21/12/2024

Vetëdija jonë për shtetin është në gjendje foshnjore

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Me gjasë vetëdija jonë për shtetin është në gjendje foshnjore, aq foshnjore sa të flasësh për ide e ideale ngjan njëlloj si të flasësh me një shurdh e memec, përndryshe s’ka se si të shpjegohet krejt kjo amulli mes nesh.

Tanimë në vendin tonë është betonuar indiferentizmi dhe s’na bëhet vonë për asgjë, përndryshe si do të gëlltitej me aq lehtësi fakti i makthshëm se vendi ynë është nën sanksione të perëndimit e me siguri jo për faj të perëndimit, por për shkak të sjelljeve dhe mendësisë thellësisht joperëndimore të institucioneve tona.

Sfera publike është vërshuar prej mediokreve e egërshanëve, veprimet e të cilëve janë anomali të pastra e çoroditje të pashpjegueshme.

Patriotizmi në këto kushte është veç deklarativ, po veç deklarativ, mburojë sa për t’ i dehë turmat dhe s’përbën kurrfarë vetëdije me dashtë vetveten pa pasë nevojë me urrejtë tjetrin.

Po, edhe dashuria për vendin është veç deklarative dhe tani më kujtohet Fishta i madh dhe pezmatimi i tij tek shihte shqiptarët e trullosur që s’çajnë krye për vend të vet.

E në këtë mishmash politik e kulturor e vërteta ngjan në një tokë të largët, të paarritshme, aq sa po duket se po krijohet një brezni e rrenave të mëdha.

Sepse, gënjeshtrat, egërsia e propaganda janë kthyer në norma ushqyese dhe këto i transmeton afshëm e me gulçima pushteti i sotëm i cili është duke e betonuar të keqen mes nesh.

S’ka korrupsion e krim ma të madh në një shoqëri se sa kur mbillet një ide e keqe, një ide e keqe që prish politikën dhe deformon identitetin e një vendi.

_________

Sikur pushteti i sotëm të besonte vërtet në një vlerë politike dhe sikur të kishte një vizion politik, me siguri s’do të sillej kaq egërsisht kundrejt qytetarëve të vet dhe s’do të shndërrohej në pushtet mllefi, propagande e parullash, por do ta dinte rrugën e vet dhe do të ecte me vetëdije përpara.

Por jo.

Pushteti i sotëm është kryekëput një mishmash anomalish e çoroditjesh pafund.

Në fakt, ka kohë që kur një përçudni e frikshme mbizotëron në Kosovë dhe ngjan në një mjegull të tmerrshme që s’i lejon njerëzit të shohin qartë.

Sepse, propaganda ka betonuar gënjeshtrën dhe në këso kohësh, e vërteta mbetet një tokë e pashkelur.

Kjo gjendje kaq e rënduar në të cilën ndodhet vendi ynë, duhet ta trondiste secilin njeri normal – ta zgjonte prej letargjisë, ta kthjellte mendjen, ta pastronte shikimin dhe të shihte në çfarë rruge të keqe është vendi.

Që vendi ynë është në një gjendje të keqe, këtë na tregojnë të gjitha parametrat politik e ekonomik. Na tregojnë miqtë tanë perëndimorë, në tregojnë aferat e përditësuara.

E në krejt këtë mishmash, më e keqja është fara e pabesisë e cila po mbillet mes nesh, pasojat e së cilës, po s’u ndërgjegjësuam mund të jenë të pallogaritshme.

_________

Një paçavure terri e Albin Kurtit tregon në ç’terr të madh është katandisë Kosova.

Këto paçavure, s’kanë të bëjnë asgjë me mendësinë perëndimore e demokracinë si sistem vlerash, ato janë pjellë e pastër e deduksioneve orientale, pra e mendësisë së urrejtës- shkollë kjo rrënimtare.

Që Kurti është udhëheqës rrënimtar e destruktiv, këtë e ka provuar qartësisht, në opozitë e pushtet, por që çohet peshë dhe në një paçavure terri u drejtohet “qytetarëve të dashur” dhe brenda të njëjtës paçavure pështyn sistemin e drejtësisë, historinë 20-vjeçare të Kosovës, opozitën, mediat, çdokënd që s’rrrshtohet… sepse, me togfjalëshin “qytetarë të dashur”, ai nënkupton veç kopenë e tij.

Mjerë Kosova, kush e udhëheq.

_________

Mid’hat Frashëri thonte se “shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër”, – e kësaj analize as sot s’ke çka i shton e as s’mund t’ia heqësh asnjë fjalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok