20/12/2025

Visjan Ukcenaj, rrezja e një drite që sheh thellë në shpirtin e një nëne sakrifikuese deri në vetëmohim

0
Visjan-Ukcenaj

NË VEND TË NJË URIMI DITËLINDJEJE PËR NIPIN TIM

Nga Albert Vataj

Gjithmonë, diku në fund të sallës, kur ai debutonte, ishte ajo, nëna, me sy që gjithnjë i kishte të mbushur me lot, dhe zemrën që i rrihte fort. Dridhej e tëra.

Donte që ajo të ishte diku atje në mes të mosvëmëndjes, ku askush të mos mund të prishte shenjtërinë e një stuhie të dritshme zemre. Diku atje në skaj, për të qenë sy e shpirt në skenë, ku biri i saj dhe gjithë dëshirimet e saj të shuara, po ndizeshin.

Askush nuk e shihte aq thellë dhe aq me drithërimë sa ajo. Vetëm zemra e saj e dinte dhe e provonte se ç’peshë ankthi dhe frike duhet të mbante.

Ai që luante në skenë nuk ishte thjeshtë biri i saj, ishte thellësia e gjithë qenies së saj, që ndeshej dhunshëm me këtë sprovë për të fituar.

Ishte aty, nëna, mish e shpirt që ndiqte me zemër të ngrirë çdo çast me një frymëmarrje që e linte pa frymë, për të guxuar të mbyste brenda vetes shpërthimin e çdo llave ovacioni dhe duartrokitjesh që llamburiste reagimin e spektatorit.

Ajo ishte aq e fortë, sa ta bënte këtë, të ishte aty, aty ku unë gjithnjë pata frikë të isha, sepse pas meje ishte hija e errët dhe e plumbtë e babait tonë që peshonte duke na shtypur.

Por ajo ishte një heroinë që dëgjonte nënën në këtë sfidë, në këtë betejë të përmbushjes së ëndrrës.

Dhe koha kalon, me shumë përkushtim, punë dhe ngadhënjime të panumërta, sfida dhe kulmime, dhe ai, Visjan Ukcenaj u bë ai që ju njihni, por sërish ai ka mbetur pjesë e kujtimeve që lidhen me jetën time dhe motrës sime.

Po, edhe asokohe kur flinim në një dhomë, kur ato vinin, dhe Visjani, ai që na bën sot të qeshim dhe mendojmë, qante, dhe më duhej të zgjohesha ta përkundja. Po, në shtratin ku u rrit, motra ime, nëna e tij dhe unë.

E shkuara mbeti pas, duke na ndjekur këmba-këmbës, për të qenë kujtesë e pashpërbëshme, ndjenjë përbashkimi dhe përjetim që i jep kuptim gjërave që ne bëjmë dhe asaj që ne jemi.

Visjan Ukcenaj nuk është vetëm nipi im, është shumë më shumë, është ëndrra, ambicia krejt dëshirimet e mortës sime, të mishëruara në atë çfarë ai ka mundur të arrijë dhe përpiqet çdo ditë, ngulmueshëm në një botë ndeshjesh dhe përleshjesh, në këtë realitet që heziton të jetë e bujarshme për ata që nuk luftojnë për të triumfuar.

Ai erdhi deri këtu, dhe përtej do ta shkojë në ëndrrën që ka zgjedhur të bëjë realitet, i udhëprirë nga ylli i mëngjestë i zemrës së kësaj nëne, që ka ditur dhe guxuar të jetë një misionare.

Për këtë rrëfim, me autoritetin e vëllait dhe dajës, nuk mora leje, as motrës dhe as nipit, por dëgjova zemrën time që rreh ende gjithnjë shpejt, sa herë që Visjani, kjo rreze e diellit të motrës sime është një ngjarje drite në galaktikën e përmbushjes së ëndrrës.

Gëzuar ditëlindjen nipi im!

Paç uratën e asaj gjysheje që iku më shpejt se ajo mund të shihte yllin tënd të shndrinte në qiellin e saj.

Jeto, puno dhe përpiqu me pasion dhe përkushtim për më të mirën, për vete, për ata që të ndjekin dhe të adhurojnë, për të shtrenjtit tuaj, por më së shumti për atë grua që si ka emrin Regjin, e tillë mbretërore është në zemër dhe në shpirti, si grua, si nënë, si motër.

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok