VJEN DRITA E YLLIT, EDHE KUR ËSHTË I SHUAR…
Nga Visar Zhiti
Sot, ndoshta më shumë se në ditët e tjera, ndjejmë të na bjerë mbi supe drita e poetit Vilson Blloshmi, ka datëlindjen dhe është në Qiell, e feston me engjëjt… bukur trishtueshmërisht.
…në tokë, në baltën e atdheut të tij, ky emër vazhdimisht trondit, djajtë e kuq ia morën jetën gati gjysmë shekulli më parë, e pushkatuan kur ishte 29 vjeç, se ashtu u duhej, se nuk e donin familjen e tij me tradita patriotike, kundërshtarë të regjimit, nuk donin mbiemrin dhe emrin e tij, nuk ia donin poezinë…
La vejushe gruan dhe një vajzë të porsalindur, la porosi emrin e saj: Eni, la ëndrra e libra, familjen prindërore, motër e vëlla e miq… dhe një heshtje të zymtë si zija, atdheun-burg, kriminelë e mëkatarë… Por la dhe diçka të madhe dhe të rëndësishme, pamposhtmërinë në tortura, dinjitetin heroik dhe para skuadrës së pushkatimit, janë të dëshmuara, i kemi treguar dhe do t’i tregojmë, – ne jemi ajo që kujtojmë, – thoshte një poet i madh europian dhe unë e përsëris shpesh.
Dhe Vilson Blloshmi na la një tufë me poezi antologjike. Dhe dritë siç ndodh me yjet, që edhe kur janë të shuar, ajo vërshon nga qiejt, udhëton drita e tyre drejt nesh.
Mund t’u bjerë mbi duar kujdo që e duan këtë dritë.
Vilsoni ynë sikur e kishte parandjerë, kur shkruante në mesnatën e diktaturës më të egër, atje në kullën e tij në një fshat të Librazhdit, kur kthehej i lodhur nga puna e rëndë si punëtor miniere… dhe sillte dhe grimca ari që vezullojnë pikëllueshëm:
Nëse nuk munda brengës
t’i bëj ballë,
Zjarr përsëri unë kam
në shpirt të djegur.
Nëse më i vdekur jam
nga çdo i gjallë,
Mirë pra, m’i gjallë jam
se çdo i vdekur.
Pra, ai e dinte si po jetonte dhe si do të mund të shuhej, me dritën e tij të pashuar mes një bote të egër, të pamëshirshme, që dhe pa varr të lë…
Eshtrat e tij i kërkoi me vite i vëllai i tij, bashkëvuajtësi ynë burgjeve, Bedriu, i gjeti. Tani ai e ka emrin në mermer, por të gjallë e mban dhe nipi i tij, Vilson Blloshmi i ri.
Dhe datëlindjet veç shtohen… sot është e 78-ta… sa herë të lexojmë poezinë e tij, aq herë e festojmë.
Por tê shohim për një çast nga qielli të gjithë!
