Zaim Haliti – Një jetë në shërbim të fjalës së shkruar dhe kulturës shqiptare
Portret letrar
Nga Sevdail Hyseni
Në letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë, emri i Zaim Halitit zë një vend të veçantë si krijues i fjalës së mprehtë, i mendimit të përqendruar dhe i humorit të hollë që shpesh shndërrohet në reflektim shoqëror. Ai është një nga ata autorë që kanë ditur ta përdorin fjalën e shkurtër për të thënë shumë, duke e shndërruar aforizmin në një formë të veçantë komunikimi me lexuesin.
I lindur më 7 nëntor 1960 në Tërrnofc të Bujanocit, në zemër të Luginës së Preshevës, Zaim Haliti u rrit në një mjedis ku tradita, fjala dhe rrëfimi popullor kishin peshë të veçantë. Kjo atmosferë kulturore e hershme ndikoi në formimin e tij shpirtëror dhe intelektual, duke i ushqyer dashurinë për gjuhën shqipe dhe për letërsinë.
Rrënjët arsimore
Studimet universitare i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, një shkollë e rëndësishme për formimin e shumë intelektualëve shqiptarë. Këtu ai thelloi njohuritë mbi letërsinë, kulturën dhe gjuhën, duke e forcuar më tej lidhjen e tij me botën e shkrimit.
Pas përfundimit të studimeve, Zaim Haliti iu përkushtua profesionit të mësuesit dhe profesorit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke punuar në disa shkolla në vendlindje. Përmes këtij misioni ai kontribuoi në edukimin e brezave të rinj, duke ua përcjellë dashurinë për librin, për gjuhën dhe për kulturën kombëtare.
Përveç veprimtarisë arsimore, Haliti ka qenë aktiv edhe në jetën kulturore dhe mediatike të Luginës së Preshevës. Për disa vite me radhë ai drejtoi revistën për kulturë dhe informim “Jehona”, një ndër botimet më të njohura të gazetarisë së shkruar në këtë rajon. Nën drejtimin e tij, revista u shndërrua në një hapësirë të rëndësishme për botimin e krijimeve letrare, mendimeve kritike dhe debatit kulturor.
Botimet letrare dhe mediatike
Krijimtaria letrare e Zaim Halitit është e gjerë dhe e larmishme. Përmes krijimeve të tija artistike, sidomos skicave humoristiko-satirike dhe aforizmave, ai shpesh arrin të zbulojë paradokset e jetës, dobësitë njerëzore dhe kontradiktat e kohës.
Shumë nga shkrimet e tij janë botuar ndër vite në gazeta dhe revista në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare, shpesh të nënshkruara me inicialet ZAHA, një pseudonim që për shumë lexues është bërë sinonim i humorit të mençur dhe i satirës së përmbajtur.
Ndër veprat më të njohura janë libri me aforizma “Kur të qeshë fati” (1994), i botuar si bashkautor në kuadër të revistës letrare Fjala në Prishtinë, si dhe “Aforizma me shigjeta” (2015), një përmbledhje që dëshmon mjeshtërinë e tij në këtë zhanër. Në të njëjtin vit ai botoi edhe monografinë “Flatrim i fjalës”, kushtuar krijuesit Skënder Gashi, si dhe librin satirik “Rrahagjoksët”, ku përmes skicave humoristike pasqyrohen dukuri të ndryshme të jetës shoqërore. Këto ditë kanë dalë nga shtypi edhe dy vepra të reja të autorit: “Monografia e Jehonës” dhe “Toponomia e Tërrnofcit”, si dhe po ashtu, ka në dorëshkrim edhe libra të tjerë me tregime humoristike dhe aforizma.
Angazhimi i tij në jetën kulturore dëshmohet edhe nga fakti se është anëtar i Shoqatës së Krijuesve, Artistëve dhe Shkrimtarëve “Naim Frashëri” në Fushë Kosovë, një organizatë që bashkon shumë autorë dhe krijues shqiptarë.Krijimtaria e Zaim Halitit është pritur mirë si nga kritika letrare ashtu edhe nga lexuesit, ndërsa ai vazhdon të mbetet aktiv në botën e shkrimit.
Lidhja me vendlindjen
Sot, Zaim Haliti jeton në Fushë Kosovë me familjen e tij, bashkëshorten dhe tre fëmijët. Megjithatë, lidhja e tij shpirtërore me vendlindjen – Tërrnofcin e Bujanocit – mbetet e fortë dhe e pashkëputur. Në shkrimet e tij shpesh ndjehet një mall i thellë për vendin e lindjes, për njerëzit dhe për kujtimet që e kanë formuar si njeri dhe si krijues.
Në fund, mund të thuhet se Zaim Haliti është një nga ata autorë që e kanë ruajtur besnikërisht dinjitetin e fjalës së shkruar, duke e përdorur humorin, satirën dhe mendimin e përmbledhur për të reflektuar mbi jetën dhe shoqërinë. Ai mbetet një zë i veçantë në kulturën shqiptare të Luginës së Preshevës – një krijues që, edhe me pak fjalë, di të thotë shumë.
