23/12/2024

VRASJA E ENVER MALOKUT – ATENTAT NDAJ INSTITUCIONIT TË SHTETIT TË KOSOVËS

0
u6_Jusuf-Buxhovi

Përkujtesë nga Jusuf Buxhovi

Vrasja e Enver Malokut,  gazetarit dhe veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 11 janar 1999, paraqet atentatin e sofistikuar ndaj institucionit të rëndësishëm të shtetit të Kosovës dhe të konceptit të saj të vendosur mbi rezistencën intitucionale. Qendra Informative e Republikës së Kosovës (QIK), përgjegjëse për informimin, drejtor i së cilës ishte Enver Maloku,  prej kohësh kishte marrë rolin e agjencisë shtetërore në përmasat e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Shkrimet e QIK-ut konsideroheshin burime zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe shtetit paralel, të cilave u referoheshin agjencitë meritore botërore. Po ashtu, raportet ditore të QIK-ut, gjenin vend në biltenet zyrtare shtetërore të SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të NATO-s, pa përjashtuar këtu edhe ato të disa vendeve latino-amerikane dhe afrikane. Prandaj, atentati ndaj drejtuesit të saj, ishte atentat ndaj shtetit të Kosovës dhe infrastrukturës së tij kredibile informative, që përhapte të vërtetën në botë, në mënyrë që ajo të mjegullohej ose të zëvendësohej me burime të tjera, në përputhje me interesat e faktorëve të ndryshëm, që u pengonte.

Fakti që Enver Maloku është vrarë si Drejtor i Qendrës Informative të Republikë së Kosovës, të shumtën është anashkaluar ose edhe harruar. Madje edhe në përkujtimet partiake, me atributet e natyrës patetike-folklorike, habitshëm është zhveshur nga ky ofiq! Kjo tregon se shteti i Kosovës  dhe historia e tij e ndërtimit të brendshëm, edhe në saje të anemisë së strukturave drejtuese të LDK-së në të të akomoduar në këtë amnezi, ende gjithnjë vazhdon të vetëprivohet nga e verteta rreth shtyllave institucionale dhe rolit të tyre ashtu si duhet mbi të cilat u ndërtua dhe veproi për të ardhur deri te koha jonë.

Këtë e pasqyron edhe lapidari i tij në Prishtinë, pa asnjë informacion të kësaj natyre, siç e pasqyron edhe ai i Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës, pa atributin e Presidentit të Kosovës dhe pa datën e lindjes dhe të vdekjes. Kjo sjellje bën me dije  se disajneret e memories sonë historike dhe kulturore nëpër lapidare dhe përkujtesa tashmë kanë pranuar diktatin religjioz – (njeriu nuk ka vdekje, pos amshim), ose atë ideologjik –  (heronjtë nuk vdesin, andaj kjo nuk u shënohet)!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok