25/12/2024
u6_Edison-Ypi

Nga Edison Ypi

Pse shqiptarët vrasin dhe vriten më së shumti nga Tapiza në Lezhë, ka disa arsye.

Në Lindje male të larta, vende të shenjta, rrënoja kështjellash të lashta.

Gryka e Matit ose “Metropoli i Erërave” thith nga Dibra dhe Mirdita mistikën rrënqethëse të kontinentit.

Në Perëndim fërgëllimi i blertë i Malësisë së Ishmit, deti blu, kisha të lashta, fortesa antike detare që ndryjnë mistere luftërash të vjetra.

Lagunë e butë me zhaba, peshq, ngjala.

Rretheqark fusha të begata.

Mbi kokë, qielli plot dritë.

Nën këmbë, uji i hatashëm i Fushë Kuqes.

Nuk ka qënie njerëzore që nuk turbullohet ndaj këtyre magjirave. Por rezistenca për tu mposhtur nga bukuria ndryshon nga njeriu tek njeriu.

“Pakica e Lumtur”, super të ndjeshmit, para këtyre bukurirave, nuk rezistojnë dot, lodhen, ikin nga fiqiri, gremisen, rrokullisen, vrasin, vriten.

Lugina e Shkumbinit, është një vend tjetër ku shqiptarët vrasin dhe vriten në mënyra nga më makabret. Sapo nisesh nga Divjaka drejt lindjes, të gjithëve që sheh anës udhës ke një qef të brendshëm tu heqësh  nga një të rrahur.

Nga Quksi e tutje, gjallërohet instinkti vrastar.

Devolli, Prespa, Mali i Ivanit, erërat kontinentale, zhurmimi i largët i Karpateve, janë magjira që nuk durohen, të ngjallin dëshirën për vrasje.

Në myzeqe, afërsia me detin, drita e Qiellit, trullosja që vjen nga nëntoka me naftë, janë arësyet pse myzeqarët vrasin dhe vriten.

Përgjatë Rivierës i vret ose të vrasin sepse mbi ato truaj mund të ndërtohen hotele dhe restorante me fitime marramendëse.

Sa i përket vrasjeve në Luginën e Vjosës, vijnë ngaqë në trekëndëshin Fier – Gjirokastër – Leskovik nëntoka përmban fosfor që ndriçon mendjet, duke i bërë ato mendje të papërmbajtura në përdorimin e thikave, hanxharëve, sqeparëve, kazmave, tritolit, kobureve, Kalashnikovave.

Skraparllinjtë dhe kolonjarët as vrasin as vriten. Jo se u mungojnë shkaqet. Se Tomorri, Gramozi, Guri i Miçanit, Abas Aliu, Teqeja e Prishtës, Teqeja e Alipostivanit, Vërra e Nuses, Kanionet, efekti çudibërës i prezencës së të cilave është i provuar edhe shkencërisht, ato aty janë, por sepse sapo skraparlliu dhe kolonjari ngrenë sqeparin për t’i rënë tjetrit, apo sapo kanë mbaruar së lidhuri nyjen e litarit për të varur veten, vjen i pickon një mizë rrëzë veshit, merren me mizën dhe harrojnë vrasjen.

Kronika e varfër e vrasjeve në Dumre, Gramsh, Kavajë, Malësinë e Rrogozhinës, Pukë, Malësinë e Madhe, dhe disa vende të tjera, spjegohen me faktin se në këto vende, sapo dikush bëhet gati të vrasë apo të vritet, e kap një lemzë që s’i shqitet deri sa qefi për të vrarë i ikën dhe vrasja harrohet.

Pa u futur në rastet relativisht të ndërlikuara kur për arësye nga më të ndryshmet në momentin e fundit vrasja kthehet në vetvrasje dhe vetvrasja në vrasje, është me rëndësi të theksohet se faktorët me rëndësi ta pa diskutueshme vrastare, si largësia me detin, presioni atmosferik, temperatura, lagështia e ajrit, begatia e arave, gjarpërimi i lumit, kriprat e ujrave, relievi i vendit, ndikimi si i fushave magnetike të mineraleve të nëntokës dhe i rrezeve kozmike, etj. nuk janë të vetmit faktorë që e bëjnë shqiptarin të rrëmbejë sëpatën, kazmën a sqeparin, të nxjerri nga brezi koburen a Kalashnikovin nga qilari. Ka arësye edhe më të thella, të cilat, pyetjen pse shqiptarët po vrasin dhe po vriten, e bëjnë një ekuacion të pazgjidhshëm.

Shqiptarët e vranë veten për gjysëm shekulli pa pyetur për male, minerale, rrezatime, e më the e të thashë.

Vrasjet komuniste u bënë për shkak të mungesës, boshllëkut.

Vrasjet demokratike ndodhën për shkak të tepricës, bollëkut.

Vrasjet e ’97-ës, shpërthimi i Gërdecit, janë hakmarrje hyjnore në shenjë respekti ndaj pakicës së arësyeshme që vuajti internime dhe burgje për shkak të zellit të tepruar të shumicës së xhindosur për ti farkëtuar prangat vetes dhe tjetrit sipas parimit “Ti të miat, un’ të tuat”.

Sherret me fqinjin, grindjet për kullotën, për vijën e ujit, për truallin, për gardhin, hallet e kurbetit, pirja e rakisë, përplasja me murin e autostradës, rënia në greminë, dhe të tjera të tilla, janë pasojat. Shkaqet janë të thella.

Të vrasin dhe të vriten për hiçgjë, është mënyrë e mbijetesës së shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok