XHUBLETA ILIRO – ARBËRORE – SHQIPTARE (Pjesa II)
Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Nga viti 2016, xhubleta ka statusin: Kryevepra e trashëgimisë kulturore kombëtare. Xhubleta, veshje tipike dhe unikale e grave dhe e vajzave të malësisë të Shqipërisë së Veriut, është studiuar nga etnologë, albanologë, historianë, arkeologë, antropologë, sociologë vendas dhe të huaj, të cilët kanë shkruar për historinë e lashtë 4000 vjeçare, për teknikën e prodhimit të shajakut e të stofrave, për qepjen e fundit dhe anekseve të xhubletës, për zbukurimet me figura, simbole, kode dhe për mesazhet që shprehin, si dhe për stolitë e shumta shoqëruese. Ndër studiuesit shqiptarë janë shquar Zef Jubani, Bernardin Palaj, Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Abaz Dojaka, Afërdita Onuzi, Yllka Selimi, S. Shkurti, Agim Bido, Luljeta Dano, Linda Spahiu, Aleksender Stipçeviç, Fahri Xharra, Ikbale Kalaja, Uk Xhemaj, Sokol P. Lulgjuraj, Flamur Doli, Ndue Bacaj, etj, ashtu si dhe studiues të huaj ndër të cilët Daniel Kornidez, George von Hahn, Franz Nopcsa, Rosel de Fontanes, Edith Durham, J. Dechelette, Hoernes, Wide, Evans, Vasits, Edwin E Jacques etj. Xhubleta është pasqyruar në akuarelet e vitit 1848 të piktorit anglez Edward Lear dhe në pikturat e Kol Idromenos.
Historiani, albanologu dhe ilirologu Aleksander Stipçeviç, me origjinë nga komuniteti Arbanasi i Zarës, në zbulimet dhe studimet e tij shkencore për xhubletën si veshje e lashtë të grave iliro-arbërore thekson: “Gratë ilire vishnin një tip fustani, që ishte i prerë në brez në mënyrë të tillë, që pjesa e sipërme i përshtatej trupit, ndërsa pjesa e poshtme ishte e rrudhur me formën e kumbonës. Këtë formë rrobash e mbanin hyjneshat ilire lokale, si prezantohen në monumentet e epokës të pushtimit romak si dhe gratë valltare, të paraqitura në urnat japode të Ribiqit (shekulli V – IV para Krishtit). Me rroba të tilla ishte veshur hyjnesha Diana, si është paraqitur në monedhat e mbretit ilir Ballaeus (shekulli.II para Krishtit). Kjo formë rrobe e grave ilire është ruajtur deri më sot te malësoret e Shqipërisë së veriut dhe në Kosovë (pjestarë fisesh nga Kelmendi). [Aleksandër Stipceviç. Illyrians, 1966; “The Illyrian Art, 1963; The Illyrian Cult Symbols, 1981].
Franz von Nopcsa (ish konsulli i pergjithshëm i Austrohungarisë në Shkodër) i studiues i apasionuar i etno-grafisë në trevat veriore të Shqiperisë, në vitin 1925 shkruan:“Disa forma të veshjes popullore shqiptare vijnë drejtpërdrejt nga veshja, që ka qenë në përdorim në këtë hapësirë nga koha parahistorike. Këtu në rend të parë është fjala për tipin e fustanellës e mbledhur në formën e kambanës, e quajtura xhubleta, e cila është pasqyruar në shumë monumente ilire të kohës antike, e ruajtur e pandryshuar deri në ditët tona në krahinat e Shqipërisë Veriore, mandej në zonat e fisit të Kelmendasve në Kosovë dhe shqiptaret në Mal të Zi. Xhubleta në pikpamje kostumografike, është shumë interesante, për aresye se përkon kryekëput me veshjet në formë fundi në disa terrakota të zbuluara në Kliçevec të Bosnjes dhe me objekte të tjera të ngjashme të gjetura në Mikenë dhe në Kretë (Greqi). Kjo terrakotë tregon se në të gjitha këto raste, si e theksojnë Hoernes, Wide , Evans dhe Vasits, kemi të bëjmë me një veshje në formë këmbane, e njohur në mijëvjeçari i dytë para K.” [Franz Nopzsa: Albanien. Bauten, Trachten und Gerate Nordalabneins. Berlin. De Gruyter & Co. 1925].
Akademiku Mark Tirta, thekson “Xhubleta është një veshje me zanafillë të lashtë, që vishej në Malësinë e Madhe. Kështu ka ardhur dhe dalmatika, një këmishë e gjatë, që në të njëjtën formë dhe prerje është ruajtur dhe ndër shqiptaret. [Mark Tirta, Etnologjia e Shqiptarëve,Tiranë, GEER, 2003, faqe 102].
Lashtësinë e origjinës të xhubletës e konfirmojnë me studime dinjitoze dhe Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Abaz Dojaka, Luljeta Dano, Linda Spahiu etj, etj, të cilët pa rezerva theksojnë se xhubleta është veshje tipike me origjinë nga qytetërimi minoiko – miçen, veshje e ruajtuar nga ilirët dhe arbërit.
Xhubleta, është veshje komplekse grashë dhe vajzash, me fundin e shajakut dhe veshjet e tjera plotësuese, si xhoka, jeleku, këmisha, shamija, përparsja, çorapet etj, etj, të zbukuruara me motive magjepse me karakter natyror, hyjnore dhe me simbole mitike, të shprehura me figura floreale, gjeometrike dhe atropozoomorfe. Këto elemente janë të qëndisura me penjë shumëngjyrëshe, si ka theksuar studiuesi hungarez Daniel Kornidez:
“As palloi as ylberi nuk kanë aq ngjyra, sa ka xhubleta e grave të Kelmendit”.
Karahas karakteristikave kostumografike unike, që e njësojnë si kostum me funksionet dhe me bukurinë e saj, xhubletat kanë veçori dalluese njera nga tjetra, të shprehura me variacione sipas moshës, funksionit dhe në kompozimin e zbukurimeve me penjë shumëngjyrsha, në qendisjen e figurave, të simboleve të ndryshme, në mesazhet që transmeton. Pavarësisht nga struktura standarte, xhubletat kanë veçori individuale, dallohen njëra nga tjetra, janë prodhime të personalizuara.
Etnografët, kostumografët theksojnë se xhubleta është veshje e veçantë, komplekse dhe ndër më të vështirat në punim, ndryshe nga tipat e tjera të veshjeve për vajzat dhe gratë në Shqipëri, në Ballkan dhe me gjërë. Xhubleta nuk është thjeshtë vetëm një veshje, është vepër arti.
Shajaku i përdorur për fundin e xhubletës punohet me leshin e dhenëve, i larë dhe i shkriftuar me krëhër. Shtëllunga e leshit vihet në furkë dhe tirret fija e penit me drugë (në bosht). Fijet e leshit dridhen së bashku të trasha 16 fishe. Peri që përdoret për prodhimin e shajakut ngjyroset në të zezë me gjethe arre. Gratë e thurin stofin në tezgjah me penjë në katër liqe. Shajaku i prodhuar shkelet në valanicë, pritet në shirita dhe qepen për të formuar fundin me formë këmbane kompakte dhe të valëzuar, më të shprehura në pjesën e pasme.
Fundi i xhubletës formohet nga 25 – 30 shirita shajaku (ivat), që në pjesën e fundit kanë tirk, spik, rruaza, cohë dhe tertil. Fundi është i gjatë deri poshtë nëngju. Në buzën e sipërme të fundit, mbi belin e gruas, fiksohen dy rrypat e shajakut, që shërbejnë për ta veshur në supet e gruas. Buza e poshtëme e fundit të gjitha xhubletave
të grave, punohet nga leshi me ngjyrë të bardhë, prej katër liqesh dhe quhet e poshtmja e xhubletës. Të gjitha këto proçese gruaja malësore i kryen me mjeshtri admiruese dhe me talent krijues, sidomos në realizimin e zbukurimeve, që janë galeri elementesh shumëngjyrëshe me motive floreale, gjeometrike dhe atropozomorfe, të shoqëruara me figura, simbole, kode, mesazhe të ndryshme dhe me një kompleks zbukurimesh me stoli.
Zbukurimet e xhubletës dhe të pjesëve përbërëse.
Në fundin e xhubletës, në xhokë, në jelek, në këmishën, në përparset, në brez dhe në çorapet, gratë malësore qendisin një seri figurash, simbolesh dhe kode me origjinë pagane të epokave të herëshme protoilire dhe ilire, të ruajtura besnikërisht deri në kohët tona, ndër të cilët më kryesoret janë:
Dielli – kulti i diellit, dielli Zot, dielli – jetë – begati dhe fertilitet. Dielli prezantohet në dy varjante, si disk
rruzullak ngjyrë të verdhë me rreze, si dhe në varjantin më të lashtë pagan protoilir dhe ilir me svastikën.
Svastika është simbol i periudhës neolitike (mbi 5000 vjeçare), i përdorur nga shumë popuj euroaziatik, ndër ata dhe nga ilirët, si rezulton në disa objekte arkeologjike të zbuluara në trojet tona. Në gjuhë sanskrite swastika do të thotë fat, lumturi, mirëqenie. Sipas J. Dechelette karakterizon diellin në lëvizje, ndërsa Heinrich Schliemann, i cili e zbuloi në rrënojat e Trojës, e konsideron simbol i identitetit arian. Sipas studiuesve René Guénon, Gennady Zdanovich, Reza Assasi, Giorgio de Santillana, Hertha von Dechend, Joscelyn Godwin, Peter Levenda etj, etj, svastika është simbol i lashtë, që shpreh lëvizjen në qiell të yjeve rreth polit verior, pikërisht të yjeve të Arushës së Vogël, të Arushës së Madhe dhe të konstelacionit Drago, që rrotullohen rreth polit verior qiellor (Axis Mundi). Svastika përcakton dhe pikat kardinale të katër sezoneve.
I përmenda këto opinione studiuesish për theksuar se svastika është simbol i lashtë protoilir dhe ilir, i ruajtur
në kulturën arbërore, i transmetuar i pandryshuar deri në ditët tona, i pasqyruar besnikërisht dhe mjeshtërisht nga gratë malësore shqiptare, në kompleksin e veshjeve të xhubletës.
Hëna – kulti selen. Është simbol vetëm femëror. Sipas mitologjisë greke, Selena hyjnesha që personifikon hënën ishte motra e Helios (Diellit) dhe e Eos (Aurora), e identifikuar me hyjneshën Artemisa, ndërsa romakët dhe ilirët u identifikonin me hyjneshën Diana – Zana, që mban mbi kokë drapërin hënor në pozicion horizontal.
Drapëri hënor i pasqyruar si element zbukurues në qendisjet e xhubletës, ashtu i përdorur si stoli, shpreh kultin selen të mbrojtjes të gruas, fertilitetin e grave, mbrojtjen dhe vazhdimësinë e jetës në brezni, shpreh begati dhe zjarrin ndriçues të jetës. Simboli selen është përdorur nga gratë shqiptare si element zbukurues në komponentet e xhubletës, por dhe si stoli e vendosur në kapuçin mbi kokë, si e ka dokumentuar mjeshtri i fotografisë Kel Marubi, në një grua të re nga Gruda, madje e ka përjetësuar në një kartolinë të herëshme, ndofta fundi i shekullit XIX. Përdorimi i hënës në zbukurimet e xhubletës dhe si stoli, shpreh kultin selen, pra nuk është simbol i kulturës turke, që si dihet e ka drapërin hënor (hënën e re) në pozicion vertikal.
Ylli – yjet. Qendisen me pesë, me gjashtë, me tetë, me shumë cepa dhe simbolizojnë dritën, energjinë, lirinë, shpresën dhe përjetësinë. Ylli apo yjet prezantohen të qendisur në zbukurimet e xhubletës dhe si komponent i
stolive, si rezulton në një paftë të brezit të xhubletës, ashtu e përdorur si stoli e varur në qafë.
Gjarpëri. Është simbol i lashtë, që shpreh mitin ilir të Kadmos dhe të Harmonisë (Kandavias). Për ilirët gjarpëri ishte simbol mitologjik totem, personifikim i mençurisë, i shëndetit, i pjellorisë, i shpirtitërve të vdekurve dhe mbrojtës i vatrës familjare. Në zbulimet e shumta arkeologjike të vendbanimeve ilire, janë gjetur objekte të shumtë me figurat e gjarpërit. Në xhubletë gjarpëri prezantohet dhe në formën e dragoit.
Shqiponja. Është simbol hyjnor iliro – arbëror, që shpreh fuqi, fitore, fisnikëri dhe madhështi. Në xhubletë dhe anekset e saj, shqiponja qëndiset e stilizuar me penjë ngjyrë të verdhë, ndërsa si stoli në filigranë argjendi, ose ari, prodhohet nga artizanë të kualifikuar dhe mbahet në gjoks. Artizanët prodhonin dhe vathë me shqiponjë dykrenëshe.
(1) Pafta e brezit të xhubletës, në qendër shqiponja dy krenëshe, me yllin me pesë cepa dhe katër pëllumba. (2) Shqiponja, prodhim në filigranë me fije argjendi, zbukuruar me gurë ngjyrë të kuqe dhe të gjelbër.
(3) pafta e vendosur mbi kokë, nën shami, e prodhuar në filigranë me motive floreale, me në qendër simbolin selen dhe diellin, e zbukuruar me gurë ngjyrë të kuqe dhe të gjelbër.
Dragoi. Është figurë mitike – legjendare, i pranishëm në xhubletat e grave në dy varjante, në formën Viverna – dragoi i maleve dhe në varjantin e hidrës – dragoi me shumë koka. Në të dy varjantet dragoi është element me fuqi magjike, i mbron gratë duke i larguar të këqiat, sëmundjet, fatkeqësitë. Dragoi qendiset në fundin e xhubletës dhe në përparëse, së bashku me motive të tjera floreale dhe me simbole gjeometrike. Në shumicën e xhubletave dragoi qëndiset si komponent i kodit të familjes, pra si elementi mbrojtës i familjes dhe i fisit.
Kodi i fisit dhe i familjes. Në zbukurimet e xhubletës integrohet dhe pema e fisit dhe e familjes, një kod misterioz i trashëguar nga lashtësia, i pasqyruar me simbole të ndryshme floreale, gjeografike dhe antropo-zoomorfe, ndër të cilët mbizotëron shqiponja, e shoqëruar me dragoin dhe svastikën. Kodi i fisit dhe i familjes është enigmatik, i prezantuar me simbole të ndryshëm, kuptimin e të cilave e di vetëm malësorja që i ka punuar në xhubletë, andaj është tepër i vështirë të interpretohet. Shpesh këto simbole ngjasojnë me grafema dhe me numëra, ndofta shprehin numërin e pjestarëve të fisit, ose të familjes, ndofta moshën e të parit të fisit, ose të kryefamiljarit. Në qendër të këtij kodi vendoset shqiponja e stilizuar dhe në të dy anët qendisen simbolet e kodit, të kufizuara nga svastika dhe dragoi mbrojtës. Ky kod prezantohet në dy pjesë, si imazhe të përmbysura në pasqyrë.
Figurat floreale, gjeometrike dhe antropozoomorfe. Gratë malësore, fundin e xhubletës, e zbukurojnë duke shtuar figura floreale, si zambak, lule dhensh, gjethe dushku, meandra (lule me kërcell gjarpëruese), kalli gruri etj. Elementet zbukurues janë dhe figurat gjeometrike (rrathët, trekëndëshat, kuadratet, rombet, motivet lineare dhe zig-zage etj); figurat antropomorfe (stilizim i njeriut) dhe figura zoomorfe (shqiponja, pëllumbi, gjarpëri, dragoi, flutura, bleta etj). I gjithë ky kompleks figurash, motivesh dhe simbolesh, qëndisen me penjë me spektër shumëngjyrësh si me penjë ngjyrë të kuqe (shpreh energji, vitalitet, kurajo, entusiazëm), shumica e luleve qëndisen me penjë ngjyrë të verdhë (simbolizon hyjnoren, shpresën, optimizmin), të tjerat me ngjyrë rozë (simbol i shpresës, i vajzërisë), të gjelbër (harmoni, ekuilibër), blu (qetësi, paqe); ngjyrë lejla aristokratike, e cila shpreh edhe mistere e magji; ngjyrë të bardhë (shpreh pastërtinë, lealitetin dhe virgjërinë e vajzave, andaj në xhubletat e vajzave mbizotëron ngjyra e bardhë). Në xhubletë mbizoteron ngjyra e zezë e fundit, e xhokës, e përparëses, e gunës, e brezit, e çorapeve etj. Ngjyra e zezë, krahas mistereve të territ dhe të panjohurës, shpreh elegancë, autoritet, seriozitet, prestigj, pavarësi, energji të brendëshme, siguri dhe impulse krijuese.
Në zbukurimin e xhubletës, sidomos në formimin e figurave gjeometrike, përdoren edhe rruazat shumë ngjyrëshe, paftet metalike me përmasa të ndryshme, shpesh dhe prodhime bronxi, tunxhi, argjendi e më rrallë prodhime ari. Sfondi i zi i xhubletës dhe i anekseve kompletohet me këtë kompleks elementesh shumëngjyrash, kësisoj realizohet veshja unikale iliro – arbërore – shqiptare me bukuri të rrallë magjepse, një vepër arti, që bashkëshoqëron bukurinë natyrale të vajzave dhe grave malësore.
Këmisha. Është veshje e brendëshme, përgjithësisht pëlhurë e bardhë, ose mëndafsh me ngjyra, e qepur nga gratë malësore. Për këmishën nevojiten 2 m pëlhurë. Këmisha përbëhet nga trupi, mangët, jaka e lartë, shpina, parmzat (pjesa e përparme). Jaka dhe parmëza e këmishës zbukurohen me motive lineare, ose zig-zage, të qendisur me penjë me ngjyra të kuqe, blu, të gjelbër, në disa raste zbukurohen me rruaza. Këmisha është e gjatë deri nën bel dhe fundi i saj nuk zbukurohet, pasi mbulohet nga fundi i xhubletës.
Kraholi. Punohet nga coha me ngjyra të ndryshme si e kaltër, e kuqe, e gjelbër. Kraholi ka mangët e gjata dhe grykë pak sa të hapur. Në grykë ka qafetën e kraholit, e punuar me rruaza të vogla dhe me rruaza të gjata. Përbëhet prej makave, grykës, qafetave, pasgrushtave, parmzës dhe shpinëzës. Ka një gjatësi gjer në bel.
Mallota. Është sako kadifeje dhe përbëhet nga shpina, dy parmzat, makat, pasgrushtat, xhepat, qafeta dhe brezi i gjatë me gjerësi mbi 5 cm, që lidhet në vend të rripit dhe është i së njëjtës ngjyrë me mallotën.
Grykcia. Është prej kadife me ngjyra të ndryshme. Në pjesën e përparme në mes, grykcia ka një pjesë të zbukuruar që quhet ”pafti i grykcës”, i punuar me fije argjendi. Pafti është pjesë dekorative, sfondi i të cilit mbushet me motive floreale të punuar me grep, ndërsa sinoret mbyllen me motive gjeometrike. Përmasat e kësaj pjese përafërsisht janë 40 x 40 cm, me grykë të hapur vezake, që zbret gjer në gjysmën e grykcës.
Brezi. Në varësi të përmasave trupore të gruas, prodhohet dhe brezi i xhubletës, i cili ka gjërësi të ndryshme, më i ngushti 5 cm dhe me i gjëri deri 20 cm, i zbukuruar me motive floreale të qendisura me penjë ngjyrë të
verdhë. Në brez varen viercat e peshtjellakut, bashkë me disa zbukurime të tjera si vargjet metalike.
Xhubleta e vajzave nuk ka brez, sepse sipas traditës brezi ishte atribut vetëm i grave të martuara.
Xhoka. Është veshje e pjesës së sipërme, e përshtatur formës të bustit të grave dhe vajzave, që rri lirshëm, por e ngrirë dhe pa shumë palosje. Xhoka qepet me copa stofi të zi për gratë dhe stof i bardhë për vajzat. Në pjesën e poshtme mblidhet me pala të dendura dhe me estetikë, për t’ia përshtatur perimetrit të belit të gruas apo të vajzës, një proçedurë teknike e vështirë, por e realizuar me mjeshtëri të admirueshme nga gratë malësore duararta. Dy buzët e pjesës së përparëshme të xhokës zbukurohen me qendisje motivesh gjeometrike dhe floreale, përgjithësisht me ngjyrë të verdha dhe shpesh vendosen pafta metalike. Në supet e xhokës vendosen thekë të shumtë e të gjatë, shpesh me ngjyrë të kuqe, por edhe të verdhë e në raste të rralla ngjyrë e zezë, që varen me hijeshi anash krahëve.
Përparësja (Pështjellaku i parë, boçja). Prodhohet me gjërësi 30 – 40 cm dhe gjatësi 80 – 100 cm, e ndarë në pesë pjesë nga materiali i cohës, kurse pjesa e shtrojës është punuar me tirk. Tirku punohet nga penjë leshi në tymen, i përzier, i tjerrë në bosht dhe i thurur në tezgjah, pastaj i rrahur dhe i forcuar në valanicë. Pafti i pështjellakut plotësohet me fije argjendi. Sfondi i paftit ndahet në tre pjesë të barabarta, që përfundojnë si lart dhe poshtë me motivin me formë të dhëmbëzuar, me vija zig-zage, e cila në pjesën e ngjitur me sfondin e përmbyll formën e trekëndëshave. Në pjesën e poshtme, aty ku përfundon sfondi, qendiset një motiv dekorativ në formë të një meandri (lule me kërcell gjarpërues), që zë pozitë horizontale dhe quhet leqe. Secila pjesë e paftit është e zbukuruar me rruaza me motive lulesh shumëngjyrëshe. Qëndisjet dhe thurjet e motiveve floreale dhe gjeometrike janë realizuar me 12 – 20 lloje ngjyrash, me mbizotërim i të verdhës dhe të kuqes. Në fundin e përparëses varen thekët me gjatësi dhe me ngjyra të ndryshme. Përparsja vishet në pjesën e përparme mbi fundin e xhubletës. Përparëset janë me shumë variacione dhe mund të jenë të thjeshta ngjyrë të zezë ashtu si prodhohen në tezgjah (4), mund të plotësohen me zbukurime të floreale dhe me figura zoomorfe, me në qendër shqiponjën (2), ose me figura gjeometrike lineare horizontale dhe vertikale (1), ashtu si plotësohet me qendisje komplekse floreale, gjeometrike dhe antropozzomorfe me shumë ngjyra.
At Bernardin Palaj në një studim të tij me titull “Veshja dhe zejtaria ndër male, botim i vitit 1943, në Bota shqiptare dhe në vitin 1944 në “Hylli i Dritës”, ndër të tjera shkruan: “Në shkosh në festë ndër malet e veriut të Shqipnisë, ke me u çuditë për ndryshimin e madh, që ka trajta e petkut që veshin granitë e Malësisë së Madhe, të Mirditës, Zadrimës, Pukës, Dukagjinit. Në katundet e Malësisë së Madhe bjen në sy Xhubleta në trajtë kumone, ndërsa në Dukagjin trajta e saj është më e përmbledhët. Zadrimorja e ka ruejtë koretin e vjetër; mirditorja djahengun (dallamë e leshtë e bardhë e punueme me spik e gajtana që veshin mirditoret) dhe stravecat (petk i vogël punue me tufa për me shtërngue dallmen në ije), ndersa kosovarja paranikët, bohçe që vihet perpara e mund të jetë leshi, ose pëlhure, e punueme për bukuri. Puna e dorës per gratë e maleve ma me rëndësi është xhubleta”.
Shamia. Në kokë gratë dhe vajzat mbajnë shaminë – rizen – rubën me thekë. Sipër saj vihet ”ruba rretit”, e cila punohet me penjë rroxet me grepa, zakonisht me motive floreale – lule të ndryshme që rriten në truallin e malësisë. Shamia mbulon pjesën e pasme të kokës, duke i lënë të dukëshme flokët në pjesën e përparme që thuren kaçurrela, ndërsa prapa lëshohen lirshëm. Ruba lidhej mbi gjysmën e prapme të kokës.
Kur vajza fejohej, qepte në xhubletë nje ”tentene” të punuar me grep nga peri i zi me motive gjeometrike, si shenjë që simbolizon dhe bën publike fejesën e saj.
Çorapet. Zakonisht punoheshin nga coha dhe tirku, por kanë dhe spik. Meqë kanë trashësi të dukshme dhe paraqesin vështirësi në të mbathur, iu bëhet një prerje për së gjati, që mbërthimi i tyre deri te shputa të bëhet me kamca. Çorapet zbukurohen me rruaza dhe tertil (fije teli). Këputa është punuar me penjë leshi me shtiza dhe përbëhet prej dy pjesëve, thembrës dhe këputës. Vajzat mbathnin çorapet të zeza deri mbi kyçin e këmbëve, ndërsa pjesa e sipërm është e bardha. Ky kombinim i të zezës me ta bardhën në thurjen me shtiza të çorapeve të vajzave, është komponent që shoqëron xhubletën e vajzave me spik të zi dhe rena të bardha.
Opingat. Punohen nga burrat me lëkurë të regjur gjedhi, të thuruna me ”përcageza” (shirita të hollë të prodhuara me lëkure dhije, të përdredhura në formë kordoni të hollë, me të cilët mblidhet qarku i opingës). Kishte edhe opinga nga ”saftjani”, por pjesën e fundme e kishin me lëkurë lope.
Stolitë. Në kompleksin e veshjeve me xhubletë janë edhe stolitë e shumta, të cilat shprehin nivelin ekonomuk të familjes. Ne disa veshje këto zbukurime mungojnë, ndërsa në shumicën e rastev janë varëse ari, ose argjendi, ose bakri, bronxi, tunxhi etj, vihen gjerdanë me rruaza, pafta të vogla filigrane, shirita me fije ari dhe fije argjendi, byzylykë të tipave të ndryshëm, shogëza në vend të rrypit të mezit, që në bashkësinë e tyre në kostumin hirosh të xhubletës, plotësojnë bukurinë natyrale të vajzave dhe grave shqiptare.
Kësisoj e kombinuar, xhubleta përfaqëson një institucion të lashtë të kulturës matriarkale, trashëgim i jetës dhe i kulturës materiale protoilire – ilire – arbërore, që ka mbijetuar denjësisht dhe ka arrijt deri në ditët tona me bukurinë dhe vlerat e saj historike, kulturore, estetike dhe etnografike shqiptare.
Xhubleta si komponent i kostumografisë tonë kombëtare, të mahnit me vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi, shajaku dhe kadifja, e cila njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve, por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike.
Më të çuditshme se aspektet materiale, janë teknikat e punimit të xhubletëve, që dëshmojnë lashtësinë 4000 vjeçare, pra si veshje me komponente arkaike, por me sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe etnografik, duke e sjellë antikitetin si postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike dhe kode enigmatike.
Xhubleta është kryevepra e kostumografisë iliro – arbërore – shqiptare, ështe vepër arti, është histori, është
kulturë shekullore, është traditë, është mit, është sofistikim estetik me zbukurime dhe qendisje floreale dhe gjeometrike me plot mistere të lashta pagane, me simbole antropozoomorfe dhe mistike, është vlerë materiale dhe shoqërore, është punim origjinal shqiptar unikal.
Që prej vitit 2022, xhubleta është përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO, në pritje të miratohet dhe të shpallet publikisht.