Gjirokastra, ose nga Shkodra, dhe mund të pranohej ky lavdërim, po kur ju jeni rritur në Fier… them se ka pak tepërim për mua. Përkundrazi,- shtova unë,- ju jeni çelësi im drejt horizonteve letrare.

Po unë nuk e kam fjalën për  qytetin, –  tha Jakovi,- po për fushat e Myzeqesë

Atë çast, pa u zgjatur shumë me mikun me mbiemrin Poro, u ndamë. Të dy ndoqëm udhën e Semanit. Unë për në shtëpinë time në Fermë dhe Jakovi drejt Apolonisë, ku kishte kohë, që qe rregulluar në dhomën e “dhespotit” në Manastirin e Shën –Mërisë.

 

VIII

 

Në të vërtertë, nga ana ime, e kishja harruar thënien metaforike që Jakovi i tha mikut të tij të vjeter, me mbiemrin Poro, se unë paskesha qënë një lloj “çelësi” për fushën e Myzeqesë për të.  Në atë moment atë fjalë unë e kishja quajtur si një komplimet, që ma kish bërë, duke më njohur me mikun e tij të vjetër. Kurse vetë Jakovi, shumë vjet më vonë, pasi qe botuar romani disa herë, në mes të viteve shtatëdhjetë, do ta rikujtonte dhe shtjellonte idenë e asaj shprehjeje në një artikull botuar në revistën “Nëntori” me titull: Po ta kërkosh do ta gjesh (Gjeneza e një romani). Kjo ide e tij qe shkruar qartë  në këtë meditim shumë të rëndësishëm. Po e quaj shumë të rëndësishëm artikullin se me anë të këtij shkrimi kuptojmë filosofinë e Jakov Xoxës për artin e të shkruarit. Në mënyrë të veçantë autori në këtë material të publikuar thekson teorikisht, po edhe praktikisht raportin midis materialit jetësor dhe atij të fantazuar. Këtë problem të procesit krijues ai e realizon qartë dhe bukur, duke u mbështetur në përvojën e vetë letrare dhe estetike.

Dhe tani, kur jam duke folur për takimet e para me Jakovin, më vijnë në mendje disa momente, që kanë lidhje direkt ose indirekt me zanafillën e romanit “Lumi i Vdekur”. Kështu që  më duket shumë e natyrëshme të përmend në mënyrë të plotë disa nga paragrfet e artikullit të sipërpërmendur  të Jakov Xoxës për romanin  e tij të parë, me qëllim që kujtimet dhe reflektimet e mia të jenë sa më të besueshme për lexuesin lidhur me zanafillën e romanit  dhe pasqyrimin e jetës në këtë vepër epope  të letësisë sonë  pas Luftës së Dytë Botërore.

Ja se ç’ ka tregon vetë Jakov Xoxa në artikullin “ Po ta kërkosh do ta gjesh (Gjeneza e një  romani)”[28]:

 

Çdo libër, para se të shkruhet, ka historinë e vet. “Tregimi” i kësaj historie vlen shpesh herë për të kuptuar më mirë një libër, për të kuptuar më thellë qëllimet, përpkjekjet, shqetësimet dhe arritjet relative të krijuesit të saj. Unë do të përpiqem në këtë shkrim t’u tregoj lexuesve prehistorinë e romanit tim të parë.

Mendimi për të shkruar një roman mbi jetën e mjerë të fshatarësisë së varfër e të shtypur të Myzeqesë më ka lindur dhe më ka shqetësuar prej kohësh. Po në atë kohë nuk kisha ende as përgatitjen e duhur ideologjike, as përgatitjen profesionale për të përballuar një tip kompleks kompozicional dhe ideor siç është romani. Kuptohet vevetiu që kjo përpjekje e parë për të shkruar një roman dështoi. Nga gjithë ato faqe dorëshkrimi, hynë në romanin e mëvoshëm vetëm nja dy emra, si p.sh. emri i Sanijes, si dhe fakti historik i emigrimit të jashtëm (ndjekja e e familjes së Sulejman Tafilit nga Kosova dhe vendosja e tyre në Myzeqe). Kështu, në orvajtjen e parë romani fillonte me ikjen dhe peripecitë e karvanit kosovar nga Gostivari në Myzeqe. Ishin këta kapituj disa dhjetra faqe romantike, që u përngjanin karvaneve të ciganëve nëpër filma. Ndersa romani i ardhshëm “Lumi i Vdekur” fillon në Myzeqe, në një han, te Hani i Bishtanakës, një vend takimi ku kryqëzohej emigrimi i jashtëm ( arratisja e familjes së Sulejman Tafilit nga Kosova) me emigrimin e brendshëm (arratisja e familjes së Pilo Shpiragut nga Griza). Në këtë han, në mes të  dhembjes së arratisjes dhe frikës ndaj të ardhmes, vdes dhe lind jeta, lidhet miqësia dhe  dashuria në mes të njerëzve të varfër, të krahinve dhe besimeve te ndryshme, që i ka bashkuar e njëjta fatkeqësi dhe e njëjta shpresë.

Përpjekjen e dytë dhe përfundimtare për krijimin e një romani të tillë e përsërita në vitin 1957- 1958. Në këtë kohë kisha mbaruar studimet e larta dhe kisha botuar dy vëllime me novella, të cilat, një kritik i ka quajtur jo pa të drejtë etyde të romanit të ardhshëm. Kisha pra, tani, një farë përvoje artistke për të ndërmarrë një krijim të tillë dhe, nga ana tjetër kisha një farë përgatitje  ideologjike për të interpretuar në mënyrë materialiste materialin e gjërë dhe kompleks shoqëror e jetësor. Të gjitha këto që kisha, ishin një farë mundësie, por që kjo mundësi të kthehej në vepër duhej një punë e madhe, sepse edhe ajo që trashëgova nga përpjekja e parë ishin gjëra shumë të vogla. E kuptova më mirë këtë kur mora një lejë të gjatë krijuese dhe zbrita në Myzeqe për të rifreskuar kujtimet e mia dhe për të grumbulluar “mullarë” të rinj me material  jetësor.

Më kujtohet: sapo ishte kthyer manastiri i Shën-Mërisë së Pojanit në Muzeun  arkeologjik të  Apolonisë dhe mua më kishin dhënë për të banuar dhomën mbi qemerin e portës së madhe, atje ku vinin dhespotin të flinte, me dritaret nga fshati dhe nga këneta e madhe e Hoxharës, teatër i përpjekjeve gjiganteske për bonifikimin dhe zhvillimin e bujqësisë. Por mbaj mend dhe diçka tjetër: për herë të parë në jetën time, atëherë fillova të gjuaj. Këneta ishte shume afër, thuajse në rrëzë të kodrave dhe nga ish manastiri trashëgoi errësirën, që ndriçohej nga drita e llampës. Kështu që, me gjysëm ore ditë unë shkoja bashkë me shokët e mi për gjah dhe kthehesha me gjysmë ore natë, i ngarkuar më shumë me shushunja se sa me shpendë. Sidoqoftë, në fillim, më mbarë shkoi gjahu i shpendit të kënetës se sa gjahu i materialeve për romanin, kështu që në në njerën nga faqet e fletores sime të shenimeve për romanin “Lumi i  Vdekur”, kam shkruar: ”Kam frikë se mos në fund të kësaj leje krijuese do t’i dorëzoj Lidhjes së Shkrimtarëve në vend të kapitujve të romanit, një ditar gjahu”.

Po nuk më shkoi dhe aq ters, megjithë frikën time….  Më 1961 i dorëzova redaksisë së revistës “Nëntori” romanin tim për botim.

Që në fillim të krijimtarisë time jam menduar se, sado e madhe qoftë koka e një shkrimtari, bota, jeta është shumë e shumë herë, pafundësisht më e madhe…Sa më i pasur të jesh në përvojën jetësore, aq më të lirë do ta ndjesh veten gjatë krijimit tend artistik. Kështu biografisë time të ngushtë prej të riu qytetar, përmes jetës aktive në sferën e objektit të krijimit tim, u mundova t’i shtoj botën e madhe dhe historikisht shumë të lashtë të fshatarit tonë të vuajtur e luftëtar.

Është e vërtetë se, ashtu si historianit, i cili nuk mund të bëjë dot pa kabinetin dhe arkivin, shkrimtarit i duhet jeta e gjallë e popullit dhe njëkohësisht edhe një kënd i qetë ku të derdhë frytet dhe përfytyrimet e tija të nxjerra nga ajo jetë. Këto dy elementë të domosdoshëm, pa të cilët është e vështirë të krijosh në art, mua nuk më mungonin në Pojan të Apolonisë: Kisha fshatrat anë e përqark kënetës së madhe të Hoxharës, me një histori të begatë vuajtjesh dhe luftrash, kisha gjithashtu edhe një kënd të qetë, ku mund të mblidheshe, të meditoje e të krijoje pa u trazuar nga askush……….

Megjithëse pas qendrimit relativisht të gjatë nëpër Myzeqe kisha mbledhur një material të pasur dhe interesant, unë nuk e nisa dot menjëherë, ashtu si dëshiroja romanin tim.. Si duket kisha gjetur vetëm bazën, mbi të cilën do të mbaheshin ngjarjet e romanit, por ende nuk kisha ndeshur, ose ende nuk kisha mundur të krijoja me materialin e dhënë, ngjarjen maja, nga e cila do të ziheshin, ngroheshin e vinin (si brumi i bukës) skenat, episodet dhe ngjarjet e romanit. Kisha ndeshur rrënjën e nëndheshme të jetës, po ende nuk kisha endur dot lulen, që ushqehet nga ato dhe përjetëson ato. Procesi artistik i ngjaka një anije misterioze, nga e cila do të duken  gjithmonë vetëm majat e direkut, maja që do të mbajë flamurin e kombit dhe tregojnë me rrahjet e atij flamur drejtimin e erës, që i shtyn pëpara.

Por, po të kërkosh, do të gjesh…Do të gjesh edhe lulen, që shpreh më mirë dhe më bukur pemën e vet. Në rrethanat e një kërkimi këmbëngulës në truallin më të përshtatshëm për atë kërkim dhe vetë rasti më i habitshëm kthehet në domosdo. Më kujtohet fare mirë: po dilja nga ndertesa e Institutit të Lartë Pedagogjik. Ishte kohë provimesh. Te shkallët ndesh një djalosh, me disa pika në fytyrën e hequr, të cilat e tregonin edhe më të ri edhe më simpatik.  M’u duk si një i njohur, të cilin s’e kisha parë prej disa kohësh dhe qëndrova të takohem. Nuk ishte ai. Ky djalosh ishte një mësues nga Shën-Pjetra e Myzeqesë dhe vinte të jepte provimet me korespondencë. Kur mori vesh se kisha filluar të mbledh material atyre anëve, për të shkruar një roman, më ftoi për vizitë në shtëpinë e tij. Ky qe takimi i parë, fare rastësor, me Micallarët (Shpiragajt në roman) dhe me fshatin Shën-Pjetër (Trokth) ne roman. Nuk e di se ç’ do të kishte ndodhur pa atë tjetër për tjetër dhe pa atë njohje krejt rastësore. Sidoqoftë, unë mendoj  se po të kërkosh, do të gjesh dhe që s’e kisha takuar atë familje gjer  atëherë, nuk do të thotë se nuk do ta  takoja më vonë, gjersa  rreth e qark tyre unë isha  duke  kërkuar dhe po të mos e gjeja, kjo nuk  do të thotë se nuk do ta krijoja, gjersa njera nga gjymtyrët e dramës, emigrimi i jashtëm i fshatarit shqiptar, të ndjekur nga tokat e veta nga shovenistët serbo-mëdhenj, kërkonte edhe gjymtyrën tjetër emigrimin e  brendshëm të fshatarit shqiptar, të ndjekur dhe poshtëruar nga çifligarët.

Nga familja e Micallarëve, të zbuar nga Giza e vendosur në Shën-Pjetër, mësova historinë dramatike dhe heroike të një familjeje të madhe Myzeqare, që kish

Shkuar  majë e briskë me çifligarët, të një familjeje të madhe myzeqare të gjakosur me bejlerët (ishin vrarë dhe kishin vrarë dhe për këtë  kishte një këngë), që kishte marrë arratinë dhe  qorollisur nga dëshpërimi dhe varfëria kishte rënë në  kurthin e tre ortakëve tregëtarë,që ishte duke likuiduar fermën e falimentuar të derrave në Shën-Pjetër, të ndërtuar sipas modelit amerikan në Myzeqenë e atëhershme, ku nuk kishte të hante misër njeriu dhe jo derrat.

Nga ana tjetër në Pojan, ku isha vendosur, ndodhej një “shpatull” e familjes së Micallarëve, e shkëputur nga trungu mëmë. E megjithatë, megjithëse kisha qënë aq pranë saj, unë historinë interesante të jetës së tyre, që do t’u jepte shtytjen fillestare ngjarjeve të romanit, e mësova nga ai takimi rastësor me djaloshin mësues nga Shën-Pjetra, sot edhe shkrimtar (shkrimtari Aristotel Mici) .

Me të ndeshur historinë e kësaj familjeje, që kishte pasur në kurrizin e vet dy lloj shfrytëzimesh, dhe atë të çifligarëve dhe të borgjezisë tregëtare, fillova me një herë të shkruaj romanin, të cilin e përfundova me nje frymë më 1961. Ajo kishte qënë për romanin tim ngjarja – maja që kërkoja.

Unë mendoj se ngjarja maja, është diçka shumë e rëndesishme në veprat artistike me subjekt. Prandaj duhet kërkuar dhe, kur nuk e gjen, duhet krijuar me këmbëngulje. Është ajo që ka  për të organizuar dhe  dhe gjallëruar rreth vetes materialin jetësor, ashtu si majaja brumët dhe, ana tjetër, është ajo, që ka  për të tërhequr lexuesin nga faqja në faqe. Gjetja e  ngjarjes maja, e cila  do të centronte saktë dhe bukur problemin dhe idenë e një vepre artistike, mund të krahasohet me atë  pikëmbështetëse në hapësirë, që kerkonte Arkimedi, për të zhvendosur botën. Veçse me këto ndryshime: ajo ngjarje nuk vlen për të zhvendosur botën, por për të krijuar një botë tjetër, të paqënë gjer atëherë ne konstelacionin e botrave të krijuara nga libri artistik.

Sigurisht., ngjarja maja në vetvete nuk është kryesore, sepse kryesore janë problemi dhe ideja që shtrohet dhe del andej. Por me që problemi dhe ideja në krijimet artistike nuk jepen të gatshme, por dalin përmes ngjarjeve, të cilat shprehin marrëdhënie të caktuara shoqërore, ajo ka rëndësi të madhe. Ajo vetë nuk është qëllimi, po me anë të saj realizohet qëllimi i veprës.. Sigurisht një ngjarje e dëgjuar, siç është ajo që përmenda më sipër, duhet vendosur në klimën dhe mjedisin, që e ka lindur dhe duhet shkulur dhe marrë bashkë me dheun, dhe bashkë me dheun mbartet në punishte, se për ndryshe nuk zë dot dhe, si pasojë, nuk jep pemën e kerkuar. Nuk do të zgjatem  rreth këtij problemi të rëndësishëm krijimi. …..

Pra, në qoftë se romani im i parë “Lumi i Vdekur” pati ndonjë sukses, atë ua kushtoj edhe përpjekjeve këmbengulëse për të gjetur një ngjarje të rëndësishme- maja, e cila do të mund të centronte mirë problemin ideor”, se fshatarët mund të shpëtonin nga sundimi i bejletrëve, duke qënë të bashkuar dhe jot ë veçuar.

Lidhur me zanafillën e romanit “Lumi i Vdekur” është për t’u shenuar gjithashtu edhe një pohim tjetër i autorit, që ai e thoshte në takimet me lexuesit, po edhe me miqtë e shokët, i pyetur “në se a ka të ngjarë që Shpiragajt në roman të jenë Micallarët”, vetë shkrimtari qe përgjegjur:

“Mund të jetë edhe kështu, po jo një riprodhim i plotë i asaj familjeje. Subjekti

është si burimi i një lumi që duke ecur merr edhe gjëra të tjera gjersa merr formën e vet. Dihet që Micallarët kanë jetuar në fillim në Grizë dhe, pas konflikteve që patën me bejlerët, ikën dhe u vendosën në Shën-Pjetër. Por s’ kanë qënë vetëm Micallarët në konflikt me bejlerët, kanë qënë edhe familje të tjera si Çukallarët, Baret e tj. Rasti i këtij fisi shërbeu si shtysë dhe më dha frymëzim. Mblodha shumë fakte nga dramat e fshatarëve të varfër, por trima dhe të ndershëm”.[29]

 

IX

Më kuijtohet se në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur ne klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, zhvillohej një aktivitet, Jakovi, sa më pa, më takoi duke më thënë: “Sot je i ftuar   për drekë nga shtëpia. Dhurata prêt vizita ngushëllimi se i ka vdekur i ati, po ndërkohë, kemi edhe një gëzim, që duam ta ndajmë bashkë.”

Unë e falnderova, po nuk qe as vendi as koha për t’u zgjatur e për të mësuar më shumë lidhur me ngjarjen e gëzueshme të tyre.. Pas aktivitetit në Lidhje, pasi shpura çantën në hotel, u çlodha pak dhe mora rrugën për te shtëpia e Jakovit, që ndodhej në Pallatet “Agimi”.    Me t’u hapur dera, ndjeva me një herë erën e mirë e gatimeve,  që bënte Dhurata, si një nikoqire  nga një derë e nderuar përmetare me tradita.

E veshur me rroba zije, sipas zakonit , ajo më nxori kafenë. Pasi unë shpreha ngushëllimin, ata, të dy më thanë se atë ditë më kishin ftuar për drekë, për të festuar  së bashku  gëzimin e një ngjarjeje. Më treguan se romani “Lumi i Vdekur” para pak kohe qe dorëzuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe se atë ditë kineastet e Kino Studios “Shqipëria e Re” e kishin xhiruar Jakovin në një film të shkurtër dokumentar. “Dokumentari jepet sonte para filmit artistik – u dëgjua Jakovi- dhe ne kemi kënaqësinë që të shkojmë e ta shohim tok ”.

– Kurse unë, – tha Dhurata,- me këtë gjendje shpirtërere që jam nuk më bën zemra për kinema, po është  i  vetmi rast që mund ta shosh burrin në një film, prandaj do të  shoh vetëm atë pjese të dokumentarit që tregon për Jakovin dhe do të largohem.

Si për pak variacion, po edhe për të mësuar ndonjë gjë të re lidhur me planet e tij krijuese, unë gjeta rast, tek po hanim drekë dhe e pyeta Jakovin në se kishte piketuar ndonje subjekt të ri letrar ndërsa kishte përfunduar romanin e parë.

Nuk do t’i ndahem kurrë Myzeqesë, – më tha, – kam grumbulluar aq shenime e materiale nga Myzeqeja dhe zonat perqark, sa nuk i nxë një libër i vetëm. Dhe, kështu kam një përzjerje personazhesh e ngjarjesh në kokë , që më shtyjnë të mendoj për atë që quhet “roman-lumë”(roman- fleuve), ku personazhet, a po pasardhësit e tyre vazhdojnë të  shkojnë nga një roman në tjetrin.

Kështu, fjala vjen, në librat e mi, vajza e vogël e Pilo Shpiragut, Shpresa, nesër, në një “roman lumë” do të jetë heroina e një vepre të re. Që të jem më konkret mua më vlon në mendje ideja e një pentalogjije[30], pra e pesë romaneve, të cilët sot për sot me fantazinë time i imagjinoj si një ngrehinë letrare në formën e një “iks-i”. –  “ X. “ …dy romane nga e kaluara e Myzeqesë; i treti do të trajtoj temën e Luftës Nacional- Çlirimtare, dhe dy të tjerët do t’i përkasin temës aktuale”.

Ky kompzicion i shtrirë në kohë i veprës së Xoxës  do të quhej nga komentuesit dhe studjuesit e tij  “iksi pentalogjik i Jakovit.”, ose “Iksi romanesk i Jakov Xoxës”[31]

*

*                  *

 vitin 1964”Jakovi e paraqiti romanin edhe në konkursin kombëtar të 20 vjetorit të Çlirimit dhe mori  çmimin e parë të Republikës.”[32] Qysh atëherë e deri  më sot, “Lumi i Vdekur” ka pasur trembmbëdhjetë botime.

Siç thuhet dhe në Fjalorin Akademik të Shqipërisë  “I vlerësuar si roman social-psikologjik dhe etik, “Lumi i Vdekur” nëpërmjet subjektit që shtillet në vitet 1938-39 rreth kalvarit jetësor të familjeve myzeqare e kosovare të shpërngulura, ndriçon me një realizem tronditës dramën e  fshatarësisë shqiptare të asaj kohe….Jakov Xoxa synoi të japë artistikisht të tërën e shoqërisë shqiptare nëpërmjet përqendrimit në vendoren”.[33] Dhe ky realitet jetësor është  dhënë përmes një  forme artistike interesante.

Sa herë diskutohet për një vepër letrare, krahas problemeve të përmbajtjes, flitet edhe për  formën e saj , që e shpreh atë  realitet, ku  në radhë të parë  merren dy  nocione, gjuha e autorit dhe stili. Sado që janë dy koncepte të përafërta, nuk janë e njëjta gjë. Për këtë çështje të teorisë të letërsisë, studiesja Sh. Islamaj, tek analizon gjuhën e Xoxës, thekson se  termi “gjuhë” nënkupton tërësinë e mjeteve shprehëse, që i kemi në dispozicion, kur formësojmë një shprehje, ndërsa termi “stil” aspektin dhe cilësinë e kësaj shprehjeje.”[34] Dhe në këte vështrim, të harmonizimit të gjuhës letrare dhe të  stilit, Xoxa  është mjeshtër  në krijimet e tij artistike. Me stilin e vetë original ai pasuroi dhe më shumë traditën e narracionit shqiptar, gjë që u pa aq dukshëm me romanin “Lumi i Vdekur”.

 

X

Hapësira e paanë e fushës së Myzeqesë, psikologjia e qetë e njerzëve myzeqarë, ligjërimi popullor, humori i lehtë i kësaj treve, si dhe shpirt i butë dhe zemra e gjërë  e Jakov Xoxës janë tretur përmes frymëzimit të tij në një stil original dhe tërheqës. Për stilin e këtij shkrimtari gjen shprehjen  e vetë thënia e lashtë e filozofit  romak, Seneka, se “Stili nuk është gjë tjetër veçse fytyra e shpirtit të autorit.”

Duke analizuar gjuhën dhe stilin e romanit “Lumi i Vdekur” studiuesi  Ahmet  Qeriqi, në studimin e tij të sipër pëmendur, na thotë se Xoxa në roman përshkruan një botë të tërë në lëvizje dhe me fuqinë e gjuhës, që rrëfenë, të futë  në botën e tij të imagjinatës, ku me fuqinë magnetike të rrëfimit, me gjuhë shumë të pasur në shpjegimin dhe qartësimin deri në imtësi, të ka futur si me magji në atë botë, nga e cila nuk të leshon të shqitesh pa t’i rrefyer të gjitha…Duke qenë  njohës fenomenal i gjuhes së gjallë të popullit, i frazeologjisë, filozofisë dhe mençurisë popullore, Xoxa, jo vetëm e ka begatuar veprën e tij, po edhe e ka treguar me shembuj konkretë se sa e gjerë, sa e thellë, sa e pasur është gjuha shqipe, e vetmja digë historike, që e ruajti kombin  e traziuar buzë shpërbërjes  fatale nga mujsharët e botës.

ëhh

Xoxa i ndjek ngjarjet e romanit natyrëshëm, duke ruajtur gjithnjë unitetin e stilit, të kompozicionit,dhe të mënyrës së të folurit midis personazheve. Sjellim në mendje me këtë rast bisedën midis Kozma Ndrekës, një djali qytetar të pispillosur, dhe Vita Shpiragut:

 

Ajo u ndal në mes të dhënëve të trembura, dhe i tha:

Çdo që më ndjek?

Ja, dua të të bëj manare.

Sa për manaren që kërkon, shiko se mos e gjen në ndonjë kope tjetër.

Duke ia paguar hakun me të njëjtën monedhë tingëlluese, ajo e ndjeu veten më të larë ndaj tij dhe i erdhi të mbahej paskëtaj edhe më të madh.

Pra, kuptohet se në këtë rast kemi një gjetje të bukur stilistike dhe të vetishme nga ana e autorit.

 

Natyra është tjetër tipar dallues i stilit të Xoxës në gërshetimin e ngjarjeve në roman. Qoftë në situata tragjike, a po në episode lirike, peisazhi natyror jepet i ngjallë dhe si pjesë përberëse e ralitetit konkret. Për këtë le të kujtojmë kohën e frikëshme, kur u ngjall Lumi i Vdekur, që shkaktoi përmbytjen e madhe të Trokthit dhe gjithë fushave përqark. Për atëherë, në roman shkruhet :

 

“Njerëzit me sytë përedhe, prisnin të shihej toka, po toka ishte kthyer në një kupë të dytë qiellore, nemitur si gjithë bota për rreth dhe pikuar me yje si qielli që pasqyrohej në të.

 

Siç shihet edhe natyra e ka ndjerë mjerimin njerëzor. Edhe qielli me yje sikur merr pjesë në këtë fatkeqësi të njerzëve të varfër të Trokthit, ku sintetizohen tërë

vuajtjet e fshatarësisë shqiptare të kohës së sundimit të Ahmet Zogut.

Kurse në skenat lirike dhe të gëzuara të të dy të dashuruarëve të romanit, Vita Shpiragut dhe Adilit të Sulejman Tafilit, natyra jepet si reflektim i pasionit dashuror. Duket qartë në roman paralelizmi midis natyrës dhe idilit rinor.  Me një realizëm të hollë  psikologjik autori përshkruan gjendjen shpirtërore të çiftit të ri, që ka marrë arratinë dhe kërkon ta gjejë lumturinë në mes të natyrës magjepsëse të Pyllit të Madh, me pisha dhe vererinj, me  emrin Pylli Mbret.  Dhe në mes të këtij pylli me një atmosferë romantike, që të tundon, Xoxa realizon një skenë erotike të denjë për çdo film të ekranit të madh, a po të vogël:

 

Me shtimin e vesës në ajrin e natës, u shtua edhe kundermimi i  leshrave të vajzës, të cilat sapo kishin pirë  djersët e udhës. Ato sikur të paskeshin  qënë tufa trëndeline….Djaloshi mbështeti faqen mbi kokën e Vitës dhe nisi t’i merrte  erë i dehur fijeve të buta të qullura të flokëve. As tërfili i përvesuar i fushës së Kosovës nuk kundermon ashtu.

Mbytur në këtë botë erëmirë e sikur kjo t’i kishte gudulisur pejëzat e muskujve, siç kishte ngacmuar rrëshira  e pishës mishrat e dhëmbëve, ai ndjeu nevojën e shtrirjes. Bota nuk po e nxinte më.

Vajza lëvizi një fije, aq sa për ta kundërshtuar….

Adili, i  nxitur më keq, i  hodhi krahun në qafë  dhe e shtrëngoi pas vetes, duke i thënë:

Vitë, pylli na e ka ba gati shtratin ma mirë se terziu.

 

Bie në sy me një herë se kjo atmosferë erotike e dy të rinjve, që kanë guxuar ta ndjejnë lumturinë e tyre në mes të pyllit, është e rrethuar me një natyrë të gëzuar. Një tis romantike vesh si me magji aventurën dashurore të çiftit të arratisur,… të arratisur si nga shtëpia dhe nga shoqëria. Në mes të kësaj bote romantike, ndën pishat e larta, ku ngrenë foletë turtujt dhe guguftute, Adili dhe Vita po ngrenë folenë e tyre të parë, që ua kishte përgatitur nëna natyrë.

 

Dhe ashtu, me ngritjen e mugëtirës, me shpërndarjen e avujve të frymemarrjes së rëndë të botës pyjore, me arratinë zhurmëmadhe të guekëve, me depërtimin e rrezeve të diellit nëpër shtigjet e kurorave, me gjallërimin e erës së detit që nisi të të rrihte e të zgjonte majat e pishave dhe gjithë botën per rreth, Vita zu të bluante nëpër mend e të endte në zemër ndjenjat më të ndryshme.

 

Shpirti pasionant i Xoxës ndaj natyrës endet si eter në roman përmes stilit të tij me anë detajesh aq të shumtë, që i gjen vetiu nga jeta e përditshme e njerzëve, a po nga fauna dhe bota bimore. Kështu mund të përmendim së pari marinat, që janë shkurre të zonave bregdetare, bimë me gjethe të holla, të tulta e për herë të gjelbërta, të cilat ai i kishte aq për zemër dhe do t’i quaj në këtë roman jargavanët e Myzeqesë.

Midis shumë bimëve, një kaçube tjetër që i ka tërhequr vemendjen shkrimtarit është  jamruku, të cilin ai e përshkruan me një animizim mbresëlënës: ”fletët kërxyell të jamrukut, të ngjallur e të rrumbullakosur si gishtrinj të fryrë nga morthi, të djersitur nga vesa e njelmët e detit, kërcisnin nën nofullat mokër të qeve”

Në çdo kapitull të veprës gjen detaje të ndryshme që tregojnë praninë e natyrës përzjerë me jetën e përditshme të personazheve në dimër dhe në verë, anës lumit, anës detit, në ara a po në kullotë.

 

Humori i hollë ka qënë armë në llogjikën e myzeqarit kundër të keqes sociale, kundër padrejtësive  dhe veseve njerëzore. Duke qënë se humori i lehtë është cilësi e dukshme në ligjërimin myzeqar, ai natyrshëm vërehet edhe në stilin letrar të Jakov Xoxës. Po këtë humor e shikojmë edhe në çështje të jetës intime të personazheve. Siç kemi rastin ta gjejmë në konfliktin midis Llaz Shpiragut dhe Kozma Ndrekës për shkak se ky i fundit i vinte anës Vitës. Dhe, kur Kozmai iu shmang pyetjes së Llazit lidhur me të motrën, së cilës, nga gojët e liga, i kishin dalë fjalë për lidhje me të, ai iu drejtua atij me fshikullim humori:

 

Ti mos u hidh e u përdridh si plesht nëpër lesht…po përgjigju këtu, do ta kërkosh motrën time si ta do e si na do nderja, a po ç’ thua?

 

Po Kozmai i kundërvihet më hapur: “Pse flet kështu, o Llazi?… Pse bën sikur s’e di se    me kë e ka pleksur jot motër.?

-Unë s’ dua të di se me cilë e ka pleksur, unë di me kë i kanë dalë fjalë e kush i vjen rrotull. Fjalët i kanë dalë me ty dhe ti duhet t’ia mbulosh..

 

Kur dëgjoi këtë kërkesë të Llazit, Kozma Ndreka e gjeti të udhës t’ia kthente edhe ai me humor:

-Ti thua që tjetri të hajë kumbullat e mua të më pihen dhëmbët. !

 

Gjuha, si tipari më dallues i stilit shprehës të Jakov Xoxës, ka qartësi logjike  dhe thellësi emocionale, që të prek në mendime dhe në zemër. Gjithë struktura e njesive frazeologjike  për shprehjen e idesë në  romanin “Lumi i Vdekur”, merr nga ngjyrimi krahinor i psikologjisë dhe filozofisë myzeqare.

Po ndërkohe duhet theksuar se, krahas përfitimit që pati shkrimtari nga ligjërimi i të folmes popullore, edhe ligjërimi krahinor  përfitoi nga pena e tij. Pra edhe e folmja myzeqare u bë më shprehëse. Për këtë rast poeti dhe studiuesi , Nuri Plaku, do të shprehej këto vite, tani afër:  “Jakov Xoxa i dha bukurinë e përveçme kësaj të folme, duke e gjallëruar atë edhe nëpërmjet fuguracionit artistik. Një nga perlat e këtij sistemi është padyshim metafora, me të cilën ai e quan Myzeqenë “Magje e Perëndisë” .

I mbrujtur në magjen e ligjërimit dhe psikologjisë myzeqare Xoxa do të end në kapitujt e romanit “Lumi i Vdekur” shumë tablo romantike dhe skena realiste, nëpër të cilat ndrijnë fjali dhe fraza brilante me nëntekste lirike dhe filozofike, siç janë edhe shprehjet:

 

Edhe në fjetsha, zemrën s’ ma ve dot njeri në gjumë.

Gurin  e rëndë të varrit të vdekurit ia vënë, po i gjalli e mban.

U ngjall lumi i Vdekur, mjerë të gjallët.

Dhembja qënka si retë e shiut. Sa më shumë zbrazen, aq më fort lehtësohen

Dashuria është si grëmi, lidhet e shtohet më shumë nën dhe.

Mos ngjit atje tek s’ të përket, se do ta gjesh nga nuk e prêt.

…S’ mund t’i përgjegjej atë hop veçse me ata sy e ata lot vashërie të humbur si dhe nusërie të fituar.

Po kështu dallohen për vetëvetishmëri ligjërimi edhe shprehjet e llojit mallkues si frazeologji të ngurosura:

Bëfshin gjumin e madh !

T’u thaftë gjuha !

Pika e preftë!

Iu bëftë në grykë!

 

 

Vlerat  gjuhësore të veprave të Jakov Xoxës kanë tërhequr  vemendjen e mjaft  linguistëve. Me këtë rast më kujtohet se në një vizitë familjare në shtëpinë e akademikut Jani Thomai, kur ra fjala për shkrimtarin Jakov Xoxa, ai në bisedë e sipër më theksoi : “Vepra e Jakov Xoxës është një minierë në fushën e kërkimeve të mia për leksikologjinë”.

Xoxa si stilist  i hollë në veprën e tij u dha jetë shumë fjalëve të rralla e gati të harruara. Vetëm me faqet e romanit “Lumi i Vdekur” mund të bëjmë një listë të gjatë fjalësh karakteristike, të cilat janë futur e po futen vetvetiu në fondin e gjallë të gjuhës së përditëshme, sidomos në pasqyrimin e motiveve të ndryshme të fshatit, siç janë edhe këto fjalë:[35]

ushtre (me theks fundor) era ushtre(f.612)

trrë (f. 397)

ngëqez (f.397)

gjoçinar (f.423)

ovrat ( f.481)

mehu (kënga mehu ) – f.592

kapëz (f. 482)

trendja (f.626)

shqekëza e buzës (627)

kihet (më kihet aq fort)- f.635

majokja  (psh. e pishës) (f.659)

rurëz a po plleh(f.191)

gllomkë (f.257)

halimuca (544)

pethiti  ( f. 634)

gjetkëz (f.252)

truska (f.69)

topit – për topitur ( f. 148)

çartesh nga mendtë (f.614)

upje të ëmbla (f.619)

ëmbëlti (f.609)

shalamandukur  (f.519)

kopermaçe (f.504)

tërvit (f.282)

jamruku (f.98)

vringthi(f. 642)

bësat ( ose bëset) e detit (f.289)

thellomë (f.337)

Majoke (f.609)

 

Për këto lloj fjalësh dhe shumë të tjera si  bigëzim, dorak, burishte, gropçele,               të vendosura mjeshtërisht në veprën e Xoxës, Prof. R.Qosja do të shruante se “tek Jakovi gjen një fond të pasur leksikor, po lexuesit nuk do t’i duhet fjalori që të kuptojë edhe ato fjalë që s’i ka dëgjuar, meqë  shkrimtari i sqaron në lidhjet e tyre figurative. Ai nuk kërkonte fjalë që ta komplikojnë gjuhën , ta thaëj atë e ta lëri pa lëng.”[36]

I gjendur për ditë midis  një leksiku të pasur të gjuhës së gjallë të popullit, J. Xoxa , jo vetëm vjelë atë që është më shprehëse dhe e vetvetishme e ligjërimit myzeqar, po ai përpiqet natyrëshëm edhe për pasurimin e kuptimeve leksikore, pra për poliseminë e fjalëve, ose shumëkuptishmërinë e tyre:  f.v. “shpotitë i kishte të kripura”; në këtë frazë mbiemri “të kripura” del nga kuptimi i “njelmësisë”, duke marrë një tjetër nuancë kuptimore me  ngarkesë figuative, pra kemi të bëjmë me “shpoti seirioze, që të  venë në sedër e të bëjnë të mendohesh”. J a edhe një fjali tjeter, ku fjala merr tjetër kuptim figurative dhe leksikor: “Pilos i u err të parët”; në këtë frazë folja “u  err”, nuk do të tregoj se u ngrys moti për Pilon, po që atij i humbi aftësia për të menduar .

Po kështu edhe tek shprehja mallkuese si “pika e preftë!” …. Dhe në këtë rast fjala “preftë” nuk do të thotë që do të pritet ndonje gjë me thikë, po dikujt t’i  pritet filli i jetës nga sëmundja e “pikës”.

 

Në stilin gjuhësor të Xoxës vihet re synim i tij për të mbajtur gjallë përdorimin e disa formave të herëshme ligjërmi siç mund të përmendim rastet e mbiemrave të substantivuar në vend të emrave abstarkt:

Me të parë të syve”.

“Pilos iu err të parët”.

Këtu në këto shprehje mbiemri i substantivuar “të parët” ka kuptimin e emrit abstakt  “shikimi-n ”.  Siç  dihet kjo dukuri gjuhësore,  pra dalja e emrave abstrakt, që zëvendëson  mbiemrin e subtantivuar nga ana kohore  është më e vonëshëme si fenomen, dhe  që nga ana emocionale nuk e zëvendëson plotësisht gjithnjë të parin, mbiemrin e substantivuar. Kjo është arsyeja që në veprën e Xoxës i gjejmë të dyja këto lloj variantesh të shprehuri gramatikisht natyrshëm.

 

Një veçanti tjetër në stilin gjuhësor të Xoxes ësht të shprehurit e superlativit me fjali mungesore:

Gjithë Myzeqeja është e dëgjuar për kallamat e saj, po hiq Grizën” (f. 12)

Pra fjalët e fjalisë mungesore”…., po hiq Grizën” kanë kuptimin se Griza është mbi të gjitha.

Kështu duket gjithandej në roman intuita gjuhësore e shkrimtarit për të thithur nga ligjërimi popullor thënie karakteristike dhe mënyra të shprehuri të veçanta, që pasurojne natyrshëm stilin e autorit.

 

Po kështu përmendim përdorimin e pjesores mbiemrore për mbiemrin:

“Lumi Vjosa ushqyer nga ujërat e maleve.”

“Pilua pa bijën veshur nuse”.

 

Kur është puna për individualizimin gjuhësor të personazheve Xoxa përpiqet të gjejë  jo vetëm fjalët më të përshtatshme,  po edhe modalitetin foljor përkatës në të shprehur.  Me këtë rast kujtojmë mënyrën e vjetër Lidhoro-habitore të foljeve të gjuhës shqipe, siç e hasim tek e folmja e Pilo Shpiragut:

“T’ i paskësha vënë    gishtin kokës që aheraj kur më that dhe ju……”

 

Nga ky modalitet foljor, pra nga kjo lidhoro-habitore: “T’i paskësha vënë, ose  “Të paskësha vënë”, që del nga e folmja e Pilo Shpiragut, kuptojmë së pari synimin e autorit për të dhënë një karakter konkret dhe të besueshëm në roman;  po nga ana tjetër kuptojmë  edhe dëshirën e tij për ruajtjen e disa formave të herëshme të ligjërimit popullor, që kanë qënë një pasuri me vlerë e gjuhës sonë. Këtë dukuri gramatikore të modalitetit të gjuhës shqipe e shikojme edhe në kohën e Rilindjes Kombëtare, sidomos ne poezine e Naim Frashërit:

 

“Të paskësha vrapn’ e veriout, të kisha krahë pëllumbi,…….”

(Varg i marrë nga poema”Bagëti’ e Bujqësija”)

 

Po kështu e hasim këtë lidhoro-habitore edhe tek poema “Histori e Skënderbeut” të Naim Frshërit:

 

“A më sheh ti mua plakn’

Të qënkësha si ti djalë”.

Pra, për arsye studimi, duke kaluar nga gjuha e N.Frashërit, tek ajo e J. Xoxës, marrim vesh se mënyra  lidhoro-habitore ka qënë e  gjallë si në të folmen e përditëshme, ashtu edhe në shkrimet letrare.  Ajo ka pasur veçorinë e saj kuptimore nga ana gramatikore, që ka qënë një mundësi më tepër në shprehjen e ligjërimit popullor shqiptar. Mënyra lidhoro-habitore e zgjedhimit të foljes, për arsye të ndryshme nuk vihet më në librat e gramtikës shkollore, po kjo nuk do të thotë se ajo ka “shteruar” në gjuhën e përditshme. Prandaj nëpër seminare të veçanta të katedrave të gjuhës shqipe, do të ishte gjë me interes gramatikor, po të merrej si objekt studimi edhe  mëyra  lidhoro-habitore, të cilën e gjejmë të gjallë, si e shikojmë, edhe  në romanin “Lumi i Vdekur”  të J. Xoxës.

 

Edhe në fushën e kuptimeve sintaksore stili gjuhësor i Xoxës ka origjinalitetin  e tij, sidomos në ndërtimin e fjalive kohore të pashtjelluara.  Ky origjinalitet në lëmin e sintaksës  tek “Lumi i Vdekur” si dhe në të gjithë veprën e tij,  theksohet edhe më tepër kur hasim perdorimin e dy plotësve te ligjërimit popullor, që Prof. Cipo i quante emërore predikative dhe kallëzore predikative:

 

“Qielli atë mëngjes kishte marrë të kulluar qelq”,

…….zjarri i ndezur hamull”,

“…..ua ka prerë pajën mëndafsh gjallë”,

“……buronin puse me ujin brisk të ftohtë”

“…..dyndjë reshë të kripura shëllirë”.

“….në mes të errësirës pus  të zezë”

Një veçori tjetër që e thekson origjinalitetin e stilit të Xoxës është  përdorimi i idiomave në gojën e personazheve, gjë që shton freskinë e të kallëzuarit, duke e bërë naracionin e romanit  edhe më tërheqës :

 

Të gjitha shtigjet m’i zunë me drizë…..

Mos e zgjat dorën tek s’të arrin krahu….

“…………i zuri dhëmbi bukë…

“Fshati ju paska marrë kaq për cep…..

“……..do ulim kokën nën naxhake (sopatë)….”

“Nënë  Konxhja  kyçi gojën.”

“……..ia krisi të qeshurit”

“………duke pritur me veshët big”

“……….ishin me një vështrim majë e brisk”

“………vazhdoi të shihte pil.”

“……..iu pre fjala në buzë e iu këput koka”.

“…………rrëfeu ngjarjen fill  e për pe.”

 

“…….urtë e butë, tigani plot….”

“……ferra e vogël e ka lepurin e madh….”.

Pra, siç shihet konkretisht, stili i romanit “Lumi i Vdekur” dallon gjithnjë për larminë figurative të njesive frazeologjike të llojit metonimik:

“I… heq litarin.”

“ I ra mendjes…”

“bëj stan me lepuj…”

“si veza në mes të kulaçit…”

” I  pjell mendja…”

“varur buzën….”

“ zbardh dhembët…”

“ul bishtin”

“ ngre kokën …”

“Luaj derën…”

“bëj veshin shurdhër”

“….. s’këmbeu fjalë”

“…korr fjalë në erë”

“…s’ dua të më marrë njeri për sy lesh…”

Kështu, gjithë shembujt që  sollëm konfirmojnë të vërtetën se romani “Lumi i  Vdekur”, me idetë e tij  ideo- artistike,  dhënë me një stil origjinal, qe një arritje e ligjërimit tregimtar në letërsinë tonë.                                                                                                                 Pasuria e jashtëzakonshme leksikore me disa nuanca kuptimore, mendimet dhe sentencat filozofike, që përcjellin jehonën e mënçurisë popullore, tablot e gjëra epike dhënë  nëpërmjet  ndërhyrjes së shumë linjave  narrative, të ndërprera nga përshkrime  të një lirizmi të ndjenjave dhe pamjeve të natyrës e të  skenave të dashurisë, i japin stilit të Jakov Xoxës një  ngjyrimi  të theksuar individual.

Kohë më vonë, krahas kritikëve e studjuesve, edhe shkrimtari Naum Prifti do të bënte një vlerësim të lartë për romanin “Lumi i Vdekur”. Gjykimi i tij niset nga vlerat e veprës, kur shkruan se “Tek romani “Lumi i Vdekur” shkrihet harmonishëm raporti ndërmjet anës cerebrale dhe intuitive të krijuesit. Xoxa ka portretizuar në mënyrë të shkëlqyer Myzeqenë e viteve tridhjetë, me bukuri e vërtetësi që nuk e gjen te asnjë autor tjetër. Romani ka diapason të gjërë, duke përfshirë shtresat shoqërore më të rëndësishme të kohës, ka personazhe të skalitur me psikologji shqiptare. Përshkrimet e natyrës kanë freski, poezi, njomështi e bukuri mahnitëse. Karakteret janë plazmuar aq mirë, sa lexuesit i krijohet mbresa se edhe ai diku i ka njohur ata tipa….Në asnjë vepër tjetër  nuk jepet aq pikëllueshëm drama  e fshatarit pa tokë, vuajtjet e emigrantëve kosovarë, mashtrimet e tregëtarëve, arroganca e bejlerëve sa te kryevepra e Jakov Xoxës “Lumi i Vdekur”[37].

Vite më vonë, profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Shefkie Islamaj, do të shkruajë në një libër të saj studimor se “Lumi i Vdekur pati jehonë të madhe si rrallë ndonjë vepër tjetër letrare. Romani me një hërë u shpall si më i sukseshmi i letërsisë shqiptare deri atëherë. Ai hapi shtigje për zhvillimin e romanit të ri shqiptar, bëri thyerje në traditën e deriatëherëshme romansore shqiptare.”[38]

Kurse studiuesi Robert Elsie do të  pohonte vlerësimin e tij  se “Jakov Xoxa nga Fieri në fushën dikur me këneta e mushkonja të Myzeqesë, dënoi shfrytëzimin e fshatarësisë së varfër nga bejlerët mizorë në veprën “Lumi i Vdekur”.Ky roman është një nga veprat e rralla të kohës me merita artistike”.[39]Këte ide ka edhe shkrimtari e studiuesi  N.Jorgaqi se “Jakovi  i ka dhënë  letërsisë shqiptare të parin roman-epope, me nivele,që deri atëherë nuk i kish arrirë  romani shqiptar” [40]

 

Dhe tani, duke përmendur disa nga konsideratat e personaliteteve të letrave, që kanë dhënë mendimet e tyre për “Lumin e Vdekur”, më kujtohet nje episode i datës 20 shkurt të vitit 1984, në  ditën e pesëvjetorit e vdekjes së Jakovit, kur Dhurata më ftoi në drekën përkujtimore, tok me zonjën Rozeta Uçi, redaktore e veprës letrare të Jakovit, ku ishte i ftuar gjithashtu dhe i vëllai i Jakovit, profesori i biokimisë, Aleko Xoxa. Duke biseduar për linjën e jetës së kosovarëve ne romanin “Lumi i Vdekur”, ra fjala edhe për ruajtjen e simboleve kombëtre nga ana e tyre, siç ishte rasti që kishim parë tok me Jakovin tek familja e Selacëve, ku vumë re se  bandën e thurur me tezgjah, qe vizatuar figura e shqiponjës dykrenare.                                            Atëherë, Alekua, tek dëgjoi këtë detaj, duke dashur të theksonte  këtë prirje patriotike të shpirtit kosovar, shtoi nga ana e tij:

– Dëgjo se ç’ më ndodhi mua para ca kohe, kur isha në Universitetine  e Prishtinës për të mbajtur  një cikël leksionesh të lëndës time. Duke shpjeguar mësimin, shkrova në dërrasën e zezë fjalën “azot”. Do ti që fare pa pritur, një vajzë studente, më lutet e më thotë: “Profesor, a mundesh me ia hjek atë bishtin cirilik shkronjës  “z”, se si na vjen kur e shikojmë me atë bisht. Ke të drejtë,  i  thashë, dhe, duke e rregulluar,  i tregova se atë e kisha bërë, që të mos ngatërrohej me shkronjën “r” të dorës. Dhe ashtu, miqësisht u muarëm vesh.

Atë çast Dhurata, sikur të merrte shkas nga rrëfimi i Alekos, ngrihet dhe shkon te rafti i  bibliotekës dhe na solli një libër gjyrë gri . Ishte “Lumi i Vdekur” botuar në Prishtinë.

– Kujdesi i vllezërve kosovarë për Lumi i Vdekur, që trajton dhe motive kombëtare, duket edhe në botimin  e romanit,- na tha ajo.- Ja  ç’ botim serioz i  kanë bërë  ata veprës së Jakovit….

Nga gjithë sa kemi shkruar dhe paraqitur në këtë trajtesë, si edhe nga vlerësimet e mjaftë studjues të veprës së Jakov Xoxës, pare edhe nga ana estetike, merret vesh se “Lumi i Vdekur” është një pasuri vlerash letrare- artistike, që lartësoi më tej nivelin e romanit shqiptar. Kompozicioni i romanit “Lumi i Vdekur” flet për një vepër unikale, që qendron denjësisht midis krijimeve më të arrira të letërsisë shqiptare.

*

*                     *

 

Pa dashur të bëj analistin e veprës së Jakov Xoxës, personalisht do të preferoja të vija në krye të listës romanin “Lumi i Vdekur”, kjo jo vetëm sepse studjuesit thonë se ky roman është kryevepra e tij, se ky roman radhitet midis veprave më të mëdha të letërsisë shqiptare, po dhe për arsyen se mua  kjo vepër më zgjon direkt ose indirekt fëmijërinë. Sa herë që lexoj kapituj të ndryshëm nga ky roman, më kap nostalgjia për vendet ku endesha tok me kushurinj dhe shokë të vegjëlisë.

“Lumi i Vdekur” më sjell në mendje sheshin e kishës së Shën-Pjetrit të rrethuar me qiparisa të lartë, me lisa dhe vidha të mëdhenj e të stërlashtë, ku çdo vit më 29 qershor, ditën përkujtimore të vrasjes së Apostullit Pjetër nga romakët, bëhej panairi më i bukur i gjithë krahinës, që ne fëmijët e përjetonim me aq gëzim. Romani më kujton kurorat e Lumit të Vjetër, ku zija peshq me fushnjerë dhe me çërrnik , atëherë kur shterte ujët e lumit në pranverë.  Ky roman më shpie përgjat leximit edhe në tokën Troka-s, ku luaja cingël, dokërr e bidakthi me moshatarët e mi, luanim ato lodra fusharake, që sot thuaj se po harrohen. Rileximi i romanit më kujton Vijën e Ngjalës dhe Shëne-Premten, ku, tok me çuna të tjerë, u hipnim kuajve, shaluar lisho, duke i drejtuar me kapistra dhe frena prej zhuke si të na donte qejfi; të zbathur e të grisur nga ferrat, po të lumtur e krenarë tek mbaheshim me jelet e kuajve, dhe kalëronim në ujin e kënetës që pasqyronte qiellin, dhe atëherë na dukej vetja si kreshnikë përrallash. Pas Vijës së Ngjalës, romani më shpie te gërmadhat e Apolonise, te muret e rerëzuara të Odeonit, ku luanim “milingoçi-troçi”, pa e ditur se atje tek themelet e asaj godinë të rrënuar, dikur, dy mijë vjet më parë, të bijët e patricëve romakë mesonin oratori dhe bënin ushtrime retorike e ku, midis tyre, do të kish qënë edhe Oktavian Augusti. Aty ai mbase do të ketë marrë dhe lajmin e kobshëm për vrasjen e të ungjit, Jul Cezarit, nga komplotistët.

Janë gjithë këto episode, të fëmijërisë dhe shumë të tjera, që ndjekin njëri tjetrin dhe, që në rrëfime dhe në bashkëbisedime me Jakovin, në kohë të ndryshme, janë përmendur e komentuar në një mënyrë ose në një tjetër, dhe që kanë lidhje direkt ose indirekt edhe me zanafillën dhe motivet e romanit “Lumi i Vdekur”.

Kështu po i mbyll kujtimet dhe meditimet e mia rreth kësaj vepre të jakov Xoxës me shpresën se kam thënë diçka lidhur me shtegëtimin e autorit dhe të imagjinatës së tij nëpër trevat e Apoloisë, të Shën-Pjetrës dhe të Lumi të Vjetër, për të thurur subjektin e këtij romani me titull metaforik Lumi i Vdekur.

 

 

 

Massachusetts- Boston

15 Mars  – 2023

 

 

 

 

 

 

Bibliografi

Cipo, K.  “Gramtika e Gjuhës Shqipe”, Tiran, 1949.

Fjalori Enciklopedik Shqiptar- FESH., viti 2008- 2009.

Islamaj, Sh.“Gjuha e Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000.

Jorgaqi, N. “Koha e Kujtimeve”-Tiranë, 2011.

Mici,A. “Mbi veçoritë ideoa-artistike të romanit “Lumi i Vdekur”, “Nëntori” 2-,1968.

Mici, A.: Jakov Xoxa si mjeshtër i stilit letrar, “Diell”, Prill,2015.

Qerici,A. “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxës, roman i papërsëritshëm në letërsinë shqipe.- (uraebashkuar), 09/ 06/ 2020.

Prifti ,N. “Meditim rreth veprës së J. Xoxës”, Gazeta “Illyria”,11 janar 2005.

Qosja, R.   “Parathënie e “Lumit  të Vdekur”, Rilindja, Prishtinë, 1971.

Shtëmbari, K. “Vite  që shkuan”, Tiranë, 2006.

Vinca, A. “Iksi romanesk i J. Xoxës”, Bota e Re”, 7, 1974- Prishtinë.

Xoxa, J.     Novela, Tiranë, 1948 .

Xoxa , J.     Novela-2, Tiranë, 1959.

Xoxa ,J.      Po ta kërkosh do ta gjesh (Gjeneza e një romani)   Nëntori,11, 1974.

Xoxa ,J.    “Vepra letrare”, Tiranë, 1983.

 

 

 

 

[1] K. Cipo “Gramatika e Gjuhes Shqipe”, f.271, Tiranë,1949

 

[2] Fatmir Agalliu (1933-1998) edhe ne fakultetin e gjuhës dhe të letërsisë do të ishte një student i pasionuar pas gramtikës. Kur mbaroi Universitetin, atë e mbajtën pedagog. Me studimet e tij në fushën e gjuhësisë ai arriti të bëhej doktor i shkencave filologjike.

[3] Këto fjalë të Nënës së Madhe Jakovi do t’i vendoste si  nje leitmotiv në krye të faqes së parë të romanit “Lumi i Vdekur”.

[4] Fjala “mera” do të thotë kullotë

[5] Bëset, jane kodra me rërë, duna, ose pirgje të formuara nga valët e detit gjat shekujve dikur.

[6] N. Jorgaqi,  “Koha e kutimeve”, OMBRA GVG, Tiranë,2011, f..367

[7] Shiko artikullin e J.Xoxës “Po ta kërkosh, do ta gjesh’” (gjeneza e një romani)“Nentorii”, 11, 1974

[8] Një vit më vonë, në derën e vjetër të kishës së Shëne Prtemtes u vu një copë llamarine e lyer me bojë të bardhë, ku shkruhej me shkronja të kuqe:”Monument Kulture –  Ruhet nga shteti”

[9] Sh. Islamaj,  “Gjuha e Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000

[10] Sh. Islamaj, “Gjuhae Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000

[11] J. Xoxa , artikulli “Po ta kërkosh do ta gjesh” (Gjeneza e një romani), Nëntori 11, 1970.

[12] Çërrnik= është mjet peshkimi, një si kosh rrjete, që varet në një  shkop te gjatë druri dhe përdoret per të nxjerrë peshkun nga rrjeta.

[13] Çikëz=  një lloj rrjete e vogël peshkimi.

[14]Cole  dhe truskë = janë bimë të kënetës me kripësi mesatare

[15] Iktizam= kështu quhej në të kaluarën  një tokë, që shteti i atëhrshëm ia jepte një personi, i cili e punonte, po duke paguar rentën dhe taksat përkatese.

[16] Jallan shahit, (nga turqishtja), dëshmitar i rremë.

[17] Fabrikë e madhe në rrethinat e Bostonit që prodhonte gjyslyke.

[18] “Siki” jane copëza të vogla  rrobesh ose fije të trasha liri të shpupurisura me të cilat shtrëngohen, ose taposen fishekët e gjahut.

[19] Kërre-t jane  një lloj rosash me trup të vogël

 

[21] N. Jorgaqi: “Koha e Kujtimeve”, Ombra GVG, Tiranë, 2011, f.361

[22] “Ushez” quhet vendi i maskuar prej gjahtarit, ku ai qendron per të mos u dalluar nga shpendët e ujit.

[23] Kolli= është një shkop shumë i gjatë dhe i trashë, që shërben për të ngarë lundrat ne laguna

[24] N.Jorgaqi, Koha e  kujtimeve,f.369,  Tiranë, 2011.

[25] Sh.  Islamaj, “Gjuha e Jakov  Xoxës”, Prishtinë,  2000.

[26] “Zhulatet” do të thotë që përthyhet duke u përdredhur për t’u bërë elastike, sidomos zhukat, po të mos zhulaten, thyhen

[27] Çërrnik quhet vegla që peshkatari përdor për ta marrë peshkun nga rrjeta e ta vendos në kosh ose në trastë

[28] J. Xoxa “Po të kërkosh do ta gjesh (Gjeneza e një romani) , revista “Nëtori”- n.11-1974

[29] K.Shtembari,  Vite që shkuan, f.178

[30] Për të qartësuar më mirë idenë lidhur me tipologjinë e këtij lloj romani “lumë” le të kujtojmë ciklin e romaneve të Emil Zolajt “Rugon – Makart”(Rugon- Macquart), ose  serinë “Zhan Kristof” të R. Roland.

[31] Vinca Agim, “Iksi romanesk  i J..Xoxës”.

[32] Dh. Xoxa,  artikulli “Im shoq Jakovi”.

[33] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, f.2938

[34] Sh. Islamaj: “Gjuha e J. Xoxës”, Prishtinë, 2000.

[35] – I kujtojmë lexuesit se citimet, fjalët dhe shembujt jane nxjerrë nga  romani “Lumi i Vdekur”, tek botim i Veprës Letrare në seri të J.Xoxës, vëllimi i dytë, Tiranë, 1983

[36] R.Qosja, “Gjuha dhe stili  i “Lumit të Vdekur”, Letërsi e sotme, Prishtinë, 1971

[37] N. Prifti, “Meditim për romanin Lumi i Vdekur”, gazeta Illyria, dt. 11 janar- 2005

[38] Sh. Islamaj,  “Gjuha e Jakov Xoxës”, Prishtinë, 2000.

[39] K.Shtëmbari , Vite që shkuan .

[40] N.Jorgaqi,  Koha e Kujtimeve, f.369

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok