22/12/2024

Vit i humbur për Kosovën

0
Anton-Marku

Nga Anton Marku

Si ndodhi që qeveria aktuale ta vendosë Kosovën në gjendje lufte me Serbinë, konflikt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe kacafytje në baza ditore me opozitën. Rrëfimi për një tregim të papërfunduar, i cili synon që përmes shkaktimit të kaosit të ofrojë zgjidhje ‘‘kreative’’. Pasojat e eksperimenteve të tilla janë të dukshme për të gjithë pos për ata që po i shkaktojnë. Mbase ata janë të përjetshëm, por vetëm në përkohshmërinë e tyre.

Fundi i vitit zakonisht shërben për të bërë bilanc lidhur me të arriturat dhe dështimet përgjatë dymbëdhjetë muajve. Kosova, si shtet i ri, kaloi vitin më sfidues që nga shpallja e Pavarësisë, vit ky i mbushur me ngjarje të cilat, në një masë të madhe, mund të përcaktojnë kahet e zhvillimit të saj në dhjetë vitet e ardhshme. Për fat të keq ka pasur shumë pak ngjarje të cilat kanë merituar duartrokitje.

Asnjë nga tri

Me gjithë angazhimet tejet intensive të strukturave të larta shtetërore, të prira nga Kryetarja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, e të pasuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar, medieve të afërta me ta dhe telalëve të tyre nga ‘‘Radio Mulliri’’ të kamufluar si analistë televizivë, asnjëra nga tri kërkesat e Kosovës nuk u përmbush: As nuk iu hoqën masat ndëshkuese Kosovës, as nuk iu vunë sanksionet Serbisë dhe as krye-negociatorët Josep Borrel e Miroslav Laiçak nuk u larguan nga pozitat e tyre, për më tepër, atyre iu konfirmua edhe një herë mbështetja e pa-rezerve nga BE dhe SHBA. Në këtë mënyrë, pa ndjekur ndonjë strategji të qartë, u investua dhe konsumua shumë energji në drejtim të gabuar.

Veriu

Sot me veriun e vendit nuk qeverisë Republika por frika. Ajo është emërtuesi i përbashkët i veprimeve të pamatura dhe të pakoordinuara, të cilat kanë bërë që ato të përkthehen lehtë edhe si shtetrrethim dhe imponim i një administrate të dhunshme, e cila nuk pranohet nga banorët vendas. Është e pakuptueshme se si kanë pranuar kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri të vendit, të populluar me shumicë absolute nga serbët lokalë, të pranojnë të shndërrohen në kukulla në një cirk ku nuk qesh askush.

Qeveria e Kosovës e ka kuptuar shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e shtetit si disiplinim të qytetarëve të saj duke i vënë në karantinë, duke demonstruar dhunë dhe duke mos bërë as përpjekjen më të vogël që të nis një proces dialogu me ta në mënyrë që të arrihet deri te një komunikim normal, qofte ai, fillimisht, edhe sipërfaqësor.

Punët e brendshme

Me taktizimet e tij joproduktive, Kryeministrit Albin Kurti çdo ditë e më tepër po i ngjan figurës së Fan Nolit, që morri pushtetin si reformator, por në këtë përpjekje për zgjim kombëtar ose populli nuk arriti ta kuptonte atë ose ai nuk ia doli ta kuptonte popullin.

Me gjithë disa tentativa për përmirësim, sot arsimi dhe shëndetësia në Kosovë nuk janë fare më mirë se sa para tri viteve, për të mos thënë se janë më keq. Në anën tjetër presionet dhe goditjet e ulëta në adresë të gjyqësorit nuk i bëjnë nder kësaj garniture të pushtetit, edhe pse ky sektor nuk është se ka shkëlqyer ndonjëherë.

Bota

Duke mos ia dalë të sigurojë asnjë njohje përgjatë tri viteve të kësaj qeverie, asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme multinacionale, në arenën ndërkombëtare Kosova ka shënuar, nëse jo regres, së paku vendnumërim, duke zbehur besimin e miqve në nivel global dhe duke shtuar dyshimet në kredibilitetin e institucioneve të saj. Edhe në këtë aspekt ky vit është për t’u harruar.

Kosovës i mbetet edhe mjaft për të bërë në mënyrë që një ditë të bëhet pjesë e shteteve dhe shoqërive në të cilat heronj te vitit janë pedagogët, shkencëtarët dhe artistët e jo policët. Liberalizimi i vizave është vetëm hapi i parë.

Qoftë viti që po vjen një vit më i mbarë!

Vjenë, 26 dhjetor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok