24/11/2024

VETËM BARAZIA KUSHTETUESE,  GJUHËS I GARANTON BARAZI TË PLOTË!

0

Nga Jusuf Buxhovi

Barazia ligjore e gjuhës nuk paraqet  barazi kushtetuese. Si e tillë ajo u nënshtrohet koninkturave politike në përputhje me rrethanat.  Në Maqedoninë e Veriut qysh nga Marrëveshjet e Ohrit të  gushtit të vitit 2001, manipulohet me të madhe me këtë standard të arritur,  me ç’rast barazia kushtetues e gjuhë shqipe, që do të duhej të  formulohej në nenin e parë të kushtetutës së Maqedonisë, bartet te  rregullativa ligjore, me çka është deshtë të të eskivohet përjashtimi i pozitës shtetndërtuese të shqiptarëve në Maqedoni, për ç’gjë,  në vitin 2001, plasi edhe konflikti i armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave policore-ushtarake maqedonase. Me këtë rast, është e domosdoshm edhe përkujtesa, se UÇK-ja, fillimisht proklamoi çlirim  dhe bashkim kombëtar (që ishte një iluzuion), që pas dy javësh do të riformulohet  te kërkesa për krijimin e shtetit federal shqiptaro-maqdonas (që do të ishte kërkesë reale dhe e drejtë), në mënyrë që ajo, në marrëveshjen e Prizrenit (midis faktorit politik dhe ushtak shqiptar) të rrudhet tek barazia qytetare, me arsyetimin e imponuar nga ndërkombëtarët se me të  ndryshonte karakterin e shtetit maqedonas nga ai komb-shtet i shpallur në vititn 1991 tek “shteti qytetar”! Ndonëse “shteti qytetar”, përkundër formulimeve politike të Marrëveshjeve të Ohrit,  nuk do të ndodhë, meqë në preambulën e kushtetutës gjuha maqedone përcaktohet si gjuhë zyrtare, bashkë me simbolet e tjera të natyrës kombëtare maqedonase.

Pa hy te përplasjet e tanishme politike  tepër joparimore rreth kësaj çështje midis  faktorit politik shqiptar –  atij në opozitë, që deri me dje ishte në pozitë dhe ban barrën kryesore të manipulimit të barazisë ligjore me atë kushtetuese dhe shitjes së saj si barazi gjuhësore, kur ajo ishte e kushtëzuar nga numrat dhe si e tillë diskriminuese madje edhe në raport me të drejtat elementare njerëzore,  që si po shihet ishte politike dhe konjukturale, dhe pa hy te ai në  pozitë, që   realiteti  “i barazisë ligjore të  gjuhës nëpërmes numrave”, para se të problematizohej   nga qeveria e sapoformuar përmes vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, ngritja e kësaj çështje, pra e pabarazisë së gjuhës shqipe, ose “barazisë së saj ligjore përmes numrave”, është deshtë të jetë kusht jo vetëm për futjen në koalicionin qeveritar me VMRO-DPMN, por edhe kusht i përbashkët politik shqiptar, që kjo çështje të shtrohej në rrethanat kur pas ndërhyrjes së Bullgarisë është hapur çështja e ndryshimit të preambulës së kushtetutës së vendit.

Përkundrazi, politikanët shqiptarë (pozitë-opozitë ose opozitë-pozitë, krejt një), siç lëshuan rastin që me marrëveshjen e Prespës, para tri vitesh,  kur maqedonasit, me detyriminë greke hoqën dorë nga “trashëgimia antike greke” dhe iu kthyen sllavofonisë, edhe këtë herë, në mungesë të platformës për barazinë kushtetuese të shqiptarëve, që përcakton edhe karakterin e barazisë kushtetuese të gjuhës shqipe dhe të drejtave kushtetuese  jashtë koniunturave  politike të ligjeve, shpatat ia drejtojnë njëri-tjetrit.  Të parët, opozita,  duke sjellë argumentin “e barazisë ligjore të gjuhës”, atij të numrave, që ishte diskriminues dhe me pasoja të rënda politike, veçmas kur logjika e numrave (20 përqindëshi) do të mund të ndryshohet sa nga migrimi i shqiptarëve, sa nga trendët gjithnjë e më të dukshme atje të ndryshimit të identitetit kombëtar me atë fetar e faktorë të tjerë të natyrës demografikë). Dhe të dytët, pozita,  çështjen duke e bartur “te mëkatet” e politikanëve të deridjeshëm (paçka se shumë prej tyre kanë qenë pjesë e mozaikut të saj drejtues madje), në vend se këtë ta adresojnë te hapja e çështjes së barazisë kushtetuese te shqiptarëve, të përjashtuar prej saj, me formulimin e “pjesë së popullit”, pra  etni e shkëputur, konsitucionalisht më e degraduar se ajo e pakicës dhe nën  standardët e kushtetutës së vitit 1974 ku “kombet dhe kombësitë shpalleshin të barabarta”.

Diskursi i tanishëm i grindjeve të politikanëve shqiptarë, nga njëra anë (opozitës) me “argumentin” e barazisë ligjore të gjuhës shqipe në një ligj të formuluar “Për barazinë e gjuhëve të  popullatës joshumicë”, ku shqipja, përmendet në një nën (në kllapa) dhe , nga ana tjetër (e pozitës) –  të mospërmendjes së saj në formulimin bazik të ligjit, gjë që është e vërtetë dhe kjo shihet edhe nga një material që para dy ditësh iu dërgua nga BDI-ja opinionit të Kosovës, tregon se politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut (pozitë apo opozitë), nuk e kanë përkushtim ndryshimin e pozitës kushtetuese, të popullit të barabartë shtetformues, por të qallmeve për të qenë në shërbim të politikës maqedonase, vetëm si qirak i saj.

Është për  keqardhje  retorika e njërës anë (opozitës)-  se gjuhës shqipe i është garantuar barazia me ligjin e numrave, dhe tjetrës anë (pozitës),  që atë e shpall “të hapur”, pra ligjërisht të paformuluar,  në vend se ky  argument të shfrytëzohet për t’u treguar problemi i vërtetë, pra pabarazia kushtetuese, me çka shpatat ndërshqiptare do të duhej të drejtoheshin kah zgjidhja e problemit me ndryshime kushtetuese dhe jo me manipulime ligjore.

Në këto rrethana, faktori politik maqedonas, pa marrë parasysh çfarë kanë ndodhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës,  përmes ndonjë formule të kompromiseve politike, mesiguri se do të dalë fitues. Ndërsa shqiptarët, në pozitë apo opozitë, krejt një,  do të vazhdojnë të arsyetojnë degradimin e të drejtave të tyre kushtetuese me “fitore politike partiake”, duke bërë kështu, që çështjet fundamentale të barazisë të mos adresohen tek preambula kushtetuese por tek ligjet konikturale!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok