22/12/2024

Vepër e shkruar me përkushtim të madh dhe në mënyrë profesionale …

0
Gashi-Aleksander-Moisiu

Libri kushtuar aktorit Aleksandër Moisiut

Studiuesi i përkushtuar Sinan Gashi, i cili deri tashti ka botuar rreth tridhjetë e pesë  vepra letrare e shkencore, pas monografisë për aktorin me famë botërore Bekim Fehmiun  dhe aktorin e talentuar Muharrem Qena, botoi monografinë e tretë, tani për aktorin e përbotshëm Aleksandër Moisiu.

Nga Hasan Hasanramaj

Kjo vepër strukturoren në këtë formë: pas hyrjes, është biografia e tij e emërtuar Kronologjia e një jete interesante, për të vijuar me Mosiu aktor teatri dhe filmi, pastaj vijohet me disa shkrime dhe një dramë, dëshmi krijuese në petësi. Një kaptinë e veçantë është Aleksandër Moisiu dhe Bekim Fehmiu, dy gjeni të skenës, për të vijuar me albumin Transformimi artistik i figurës, pastaj Vlerësime ndër vite, Në përfundim të jetë-krijimtarisë dhe faqes Bibliografia, të shtrira në gjithsej njëqind e tetëdhjetë e një faqe libri. Në kaptinën e parë autori i librit – Sinan Gashi jep të dhëna për jetën e aktorit shqiptar, që nga lindja e tij në Trieste, ku kishte emigruar i ati, e deri sa jeta e tij u përmbyll nga sëmundja e tuberkulozit, në Vjenë.

Ky studiuesi para vetës ka mjaft monografi nga shqiptarët dhe te huajt që kanë shprehur interesim për aktorin Mosiun, por ai mundohet të bëjë një seleksionim pozitiv për të ndërthurur të dhëna që nuk i ka pikasur asnjëri nga biografët e më parmë. Madje nëpërmjet fusnotes  sqaron për lexuesin se çfarë është unaza e Iflandit, kur është dhënë si çmim aktrimi gjenial, pastaj kush ishte aktori Iffland; në sa vende interpretimi ka qenë ai, duke i saktësuar qytetet dhe shtete pothuaj në tërë botën, në sa teatro ka shfaqur gjeninë e tij të aktorit, me cilët personalitete të artit skenik është takuar dhe ka pasur bashkëpunim, si ka filluar të xhiroj filma (fillimisht pa zë e më vonë edhe më zë), të cilat janë peripecitë e përjetimit emocional dhe shqetësimet profesionale deri në shkatërrimin e tij gradual të shëndetit të tij, e ujerë.

Në Vlerësimet  kushtua librit Sinan Gashi paraqet faktet  artistike  përmes fragmenteve shkrimore dhe të kritikëve

Në  këtë vepër nuk mungojnë edhe detaje nga familja e tij shumë anëtarësh, pastaj momente nga jeta fëmijërore dhe rinore, jeta e tij herë në pasuri nga i ati biznesmen, pastaj rënia ekonomike dhe përjetimi ekstrem i jetës së varfanjakut dhe, kur bahet i famshëm sërishmi ngritja ekonomike, të cilën më as që e shijon, duke qenë tërësisht i dhënë vetëm pas krijimtarisë artistike shumëdimensionale. Gjithashtu vlen të theksohet se  autori i monografisë e evidencon edhe kohën kur Aleksandër Moisiu ishte i mobilizuar si ushtarak në Gjermani, pastaj zënia rob lufte dhe së fundi, pas ndërhyrjes së personaliteteve të shquara të artit, ai lirohet. Pas një jetë me ngritje e rënia drastike të të gjitha natyrave, fizike dhe emocionale, vjen fundi i dhimbshëm tragjik i tij, pa qenë në gjendje as të përmirësojë për pak kohë gjendjen shëndetësore. Ajo që është më rëndësi është krijimtaria e tij letrare, që rrëfen edhe për një talent të patheksuar deri vonë për të. Atë talent shkrimi, Aleksandër Moisiu e reflektonte fillimisht në letrat që i dërgonte familjes,  në disa ese, në të cilat trajtonte problemet e teatrit dhe të filmit në Evropë, duke pikasur edhe figura të shquara të kësaj lëmi. Por, ajo që kulmon është drama kushtuar Napolon Buonapartit, titulluar “I burgosuri”,  të gjitha ttë shkruar në gjuhën gjermane. Me artikuj, Aleksandër Moisiu reflekton njohuritë thelbësore që kishte ai për artin skenik si dhe problemet që e rëndonin gjatë viteve atë, si pasojë e lëvizjeve politike në Evropë.

Reflektimi i Moisiu rreth njohurive thelbësore  për artin skenik  dhe problemet që e rëndonin …

Përkundrazi, për ta krijuar dramën për Napoleonin, ai kishte hulumtuar literaturë dhe kishte studiuar me përkushtim për ta dhënë figurën e një personaliteti të shquar të historisë botërore, përkatësisht të një perandori që e përjeton fundin tepër të ultë, sa ishte burgosur në stallën e kafshëve. Kjo sikur rezulton që sundimtarët e vrazhdët e të pashpirt do e kenë përfundimin fatal si ky. Duke qenë se ai e njihte mirë skenën, shkrimin e dramave, me të cilat i kishte shkuar jeta, i jep edhe këtu qartë dhe me sens të masës të gjitha pjesët e ngjarjes dhe ndërthurjet e tyre përmes personazheve në vepër. Madje edhe kur ajo ishte shfaqur në teatrin gjerman, kishte përjetuar vlerësime pozitive.  Sipas të dhënave, Moisiu kishte synim të krijonte edhe më, por dinamika e lëvizjeve të tij të kushtëzuara, me udhëtime të shpeshta ndërkontinentale në Evropë, në Amerikë dhe në Arabi bëri që të mos i realizoi ato, por i mbeten vetëm si ide.  Në kaptinën krahasimtare mes jetë-krijimtarisë së Aleksandër Moisiut dhe të Bekim Fehmiut,  autori i monografisë dëshiron të bëjë një krahasim barazimtarë, që nga familjet e tyre, me numër anëtarësh në familje, shkollimet, e duke ardhur të sulmimet e tyre: njëri në artin teatral të  Moisiut ndërsa tjetri në atë filmik (B. Fehmiu), ani pse që të dy kishin interpretuar në teatër, përkatësisht në film. Ajo që e bënë më aktuale këtë kaptinë është se në fusnota jepen emrat edhe të aktorëve të tjerë shqiptarë, gjithsesi më të rinj, që kishin bërë emër në filmo grafinë botërore.

Kaptinë e veçantë  e librit është ajo e albumit fotografik, ku Moisiu  paraqitet si fëmijë, si aktor në role të ndryshme…

Për të na dhënë aftësinë e jashtëzakonshme, gjeniale të tij në transformimin e figurës, me plasticitetin e rrallë, që lë gojëhapur shikuesit, regjisorët dhe aktorët me famë të kohës së tij.  Me këtë mënyrë lexuesi i mishëron faktet e dhëna fillimisht me fotografinë, që vjen si dëshmi konkretizuese. Në Vlerësime ndër vite, autori Sinan Gashi synon të faktikeje madhështinë artistike të qenies së tij përmes fragmenteve shkrimore të kritikëve të teatrit apo të shkrimtarëve dhe aktorëve të ndryshëm botërorë dhe shqiptarë për këtë personalitet të papërsëritshëm më në historinë e teatrit dhe filmo grafisë, aq më tepër kur gjërat ishin në fillimin e tyre, pa teknikat e sotme ndihmëse, kur vetëm lëvizjet në skenë dhe timbri i fjalës me emocion si as një tjetër, e bënë të jetë tepër i adhurueshëm sa edhe të mbetet i njëhershëm në artit skenik. Për të mos i thënë këto nga lakmia kombëtare, ai citon krijues gjermanë, francezë, rusë, austriakë e tjerë, si dëshmitar të afërt me kohën e interpretimit gjenial. Marrë në tërësi mund të konstatojmë se kjo monografi është mjaft interesante nga përmbledhja e të gjitha të dhënave për Moisiun sa edhe për kompletimin e shumanshëm të figurës së tij, si dhe fatin heroika – tragjik të një artisti. Mbase të gjithë personalitetet gjeniale dhimbshëm e kanë përmbyllur jetën fizike,  Vepër  e shkruar me një përkushtim të madh dije  dhe  profesionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok