03/12/2024

Vezët e Vetëvendosjes

0
Anton-Marku

Lëvizja ‘‘Vetvendosje!’’ shënoni përvjetorin e tretë të qeverisjes së shtetit që ende nuk e njeh si të tillë por më shumë e sheh si krahinë të Shqipërisë. Dashuria e saj për Kosovën është dashuri ‘‘vegane’’, pa yndyrë. Për më shumë, ajo i ngjan rrëfimit para priftit të një ateisti. Për vdekatarët e zakonshëm, që mund të kenë lindur e jenë rritur në Drenicë, Llap apo Dukagjin, të cilët, me gjithë vullnetin dhe dëshirën e mirë, e duan Shqipërinë si Kosovën por jo dhe sa Kosovën, do të vazhdojë të jetë e rezervuar stigma ‘‘pamjaftueshëm shqiptar’’.

Nga Anton Marku

Veza e parë

Qeveria aktuale sukseset e veta nuk po i matë me performancën e saj dhe projektet e realizuara por kryesisht me dështimet e Serbisë. Në vend që të bëj thirrje për investorë të huaj ajo apelon që të shtohen trupat e NATOs, ambient ky i përsosur për të mos qenë atraktiv për investime të jashtme, pasi që krerët e shtetit diteenatë e natëeditë alarmojnë opinionin vendas dhe ndërkombëtar për sulme të pritshme nga fqinji jugor.

Tjetër gjë as që mund të pritet nga një establishment i cili shumëfishon buxhetin për armatim ndërsa arsimin dhe shëndetësinë i ka më të dobëtit në Evropë. Rezultati i një qasje të tillë do të jetë: Shoqëri e paditur dhe e pashëndoshë me nga një pistoletë për kokë të banorit.

Ideologjia është sëmundje ngjitëse por jo dhe e pashërueshme. Por kur ajo vetë kërkon ilaç e jo edhe shërim mund të bëhet e rrezikshme deri në shkallën që të fillojë të kafshojë, së pari të gjithë përreth, e pastaj vetveten.
Në lëkurën e vendit tonë, këtij projekti jo të përkohshëm, secili armik la nga një tatuazh. Turqia e la në sy. Komunizmi në tru.
Veza e dytë

Në përplasje të dy nacionalistëve, njërit të djathtë në Beograd e tjetrit të majtë në Prishtinë, ka kohë që ky realitet ka kaluar në tensionim i cili mund të kulmojë me konflikt. E atë zakonisht e humb pala e cila e para e tërheq këmbëzën. Që ai të ndodhë janë duke i kontribuar në mënyrë aktive që të dy duke i fryjnë këtyre erërave me sa fuqi që kanë. Ata nuk janë të gatshëm për ballafaqim argumentesh por për dyluftim. Në këtë promenadë ballkanike njëri prej tyre i mban këpucët në duar derisa ecën këmbëzbathur.

Në lidhje me çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbë kryeministri ynë ka dy përgjigje: Njëra nis me ‘‘jo’’ e tjetra me ‘‘po’’. Pra përgjigjet duke mos u përgjigjur. Disi si birra ‘‘coca cola’’. Mimika e tij mund të lexohet dhe interpretohet por jo dhe të përkthehet. Duket se kjo çështje për të është po aq e parëndësishme sa dhe fakti nëse Adami i ka dhënë Eves mollën me dorën e djathtë apo të majtë.

Fjala e Kosovës tek partnerët ndërkombëtarë ka rënë në peshë, është devalvuar. E nëse është thënë në mënyrë të gabuar atëherë ajo mbahet mend gjatë. Nuk vjetrohet. Nuk ka afat skadence. E gjasat janë që, derisa ta kuptojë këtë, VV do të vazhdojë t’i bie tupanit në vendin e gabuar, me çekiç, jo me shkop të hollë.

Shpesh e kaluara e ngadalëson të tashmen dhe e ndalë të ardhmen. Një gur i hedhur në ujë është një gur i fundosur.

Veza e tretë

Në çerekshekullin e fundit bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë në nivel më të ulët. Kjo është një meritë e pakontestuar e kësaj qeverie e cila ua kalon të gjithave në talentin për mbyllur edhe ato pak kanale komunikim mes dy komuniteteve që kanë ekzistuar deri më tash.

Se ‘‘demokratizimi i veriut’’ dhe mbajtja e tij në shtetrrethim me ndihmë të forcave policore njëetnike dhe katër kryetarëve palaço përbën një dështim me pasoja negative për imazhin e shtetit është më shumë se evident.

Po jetojmë në një botë ku kundërshtitë po dalin më shumë në pah se sa të përbashkëtat. Sidoqoftë, deshëm apo nuk deshëm, sado të mëdha të jenë dallimet, edhe më të mëdha do të jenë ngjashmëritë. Nëse jo si grupe etnike atëherë së paku si bashkëqytetarë. Si bashkështetas. Si njerëz.

Anton Marku

Vjenë, 29 mars 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok