09/12/2024

“Virgjëresha e mbuluar” e Giovanni Strazza, mrekullia hyjnore që del nga mermeri

0
Giovanni-Strazza-Virgjeresha

Nga Albert Vataj

Ajo është e gjallë. Frymëmarrja e saj prej mermeri dëgjohet e heshtur nën cohën e hollë dhe tejdukshmërinë që rreket të fsheh një hir adhurimi dhe vetë shenjtësimin e Hyjlindëses Mari. Është e ndrojtur dhe delikate në bardhësinë ku struken mijëra goditje dalte e vërshojnë lumen djerse, prekje dhe prehje ledhatare që i zgjojnë asaj pulsin dhe i mëkojnë përulësinë e devocionit.

Ka zbritur nga mrekullia e idilit biblik kjo Mari, duke marrë trajtë në idealizimin e shpirtit dhe ëndrrës së artistit, i cili e ç’burgos këtë virgjëreshë jo vetë nga shkëmbi por nga shpirti.

Dhe… e mëton në atë çastin e hyjtë si në një shkrepje vetëtime, të vezullimtë në dritë e brerore.

Virgjëresha e mbulur është një statujë prej mermeri Carrara e gdhendur në Romë nga skulptori italian Giovanni Strazza (1818–1875), që përshkruan bustin e një Virgjëreshe Mari të mbuluar. Data e saktë e përfundimit të statujës nuk dihet, por ndoshta ishte në fillim të viteve 1850.

Ja mrekullia që ngjiz pasionin me tharmin e yjeve që zbret nga qielli e vibron në muskuj e nerva, cyt rrahje zemre dhe shkulime shpirti. Nuk ka asnjë cak, prag apo prehër, ku nuk mund të mbërrij ai shpirt i lartësuar në art, që duke i qenë mirënjohës i jetës, krijuesit, zgjon nga thellësitë e universit të njeriut, atë që e shndërron artistin në Zotmëkues.

E vështron me ëndje këtë tejdukshmëri të murosur, këtë virgjëreshë, pikëlluese, e të trishtë, e gjallë dhe e ftohtë, ngjethëse dhe përshkuese. Ëndja dhe fjala i nderen kësaj gjendje që të përpinë për të të shpërbërë në mijëra grimca ndjesish që shndrisin tëksa shpërndahen gjithandej si thërrmija të një eksplodimi fryme të ngurtësuar.

Është një gjallje në mermer. Është një zjarr shpërbërës që vjen prej këtij shkëmbi të ftohtë, kësaj mjeshtërie që s’ka shoq, këtij krijimi që të ndalon frymën.

Strazza ishte një mjeshtër i pabesueshëm i zanatit të tij, ishte ai që si pakkush arriti të jetësonte në shkëmb gjendje dhe situata, të të shpojë kaq pamëshirshëm me ushta zjarri dhe akulli. Një pasion që i jep pavdekësinë një gjendje kapitëse, një dhimbje rrënuese, një pikëllimi gërryes, dhe e bën këtë përmes një mjeshtërie që vetëm një Zot në qiell dhe një Strazza në tokë munden ta shndërrojnë në vepër atë që përfytyron një mëndje dhe e kthen në një reale kaq të gjallë një mjeshtëri hyjnore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok