30/12/2024

VLERA QË NA BASHKOJNË

0
Frrok-Vukaj

NGA FRROK VUKAJ

Qëllimi i vizitës sime për në vendlindje, në Shëngjergj të Nikaj – Mërturit, është respekti për të vdekurit, për të “Shumtit” e asaj bote të përtejme, për prindërit e të afërmit që nuk jetojnë.

1 Nëntori – kjo pikë referimi, është si një fushë magnetike që i afron të gjithë, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe mërgatën nga jashtë vendit.

Me një autobus të vogël të linjës Tiranë – Koplik, udhëtova për Kryebushat, hereët në 31 Tetor, për t’u takuar me kushërinjtë e mi që banojnë në Shkodër.

Feja e Shqiptarit është Shqiptaria.

Në ulësen pranë meje Mersin Koldashi, një burrë faqekuq e me trup të lidhur mbante në majë të kokës një si qeleshe a fes që ngjante me atë të klerikëve myslimanë apo kristian. Pas pak filluan bisedat e zakonshme. Banonte në Tiranë, afër Saukut, me origjinë nga Ujëmishti i Kukësit, i besimit mysliman. Udhëtonte për në Shkodër, sepse merrej me një tregti kinkalerish, bizhuterish, qelqurinash etj. Pak nga pak biseda u shtri edhe në 3-4 ulëset më të afërta e mori një drejtim interesant në fushën e besimit. Temë shoqërore disi e ndjeshme. Biseda mori zjarr sa nuk kishte nevojë t’i ngaje urët. Paskëshim qenë besimtarëve të tre besimeve, por edhe ateist dhe laik.

Mersin, emrin e paske mysliman e mbiemrin katolik….

Orte, na dikur kemi ardhë nga Kopliku, të shpërngulur me forcë nga pushtuesit turq (osman shënimi) e jemi vendos në Luginën e Drinit të Zi. Ma vonë e ndërruam fenë nga katolik në myslimanë.

Si e ndjen veten ?

Shumë mirë, unë i respektoj fetë, të gjithë jemi shqiptar, Allahu na ka krijue.

Zoti është mbi gjithçka, pohoi dikush.

Po Kopliku ka edhe katolik edhe mysliman.

Shumë mirë, njëlloj jemi, me mish e gjak shqiptari.

Një djalosh rreth të 30-ve thotë:

Ka edhe ortodoksë. Unë në shtëpi i kam të tre besimet.

Edhe të tjerët pohuan të njëjtën gjë, mes të cilëve edhe unë.

Po për Krishtin e Muhametin e ngau dikush bisedën…

Janë udhërrëfyes shpirtëror… si punë partish, por dalin edhe parti të vogla me programe e veprime të këqija.

Kanë fillue me u prish edhe fetë. Asnjë fe e vërtetë nuk thotë me vra, me pre, me vjedhë…. por kërkojnë harmoni e paqe, me punue e jetue me djersën tënde.

E ka thënë shumë kohë më parë Vaso Pasha “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”

Edhe Gjergj Fishta bukur ka folë “Kemi Bajram e kemi Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”.

Një klerik mysliman ka thënë: Qofshim mysliman, qofshim të krishterë, kurrë nuk e kemi mohue Atdheun, e gjithnjë  kemi mbetë shqiptarë”.

Po vere e raki a pini?

Me meze a pa meze?

Me mish derri a berri?

Unë shpesh i ngatërroj se mish derri e mish berri janë si afër,- qeshi me te madhe një meso burrë.

Mishi i derrit i pjekur me shijon me shumë edhe pse jam mysliman.

Rakinë e mishin e derrit i ka ndalue Muhameti.

Nuk e kam lexue kund në kuran.

Unë pijë me kristian e gjynahin e marrin ata, – e u gajasen se qeshuri.

Ndërsa ata po bisedonin m’u kujtua një shoku im mysliman, A.T. i sëmur me grip. Kur e pyeta nëse ka pi ndonjë ilaç me tha:

Kam hangër do mish të bekue e raki të zierë e kam ba shumë ma mire, po nuk e di a kam ba gjynah.

Unë u tregova një barsoletë për disa shokë në Bajram Curri që shpesh pinin raki e vere. Unë u bëja vërejtje se po prishnin besimin, por ata me thane se ishin “në të shkuar”. Si është kjo në të shkuar, i pyes unë.

Kur erdhi Muhameti e i gjeti gjithë humor e harmoni ua bani hallall, por kur u kthye e i gjeti të dehur ua mallkoi pijen!

Unë me shaka u them: “Po unë ju po ju gjej vazhdimisht në të shkuar”, – e qeshem te gjithë se bashku.

Pa e ndjerë udhëtimin arrita në destinacion, duke u përshëndetur përzemërsisht me të gjithë. E ndjeva veten shumë mirë; në atë mikromjedis të vogël manifestoheshin vlera e mesazhe për t’u marrë shembull nga shoqëria, politika, institucionet shtetërore e fetare të vendit.

Dy kafe që nuk harrohen

Udhëtimi disi  i gjatë Vau i Dejës – Pukë – Fushë -Arrës – Fierzë – Lekbibaj, qe i bukur dhe mbresëlënës. Pothuajse nuk i linim radhë njëri – tjetrit duke treguar për çapkënllëqet e fëmijërisë, për peripecitë e shkollimit, për udhëtimet aventureske në dimrat e gjatë e plotë borë, për kushtet e vështira në shkolla e konvikte, por edhe për shumë vlera që na rritën e na edukuan me dashurinë për njëri-tjetrin e vullnetin për punë.

Edhe pse para 2 muajsh kam udhëtuar po në këtë rrugë, prape shoh e nuk ngopem me ato pamje magjepse. Si pa dashur m’u kujtua një bisedë me mësuesin veteran Sadik Lama, me origjinë nga Kruja, i cili ka punuar në Tropojë mes viteve 1953 – 1956.

O profesor, kam udhëtuar për në Qafë – Shtamë, por nuk më është dukur kush e di se çfarë, për aq sa flitet.

O Frrok ti ke të drejtë se në Tropojë e në Veri e ke kudo Qafë Shtamë.

…Afër Poravit, në një pikë strategjike na u shfaq një pamje përrallore në këtë fund tetori ngjyrë bronxi, me gjysmën e gjetheve të përthara e të rëna për tokë. Vepra e Dritës, Valbona e Drini, Liqeni i Fierzës, pothuajse i shterur deri afër Kukësit, majat e larta të Alpeve, pyjet e pllajat në të dy anët e Drinit deri atje ku errësohet shikimi ynë, janë të gjalla e të mistershme.

Më hijerënda që tregon histori sfiduese e forcë titanike është Hidrocentrali, burim i arterieve të fuqishme që i japin jetë Atdheut.

Sapo zbritëm në Dushaj, nga pas më vjen një zë ….Shoh Edisonin që vjen pas meje “Hajdeni të pimë kafe, jam me Fredin, po ju presim”. Shkuam me kënaqësi tek kushërinjtë, por edhe ish-nxënësit e mi. Kjo qe kafja e dytë, se të parën e pata pirë në mëngjes.

Kur ndalova në Kryebushat, Vuksani e Staka më thonë;

A po pi kafe, ke në banak një ish-nxënës.

Ç’ne këtu ish nxënësi im?

Hyr e pyete…

Më doli përpara një djalë zeshkan e simpatik. Ai po më përqafonte e mëndja ime si në kërkim po vihej në provë për ta njohur. Qe Aleksandër Filip Pjetërgjokaj, nga Bëtosha, nga dera e përmendur e Zenel Selimit, dikur dere vojvode. Kishte mbaruar për Gjuhë – Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, e tani vazhdonte studimet master.

Rri e mendoj, përsëri i kujtoj e do t’i kujtoj gjatë dy kafet e sotme.

I paragjykojmë shpesh me pa të drejtë rininë…..

Punojnë, por nuk janë të kamur, bile edhe të zhgënjyer nga jeta, me vështirësi si shumica e vendit, por dinë me të nderue e të respektue. M’u bë qejfi, jo edhe aq për shpenzimin, por për veprimin, për qytetarinë e shfaqur.

Tek varrezat e fshatit Shëngjergj

Pas një bllokimi të pa arsyeshëm prej disa vitesh, tashmë rruga e makinës shkon në qendër të fshatit, disi i degraduar në agroblegtori e objektet social kulturore. Varrezat e fshatit janë rrethuar për bukuri e të pastruar, jo vetëm nga ferrat e bari, por edhe shkurret e shtuara vit pas viti. Varret e ndërtuara nga mjeshtrit duarartë bien në sy për finesën , rrethimet, zbukurimet, simbolet, fotot e të tjerë elementë të frymëzuar nga dashuria e respekti për prindërit e të afërmit e larguar nga kjo jetë.

Me origjinalitetin e gjelbërimin e bollshëm nuk qëndrojnë pas as varret tradicionale të vona e ato shekulloret.

Në interval prej 2-3 vitesh, shoh varre të reja me projekte interesante. Këtë vit një i tillë për Man Arif Mulajn, i besimit mysliman, krah atyre të besimit katolik. Ceremoni të përafërta, me fare pak ndryshime që pothuajse nuk bien në sy…. Respekt e mirënjohje për të vdekurit; kujtim i vlerave pozitive, por respekt e harmoni edhe për të gjallët.

Në këtë fshat ka kaluar mbi një shekull pa hasmëri, as probleme serioze të kohës, por jo pa vend për të shtuar kujdesin e urat e komunikimit. Zhvillimet e vrullshme kanë mësimet dhe pësimet e veta, për të cilat kërkohet punë e edukim. Shumë kanë ardhur nga larg, bile edhe të moshuar, pa marrë parasysh lodhjen fizike e shpenzimet monetare.

Përveç riteve të zakonshme bien në sy vizitat e qerasjet tek varret e çdo familje, të kombinuara mirë me traditën e bashkëkohoren. Mundësitë janë shtuar, se dhe kushtet janë më të mira. Makinat e shumta janë një tregues domethënës. Të gjitha bashkë e grupe – grupe bisedojnë për të kaluarën e të sotmen, pa mëri e mllefe, në respekt të të parëve, për amanetin e vlerat që na lanë. Zakoni i hershëm ka qenë qerasje me prodhime bujqësore e blegtorale, për shpirtrat e të vdekurve, për të ndihmuar më të varfrit. Dekadat e fundit pihet edhe nga një gotë raki sa për të uruar. Mos o zot t’i trashet gjuha ndokujt, as t’i merren këmbët; po të ndodhte kështu turp i madh. Zemra të gufon kur sheh fëmijë 3 – 4 vjeç e të rritur deri 90 vjeçar; ndjen krenari për ruajtjen e manifestimin e vlerave pozitive.

Është një rast ideal për t’u takuar edhe me ata që u rritem apo punuan për shumë vite.

Me Rixhinën e Hajdarin; Ylberin, Sokolin e Davën te Lagjes Pjetërnikaj; Dedën, Sokolin, Agronin, Katrinën e Zojën; Bardhokun, Ndokën e Dranden të Lagjes Malaj; Zefin, Lulashin, Borën e Nestin; Martinin, Edisonin, Klevisin e  Groshen të Lagjes Vukaj; Kolën e Lushin të Lagjes Kolprecaj; Salihin, Sadikun, Afrimin, Zojën e Selvinë të Lagjes Mulaj; Drilonin e Rajmondën të Lagjes Gjonaj; Gjinin, Donin, Afërditën e Zojën të Lagjes Pjetërnikaj; Besartin e Dukatën; Martinin, Përparimin e Gentianin të Lagjes Mulaj; Palin, Paulon, e Jetën  të Lagjes Vukaj ; vëllezërit Vuksan e Stakë Vukaj, etj.

Së fundi edhe një simbolikë e veçantë:

Julian Malaj, një djalë i gjatë e simpatik, student në Universitet, më afrohet e më thotë: “Të fala mësuese Dilës, mësueses sime të fillores”. Ky respekt për mësuesen pas shumë vitesh, patjetër se është një vlerë e shtuar për këtë djalosh e mësuesen e tij.

Mbyllet kjo dite përkujtimore me shume mbresa e vlera që na bashkojnë, shembull pozitiv  jo vetëm për ne më të moshuarit , por edhe për brezin e ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok