18/11/2024

“ZAKONIKU” I DUSHANIT – GURTHEMEL I MASHTRIMEVE TË HISTORIOGRAFISË SERBE!

0

-Kohëve të fundit, politika serbe e Beogradit, ka filluar të  operojë me nocionin “tokat serbe”, duke iu referuar të ashtuquajturin shtet mesjetar serb i Dushanit, me ç’rast ngritën pretendimet hegjemoniste ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës. Historiografia shqiptare nuk ia ka dalë që ta demistifikojë këtë mashtrim përkundër faktit që në përputhje me argumentet meritore dinastia e Rashës trajtohet si formacion feudal  hegjemon i pavarur në kuadër të formacioneve politike dhe shoqërore të Bizantit në shthurje.

Nga Jusuf Buxhovi

Shthurja e Bizantit me anën e formacioneve të tjera autonome shoqërore dhe politike (feudeve, zhupanive dhe dinastive), siç ishin edhe “Despotati i Epirit”, “Despotati i Artës”dhe “Regnum Albaniae” e vitit 1272-1296  dhe të tjerave deri në shekullin XV kur do të marrë fund kjo perandori, në ato rrethana dramatike dhe fare të paqëndrueshme për nga realitetet shoqërore dhe politike, nxori në pah në njërën anë faktorët vendorë mbi të cilët perceptoheshin po edhe ndërtoheshin interesat e Lindjes dhe të Perëndimit për ndikim sa më të madh, kryesisht me anën e faktorit kishë, siç ishte rasti me Perandorinë Katolike të Kostandinopojës pas Kryqëzatës së katërt më 1204-1264 dhe të “Despotatit të Epirit”, dhe në tjetrën anë, pretenduesit për fronin e Bizantit, ndër të cilët duhet dalluar dinastinë Nemanjane të Rashës, e cila gjatë kohë së Stefan Dushanit (1331-1355) ia doli që të jetë forca kryesore e Bizantit, që u quajt edhe “Illyricum Magnum”.

Natyrisht se faktori Rashë, i parë në përputhje me realitetet e kohës dhe jashtë interpretimeve dhe përvetësimeve, nga  ana e historiografisë serbe, asaj ruse dhe shkollës së sllavistëve të Vjenës në shekullin XIX,  e nxjerr atë nga pengu i këtij keqinterpretimi, pra i përvetësimit joshkencor, siç është paraqitja e saj “themel të shtetit mesjetar serb” dhe,  po ashtu, ia merr të drejtën Kishës Ortodokse Serbe, që të përvetësojë krishterimin ortodoks me liturgji të sllavishtes së vjetër kishtare. Jashtë këtyre përvetësimeve antihistorike, Rashës dhe dinastisë Nemanjane, i kthehet pamja e saj historike me faktorët tjerë shoqërorë dhe politik  në hapësirën e Dardanisë, atë të Maqedonisë dhe të Epirit  si forcë hegjemone në zhvillimet që e përcollën Bizantin nga shekulli XII – XV kur do të shembet përfundimisht.

Vendosja e shtetit mesjetar serb mbi dihominë e faktorëve joshkencorë: kishë-komb – duke u injoruar bërthama sllave nga shfaqja e saj e deri te shtrirja, që më së paku lidhet me  gjeografinë historike të tyre siç paraqitet nga serbët dhe, njëherësh duke u përvetësuar sllavizmi si konglomerat etnik dhe, duke u konvertuar popujt antikë tribalët, dardanët, keltët dhe të tjerët në serbë në përputhje me fantazinë e Priftit të Duklës nga “Gesta Regnum Sclavorum” (Kralevstvo slovena) e Orbinit – paraqet spektrin argumentues të rrëzimit të falsifikimeve, që për një kohë të gjatë, edhe janë pranuar, nga shkaku se ka munguar qasja kritike  dhe objektive shkencore ndaj tyre.

Për t’u argumentuar këto shtrembërime, mistifikime,  përvetësime dhe falsifikime ndër më të ndryshmet mbi bazat e një platforme shtetmadhe  dhe ideologjie hegjemoniste sllavo-ortodokse, që u shfaqen nga “Naçertanja” e vitit 1844 e deri te programet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve të viteve 1937, 1944 dhe së fundit të viti 1986, përqendrimi bie mbi  pasqyrimin  e falsifikimit të  dokumenteve mesjetare nga ana e Kishës Ortodokse Serbe në përputhje me konceptet shtetmëdha dhe ato hegjemoniste të projektuara në Rusi  nga  mesi i shekullit XVIII, me ç’rast pikënisje janë ato të autorëve bizantinë, pastaj literatura hagjiografike me theks të veçantë te përpjekjet që dinastia e Nemanjajve dhe Rasha të nxirret  “themel i shtetit mesjetar serb” jashtë konteksteve kohore dhe jashtë raporteve shoqërore dhe politike të atyre rrethanave, ndërsa kisha e Rashës  gjoja me autoqefali nga mesjeta. Ndonëse ishte fjala për një shkëputje të përkohshme (autonomi) nga Peshkopata e Ohrit, së cilës do t’i bashkëngjitet pas pak, së cilës madje  i atribuohet liturgjia në gjuhën serbe, edhe pse dihet se ajo ishte një gjuhë kishtare e vjetër (“Staro crkveni jezik” – amalgam midis sllavishtes dhe bullgarishtes), ngaqë gjuhë serbe  do të ketë  në gjysmën e dytë të shekullit XIX  pasi që do ta formojë V. Karaxhiqi me ndihmën e shkollës sllaviste të Vjenës. Të kësaj natyre janë edhe shumë nga “monografitë” për jetën kishtare serbe si dhe jetëshkrimet rreth jetës dhe veprës së dinastisë Nemanja, të rishkruara ose të falsifikuara, gjithnjë me arsyetimet joshkencore “të përpunimit të tyre”, në përputhje me qëndrimet hegjemoniste.

Ndër këto rrëfime të mbështetura në hagjiografi (literaturë kishtare, bien në sy botimet “Sveti Sava – Sabrana Dela” të botuara nga T. Jovanoviq, Beograd 1998, “Stevan Prvovenčani – Sabrana dela”, nga Georgievski-Jovanović, pastaj “Živopis Svetog Save” nga Teodosije Hilandarski si dhe vepra e Konstantin Filozofit “Povest slovina – Žitije despota Stefana Lararevića“, Beograd 1989, me ç’rast pranohet që ato janë të sajuara në Odesë në shekullin XVIII sipas disa rrëfimeve të priftërinjve të atjeshëm!

Ngjashëm ndodh edhe me veprën “emblematike” të S. Novakoviqi “Zakonik Cara Dušana,cara srpskog 1349-1354”, Beograd 1870, në parathënien e së cilës pranohet se „Kanuni mesjetar nuk ekziston, por ai është arrnuar nga rrëfimet në shekullin XIX në Prizren dhe rrethinë si dhe nga disa tekste nga kishat në Vllahi dhe Rusi (Petergurg), të cilat i ka ndërlidhë Shafariku në Vjenë më 1859.

Mënyra si është ngritur kjo vepër deri te shkalla e „testamentit“ shtetëror dhe juridik të „Perandorisë“ së Stefan Dushanit në shërbim të krijimit të platformës ideologjike dhe politike të shtetit mesjetar serb për nevoja politike në shekullin XIX, që do t’i paraprijnë atij në hartën politike të Evropës të pranuar në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, përkthimi në disa gjuhë dhe shpërndarja nëpër qendrat kryesore evropiane, tregon më së miri për ndërlidhjen e shumë faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm në konstruktimin e tij me anën e sajimit të dokumenteve gjoja të shkapërderdhura pa kredibilitet shkencor. Kjo formë e arnimit të „dokumenteve“ të „strukur“ nëpër kisha dhe biblioteka „të harruara“ pasqyrohet më së miri në veprën e Novakoviqit. Autori, megjithatë, duke dëshiruar që të tregojë “për vjetërsinë” e kësaj vepre, që e ka të qartë se mungon, mbështetet mbi disa shtresime të sajimeve dhe përpunimeve të teksteve që kanë për qëllim „nxjerrjen në dritë“ të „dokumenteve autentike“ me anën e ndërtimit „të pjesëve të humbura“! Siç është thënë edhe më herët, bazë e kësaj pune kanë shërbyer punëtoritë e kishave të ndryshme, në radhë të parë atyre në Hilandar, dhe të tjerave në Rusi për t’i distribuuar dokumentet e përpunuara dhe të retushuara në Vjenë, te shkolla e njohur e sllavistëve, prej nga pastaj „dokumentet meritore“ janë trajtuar nga studiuesit e ndryshëm për t’u krijuar „dosjet“ si „Monumenta slavica“ e  më vonë “Monumenta serbica” e të tjera të amputuara në të gjitha “dokumentet mesjetare”, me të cilat janë ushqyer historitë e serbëve, të bullgarëve, të rusëve me „dokumente autentike“. Autori i „Zakonikut“, në parathenie, zbulon teknologjinë dhe infrastrukturën e përpunimit dhe të falsifikimit të dokumenteve kur merret me „historikun“ e Zakonikut, që doemos lidhet me Vjenën dhe punën e studiuesve të atjeshëm, në radhë të  parë të atyre sllavë ose serbë.  Kështu, pikënisja e „Zakonikut“ fillon te J. Rajiq, më 1859 te botimi „Istorie slovenskoh narodie“, për t’u bartur pastaj te Mikloshiqi, i cili do ta paraqesë në gjuhën gjermane „Lex Stepani Dušani“, Vjenë 1856, prej nga pastaj do t’i bjerë në dorë P.J. Schafarikut, i cili do ta përfshijë në librin „Pomatky drevnioh pismenietvi Jihostovanie“, në Pragë, 1860. Schafarik, tekstin nuk e dha në mënyrë integrale, meqë ai nuk ekzistonte, por e parashtroi në 9 dorëshkrime të ndryshme me pretendimin se ato „janë pjesëza të zbuluara në manastire të ndryshme (Ravanicë, Rudnik, Kazan e të tjera) gjoja nga ato të viti 1350 e deri në vitin 1700, e ku vend të rëndësishëm zë teksti nga Petërburgu i N. Nadežnjev, që njihet nga manastiri Bistrica i Vllahisë. Këto tekste, as gjuhësisht e as përmbajtësisht, nuk formojnë tërësinë e një kanuni, gjë që e pranon edhe Shafariku. Por, Novakoviq, në botimin e tij, copëzat e Shafarikut i ndërlidh me dy tekste „autentike“, nga shekulli XIX. Njëri nga Struga, i mbledhur nga një prift rus. Dhe tjetri nga Prizreni, po ashtu i mbledhur nga një prift i quajtur Sime. Tekstin nga Prizreni, gjoja nga shekulli XV,  në Beograd e dërgoi mësuesi nga Smedereva, Nikolla Maslin, prej nga ai i përpunuar në Vjenë, iu dorëzua Novakoviqi që ta nxjerrë në dritë. Natyrisht se Novakoviqi u përpoq që „kredibilitetin“ dokumentues të veprës ta pasqyrojë me tekstet e Schafarikut në sllavishten e vjetër kishtare me atë serbe. Në parathënie Novakoviq shpjegon origjinën e teksteve dhe mbledhjen e tyre nga dora në dorë, që sipas tij, plotësojnë Kanunin dhe frymën e tij. Kështu, 165 fletët (listina), vijnë nga 16 mbledhës të ndryshëm, të cilëve nuk u dihen emrat, pos që thuhet se një pjesë e madhe e tyre janë rishkruar nga 6 klerikë dhe dy xhakonë në Prizren.

Meqë botimi i parë i vitit 1870, ishte me shumë shpërputhje dhe si i tillë nuk i plotësonte sa duhet kriteret themelore për t’u marrë seriozisht, Novakoviqi, pasi që të jetë emëruar kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe në viti 1886, paraqitet me versionin e dytë “të plotësuar” të “Kanunit” me disa copëza të “rizbuluara” të  versionit  të “Kanunit” të  Strugës nga shekulli XIV dhe të Prizrenit nga shekulli XV. Aty përfshihen 106 nene, të cilat nuk paraqesin  tjetër pos një bartje (kopjim) të drejtpërdrejt të akteve ligjore kishtare të Bizantit (Homokanon), të cilat, ishin në pjesë e të  drejtës romake-bizantine në përputhje me kodin e Justinianit, por që rregullonin çështjet pronësor në raportet e kishës me Perandorinë, ku ajo ishte pjesëmarrëse në administrimin e pronave kishtare dhe atyre vendore. Këtyre neneve nga kodi bizantin do t’i shtohen edhe pjesët tjera, ku amputohen raportet me ritet kishtare (me katolikët) e ku shfaqen edhe disa dekrete me të cilat përcaktohen sjelljet e kishave, e ku nuk mungojnë edhe regjistrat rreth pasqyrës demografike të popullatës ku, krahas popullatës shumicë “serbe”, si pakicë, shfaqen “katunët arbanase” (arbanaski katuni) dhe “katunët vllehe” (vlaski katuni).

Nuk është për t’u habitur skenari i “pasqyrës demografike” të popullatë së “Perandorisë së Dushanit”, ku asokohe nuk ka pasë përkatësi kombëtare pos kishtare: e ritit ortodoks ( me gjuhën e liturgjisë kishtare sllaviste e vjetër dhe greqishte) dhe   e ritit latin  (me gjuhën e liturgjisë kishtare latinishte)! Por, është për t’u habitur, që ky konstrukt antihistorik dhe antishkencor, i sajuar nga kisha ortodokse serbe dhe historiografia serbe e shekullit XIX për qëllime hegjemoniste, është pranuar “si e vërtetë shkencore” dhe thuajse u ka shërbye që të gjitha  disajnimeve  të raporteve gjoja kombëtare në shtetin e imagjinuar mesjetar serb, ku ka pasë edhe disa “katune arbanase” (katolike) dhe vllehe! Kështu, ky diktat i falsifikuar i të ashtuquajturit “shtet mesjetar serb”, në saje të  “verifikimit” nga historianët, linguistët, etnografët e shkollës së sllavistëve të njohur të Vjenës,  është pranuar te një pjesë e mirë e historiografisë botërore. Madje, edhe në veprën e historianit Noel Malcolm “Kosova – një histori e shkurtër”, në mesjetë,  shqiptarët në Kosovë shfaqen “si popullatë pakicë”, ndërsa serbët shumicë – raport ky që do të ndryshojë diku në shekullin XVIII pas shpërnguljes së madhe serbe!  Ky diskurs antihistorik,  i bartur edhe te historiografiaa   ideologjike e ish Jugosllavisë, si i tillë, vazhdon të  kopjohet i plotë edhe nga historianët shqiptarë (në të dy anët e kufirit).

Ndonëse rënia e ish Jugosllavisë, me shfaqjen e   shteteve të pavarura: Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe së fundit Kosovës,  ndryshoi realitetet shtetërore, me çka te shumë nga këta popuj filloi edhe dekonspirimi i “amzës së jugosllavizmit” të mbështetur mbi platformën e “Naçërtanjes” së Garashaninit dhe epiqendrën e saj “historike” – Mbretërinë Mesjetare të Dushanit, megjithatë, te shqiptarët, në të dy anët e kufirit, në masë të madhe vazhdon diktati i historiografisë serbomadhe, diktat ky që  me riaktivizimin e sintagmës së “botës serbe”, po mban peng politikisht  dhe kulturalisht Kosovën,po edhe Shqipërinë.

Andaj,  institucioneve shkencore akademike  në të dy shtetet shqiptate, u bie barra që të ndërmarrin hapa të organizuar hulumtues-shkencorë për t’u lirua nga diktati i falsifikimeve të historiografisë hegjemoniste serbe. Ndonëse kjo, bazuar në qindra vepra të kësaj natyre të krijuar nga Akademia Serbe e Shkencave gjatë shekullit të fundit, nuk është punë e lehtë, megjithatë hartimi i një platforme të qartë të rishikimit të historisë në përputhje me të vërtetën shkencore, është e domosdoshme.

(Shkëputje nga “Dardania – antika, mesjeta”, botuar nga “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston 2020).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok