23/12/2024
Anton-Marku

Nga Anton Marku

Tri dimensione të një tregimi mbi atë se si qëllimshëm provokohen tensione të cilat më pas eskalojnë dhe sjellin pasoja duke bërë që edhe miqtë më të përkushtuar të Republikës të rishqyrtojnë mbështetjen e tyre në të ardhmen. Se klasa e re politike në Kosovë është mjaft e talentuar për të prodhuar kriza, edhe atëherë kur kjo nuk është domosdo e nevojshme, është dëshmuar disa herë në dy vitet e kaluara. Tani që ky ‘‘afinitet’’ ka filluar që pandalshëm të rrëshqet nga truri në muskuj situata ka kaluar në nivel të rrezikshmërisë së lartë me të gjitha predispozitat për të gjeneruar dëme të pariparueshme dhe afatgjata për perspektivën e saj euroatlantike.

Rrëfimi i një ateisti

Që nga fillimi i dialogut në Bruksel, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, theksonte se për çështjet e brendshme të Kosovës nuk duhet zhvilluar negociata me Beogradin por me serbët që jetojnë në Kosovë, dhe këtë, ndër të tjera, edhe me arsyetimin se shqiptarët dhe serbët, duke qenë se për shekuj të tërë jetojnë pranë e pranë i kuptojnë mirë hallet e brengat e njëri-tjetrit. Se çfarë kishte në mendje atëherë dhe se në çfarë gjuhe u drejtohet sot ai pjesëtarëve të komunitetit serb që kur është në krye të qeverisë, u kuptua tashmë. Se sa ‘‘mirëkuptim’’ tregoi ai për shqetësimet e bashkëqytetarëve të tij tregon edhe fakti se ‘‘bakshishet’’ po jua dërgon me njësi speciale. Nuk është e qartë se si do të vazhdojë t’a trajtojë ai pakicën më të madhe joshqiptare në Kosovë: Si serbë, anëtarë të një kombi armik apo si qytetarë të Kosovës. Duke pasur parasysh simpatinë e kryeministrit për veprime të dhunshme, prognoza nuk është shumë inkurajuese, Për të fituar ndonjëherë besimin e tyre ai tashmë i ka djegur të gjitha kartat që i ka pasur në duar, nëse me të vërtetë i ka pasur ndonjëherë. Mbase, për të, që në burim ishte i kuq dhe që u nxi rrugës, ky do të jetë edhe një ndër gabimet, jo dhe aq të pakta, që ka bërë në karrierën e tij të deritashme politike, e të cilin, me shumë gjasa, nuk do ta pranojë ndonjëherë.

Ndeshja finale

Duket se, sidomos pas farsës me zgjedhjet për krerët e komunave veriore, kreu i qeverisë tashmë ka ndërmarrë të gjitha masat që sa më shpejt që të jetë e mundur të nis një konflikt i armatosur, fillimisht mes forcave të rendit të Kosovës dhe serbëve lokalë në veri të vendit. Si rrjedhojë, në të do të përfshiheshin Serbia dhe KFOR/NATO, pasuar nga ‘‘vullnetarët’’ shqiptarë dhe serbë, të cilët do të ndërprisnin me shumë ‘‘pasion’’ pauzën më se njëzet vjeçare të luftërave në Ballkan. Kjo do të ishte vija e të gjitha vijave të kuqe. Nuk është e sigurt se kush nga kush do të shpallë ndarjen apo kush kujt do t’i bashkohet. Po aq nuk është e sigurt se cilën anë do e mbante bashkësia ndërkombëtare në një rast të tillë. Ajo çka mund të thuhet me siguri është se skenari më i përafërt do të përfshinte sidomos izolimin dhe vendosjen e sanksioneve dhe do të përfundonte me imponimin e organizimit të një konference në të cilën do të ridefinoheshin jo vetëm kufijtë por edhe fatet e popujve në këtë pjesë të gadishullit. Se a do të ishte bilanci pozitiv për Kosovën, për këtë duhet të mendojnë vendimmarrësit e sotëm, duke u bazuar në analiza të thella, profesionale, gjithëpërfshirëse e përmbajtësore e jo në frustrime momentale të personave të papërgjegjshëm që mezi presin që historisë t’ia ‘‘shkoklojnë’’ ndonjë ditë lavdie.

Erë jugu në veri

Për herë të parë që nga shpallja e shtetit, flamuri i Kosovës, për të cilin më së paku ka merita Lëvizja Vetëvendosje, u pa të valëvitet në objektet e kuvendeve komunale të katër komunave në veri të vendit. Çuditërisht, kësaj pamje duket se ju gëzuan më së shumti anëtarët dhe përkrahësit e këtij subjekti politik, edhe pse do të ishte më e pritshme, duke e bazuar në bagazhin patriotik me bollëk, në vend të pëlhurës me ngjyrë kaltër-verdhë të ngrihej ai kuq e zi. Sidoqoftë tani që flamujt u ndërruan, simbolikisht, ata duhet vazhduar të qëndrojnë aty si tregues të sovranitetit. Do të ishte mirë që kjo të mos ndodhë duke qenë 24 orë policë të angazhuar në ruajtjen e tyre. Ky nuk është imazhi më i mirë të cilin Kosova ia përcjell botës. As sot as nesër. Me skena të tilla proceseve të rëndësishme integruese ju vihet një pikëpyetje e madhe prapa, ndër to edhe liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Më shumë se sa për lider luftënxitës, i cili qan për Republikën më shumë se sa ka lot për të derdhur, Kosova ka nevojë për vizionarë, të cilët atdheut i japin edhe një ngjyrë. Më të mirën. Atë të paqes.

Vjenë, 28 maj 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok