VRASJA E DISIDENTËVE KROATË DHE E VEPRIMTARËVE SHQIPTARË NGA SHËRBIMI SEKRET JUGOSLLAV
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Drejtoria e Sigurisë Shtetërore ka qenë polici sekrete gjatë Jugosllavisë së dytë. U themelua në vitin 1946, me shndërrimin e OZNA-s në shërbim informimi ushtarak KOS dhe në UDB civile. Prej vitit 1966, zyrtarisht është përdorur termi Shërbimi i Sigurisë Shtetërore (ShSSh; serbisht: SDB; kroatisht SDS). Me ndihmën e një numri të madh të spiunëve, ka shërbyer edhe si mjet i frikësimit dhe terrorit kundër disidentëve dhe kritikëve të regjimit.
UDB-ja ka qenë e organizuar në nivel njësish federale, kështu që shtetet e dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë vazhduan t’i përdorin ato struktura shtetërore në territoret e veta. Sot në Serbi vepron agjencia e riorganizuar me emrin Agjencia Informative e Sigurisë (BIA). Në Maqedoninë e Veriut, në vitin 1995, shërbimi u riemërua në “Agjenci Informimi.” Në prill 1991, Shërbimi i Sigurisë Shtetërore u riemërua në “Shërbim të Mbrojtjes së Rendit Kushtetues” që mori pjesë në Luftën për Atdhe (Domovinski rat)
Pas rënies së komunizmit, një pjesë e madhe e udbashëve në Kroaci, nën mbikëqyrjen operative të politikanit jugosllav dhe kroat Josip Manoliq (Kalinovac, Kroaci, 1920 – Zagreb, 2024) kaloi në shërbimet sekrete kroate të sapoformuara. Në Kroaci, sipas të dhënave të vitit 2011, mesatarja e pensionit “të punëtorëve në punë të caktuara” (në UDB), të cilët kanë pasur pensione të favorizuara ka qenë 3.736.47 kuna. Pensione të tilla kanë marrë 16.314 veta punëtorë të UDB-s. Shumë ish-agjentë të UDB-s janë pranuar në Kroacinë e pavarur në shërbime sigurie dhe informimi.
Prej vitit 1966, UDB-ja vazhdon të veprojë me emrin Shërbim i Sigurisë Shtetërore, me ç’rast janë përdorur emërtimet kolokviale Shërbimi dhe UDB-ja.
Një pjesë e publikut në Kroacinë e sotme fjalën UDB-a e përdor në një kuptim të ri, si emërtim për gjoja një mjedis ndikues të cilin e kanë formuar pjesëtarët e sistemit të informimit të ish-regjimit komunist. Për ta, UDB-ja është “rrjet joformal ndër vite i fshehtë, i depërtuar në sekrete, me shumë lidhje të rëndësishme në vend dhe në botën e jashtme dhe financiarisht plotësisht i siguruar, që i mbikëqyr dhe i udhëheq prapa skene të gjitha proceset e rëndësishme të shtetit.
UDB-a ka qenë e organizuar në përputhje me strukturën federale të Jugosllavisë komuniste, kështu që kanë ekzistuar “shërbimet” republikane, kurse “Shërbimi” federativ kryesisht e ka bashkërenduar punën e shërbimeve republikane të cilat i mbanin drejtpërdrejtë agjentët e tyre edhe jashtë vendit. Në njëzet vitet e para të qeverisë komuniste, UDB-a ka pasur mbi një milion dosje personale të qytetarëve kroatë.
UDB-a u formua në mars të vitit 1946, pas riorganizimit të OZNA-s, shërbimit nën mbikëqyrjen dhe bashkërendimin e të cilit janë kryer krime ndaj civilëve kroatë dhe të burgosurve të luftës pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1966 UDB-a u transformua në Shërbim të Sigurisë Shtetërore. Si shërbim civil i kundërzbulimit ndodhej në përbërje të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme (SFPB). Në atë kohë, ajo që në shumë vende të botës quhej “ministri”, në Jugosllavi quhej “sekretariat”. Shërbimi i Sigurisë Shtetërore përbëhej prej katër sektorëve kryesorë që janë marrë:
– me armiqtë e brendshëm (nacionalizmi, Kisha etj.);
– me emigracionin (kroat, shqiptar, serb etj.);
– me shërbimet e huaja të informimit;
– me teknikën e përndjekjes dhe të përgjimit.
Që nga fillimi i vet, UDB-a ka qenë instrument i regjimit të Titos. Detyrë kryesore e saj ka qenë të ndjekë dhe të përgjojë personat të cilët kanë paraqitur rrezik për regjimin e atëhershëm, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë tij. Shpeshherë zbatonte edhe terror shtetëror nëpërmjet vrasjeve, kryesisht të disidentëve – emigrantëve nga ish-Jugosllavia, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, të cilët panë paraqitur rrezik për Jugosllavinë.
Në vitin 1960 e këndej, personat me interes të veçantë “nga pikëpamja e kundërzbulimit dhe e sigurisë” kanë qenë të sistemuar në dy kategori kryesore – ata që jetojnë në Jugosllavi dhe ata që jetojnë jashtë vendit. Midis atyre që jetojnë jashtë vendit, kanë qenë “interesantë” sidomos ata të cilët e kanë braktisur vendin gjatë kohës së luftës apo menjëherë pas saj. Pasojnë personat të cilët më vonë ilegalisht e kanë braktisur Jugosllavinë. Deri në fund të vitit 1960 ka qenë shumë vështirë të emigrosh ilegalisht, kështu që ka qenë e përhapur “ikja” nga vendi. Prej personave që kanë jetuar në Jugosllavi, me interes kanë qenë ish pjesëtarët e formacioneve ushtarake dhe paraushtarake të cilët në Luftën II Botërore kanë qenë në anën e Fuqive të Boshtit. Pasojnë personat e organizatave politike të lidhura me ato formacione, personat e dënuar për veprimtari kundërshtetërore, personat që janë kthyer nga bota e jashtme, personat në lidhje “të çuditshme” me botën e jashtme, personat që kanë pasur lidhje personale apo nëpërmjet letërkëmbimit me diplomatë të huaj, personat që kanë poseduar armë, personat me sjellje “të paparashikueshme” dhe personat të prirë për t’u paraqitur ankesa udhëheqësve më të lartë. Duke përcjellë kontaktet sociale të personave “me sjellje të çuditshme” identifikoheshin persona të tjerë të cilët viheshin nën mbikëqyrje. Kur ka qenë e mundshme, disa prej personave “të çuditshëm” i nënshtroheshin “përpunimit” sigurues. Ata janë shfrytëzuar si konfidentë (të besueshëm). Nëpërmjet tyre janë mbledhur të dhëna për veprimtaritë e personave të tjerë. Përpos prej spiunëve (informatorëve) llojesh të ndryshme, informata për “armiqtë” janë grumbulluar duke përgjuar telefonat, duke vendosur pajisje përgjuese në hapësira, duke kontrolluar postën, duke kryer kontrolle sekrete me ç’rast janë fotografuar dokumentet e gjetura, nëpërmjet ndjekjeve sekrete, duke thirrur në biseda informative etj. Në bazë të informatave të mbledhura, UDB-a ka vendosur se cilat metoda pune eventualisht do t’i ndërmarrë më vonë ndaj personave të mbikëqyrur – burgosje, komprometim në mjediset e veta duke përhapur dezinformata, konfiskim i pasaportave deri në përpjekje për rekrutim.
Në periudhën e viteve 1946-1990, UDB-a ka vrarë 69 disidentë kroatë, kurse tetë disidentë janë zhdukur pa gjurmë. Këto janë të dhëna të Komisionit për përcaktimin e viktimave të luftës dhe të pasluftës, përkatësisht të Këshillit për përcaktimin e viktimave të pasluftës të sistemit komunist të vrarë në botën e jashtme.UDB-a ka kryer 24 atentate të pasuksesshme ndaj emigrantëve kroatë, viktima që kanë përjetuar plagosje trupore të lehta apo të rënda. Tre disidentë kroatë janë rrëmbyer, kurse katër të tjerë ia kanë dalë të shpëtojnë nga rrëmbimi. Krimi më i njohur i këtij shërbimi jugosllav është vrasja në Paris e emigrantit dhe udhëheqësit kroat Ante Bruno Bushiq (Donji Vinjani, Kroaci, 06.10.1939 – Paris, 16.10.1978) më 16 tetor 1978 si dhe vrasja në Wolfratshausen e ndërmarrësit, shkrimtarit dhe publicistit – disidentit kroat Stjepan Gjurekoviq (Bukovac, Serbi, 08.08.1926 – Wolfratshausen, Gjermani, 28.07.1983) më 28 korrik 1983.
Në vitin 1960 në Buenos-Aires, në sallën e Shtëpisë kroate u aktivizua një bombë. Nga shpërthimi i saj humbi jetën edhe vajza trevjeçare Dinka Domançinoviq. Ky aksioni ishte ndërmarrë kundër fëmijëve. Në sallën e sipërthënë kremtohej dita e fundit e vitit shkollor. Dinka ka qenë viktima më e vogël e UDB-s, përkatësisht e komunizmit jugosllav.
Sipas njoftimeve të Shërbimit kroat të Sigurisë Shtetërore, në periudhën e viteve 1979-1980 preokupime kryesore kanë qenë ndjekja e disidentëve politikë dhe e personave që vijnë në kontakt me ta, përcjellja e punës së bashkësive fetare si burim i përhershëm i mospajtimit me sistemin komunist, përcjellja e veprimtarive të “emigracionit armiqësor” dhe e punës së shërbimeve të huaja të informimit.
Struktura e UDB-së – Historiani kroat, pjesëmarrës vullnetar i Luftës së Atdheut, Dr. Prof. Josip Jurçeviq (1951- ), në librin “Rasti Perkoviq: shpëtimi i së ardhmes kriminale” thotë se 90 për qind e veprimtarëve të Shërbimit të periudhës komuniste jugosllave të vitit 1990 kanë vazhduar të punojnë edhe në strukturat e Kroacisë së pavarur.
Shënim: Josip Jurçeviqi është autor edhe i veprës “Libri i zi komunizmit në Kroaci”.
* * *
Kah fundi i vitit 1989 në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore – në degën kroate të UDB-së, kanë qenë të punësuar 854 veprimtarë. Prej tyre, 750 kanë vazhduar të punojnë edhe pas rënies së komunizmit, kurse vetëm dhjetë për qind kanë kërkuar të pensionohen. Në rajonin e Zagrebit, në vitin 1978 UDB-a (Shërbimi i Sigurisë Shtetërore) ka pasur 297 agjentë, të ashtuquajtur “punëtorë operativë.” Prej tyre, 186 kanë qenë të përfshirë në “përpunime operative” kundër “mbartësve të veprimtarisë armiqësore”. Secilit prej 186 agjentëve i takonin mesatarisht nga 11 “persona për përpunim”, përkatësisht persona të dyshimtë. Rrjeti “i bashkëpunëtorëve” të cilët për kohë më të gjatë kanë qenë të angazhuar për t’u ndihmuar “punëtorëve operativë” ka pasur 862 veta. Përpos kësaj, është vendosur edhe bashkëpunim ad hoc me “lidhjet operative”, me personat të cilët për kohë më të shkurtër kanë qenë të angazhuar për të mbledhur informata për shërbimin.
Objekt interesimi në zonën e Zagrebit pikësëpari kanë qenë grupet e personave të cilët kanë qenë ithtarë të nacionalizmit kroat si dhe kleri katolik. Objekt interesimi të Shërbimit ka qenë disi edhe personat të cilët e kanë adhuruar Bashkimin Sovjetik, të ashtuquajturit “mbartës të veprimtarisë burokratike-dogmatike” si dhe “informbiroistët”, përkatësisht personat të cilët qysh në vitin 1940 e këndej kanë qenë të evidencuar si adhurues të BRSS-së. Pasojnë ithtarët e nacionalizmit serb, kleri i Kishës Ortodokse Serbe. Janë përcjellë edhe të ashtuquajturit “anarkoliberalët”, përkatësisht intelektualët që kanë anuar nga Perëndimi, të cilët, për dallim nga nacionalistët kroatë, nuk e kanë konsideruar të nevojshme shpërbërjen e Jugosllavisë. Krahas kësaj, është përcjellë edhe veprimtaria e shërbimeve të huaja të inteligjencës të cilat kanë vepruar për grumbullimin e informatave për gjendjen në Jugosllavi, kurse agjenturat e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera të Evropës Lindore kanë përhapur propagandë permanente. Është ndjekur edhe rrethi i udhëheqësve komunistë kroatë të shkarkuar, siç kanë qenë politikania dhe ekonomistja Savka Dabçeviq-Kuçar (Korçullë, 06.12.1923 – Zagreb, 06.08.2009) dhe politikani jugosllav e kroat Miko Tripalo (Sinj, Kroaci, 16.11.1926 – Zagreb, 11.12.1995).
Një prej drejtimeve kryesore të UDB-së ka qenë shkaktimi dhe thellimi i përçarjeve dhe i zënkave brenda grupeve që kanë qenë objekt i përpunimit informativ (inteligjent). Ka pasur edhe raste që emigrantë politikë të jenë eliminuar.
Lloje bashkëpunëtorësh t UDB-së – Në agjenturën e UDB-së kanë ekzistuar tre lloj bashkëpunëtorësh:
– informatorët – kanë njoftuar për veprimtaritë armiqësore, kudo të jenë paraqitur;
– rezidenti – ka qenë bashkëpunëtor sekret i Drejtorisë së Sigurisë Shtetërore (i UDB-së), i cili i ka mbajtur në lidhje një numër të caktuar informatorësh dhe drejtpërsëdrejti i ka udhëhequr ata. Rezidentin e gjen dhe e rekruton punëtori operativ;
– agjenti – ka qenë bashkëpunëtor i kualifikuar i UDB-së i cili për nga pozita në rrethimin antipopullor, për nga vetitë dhe aftësitë informuese ka mundësi të depërtojë thellë në rrethin armiqësor dhe plotësisht ta zbulojë veprimin e tij. Agjentët janë lloji më i vogël i bashkëpunëtorëve, por për nga aftësitë e tyre informuese, mundësitë për punë dhe rezultatet e punës – janë më të dobishëm.
“Armiqtë e shtetit” UDB-a i ka vrarë, i ka rrëmbyer, ndaj tyre ka organizuar atentate i ka zhdukur.
Vrasjet e kryera nga UDB-a – Për vrasjet ka vendosur Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve nga republika të cilës i ka përkitur personi që është dashur të vritej. Vendimet në Republikën Socialiste të Kroaci i ka marrë sekretari i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Kroacisë.
Spiunët dhe agjentët e UDB-s në vende të ndryshme kanë kryer një numër të madh vrasjesh të disidentëve kroatë. Ndaj politikanit, mjekut dhe publicistit kroat Branimir “Branko” Jeliq (Donji Dolac afër Omishit, 28.02.1905 – Berlini Perëndimor, 31.05.1972) UDB-a ka kryer katër atentate. Në tre prej tyre ka mbijetuar. Në atentatin e katërt të vitit 1972 – e kanë vrarë. Të rrallë janë ata që kanë mundur t’u shpëtojnë atentateve. Një prej tyre që i ka shpëtuar atentatit ka qenë emigranti politik kroat Nikolla Shtedull (Reshetarevo, 02.12.1937 – vdiq në Kroaci, 15.03.2022). Atentati ndaj tij u krye nga bashkëpunëtori apo agjenti i UDB-së Vinko Sindiç (Stara Gradishka, Kërk, Kroaci, 29.09.1943 – ) në vitin 1988 në Skoci, në Kirkcaldyj. Viktima i shpëtoi sulmit.
Në Kroaci ende nuk janë zbatuar procedurat juridike kundër bashkëpunëtorëve kriminelë të UDB-së. Jurisprudenca gjermane ka zhvilluar procedurë gjyqësore kundër disa ish-bashkëpunëtorëve të policisë sekrete për shkak të vrasjes së emigrantit kroat Stjepan Gjurekoviq (1926-1983). Në aktgjykimin për atë vrasje Gjykata e Lartë e Vendit në Munih, në vitin 2008 e dënoi Krunosllav Prates me dënim të përjetshëm. Në aktgjykim thuhet se “në Gjermani, që nga koha e luftës e deri në vitin 1989, për shkaqe politike janë vrarë 67 kroatë. 22 vetë janë vrarë në atentate të kryera pas vitit 1970. Duke marrë parasysh faktin se ndërkohë të gjitha motivet e tjera përjashtohen, mund të konstatohet se atentatet janë organizuar nga aparati i sigurisë i Jugosllavisë.”
Agjenti i UDB-s Josip Perkoviq (Liçko Novo Selo, 17.05.1945- ) është kërkuar për shkak të dyshimit për përfshirje në vrasjen e Stjepan Gjurekoviqit në vitin 1983. Josip Perkoviqi dhe Zdravko Mustaç (Zagreb, 23.01.1942- ), më 3 gusht 2016, në gjykatën e Munihut u shpallën fajtorë për përfshirje në vrasjen e Stjepan Gjurekoviqit në Gjermani në vitin 1983 dhe u dënuan me dënime të përjetshme.
Shënim: Zdravko Mustaç (1942- ) ka qenë ish-shef i shërbimit sekret jugosllav – UDB dhe agjent kroat i nivelit të lartë i viteve 1990 e këndej.
Obstruksionet dhe trysnitë mbi dëshmitarët – Për asnjë nga këto krime, në Kroaci deri më tani nuk është zhvilluar procedurë gjyqësore. Jurisprudenca kroate ka refuzuar bashkëpunimin me autoritetet gjermane. Sipas analizës së shoqatës joqeveritare, përkatësisht Klubit të kroatëve të kthyer nga emigracioni, hetimin dhe gjykimin e Krunosllav Prates-it e kanë penguar persona të ndryshëm të afërt me strukturat e UDB-s. Bernd von Heintschel-Heinegg (1945- ) si kryetar i Gjykatës Vendore Supreme të Bavarisë, në vitin 2008 në Munih e akuzoi kryetarin e atëhershëm kroat Stjepan Mesiq (Orahovica, Kroaci, 1934- ) për përzierje në procedurën gjyqësore për vrasjen e disidentit Stjepan Gjurekoviq. Sipas Heintschel-Heinegg, Mesiqi ka ushtruar trysni mbi dy dëshmitarë që jetojnë në Kroaci. Krimet komuniste edhe më tej mohohen, relativizohen ose arsyetohen si ‘antifashiste.’
Vrasja e veprimtarëve shqiptarë që punonin dhe vepronin në Perëndim – UDB-ja ka kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve. Prej krimeve të këtij shërbimi sekret famëkeq kanë pësuar shumë shqiptar. Në vitin 1981 u vra në Belgjikë Vehbi Ibraimi. Në vitin 1982 u vranë në RF Gjermane Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Në vitin 1990 u vra në Belgjikë Enver Hadri.
Shënim:
Vehbi Ibrahimi (Margesh, Gjilan, 23 maj 1938 – 10 tetor 1981) ishte kryetar i Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare me seli në Bruksel të Belgjikës.
Jusuf Gërvalla (Pejë, 1 tetor 1943 – Untergruppenbach, Gjermani, 17 janar 1982) ishte veprimtar, shkrimtar, muzikant, themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Autoritet shtetërore gjermane kanë lajmëruar se janë vrarë tre shqiptarë të Kosovës. Pas kroatëve në mërgim, UDB-ja jugosllave u ka shpallur luftë të përgjakshme edhe shqiptarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Perëndim.
Bardhosh Gërvalla (Dubvik të Deçanit, 23 shkurt 1951 – Untergruppenbach, Gjermani, 17 janar 1982);
Kadri Zeka (fshati Poliçkë, Malësi e Dardanës/Kamenicës, 25 prill 1953 – Untergruppenbach, Gjermani, 17 janar 1982)
Enver Hadri (Lindi në Kosovë më 2 prill 1941, ndërsa u vra në atentat në Bruksel nga UDB-ja jugosllave, më 25 shkurt 1990).
* * *
Dosjet e UDB-s – Bashkëpunëtorët e UDB-s dyzet e pesë vjet kanë mbledhur të dhëna për të ashtuquajturit “armiq të popullit/” Në periudhën e viteve 1945-1990 UDB-ja ka ndjekur të paktën 66.870 qytetarë. Dhjetëra mijë dosje tani ndodhen në Arkivin Shtetëror Kroat. Çdo qytetar që dëshiron një gjë të tillë, pas një procedure të caktuar mund ta shohë dosjen e vet.
Qytetarët e ish-Gjermanisë Lindore, rumunët dhe çekët mund t’i shohin dosjet si edhe emrat e agjentëve prej të cilëve janë ndjekur, kurse në Kroaci mund të shihen vetëm emrat me kode të agjentëve.
Parlamenti Evropian, në pikën 16 të Rezolutës për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor (2021/2002(INI) të datës 15 dhjetor 2021 ka theksuar “se lidhjet midis krimit të organizuar, politikës dhe ndërmarrjeve kanë ekzistuar para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ato vazhdojnë prej viteve ’90 të shekullit XX”.
Duke qenë se të dhëna të rëndësishme për lidhjet e tilla ndodhen në arkivat e shërbimeve sekrete jugosllave, Parlamenti Evropian “e dënon mospasjen e vullnetit të organeve kompetente për t’i hapur arkivat e ish-Jugosllavisë, ndaj përsëri bën thirrje për hapjen e tyre, e sidomos të mundësohet qasja dosjeve të ish-shërbimit sekret jugosllav (UDB-s) dhe të Shërbimit të Kundërzbulimit të Armatës Popullore Jugosllave (KOS) dhe ato dosje t’u kthehen qeverive përkatëse po qe se e kërkojnë një gjë të tillë.”
UDB-ja sot – Njëzet vjet pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kroacisë asnjë prej udbashëve të dikurshëm nuk është përgjigjur për krimet e kryera. Duke marrë parasysh faktin se në organet ekzekutive, në gjykata dhe në organizatat e tjera shtetërore nuk kanë mundur të punësohen njerëz që nuk kanë qenë të besueshëm për UDB-në dhe që nuk janë verifikuar, ish-udbashët kanë vazhduar t’i mbajnë pozitat e rëndësishme në organet e pushtetit apo ato t’ua lënë pasardhësve të vet.
