05/12/2025

VERA E SË DIELËS, CILËN SHISHE TË MARR, “I BURGOSURI” APO “I ÇPRANGOSUR”…

0
Visar-Zhiti-Vera2

Nga Visar Zhiti

– Të dyja? –

Buzëqesha prapë kur po endeshim në shitoren e verërave, ku vemi zakonisht dhe, mes llojeve të shumta sirtarëve, gjeta sërish shishet me etiketat “The prisoner” dhe pak tej ato me “Unshackled”, – i burgosuri dhe çprangimi – ia përktheva vetes në gjuhën amë…

…dy emërtime verërash që të ngjajnë më shumë me tituj shkrimesh: “I burgosuri” dhe “I çprangosuri”. I lirë?

S’besoj se janë ironi buzëqeshëse. Vërtet që vera të bën rob dhe po ajo të çliron?

Shishja e parë mos mban shijen e mbylljes, prangat, ato të brendshmet sigurisht, ngujimin në kujtime e dhimbje? Ngujimet mes muresh,telash me gjëmba, në paragjykime, ide të rreme, etj, etj. Unë e kam provuar të jem i burgosur realisht, por në burg nuk lejohej vera.

Dhe çmimi i “Të burgosurit” qenka 44.99 $, s’është dhe aq pak.

Të shkojmë te të tjerat, te “Çprangosjet”, shishet e tyre duhet të kenë më shumë dehje, shijen shpëtuese, mbase dhe tê lirisë, megjithëse çprangosja nuk është gjithmonë liri, por thjesht heqja e hekurave, mbetja me shenjat e tyre. Dhe paska ulje çmimi, çudi, kushtuaka më pak se gjysma e shishes së “Të burgosurit”. Unë do kisha menduar ndryshe, të kundërtën. Por ka më kosto i burgosur, duhen ngritur burgjet, duhen paguar policët, spiunët dhe kazanët e supës, etj, etj. Po që të burgosurit punojnë si skllevër apo vetëm në Shqipëri ndodhte? Në të gjithë perandorinë komuniste, besoj, etj, etj.

E ç’është më e shtrenjtë, pra, burgu apo liria? Se mos është vera?

Vera, si jeta, e ka këtë dyzim: ajo që të lidh dhe ajo që të zgjidh, ajo që të fundos dhe ajo që të shpëton, ngazëllimin gjithsesi.

Ndoshta liria nuk është në shishen e verës, por në gotën që ngremë bashkë, duke ditur të bashkëjetosh me dhimbjet dhe humbjet, te gjesh gëzim dhe në to dhe çprangosjen ta kthesh në përshpirtje. Të dish të jesh i lirë së brendshmi.

Por ka diçka që tejkalon burgimin dhe çprangosjen dhe lirinë: dashuria. Vetëm ajo e kthen burgun në zgjedhje të vështirë dhe çprangosjen në jetë dhe…dhe… Edhe vera, kur pihet me dashuri, është bekim, një gotë e ngritur lart për Ty, ka brenda lirinë e burgut dhe burgun e lirisë… dashuri!

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok