26/12/2024

ZANAFILLA E KARIERËS SË KEQBËRËSIT POLITIK, SHOKUT XHAVIT SHALA

0
u6_Shoku-Xhavit-Shala

Nga Agron Tufa

Shoku operativ i Sigurimit, Xhavit Shala, e ka nisur karierën me bërjen e gropës së parë, për ish mësuesin Petër Kavaja. Porse ai tradhëtar, nuk deshi t’ia falte operativit tonë ngazëllimin e triumfit të parë. Ai e mbylli jetën e tij pa i lënë rishtarit sigurims kënaqësinë e fitores. Në vend të saj, mësuesi reaksionar i la shokut Xhavit një barrë të rëndë meditimi, se sa të rrezikshëm janë armiqtë: ata vdesin pabesisht dhe hyjnë jo në gropën që u ke hapur ti.

Mësuesi Peter Kavaja nga Elbasani, i vitlindjes 1913, i cili kish mbaruar shkollën normale (por edhe kish ndjekur shkollën teknike amerikane në Tiranë) ishte dënuar tre herë: në vitet 1951-1954 nga jugosllavët dhe në vitet 1954-1967 dhe 1973-1982 nga komunistët. Pasi bëri burgun e parë, deshën ta rekrutonin dhe si hakmarrje e dënuan edhe një herë tjetër.

Nuk dilnin 22 vitet e burgut në Shqipëri dhe një jetë e shkuar dëm, por duhej t’i përgatitej edhe një dënim i tretë. Operativi Xhavit Shala i kish kopjuar çelësat e studios skulptorit elbasanas Dhimitër Telezi dhe aty kryente takime me agjenturën. I shkreti Dhimitër, nga natyra zemërbutë, kishte frikë të hapte studion se mos gjente Xhavitin brenda me ndonjë. Në vitin 1984, Peter Kavaja ishte 71 vjeç, i pamartuar. As kishte ndonjë karrierë përpara dhe as pretendonte gjë. Thjesht donte të jetonte edhe pak vite.

Xhavit Shala ishte 23 vjeç, sa kish nisur karrierën e keqbërësit politik. Detyra ishte që këtë pensionist që kërkonte të shkonte në azil, ta burgosnin patjetër pasi sipas tyre ishte edhe “agjent amerikan”, edhe “agjent jugosllav”. Në përpunimin e tretë thoshin se ishte “agjent në shërbim të Mehmet Shehut”, në një kohë që brenda dosjes citohet vet Peteri të kish thënë se ngaqë nuk ishte pranuar bashkëpunimin me Sigurimin, Mehmet Shehu e dënoi me 9 vjet burg. Peter Kavaja bënte jetë të kufizuar. Rrinte me 2-3 shokë. Njëri ndër ta bashkëvuajtësi Mihal Gjoni. Ndërsa “Korabi” u bë copë, sa duke iu ngjitur Peterit, aq edhe duke raportuar në studion e skulptorit. Peteri u sëmur dhe vdiq në spital më 22.1.1986, duke mos ia mundësuar planin xhavitëve ta burgosnin për herë të tretë.

Vetingu në Policinë e shtetit nuk bëhet, zgjatet e zgjatet, ngadalësohet e në fund, sabotohet, përderisa në institucionet e dosjeve ku verifikohen figura të këtilla, kyçet i kanë gratë e xhavitëve. Jo më kot janë emëruar aty! Drejtuesit e dinë këtë, por nuk i lëvizin dot, se është porosi partie. Dhe xhavitët sundojnë, të miradministruar nga gratë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok