30/12/2024
Ndue-Dedaj

(Varacion politik)

NGA NDUE DEDAJ

Gjithësekush e di se është vetëm vota ajo që “prodhon” pushtet, vetëm vota ka fuqinë të konvertohet në mandate qeverisëse, vendore apo qendrore dhe asnjë instrument apo mekanizëm tjetër.

Vota bën dhe pa vulën, kurse vula pa votën nuk vlen.

Pavarësisht gjykimeve dhe paragjykimeve të ndryshme, qofshin ato dhe ndërkombëtare, një parti që ka vota është një realitet politik elektoral, zgjedhor i pashmangshëm, me mundësitë për të sjellë ndryshim. Nuk është qëllimi ynë në këtë qasje për të komentuar rreth statusit “non grata” të këtij apo atij lideri politik, shpallur nga shteti amerikan, ama një forcë politike shqiptare e ligjshme, demokratike nuk mund të kushtëzohet nga ky fakt. Ajo ushtron veprimtarinë e saj politike, paçka pozitës specifike të liderit, i cili, për aq kohë sa nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë ndaj tij, është person që gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë qytetare.

Përtej kësaj, një parti nuk është një individ, sado i pushtetshëm apo i përfolur të jetë ai, me merita historike apo me dritëhije, i akuzuar për korrupsion ose jo – një parti është  e legjitimuar nga Kushtetuta e vendit, statuti zyrtar, anëtarësia e gjerë, të zgjedhurit e saj në pushtetin vendor apo në Kuvendin e Shqipërisë etj. Dhe përpos të gjitha këtyre, ajo ka frymë… Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo. Vetëm partitë që kanë frymë janë organizma të gjallë politikë. Të tjerat janë “skelete” pa palcë, që nuk mund të qendrojnë vetë në këmbë, pa paterica.

Një forcë politike që ka peshë elektorale, përndryshe votë masive, nuk mund të pengohet nga “ping-pongu” i drejtësisë tonë të frikuar nga politika, ku një gjykatë të jep selinë e një tjetër të heq vulën!?

Çfarë mund të thuhet rreth një partie, që ka gurin e themelit të demokracisë, votën!…

*

Post scriptum: Për ata që mund të duan të replikojnë ndaj këtij opinioni të lirë, të një njeriu të papërfshirë në politikë, duke thënë nga e di ti se ajo parti ka votat, e ato nuk i paskemi ne që kemi vulën? – kemi një përgjigje të thjeshtë: le të presim 15 majin e pastaj flasim!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok