22/12/2024

Vetëm 5 minuta për Alicia Keys

0

Disqe, koncerte, celularë: Një ritëm marramendës pune dhe suksesi. Deri në momentin kur këngëtarja (tashmë edhe aktore) vendosi të bëjë pushimet e saj të para të jetë. Dhe mënyra e jetës I ndryshoi…

Një palë pushime mund të të ndryshojnë jetën. I ka ndodhur Alicia Keys-it, që para ca muajsh i lejoi vetes të parat “pu – shi –me” të vërteta siç e tregon vetë duke ndarë rrokjet gjithë qejf. Jo të zakonshmet fundjava në fund të ndonjë turneu, por tre javë të plota. Në Egjipt dhe në Itali. Vetëm. “Më në fund i kushtova pak kohë vetes: pushimet e mia të para si vajzë e rritur”, saktëson Alicia. “Kam qenë e ngarkuar me kaq shumë punë, por në vend që të vazhdoja të sforcohesha siç bëj gjithmonë, e kuptova se kisha nevojë të lija çdo gjë. Dhe më në fund të kthjelloja idetë se ç’do bëj me jetën time”.

Përndritja vendimtare i erdhi në ditët e fundit të udhëtimit, ndërsa ishte me të ëmën me Toskanë për të ndjekur një kurs gatimi. Teksa shihte të ëmën, që në vend që të shijonte ndonjë shëtitje ishte kredhur në tastet e celularit – palm, Alicia i thirri mendjes dhe vendosi të ndahej njëherë e përgjithmonë nga i pandashmi BlackBerry. “Ndodheshim në një vend të magjishëm e megjithatë nuk e pashë t’i ndante sytë asnjëherë nga telefoni celular. Aty e kuptova se edhe unë e gjej veten duke përdorur atë objekt të mallkuar çdo pesë minuta. Nuk ka kuptim që të kesh vetëm pesë minuta qetësi nga një impenjim në tjetrin”.

Do t’ju bëj të këndoni

Për të thënë të vërtetën, siç po shkon ky 2007, vetëm pesë minuta duhet të jenë maksimumi i qetësisë që Alicia mund t’i lejojë vetes. Edhe pse ka thënë disa herë se do të duhet t’i ngadalësojë ritmet frenetike të jetës së saj, – që në moshën 27-vjeçare e ka bërë fituese të nëntë çmimeve Gramy Awards dhe e ka ngjitur në majë të klasifikimeve me më tepër se 28 milionë disqe të shitura – kantautorja është duke hedhur hapa e parë në botën  e kinemasë me “Smokin’ Aces” një thriller dhe një tjetër film “The Nanny Diaries” që e sjell atë në ekran si miken e Scarlett Johansson. Në fund të tetorit do të publikojë edhe albumin e katërt, që siç thotë ajo “do bëjë të këndojë edhe ata më të qetët”.

Terapi aktrimi

Për të interpretuar rolin e saj në “Smokin’ Aces” (në një kast me Ben Afflek, Andy Garcia, Ray Liotta), Alicia-s që deri në atë kohë ishte gjendur nëpër sheshxhirime vetëm me ndonjë pjesë të vogël nëpër telefilma, iu desh të ndiqte një shkollë aktrimi. “Gjeta një mësues që më ndihmoi shumë, dhe jo vetëm nga ana profesionale. Unë nuk jam nga ato fjalëshumat, mbi të gjitha me njerëzit që nuk i njoh mirë. Ajo më shtyu t’i flisja për veten: ishte një terapi e vërtet!”.

Vetëm tre muaj pasi kishte mbaruar së xhiruari “Smokin’ Aces”, Alicia nisi punën me “The Nanny Diaries”, një kome kjo që tregon peripecitë e një studenteje baby –sitter në një familje të pasurish: në film roli i dados i është besuar aktores Scarlett Johansson, kurse Alicia luan miken e saj të zemrës. Scarlett tashmë është një dive e vërtetë, por këngëtarja tregon se është lidhur menjëherë shumë me aktoren, e cila nga ana e saj e përshkruan Alicia-n si një vajzë me “një sens të jashtëzakonshëm humori dhe që nuk të streson aspak”. Përkundrazi, këngëtarja duket mjaft në paqe me vetveten në sajë edhe të këtij hopi profesional. “Në këtë film interpretova një rol tërësisht të ndryshëm nga ai në “Smokin’ Aces” dhe është pikërisht ky objektivi im, si në muzikë ashtu dhe në kinema: të ofroj gjithmonë diçka që nuk pritet”.

Autori jam unë

Edhe albumi i saj i ri pritet të jetë aspak i parashikueshëm. Në  krah të pjesëve të lehta të luajtura në piano, do të ketë dhe pjesë të shpirtit rock. “Do të jetë një punë paksa e ndryshme:, parashikon Alicia. “Jo sepse befas kam nisur të këndoj apo të bëj muzikë në mënyrë të ndryshme, vetëm se ky album reflekton ekzaktësisht atë që në të vërtetë jam unë: e reja qëndron në një copëz vetëdijeje që mendoj se tashmë e kam arritur”. Si në të gjitha punët e saj të mëparshme, edhe në këtë disk, Alicia do të jetë autore ose bashkautore e muzikës së saj. Kjo është një pikë për të cilën ajo nuk pranon të bëjë kompromis (në fillim të karrierës së saj ajo ka nënshkruar një kontratë me Columbia-n, që e impononte të këndonte këngë të shkruara nga të tjerët), por prej vitesh ajo nuk e bën më këtë. Jo më kot, për të Clive Davis ka thënë: “Eshtë një grua dhe një artiste e kompletuar, kompozon pjesët, i interpreton, i prodhon dhe ndërkohë ka edhe karizmën e një ylli, një gjë kaq e rrallë kjo në ditët e sotme”.

Po djemtë ku janë?

Kjo lloj karizme për të cilën flet Davis, është kaq e rrallë sa ç’është e rrallë në ditët e sotme të gjesh një superstar të ri në moshë që të dijë të menaxhojë në mënyrë kaq të vetëdijshme edhe jetën private. Alicia nuk bën me të vërtetë asgjë për të tërhequr vëmendjen e paparacëve. “Nuk dal shpesh dhe nuk më pëlqejnë ato vende ku mund ta ndjesh veten si në një akuarium ku të vëzhgojnë të gjithë e ku dëgjon gjithmonë të njëjtën muzikë”,- shpjegon ajo, teksa të lë të kuptosh se i ka përmbushur me kohë dëshirat për festa dhe zhurmë që kur ishte edhe çupëlinë dhe shijonte jetën e natës në Nju-Jork.

Që nga debutimi i saj në vitin 2001 kanë vijuar të qarkullojnë zëra se ajo mund të jetë lesbike, zërat që ushqehen edhe nga fakti se ajo nuk është kapur kurrë me ndonjë djalë. Këto zëra ajo i ka përgënjeshtruar gjithmonë. Prej disa muajsh flitet për një lidhje me bashkëproducentin e disqeve të saj, mik që nga kohërat e liceut, Kerry “Krucial Brothers. Alicia vetëm sa ka komentuar: “Jam një vajzë me të vërtetë me fat, me një të dashur të jashtëzakonshëm”, përpara se të shtojë duke qeshur: “Edhe ai është goxha me fat”.

Jetë e saj ndahet mes një vilëze në Harlem dhe një shtëpie dy orë larg Nju-Jorkut, që ajo e përshkruan thjesht si një vend me “shumë pemë, një copëz tojë dhe ndoca fije bari”. Edhe pse Hollivudi mund ët këmbëngulë për ta pasur më afër, ajo thotë se nuk ka fare ndër mend ta lërë Nju Jorkun, ku është rritur nga e ëma në një garsonierë. “Los Anxhelesi më jep një ritëm të ndaltë, më bën të lumtur dhe diellore, të gjitha gjëra mjaft të bukura, thotë ajo duke buzëqeshur. “Por unë jam nga Nju-Jorku. Kam nevojë për grintë, ritme frenetike, për të ftohtin por qoftë edhe herë pas here për t’u ndjerë paksa keq!”

Jeta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok