William Walker na fton të zgjohemi nga gjumi i gjatë me ëndrra të bukura
Nga Prof. Blerim Latifi
William Walker paska thanë : “Një shqetësim që kam është se kosovarët këtu dhe kosovarët në diasporë mendojnë se nëse diçka nuk shkon, Amerika do të hyjë dhe do ta zgjidhë situatën si ne në vitet ’90-ta. Nuk do të ndodhë”.
Janë fjalët e një njeriu që ka bërë shumë për ne, në orët më të liga të historisë sonë, dhe që ka dëshmu se vazhdon me qenë një ndër miqtë më të mëdhenj që kemi në botë.
Janë fjalë që na ftojnë të zgjohemi nga gjumi i gjatë me ëndrra të bukura, në të cilat luftërat për ne kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë dhe Amerika përgjithmonë do të kujdeset për ekzistencën tonë, pavarësisht kthesave që mund të marrin ngjarjet në historinë botërore.
Janë pikërisht këto ëndrra që na kanë mbjellur mentalitetin e dembelit dhe atdhetarizmin e rrjeshëm, nën të cilin ka rilulëzu bindja për shtetin si favor personal, e jo si mekanizëm i domosdoshëm i ekzistencës kolektive, në të cilin duhet të investojmë të gjithë, në mënyra të ndryshme dhe vazhdimisht.
___________
Fillimi i viteve ’90. Kosova gjendet nën terrorin shtetëror serb. Shqiptarët janë dëbuar nga vendet e punës, nga institucionet, fakultetet e shkollat. Policët serbë patrullojnë rrugëve si gangsterë të dehur. Maltretimi dhe rrahja e shqiptarëve kthehet në kënaqësi ditore për ta. Një popull i tërë ndodhet në panikë. Dhe në këtë panikë qet krye një fenomen retrograd: njerëzit nisin t’i ndalin vajzat e tyre nga shkolla. Shkaku: frika e maltretimit prej policëve serbë. Në Drenicë një grua guximtare shkon shpi për shpi katundeve për t’i bindur baballarët që të mos i ndalin vajzat nga shkolla. Sepse serbët pikërisht këtë e donin.Të na kthenin në kohët e shkuara. Nê mjerimin e tyre. Luftëtarja përballet me shumë vështirësi. Rojtarët e mentalitetit të mykur patriarkal ende kolliten prapa mureve të larta. Por ajo ia del. Guximi i saj jep fryte. Në vitin 2019 ajo vdes, si pasojë e një sëmundje të rëndë. Sot ekzistojnë kush e di sa shoqata që luftojnë për të drejtat e grave, por asnjëra nuk është kujtuar të marrë emrin e kësaj heroine të emancipimit të gruas, e cila quhej Ajnishahe Halimi. Shembulli i saj na e përkujton një gjë themelore: emancipimi i gruas bëhet nga ato gra e burra që përnjëmend besojnë dhe duan barazinë gjinore, e jo nga ato ose ata që kauzën e barazisë gjinore e shfrytëzojnë për të zhvatur fonde kombëtare e ndërkombëtare.
___________
Vjeshtë e vitit 1912. Ushtritë serbe marshojnë në Kosovë. Kudo ku shkelin, lënë prapa shkatërrim e vdekje.Nga Merdarja në Shkup rrugët janë të mbushura me kufoma shqiptarësh të masakruar. Një gazetar i huaj i sheh me sy këto skena të llahtarshme dhe i pari i raporton botës.
Është hebreu Leon Trocki.
Janar, 1999. Një masakër e llahtarshme kryhet nga policia serbe mbi civilët shqiptarë në fshatin Reçak. Një gazetar i huaj arrin i pari në skenën e krimit dhe i pari i raporton botës.
Është hebreu Tzur Shezaf.
___________
Nga Lev Trocki [1912] e deri tek William Walker[1999] të shumtë ishin dëshmitarët që e panë dhe ia treguan botës masakrimin e shqiptarëve të Kosovës nga regjimet e ndryshme serbe. Me kalimin e kohës këto dëshmi i mbulonte pluhuri i harresës. Ajo harresa e ftohtë e arkivave diplomatike dhe arkivave të shtypit, për të cilat interesohej vetëm ndonjë historian i pasionuar me historinë e Ballkanit. Dhe ndërkohë harrimi i krimeve ndillte krime të reja. Me 15 janar të vitit 1999, në Reçak, ky cikël tragjik i krimit dhe harrimit, do të mbyllej përfundimisht. Falë njeriut William Walker, i cili u ndodh aty për ta shënuar çastin fatlum të historisë tonë: përputhjen e të vërtetës, të drejtësisë dhe të fuqisë, përputhje nga e cila do të dilte Liria e Kosovës.
___________
Liria dhe pavarësia e Kosovës ishin produkte të një kohe kur bota dhe Amerika besonin se kjo e fundit kishte për mision përhapjen nëpër botë të demokracisë, të lirive e të drejtave të njeriut. Kjo nënkuptonte luftën kundër diktatorëve dhe krimeve të tyre.
Sot ne po jetojmë fundin e kësaj filozofie amerikane të historisë. Tash secili duhet të kujdeset për çatinë e tij, sepse nuk ka asnjë garanci se zjarrfikësi amerikan do të vijë kur të shpërthej zjarri.
Po ne si e kemi gjendjen në raport me këtë zhvillim epokal?
Ne ende jemi në gjumë. Në gjumin e ëndrrave të bukura, në të cilat Amerika përjetësisht kujdeset për sigurinë tonë dhe nxjerrjen nga gropat septike ku e hudhim veten herë pas here, si pasojë e mbrapshtive tona kronike.
___________
1 milion e 100 mijë njerëz janë vrarë në dhomat e gazit në Auschwitz- Birkenau, kampi ma i madh i Holokaustit. 90 për qind e tyre hebrenj. Komandanti i këtij kampi ishte Rudolf Höss, i cili pas luftës u kap duke u maskuar si një fermer i varfër. Ai u dënua me varje, pikërisht në vendin e tij të krimit, aty midis njërës prej dhomave të gazit dhe shtëpisë së tij private, ku ai, mbrëmjeve, pas “punës”, argëtonte fëmijët e tij me piano dhe lexime poetike. Vendvarja e tij ende sot qëndron si dëshmia e fundit e ekzistencës së këtij monstrumi mbi tokë. Dhe si dëshmi se çfarë monstruozitetesh mund të prodhojnë ideologjitë e liga.
___________
Një klerik italian, Giovanni Peragine, qenka zgjedhur arqipeshkv i ri i Shkodrës. Hyna me pa profilin e tij dhe e dëgjova një predikim të tij në Katedralen e Shkodrës. Fliste me një shqipe të kulluar dhe, veç ruajtjes së besimit në Zotin, bënte thirrje edhe për besnikëri ndaj atdheut. Kjo ka ndodhur e vazhdon të ndodhë veç të Kisha Katolike dhe misionarët protestantë. Fjala është për ekzistencën e një tradite të gjatë që e ka normë të brendshme të saj respektimin dhe nderimin e gjuhës dhe identitetit të vendasve.
Fatkeqësisht kjo nuk ndodhë me misionarët e feve tjera. Vijnë imamë nga Turqia e vendet arabe dhe veç faktit se nuk njohin asgjë nga gjuha dhe kultura shqiptare, shpesh edhe i përçmojnë ato hapur në predikimet e tyre. Njësoj ndodhë me klerin ortodoks grek. Ndërsa për popat serbë s’kemi çka flasim. Dihet gjithçka për qendrimet e tyre historike dhe aktuale ndaj shqiptarëve.
___________
Nacionalizmi i hapur ekonomik i Trump, si dhe goditja e rrufeshme që ai po u bën mekanizmave dhe organizatave transnacionale, natyrshëm kanë me çu në një ringjallje globale të nacionalizmit.
Ëndrra e dikurshme e globalistëve për “fundin e kombeve”, tani veç mund të përfshihet në katalogun e parashikimeve të dështuara të historisë.
Parulla e re e kohës që po vjen është kjo: Secili komb për veten!
___________
Politika e Trumpit për imigrantët do ketë domino efekt të pashmangshëm në ardhjen në pushtet në Europë të partive të djathta që janë kundër imigracionit. Kohës kur ke mundur me shku në Perëndim, me hangër bukën e tij dhe pastaj me pshty në fytyrë Perëndimin, po i vjen fundi. Kush mendon se mundet me vazhdu me të njëjtin avaz, shpejt ka me e kuptu se ka ardhur momenti me i paketu teshat.
Gjithçka në kët’ botë e ka një fund. Pra edhe mosmirënjohja.
___________
Në historinë e artit manipulimi me perspektivën pamore ka kriju vepra të mëdha artistike.
Në Kosovë manipulimi me perspektivën pamore i ka kthy sallat e mjera të qyteteve tona në megahapësira, që s’ua gjenë shoqet as në shtetet ma të zhvilluara të botës.
___________
Gjesti këndej, Gjesti andej. Gjithandej rrjeteve sociale. Thash ta shoh kush është ky tip kaq i famshëm. I pashë disa video të shkurtra të tij nga Big Brother Albania. Tipi, palaço tipik. Klloun, në kuptimin klasik të fjalës. Dhe, me gjasë, edhe analfabet. Pastaj ankohemi për promovimin e budallallëkut dhe idiotizmit nga TikToku kinez.