13/11/2024

Dy revoltat në dy burgjet politike: Spaç dhe Qafë-Bari

0

NE U NGRITËM… E TREGON “FERRI I ÇARË”

Nga Visar Zhiti

(Në burgjet e diktaturës komuniste, në atë të Spaçit dhe më pas të Qafë-Barit ka patur dy revolta të burgosurish, rebelime kundër kushteve çnjerëzore në burg, por me thirrje të hapura kundër diktaturës dhe komunizmit. Të dyja revoltat, të vetmet në të gjitha burgjet politike të perandorisë komuniste ndodhën në muajin maj, në data të njëjta, 21 e 22,  e Spaçit në vitin 1973 dhe 11 vjet më vonë në Qafë-Bari. U shtypën me gjak e hekur, me burgime e pushkatime.

Në nderim të tyre, të vuajtjes dhe të qëndresës, të ngritjes krye dhe të martirizimit janë botuar shpesh në përvjetore pjesë nga libri i Visar Zhitit, “Ferri i çarë”, burgologjia e Qafë-Barit, ku përshkruhen me dramacitet dy revoltat, të shkrira në një, siç i ka ndjerë vetë autori, që i ka për jetuar të dy burgjet e tmerrshëm. – Sipas medias – )

REVOLTA

…edhe durimi s’durohej më…

…filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit, po ja, nga që ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.

Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin më këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte më këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit, që shihnin në atë copëz ëndërr.

Urdhër i komandës. Prapë turni i parë!” “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim”. “S’ju lëmë të vdisni pa bërë normën”. “Në darkë prapë”. “Jo, tani!” “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë”.

Po i kujt, yni? – bërtisnin policët.

Po i kujt, juaji” – ia kthenin të burgosurit.

Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka.

Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart…

Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…” U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë. Një si kënetë e ngritur lart në qiell. Ajo e ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të bjerë mbi ne pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të plakura, kafka…

U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin. Ata…

Ra heshtje barbare, e cila u ça kur hyri brenda oficeri i rojës. Si zakonisht nuk përshëndeti, s’kishte pse.

“Ce s’e betë normën (j)uve, të denuar? Ë, ce? Ce na hapni punë pa punë… Këtu ju mbajmë për punë dhe jo për istorira. Në galeri, marrsh, kush të dëgjojë emrin. Maskarenj, pisa”.

Policët lëvizën. Filloi rrahja. Përballë nesh. Të burgosurit e lidhur mundoheshin t’u shmangeshin goditjeve, mënjanoheshin, por shqelmi me çizme, sa të mëdha, staliniste, u dërrmonte kërcinjtë e zhveshur, uleshin pak sa për vetëmbrojtje, por grushti s’kuptohej nga vinte, rënkime, gjak. Paloseshin më dysh për të pakësuar vetveten, por grushte të shumta, shkopinj gome binin mbi ta, derisa binin edhe vetë mbi dysheme.

U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulurimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë.

Po na jepte kurajë britma jonë, po i besonim asaj. Mjaaaft, s’keni tuuuurp, thirrën zërat më të guximshëm. Kri-mi-ne-lë! Hapu, dëgjova një gulç pranë, çohuni! Stoli i gjatë u shkul, u ngrit lart, u shty dorë më dorë dhe hop u hodh drejt e mbi kokët e policëve duke dërrmuar ç’gjeti përpara, kapela me yll, qafa e shpatulla, tabela, xhama. Grupi ushtarak s’pati kohë ta mblidhte veten. Oficeri i rojës u pataks i pari dhe tregoi me gisht nga salla që po dallgëzonte. Policë u vërsulën mbi rreshtat e parë, që të goditnin, por u goditën ata nga stola të tjerë e fshesa e pjata. Kjo po ndodhte në krye. Të burgosurit nga fundi hipën mbi tryeza për të parë ç’bëhej. Pluhur dhe britma dhe shqyerje dërrasash, pastaj krahësh. Të guximshëm të tjerë, më të krisurit, po çanin përpara, duke hipur mbi kurrize e kokë, drejt betejës. Një tryezë u ngrit lart dhe u hodh me rrapëllimë andej ku policët dhe oficeri i rojës nuk po iknin dot.

Po fluturonin stola si zhgaba druri, rrapëllima, thyerje xhamash.

Të dalim jashtë dhe të na shohin kush jemi! Dera u përmbys e, duke shkelur mbi të, u turrën jashtë policë e të burgosur. Një patericë vringëllinte anë e kënd. Shih, shih, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi me leva, ku i gjetën? Po thikat? Janë të mencës. Ia nguli në bark? Kujt? Of-icerit… Lazër Shkambi rrokulliste parvazin e një dritareje. “Eviva! – thirri Vllas Koçi, – Poshtë Partia e këtyre!” Nëpër këmbë kapela ushtarake me yll të kuq e oficerit të rojës. Rrekej ta merrte, desh ra edhe vetë dhe se kush e nxori nga këmbët e të burgosurve për të mos e shkelur, Petriti m’u duk, e ka nga fshati maskaranë, se kush klithi. Oficeri i rojës, i çoroditur, s’po kuptonte se pse urdhrat e tij s’kishin më vlerë, nuk zbatoheshin, përkundrazi. Si është e mundur? Ç’po ndodh?! Mosni, kuisi, ka pasoja të rënda kjoooo-oh!

Po ç’të bëj? Të rri iki po nga? Ku? Dolën në oborr kacafytje të tjera, të filluara që brenda, vazhdonin me kollotumba e rrapëllimë.

Nuk e kupton, kryengritje? S’dihet ku do të dalë. Ikë, të thashë… Një urdhër priste, nga kushdo qoftë që ta zbatonte menjëherë. Oficeri i rojës nxitoi nëpër shtegun e thurur me tela me gjemba, më i madh iu duk vetja, u ngut drejt portës, që të nxirrte te dalja në ballë të komandës. Ndjeu të thirrura, poshtë komunizmi, iu bë se dëgjoi fare afër, s’e paskan me mua, iu duk se mendoi, bo-bo, mori thellë kjo punë, iu duk sikur mendoi prapë mbi mendimin e mëparshëm dhe gurë, shumë gurë mbas shpine, ku u gjetën gurët, ç’pastrim i keq kështu, iu bë se po e ndiqnin hapa të tjerë, ndoshta policët e tij, mos ishin të burgosurit, mos po donin ta kapnin rob, ta mbanin peng, ta linçonin… dhe ia dha vrapit me ulërima për t’i dhënë kurajë vetes. Do të përgjigjej që e la kapelën me yll të kuq në dorë të armikut. Por s’kthehej dot më. Vërtet po e ndiqnin armiqtë, por ushtari te kulla sipër portës zbrazi automatikun. Ku, ku? Në ajër, pse? Por nga dritarja poshtë e komandës një tjetër oficer qëlloi me revolver në drejtim të të burgosurve. Njëri prej tyre ndali, u ul më gjunjë dhe vuri dorën mbi shpatull afër qafës. Aty ku i përvëloi. Pa gjakun e vet mes gishtave, s’ndiej ndonjë dhembje të madhe, tha, s’është gjë vdekja, oh. Plumbi për fat nuk i qe futur thellë në mish. S’duhet të ketë rrezik jete, jo, po thoshin ata që e rrethuan. Rrezik jete apo vdekjeje? Lërmë, shtyu, të sulmojmë. Kush është plagosur, kush? Ai djali i ri nga Durrësi, Kosta Gjordeni. Një tjetër pranë hoqi këmishën e vet dhe ia vuri mbi të çarën e përgjakur. Të dhemb? Jo, më djeg pak. Ta lyejmë me duhan, e ndal gjakun, tha një malësor dhe shkoqi 4-5 cigare që i kishte dredhur më pare. Mos e lini gjakun të shkojë dëm, ta bëjmë flamur si në kryengritjen e Spaçit. Pije më mirë, ndonjë i dobët që s’ka gjak. Mjaft, s’është ambulancë këtu, jemi në betejë. Kush do detyra, le të vijë… “Rroftë Flamuri pa yll! – kishte brritur Hysen Xhani në Spaç, – Poshtë qeveria e Tiranës!” “Ja vdekje, ja liri!”, – dëgjuan thirrje të tjera. “Nuk punojmë në galeri…”. “Rroftë Bashkimi Europian!” – u ngrit mbi të tjerët zëri i Bedri Çokut. E padëgjuar kjo thirrje, si, po bashkohet Europa, po ne?

Ka organizim? Tmerr? P…arti ilegale…

Përtej rrethimit, te ndërtesa fshatare e komandës së burgut, shiheshin lëvizje të shqetësuara e dyfishim rojash.

Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz. Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. Vërtet, s’ka më fare? Çfarë? Policë. Jo, jo… Të li-rë!?… Na kapi një ndjenjë e flatërt, mund të fluturonim tani, pa policë, sa bukur, të lirë brenda robërisë sonë, qielli epohej, gati të binte. Shikoi retë.

Ndodhi ajo që s’do të besohej kurrë. Të burgosurit zbythën një dyndje policësh, donin të hynin në kamp, të paarmatosur ishin; por u plogështuan menjëherë, ndërsa binin mbi ta gurë, pjata, sharje, libra të trashë të Enverit. Policët morën urdhër të prapseshin. Gjendja diku lehtësohej dhe menjëherë rëndohej diku si për baraspeshë.

Të çajmë rrethimin, të sulemi tek telat me gjemba. Të gjithëve nuk na vrasin dot… Ja vdekje, ja liri! Nga erdhi kjo britmë prapë, ç’kryengritës e sollën? E dija të mbetur nëpër libra, në teatër, në histori e tani buçiti para meje, përbetim i gjallë! Ku jemi në Spaç, në revoltë. Si atje… Do ta ngremë prapë flamurin? U gjend dikush që dha një urdhër: ti, ti, ti, shkoni me vrap në lavanteri e mensë dhe mbushini me ujë gjithë bidonët, kazanët dhe tenxheret. T’i kemi gjatë kohës së rrethimit. Do shkoj dhe unë, tha Skënder, më i riu, por fare i dobët, sa as dhe në galeri nuk e futnin, ende s’i kishte kaluar të 50 kilet. Mezi e kam pritur këtë ditë, prandaj jam dënuar, tha, grupi ynë donte të armatoste të burgosurit dhe të sulmonim… Ata do të presin ujin siç bënë në revoltën e Spaçit, dëgjoheshin zëra. Na lanë pa ujë pesë ditë… Ti shko merr nën kujdes thikat dhe hanxharët e mensës dhe te berberi, të mos keqpërdoren. Edhe lugët me garuzhdet. Dhe dërrasat e shqyera. Grumbulloni gurë sa të jetë e mundur. Por dhe kurajë. Ia vlen të vdesim si kryengritës, jo si të burgosur…

Në Spaç kryengritësit hapën birucat përmes breshërisë së plumbave. Hulusi Pashollari dhe Dashnor Kazazi s’pyetën fare për mitralozin e truprojës përballë, po i liruan bashkëvuajtësit nga biruca. Dhe aksioni i dytë e di cili ishte? Shqyerja e derës së bibliotekës së burgut, u mblodhën gjithë librat e Enver Hoxhës dhe të klasikëve të marksizmit dhe iu vu zjarri. Anash flakëve vallëzonin të burgosurit dhe këndonin këngë patriotike.

Në revoltën e Spaçit hipi mbi supet tona një djalë i ri, Skënder Daja, dhe u foli ushtarëve, eeeeejjj, vëllezër, edhe unë sa ju jam, 21 vjeç, ulini armët, mos qëlloni mbi ne, jemi në burg se duam lirinë, atdheun, juve, u rebeluam për lirinë dhe atdheun. Mos gaboni… Menjëherë hoqën ushtarët e rinj nga rrethimi dhe vendosën policë, skuadra të zeza si ato të pushkatimit. Të vazhdojmë kryengritjen e Spaçit, u dëgjua një thirrje nga fundi i shkallëve! Pse, ku jemi, s’është Spaçi ky? Qafa e Barit, or mixhë, por njëlloj janë. Po dridhem. Ta ngremë flamurin e kuq me zhgabë, mezi po pres, turfullonte plaku.

Ta ngremë flamurin kombëtar mbi tarracën e burgut, thamë, me solemnitetet. Kërkuam muzikantët tanë, t’u binin veglave, ku t’i gjejmë, Himnin e Flamurit. Kush ka frikë? Me të drejtë. S’u vumë faj. U grumbulluam ne, u mbajtën fjalime para Flamurit. Ku ishin tërë ata oratorë të shkëlqyer! Kurse përtej telave me gjemba, mes rrethimit të ushtarëve dhe policëve të armatosur deri në dhëmbë, oficerët shihnin këtej me dylbi, bënin fotografi, xhironin me kamera. E kënduam vetë Himnin me zërat tanë të ngjirur, u mblodhën aty vëllezërit Çoku, Luan Burimi, Dervish Bejko, Pavllo Popa, Jorgo Papa, Gëzim Medolli, Ylber Merdani, Naim Pashaj, Murat Gjonzeneli… dhe përmes lotësh e ngritëm Flamurin përmbi burgun. U alarmua qeveria, ulni flamurin, dërgonte mesazhe komanda. Dolën vullnetarë tërë ata të burgosur për të bërë rojë nderi pranë Flamurit, natë e ditë, duke u ndërruar me njëri-tjetrin. Tregomë, jemi në Spaç, apo jo? A s’janë njëlloj Qafë-Bari, Aushvici, Buhenvaldi, Prishtina? Po, po, ika, s’e kam punë. Këtu jemi. Priftërinjtë, ushtarakët? Ç’ushtarakë? Tanët pra, të burgosurit. Ç’do të bëjmë, djema? Si, do të presim të qetë të na hanë? Të sulmojmë. Të shihen mundësitë strategjike. Le të vritemi. Sa t’u marrim ushtarëve automatikun e parë. Di unë pastaj se ç’bëj me një automatik në dorë.

Të gjithë ushtarët e rrethimit zbraznin automatikët njëherësh, me breshëri, vetëtima të shkurtra, të drejta si thika të shpejta, frushullimat e tyre të njëpasnjëshme vezullonin me krisma shurdhuese kudo, tym në grykat e armëve, qëllohej pa ndërprerje nga të gjitha kullat e vendrojave. Një dorë ushtarake te porta e madhe, e pamë sërish, jepte sinjal, tundej për çdo batare të re dhe tytat e armëve po uleshin gjithnjë e më shumë, nga në ajër, në drejtim të kampit, mbi kokët e të burgosurve. Ngrimë në vend. Pati nga ata që u shtrinë rrafsh me tokën. Do të ketë ardhur urdhri për të na vrarë të gjithëve. Binin copa të shqyera mbi ne, të rënda, të errëta, zhvoshje muresh, qielli. Dora dha sinjalin ndal. Heshtja si një gropë shurdhuese u hap në ajër. Erdhi erë e djegur, qe përzhitur gjithësia.

Të gjithëve na vrasin, s’e ka për gjë diktatura. Burgu gropë e përbashkët është. Na mbulojnë këtu e askush nuk e merr vesh.

Helikopteri erdhi edhe një herë rrotull, kërcënueshëm dhe trandshëm, u epua edhe më dhe u ul afër ndërtesës së komandës, mu në mes të rrugës. Kalë Troje fluturues, eeejjjj…. Kur shpejtësia e rrotullimit të helikave ra dhe vorbullat e tyre ajrore u tretën, u afruan oficerë dhe qëndruan para derës së helikopterit “gatitu” duke nderuar me grusht. Pas një oficeri, doli serioz një civil i shëndetshëm. Qenka zëvendësministri, e njohën disa nga të burgosurit dhe s’po lëviznin, veç vëzhgonin se ç’do të bëhej përtej, në vijim. Më keq ky, thanë dy-tre zëra. Është kriminel profesionist dhe merr pjesë vetë në tortura. Dhe në skuadrat e pushkatimit. Grupi ushtarako-civil nxitoi drejt komandës. Atje u mbyllën për ca kohë. U shtuan rojat te porta. Pastaj pamë që rrethimit të telave me gjemba iu bashkëngjit një rrethim tjetër ngjitur.

Mbi tarracën e komandës, te ndërtesa e parë në anë të portës së madhe, të hekurt, mes një lukunie civilësh dhe ushtarakësh të kthyer këtej nga burgu, një i trashë, me megafonin të ngulur në gojë, nisi të buçiste: Dëëgjoooni, dëgjoniiiii. Ministri i Brendshëm. Jo, jo, zëvendësi. Mos është sozia? – po zhurmëronin të burgosurit mes tyre sikur s’po merreshin vesh për llojin e kafshës. Buçima e megafonit sa vinte e bëhej më çarëse, e sertë deri në kërcënime… Dorëzohuni, se… forca e diktaturës së proletariatit… do ju shtypë… vrasë… dorëzooohuni!

Hutim. Habi. Po që guxuan të qeshnin? Edhe në Spaç zëvendësministri, Feçor Shehu, thërriste nga pas telave me gjemba për dorëzim. Të të vijë turp, more kriminel i fshatit tim, iu kthye atij me të thirrura i burgosuri Hajri Pashaj, vjen dhe na kërcënon. Të është fryrë barku dhe zverku me djersën dhe gjakun tonë. Harrove zotrote, kur të kapën gjermanët e Hitlerit dhe të futën në burg, kalama ishe si unë, kur më futët ju. Ata të dhanë bukë e qumësht e të kthyen në shtëpi. Ne po plakemi këtu e ju po na rripni të gjallë, sepse donim të iknim nga regjimi juaj i fëlliqur. Turp, na turpërove fshatin! – Dhe u qasej telave me gjëmba, ik andej e këndej, s’e mbante vendi. Vetë Feçor Shehu e pushkatoi atë mbas dy ditësh. – Por edhe ti kështu do të përfundosh, s’ke për t’u bërë ministër ndonjëherë, i kishte klithur sërisht bashkëfshatari i tij. Partia jote do të të vrasë…

Dorzooohuni! Feçor Shehu thërret ashtu? E kanë dërguar prapë? Jo, jo, atë e kanë pushkatuar me kohë, ky tjetri tani është Zylyftar Ramizi, ai tjetri është Agron Tafa, i njoh, por njëlloj janë, gjakpirës. Dooorzoohuuunii, të dënuar… Ç’të dorëzoheshim, ashtu ishim, të dorëzuar. Ta ndërprisnim kryengritjen. Përfaqësia e kryesisë drejtuese të vijë deri te Porta e Madhe për të paraqitur shkaqet dhe kërkesat… dhe lidhjet me armiqtë e jashtëm. Do të presim një orë e tridhjetë minuta. Kuptuat, të dënuuaaaar? Mbas dy orësh do të hyjmë në kamp pa marrë parasysh asgjë. Nëse do të ketë kundërshtime dhe rezistencë, do t’ju shtypim me dhunë, pa mëshirë, me të gjitha mjetet që disponon shteti. Partia me shokun Enver në krye është më e fortë se kurrë, ka shpartalluar dhe shpartallon dhe do të shpartallojë çdo armik, çdo koalicion të tyre dhe… nga çdo betejë ka dalë më e fortë. K-u-p-t-u-a-a-a-t….?

Hinka e megafonit nga këtej ngjante me një shqyerje të jashtëzakonshme goje, britmë sqollash. Ndërsa po zbriste nga tarraca tufa e tyre, ultimatumi i shtetit vazhdonte të bënte jehonë në gropën e burgut. Na u duk sikur pamë rrokullimat e aaaa-ve, ooooo-ve, shponin iiiii-të, gjyle të përflakura ranë midis nesh. Fauna e shtetit kaloi në anë të përbindëshit-helikopter, i cili bënte sikur flinte. Po tani? Askush nuk pyeti, por shihej te balli i të gjithëve, te rrudhat.

S’u mor vesh në u bë ndonjë përfaqësi jona. Thanë se u bënë tok pesë veta, jo gjashtë, për te Porta e Madhe. Ja, ja shikoi… Po shkojnë apo po kthehen? Doli dhe një përmatanë nga komanda dhe mori mesazhin e të burgosurve. Me shkrim apo me gojë? Njëlloj është. Jo. Shpjegohej rebelimi ynë, si shkak i dhunës së pandërprerë, gjithnjë e më të madhe, i padrejtësive dhe kërkohej ndryshim i gjendjes. Të trajtoheshim si njerëz, edhe pse kundërshtarë… S’pati kërkesa politike? Mesazhi vetë është qëndrim politik. Pa akuzuar dhe pa pranuar faje.

Qetësi, të mbajmë njëri-tjetrin. Bashkë… Ne s’kemi faj. Krimi është matanë telave me gjëmba…

Qetësi. Qetësia u gris befas me kërkëllima të forta metalike. Shule armësh? Porta e madhe po hapej, zinxhirët e saj, çelësat dhanë kërcënimet e para. Në tarracën e vogël të komandës, në anën e së cilës mbërrinin helikat e pezullta të helikopterit, u shfaq një grup ushtarakësh. Njëri me megafon urdhëroi: “Ne po hyjmë, në qoftë se dikush nga të dënuarit do të ngrejë dorë mbi ne, do të na provokojë, do të bëjë lëvizjen më të vogël të dyshimtë, do të qëllojmë me armë nga kudo për kudo, në turmë… Morët vesh? Asnjë lëvizje… Jeni të rrethuar… Dorëzohuni!”

U futën sampistë ushtarakë, shihnin si të tërbuar, mezi prisnin të shqyenin këdo, mes tyre oficerë të shumtë, të komandës dhe të Ministrisë, civilë që s’i njihnim, me kostume të jeshilta, në ngjyrë helmi, të ushqyer mirë, jo si ne, të (u)shqyer keq, se kush mërmëriti kështu pranë meje, e pashë se po zbehej, ç’ke, edhe ti po zbehesh, ja dhe komandanti, komisari, shefi i policisë së burgut, mbahet dhe krenar, pederi, skorta e rojave, policë, policë prapë, me egërsi të ngrirë si maska, kapterë, s’u dukërkan mjeranë, pa-pa-pa… Ndërsa kreu mbërriti tek oborri i parë, bishti gjarpëronte ende te porta.

Njëri nga nënoficerët nxori disa fletë dhe ia dha shefit të policisë. Po, tha, fillojmë. Fillojmë dhe hodhi vështrimin e pistë mbi të burgosurit e gjunjëzuar, gurë varresh, mes të cilëve kudo lartësoheshin policët, tabela qiparisash të zinj si në lojërat ushtarake. Gjithçka iu duk në rregull, top fare, rregulloi kapelën, shkëlqeu djegshëm ylli i saj dhe me zë pretencëdhënës lexoi një emër. Sokol… cili, të dy… shkrofëti korbi. Çohu, ti, edhe ti… u çapëlyen disa gabzherrë njëherësh, kuturumshëm, sy të çakërdisur vigjëlonin nga të gjitha drejtimet mbi ne, çohuuuu-uh! Pa u ngritur mirë i pari, 7-8 policë iu vërsulën duke i zhvatur lecka dhe lëkurë bashkë, e tërhoqën osh deri pas murit të mensës, ku ne s’shihnim se ç’bëhej. Sokoli tjetër… Emër tjetër, u thirr: Tom Ndo… tjetër, Bushgjoka… dhe policë të tjerë, prapë të tjerë hidheshin, Haxhi… Vllasi, Kostandin… zvarritnin njeriun, i vinin prangat keq e keq dhe që andej, nga pas murit, vinin zhurma goditjesh, ulërima dhe mbytja e tyre. Emra të tjerë u thirrën gjëmshëm… Vuthi… Martin… Lazër… Tabaku… Pisha… përsëritej rituali barbar… dhe, sikur të gaboje, të lëvizje paksa nga mpirja dhe ankthi, policët vërsuleshin mbi ty për të të zvarritur duke mos pritur në je ose jo ai që u thirr. Njëlloj janë, armiq! Vazhdonte ngritja, gjithë habi dhe tromaksje. Ç’u bëjnë pas murit, mos i asgjësojnë? Dëgjon ti krismë arme? Të shurdhëta po.

Mos lëviz. Më shkeli dorën polici, m’u ngulën gozhdët në mish, gjak, mos lëviz. Pse s’po mbaron? Sa gjyq i gjatë. Do të ngrihemi dot ndonjëherë, ulokë do të mbetemi, do të zvarritemi, a do të ecim me këmbët tona, do të kemi emër, apo lëvozhga të ngjitura në ballë, lëkura të rrjepura? Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët, mos i prekni, u tha policëve. Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli… mure ulëritëse, të përgjakura, dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë…

… rënko(h)-i prapë: oh-h-h-h-ooo-ooh! Një rënkim tjetër, nata, i fundmi i kryengritjes, ngji-iih-ste shka-ah-llë-ëh-t. Rrëzohej, oh, ngrihej, ih, ngadalë, ah, shihte qiellin, plot me gozhdë yjesh, vrima plot, bien rënkime, toka e zezë, me ofshama gropash, lëkundej, ej, of, op, uh, uf. Rënkimet-et pikonin gjak-ak. Llavë… Ra prapë pezmi i rënkimeve, i gjatë, zuri brinjët me dorë, të thyera, dy, tre, yyyyeeeeehhh, shfryu, uh! U rrëzua…

E çuan pas murit… Zvarrë. Ah! Oh, oh… Hija e rënkimeve u rrëzua prapë. Oh. U shtri… po rënkonte toka, muzgu sipër saj, gulçonte mbi pellgun e gjakut të vet… “Çohu, i dënuar, – briti polici pas tij. – Ngjiti shkallët, drejt birucave.” Të burgosurit përreth s’po lëviznin si në një mallkim. S’lejohej me regullore t’i jepje ndihmë tjetrit. Ah, sikur ta merrja për krahu, brinjët e thyera i dhembnin tmerrësisht, ta mbartja deri te porta e vogël… e birucave të brendshme.

Gulçe gjaku të ngrohtë shpërthenin nga goja mes dhëmbëve të thyer… U-u-u-jë-ë-ëh! Kushështë… Nuredin Skrapari… Ujë… më digjnin plagët brenda trupit, elektro…oh…vo…zi…sti Agroon Ho…xha më njomte buzët me një leckë, s’e di ku e gjeti ujin, ndoshta binte shi, po ti… në birucë, unë pashë që policia të ra me dru në kokë… qetësohu, mos fol… Roola(h)nd Too(h)li më mbante kokën të mos më binte përdhe, e paskan arrestuar edhe atë, po ai është i gjatë, ka më shumë vende se unë për plagë… dhe s’po më linte të vdisja… edhe Çajuuu(j)iiii, ujëëëë…

DËNIMI I REVOLTËS DHE DËNIMI I BURGUT

Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, I palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zv/komisari a ç’dreqin është, që iu rrokullis kapelja me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenjë plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasho, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të së pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…

Në Spaç ridënuan mbi 100 veta. Ditët e fitimit u hiqen. Nuk u quhen më. Po s’janë ditë, janë jetë… Koha s’është jona, por jashtë nesh si sendet… e grabitura. I vranë… Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy dhe i ulën përdhe. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te këmbët, i kafshonte…

Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain. Duke konfiskuar pjesën e tyre nga pasuria në familje. Çfarë, karriket, lugët? Dhe me heqjen e të drejtës elektorale 5 vjet pas dënimit. Pas vdekjes? E tmerrshme, cinike. Nga që votuesit këtu janë të vdekur…

* * *

Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit, burgun! Ashtu siç qe dënuar dhe Spaçi pas revoltës. E ç’do të bëjnë, do burgoset dhe burgu? Si? Çfarë, do shëmbin ngrehinat, shkallët, do përmbysin fjetoret? Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s’ke ç’i shton më.

Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do e mbushin me tela me gjëmba e do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do të jetë bërë akoma më e rëndë? Të dënuar malet përreth, uji, ajri.

Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të pakësohen kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do u vënë regulla, për të mos sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe letrat. Mund të heqin televizorin, – mirë do të bëjnë, – dhe leximin e librave të Enverit, jo atë do ta shtojnë.

I dënuar në një burg të dënuar.

* * *

Në dosjen e Ministrisë së Punëve të Brendëshme

Për revoltën e Qafë-Barit:

“Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…” – Fjalia e fundit e nënvizuar. –

Akuza e Prokurorisë Pukë:

“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi. Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…

PARA PUSHKATIMIT

…Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë:

Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952 nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën…

Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i kanë shkruar, pushkatarët? Ja:

Para ekzekutimit të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vet. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”

I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”

Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…

Ku i vratë? Flisni! Hapeni gojën që ta hapim gropën për të varrosur dy shokët tanë, dy njerëz. T’u hedhim nga një trëndafil, por dhe ata mua m’i dënuan…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok