Vonesa e Macron si pazar matrapazësh politikë!
Nga Enver Bytyçi
Ishte vonë kur ra celulari. – Jam Emmanueli, Edi! Si thua ti, sikur të vonohem unë e mos vij në atë samitin e shpifur nesër?! Po vij në mbrëmje. Ashtu është më mirë. Nëse do vija për samitin, do kthehesha brenda ditës. Por unë po vij në mbrëmje dhe po vij për ty. Pastaj ma merr vëmendjen ai Scholzi dhe me Kosovën e kam të vështirë të merrem në sy të tij.
Kryeministrit të Shqipërisë po i vinte koka vërdallë. Deri atë moment ishte marrë me gjithçka. Me dekorimin dhe organizimin e mbledhjes. Po hynte 16 tetori, data e ngazëllimit të komunistëve dhe plot 35 vite më vonë ai do e inaguronte edhe njëherë piramidën. Më 16 tetor 1988 e kishte inauguruar Ramiz Alia. Tani, më 16 tetor 2023 po bënte të njëjtën gjë pasardhësi i tij. Por kësaj radhe me bekimin e liderëve evropianë. Madje shoqëruar me një samit.
Macroni foli e foli dhe dikur iu sosën fjalët. Shefi i qeverisë ishte i turbullt. Sapo kishte dalë nga restorant “Padam”, ku krerët e shteteve do të drekonin të nesërmen. Kishte dhënë recetën e surprizave për secilin lider evropian e raonal. Te Scholz kishte rekomanduar portretin e tij me kapelën e kuzhinierit. Pikërisht këtë po mendonte, kur papritmas u kujtua se ishte në telefon me presidentin e Francës. Kishin një miqësi dhe lidhje shumë të ngushtë me njëri-tjetrin. Presidenti Macron e kishte dekoruar me medaljen e kalorësit të legjionit francez. Në këtë turbullim Edit i punoi menjëherë truri.
– Mirë se vjen Emmanuel. Mirë e ke menduar. Do ta shesim këtë si vizitën e parë shtetërore të një presidenti francez në Shqipëri. Saliu solli presidentin amerikan, Bush! Por edhe ti nuk je më poshtë se ai. Dhe më e mira është se do të rrish një natë në Tiranë. Do të pëlqejë shumë. Nga miku ynë i përbashkët, Sandri, kam mësuar se si duhet t’i pres miqtë e preferuar si ju. Do kesh shërbim extra natën e nesërme. Por duhet të vish vetëm, i pashoqëruar!
– Vetëm do vij, Edi. Kam shumë besim te ti, Edi.
– Të pres me kënaqësi, miku im, i përgjigjet ai.
Mysafir i samitit do te ishte të nesërmen kancelari gjerman. Por Scholz nuk ia plotësonte apetitet liderit global. Edhe batutave të tij i përgjigjej me njëlloj ftohtësie injoruese. Kështu do të ndodhte të nesërmen, kur kryeministri i vendit organizator të samitit u përpoq të impononte shou në vend të suksesit. Ndërkaq ky kryeministër kërkoi që në prezencë të Scholz të mos flitej për Kosovën, ndërsa nxiti Macron ta kërcënojë shtetin më të ri të kontinetit me pezullimin e vizave ende të paliberalizuara.
Dhe ia arritën qëllimit. Duhej ta kërcënonin Albin Kurtin. Mediet shqiptare të etura për luftë kundër Albinit, disa edhe me qëllim që t’i hapin rrugën ekspansionit serb në Kosovë, e përhapën ende të papërkthyer mirë fjalën kërcënuese të Macron. Ndërsa në fund shefit te shtetit francez i erdhi në ndihmë nikoqiri shqiptar kur tha se “Kosova po mbytet në një legen uji”, se “ajo është viktimë e vetvetes”! Kurse presidenti i Francës nga Tirana i thoshte mikut të tij në Pekin, Sandrit, se duhej ta dënonte aktin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, Kosovën si viktimë të Vuçiç, e kërcënoi me izolimin e radhës!
Në fund Emmanueli dhe Edi u puthën. Kryeministri e përcolli me ceremoni presidentin. Ndërkohë presidenti dukej i relaksuar nga nata e mrekullueshme që kishte kaluar! Pazar matrapazësh politikë!