09/12/2024

Vlerë e padiskutueshme historike e dokumentare për njohjen dhe ndriçimin e kusarisë dhe piraterisë së Ulqinit

0
Mustafa-Canka-Ulqini

Nga Gjekë Gjonaj

Libri më i ri i gazetarit dhe  studiuesit të njohur  Mustafë Cankës “ Republika kusare e Ulqinit- një epope 200-vjeçare” nuk është vepra e parë me vlerë historike dhe kulturore  e tij, i cili  herëpashershëm  befason  me punë të tilla vetëmohuese, hulumtuese, shkencore , që tregon    një  dashuri të madhe për qytetin e tij të lindjes – Ulqinin ( qytetin më të vjetër në Adriatik) , por edhe një vullnet  të jashtëzakonshëm , cilësi që nuk i mungon  studiuesit.

Në këtë vepër  tregimtare në prozë    trajtohen ( përshkruhen)  bëma  legjendare e  ngjarje  të rëndësishme historike  të jetës së ulqinakëve  të lundrimit në det, i  cili përgjatë historisë  ka qenë  një nga profesionet kryesore të tyre, ku , siç thotë autori,  gjithmonë këtu vlente rregulli i ashtuquajtur detar: “ Është e nevojshme të  lundrosh, s’është e nevojshme të jetosh”.

Ky konstatim lë të kuptojmë  se sa të forta dhe të pa ndara ishin lidhjet  e gjata shekullore  të  ulqinakëve me detin   dhe detarinë , si burim i ekzistencës së tyre jetësore, e cila ngritjen  e vet më të madhe e arriti në shekullin XVII, XVIII dhe gjatë shekullit XIX, por edhe me kusarinë   që  përmendet që në shekullin XIV, kurse  Ulqini, në shekullin XVII e XVIII, u shndërrua në çerdhe të rrezikshme të kusarëve.

Libri “ Republika kusare e Ulqinit” është i  strukturuar  në 22 njësi tematike, për të cilat autori   bën kërkime e  hulumtime serioze me qëllim   të  zbulojë dhe të zbardhë  fakte e të dhëna  të panjohura ose pak të njohura  për shumëllojshmërinë e aktiviteteve ( ngjarjeve) në det  dhe epopenë  200-vjeçare kusare  ulqinake e cila përfundon  në mesin e shekullit XVIII. Vepra  për lexuesin është sa  interesante, aq  e këndshme, aq  tërheqëse, aq edhe e ndërtuar bukur si strukturë dhe si paraqitje ( shtjellim ).

Kur njihesh me përmbajtjen e këtij libri me vlera të padiskutueshme  historike e dokumentare bindesh për qasjen e tij serioze të  bazuar në literaturën shkencore  dhe për barrën e rëndë të punës  që ka mbajtur mbi supe ai, jo vetëm në grumbullimin  dhe prurjen dokumentare  të  lëndës nga autorë shqiptarë dhe të huaj,  por edhe në realizimin  ( hartimin) me sukses  të kësaj vepre me interes  jo vetëm për ulqinakët, por edhe për  shqiptarët dhe popujt e tjerë.

Ky libër do t’u përafrojë  botën emocionuese të  kusarëve dhe piratëve  dhe do t’ju    zbulojë  të gjitha  të fshehtat  e tyre: zakonet dhe mënyrën e tyre të jetesës, rolin e tyre në histori, kusarët që fituan famë ( emër), të  gjitha informacionet më të rëndësishme, së bashku me fotot dhe shumë gjëra të tjera interesante.

Pasi e lexova librin “ Republika kusare e Ulqinit” u binda  se  kolegu Mustafë Canka  ka dhënë më të mirën e vetes dhe nuk është kursyer për të dhënë  kontributin e tij të çmuar   me saktësi argumentuese , bujari çiltërsi dhe dinjitet, për të hedhur dritë  mbi kusarinë e Ulqinit,  e cila  për  banorët e këtij qyteti të jashtëzakonisht të bukur mesdhetar për rreth  200 vjet , përveçse ishte   një nga burimet e jetesës , ishte edhe një biznes mizor i përgjakshëm.

Vlerën  e këtij libri ia shton edhe  gjuha ( ligjërimi) që ka përdorë autori. Vepra  është shkruar me një stil të arritshëm   drejt paraqitjes së qartë të  asaj epoke të shkuar që ndërlidhet me historinë  dhe traditën e lashtë të ulqinakëve  në viset bregdetare të Mesdheut, të cilët historikisht , që nga Iliria janë të njohur si detarë të shkathtë, lundrues të mirë, ndërtimtarë dhe kapedanë të zotë të anijeve, por edhe si kusarë , apo piratë.

Mustafë Canka në këtë libër studimor është treguar  një individualitet me një formim të personalitetit të respektuar, pse jo edhe të mahnitshëm, si studiues  i mirëfilltë dhe njohës i mirë i historisë së Ulqinit,   sepse ka fituar diçka të madhe, lirinë vetjake që nuk ndërvaret nga askush, nga asnjë lloj klani apo grupimi politik. Kjo është një vlerë e madhe e cila  i dallon krijuesit dhe studiuesit  e vërtetë ( tamam)    nga  të tjerët , të ndikuar nga politika e kohës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok