26/12/2024

VEPËR E RËNDËSISHME PËR LETËRSINË PËR FËMIJË

0
Anton-Nike-Berisha-Poetika

Anton Nikë Berisha “Poetika e letërsisë për fëmijë”.

Botoi Universiteti i Gjakovës“ Fehmi Agani”, Gjakovë 2020.

Nga Ajete Zogaj

Është i njohur kontributi i profesor Anton Nikë Berishës në fushën e letërsisë: autor i disa romaneve të realizuar për të rritur e për fëmijë, i disa përmbledhjeve me poezi me vlera të ngritura dhe i studimeve monografike, ku vështrohen vepra kulmore të letërsisë sonë e të letërsive të tjera.

Se pena e vyer e këtij studiuesi vazhdon të jetë shumë prodhimtare, e dëshmon vepra “Poetika e letërsisë për fëmijë” botuar ditë më parë nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, si libër universitar për studentë dhe për profesorë që e japin këtë lëndë.

Vepra “Poetika e letërsisë  për fëmijë” (Letërsia për fëmijë si art i fjalës & Vëzhgime teorike & Krahasime me letërsinë për të rritur& Interpretime veprash & Portrete shkrimtarësh) është studim i veçantë jo vetëm për dukuritë, për autorët dhe për veprat që i merr në shqyrtim, por mbi të gjitha për mënyrën e qasjes, të interpretimit dhe të argumentimit që përdor në pjesët dhe punimet për veprat konkrete.

I shtjelluar në tri pjesë libri trajton çështje të shumta e të rëndësishme të letërsisë për fëmijë në aspektin teorik ashtu dhe të interpretimit të teksteve, si dhe portretizimit të autorëve të shquar të kësaj letërsie.

Në pjesën e parë të librit: Çështje teorike të letërsisë për fëmijë autori trajton dukuri teorike të letërsisë si art i fjalës e sidomos të letërsisë për fëmijë përballë letërsisë për të rritur. Mbasi krahason elemente të rëndësishme të këtyre dy shtresave të artit të fjalës, Berisha thekson faktin se të dy këto shtresa si përbërës të qenësishëm kanë gjuhën poetike dhe mesazhet poetike dhe për të dyja qëllimi kryesor është ndikimi estetik te marrësi, përkatësisht të lexuesi.

Në pjesën e dytë Interpretime veprash profesor Berisha në mënyrë profesionale dhe thellësore u qaset dhe bën interpretimin e disa veprave të veçanta për fëmijë, qoftë të autorëve shqiptarë, qoftë të atyre të letërsive të tjera, duke ndriçuar vlera kryesore poetike që i cilësojnë ato. Në Parathënien e librit Berisha thekson: “Vepra e letërsisë për fëmijë është para së gjithash art i fjalës, prandaj nëse me dashje e lëmë anash këtë tipar të saj, vetvetiu i mohojmë qenësinë dhe veçantinë, përkatësisht qëllimin kryesor: përmasën artistike dhe kënaqësinë – ndikimin estetik”. (f. 15).

Pjesa e tretë e librit Portrete shkrimtarësh sjell para lexuesit portretin letrar të dy autorëve të dëshmuar të letërsisë sonë për fëmijë: Rifat Kukajn dhe Vehbi Kikajn.

Trajtime teorike të letërsisë për fëmijë

Në këtë vepër studimore profesor Berisha ndriçon një varg veçantish të letërsisë si art i fjalës, duke filluar nga lindja e saj në formën gojore, pra të lindjes dhe të komunikimit të letërsisë të bartur gojarisht prej një individi të tjetri dhe e cila ishte pararendëse e letërsisë së shkruar. Autori thekson se arti i fjalës, qoftë ai i përcjellë gojarisht, qoftë ai i shënjuar përmes shkrimit, përligjin pasurinë shpirtërore që e shoqëroi njeriun nga kohët e lashta dhe përmes formave të ndryshme të komunikimit ndikuan në zhvillimin dhe përparimin e tij.

Duke ndriçuar natyrën komplekse të letërsisë si art, autori shkruan: “Në të vërtetë, thuhet se përkufizimi më i qëlluar dhe më i plotë i artit të fjalës është vetë arti i fjalës […].Arti letrar është shumështresor dhe ngërthen në vete një varg veçantish e tiparesh, vlerash e kuptimesh, të përligjura në vepra llojesh të ndryshme e të shumta të krijuara në rrjedhë të qindvjetshave e në kultura të ndryshme e nga individë të ndryshëm” (f. 24), që vështirë mund të përmblidhet në një përkufizim.

Në vazhdim të përcaktimit të natyrës së veprës letrare poetike, përkatësisht të tekstit të tyre si shtjellim gjuhësor shprehës, Berisha thotë: “Ajo që e bën të shkruajë një shkrimtar të mirëfilltë (nuk mendoj për shkrues dhe autorë që shkruajnë sa për të thënë) është se atë që e ‘tund’ në shpirt, ndien se mund dhe duhet ta thotë, pra të bëjë të ekzistojë nëpërmjet strukturës gjuhësore të veçantë, ta krijojë të bukurën me fjalë. Ajo që i jep shpirt letërsisë, siç u tha më parë, është gjuha dhe gjithçka lidhet me mënyrën sesi ajo zgjedhet e shtjellohet në tekstin konkret dhe nga shumësitë kuptimore që dalin prej tij. Teksti që gjakon njëkuptimësinë, nuk i përket mirëfilli letërsisë, po fushave të tjera. […] Përcaktimi i një teksti letrar ose joletrar kushtëzohet edhe nga aftësia dhe mënyra e leximit të individit (lexuesit); nga njohja, nga përvoja dhe nga shija që ka për artin.” (f. 30).

Autori i çmon të rëndësisë së dorës së parë mesazhet poetike që dalin nga teksti letrar dhe për të vërtetën artistike që ai shpreh: “[…] shkrimtari nëpërmjet ngjarjeve dhe dukurive të trajtuara në veprën letrare nxjerr kuptime dhe zbulon qenësi, po dhe i krijon ato, që domethënë e pasuron përvojën e kohës së tij e të kohëve pas tij. E vërteta historike është e rëndësishme për brezat, por në veprën letrare artistike shprehet e krijohet, siç u tha, e vërteta e mundshme, e vërteta artistike, që pa dyshim, ka vlerë më të madhe.” (f. 39).

Në librin studimor “Poetika e letërsisë për fëmijë” studiuesi Anton Nikë Berisha, sjell shembuj të shumtë të veçorive të letërsisë për fëmijë si dhe të raporteve e të pikëtakimeve të saj me letërsinë për të rritur. Sipas Berishës “[…] nuk mund të bëhet fjalë për kufij të prerë midis letërsisë për të rritur dhe letërsisë për fëmijë – të dyja i përkasin artit të fjalës dhe të dyja kanë rëndësinë e pamohueshme në zhvillimin dhe në pasurimin e traditës letrare”. (f. 67).

Autori i këtij libri trajton edhe veçantitë dalluese të letërsisë për fëmijë dhe asaj për të rritur. Ai thekson se këto dy shtresa të artit të fjalës ndryshojnë për mënyrën e qasjes së objektit poetik, për gjuhën dhe për shtjellimin e tekstit, si përcaktues i rëndësishëm i secilës krijesë letrare, pra edhe i veprave të këtyre dy shtresave të letërsisë, që lidhet me marrësin – lexuesin, të cilit i kushtohen.

Qasja teorike dhe vlerësimet që sjell profesor Berisha në veprën “Poetika e letërsisë për fëmijë” janë tregues bindës në radhë të parë për njohjen dhe dijen e thelluar të autorit për letërsinë e për natyrën e tekstit të veprës letrare. Nisur nga shqyrtimi thellësor dhe argumentues që profesor Anton Nikë Berisha i bën letërsisë për fëmijë në këtë libër mund të themi me bindje se e vendos atë në rrafshin më meritor të studiuesve të letërsisë sonë për fëmijë. Po sjell këtu një mendim të rëndësishëm të profesor Berishës për veprën letrare për fëmijë: “Vepra letrare për fëmijë, si dhe çdo vepër tjetër letrare, përbërësin kryesor e ka gjuhën dhe mënyrën e shtjellimit të tekstit poetik nga dalin mesazhet, marrëdhëniet e fjalëve, shumësinë dhe nuancimet kuptimore, ngjyrimet ndjenjësore e tingullore, përafrimin, ballafaqimin dhe përplasjen ose kundërvënien, humorin përmasën argëtuese – lojën. Me tipare të këtilla ajo bëhet pjesë e pandashme e artit të fjalës, letërsisë dhe çdo përkufizim i saj jashtë këtyre përbërësve është i paplotë dhe i papranueshëm. Çështja që letërsia për fëmijë ka mundësinë të shqyrtohet, të analizohet dhe të përdoret dhe për qëllime të tjera, si, fjala vjen, edukative dhe pedagogjike, nuk e kufizon dhe nuk e ndërron thelbin e saj, por dëshmon vetëm pasurinë, gjerësinë dhe rëndësinë e saj të shumëfishtë”.(f. 43). Pra, sipas profesor Berishës, letërsinë për fëmijë e bëjnë letërsi të mrekullisë dhe të magjisë para së gjithash gjuha, mënyra e perceptimit, e shtjellimit dhe e të shprehurit, thjeshtësia e mesazheve, loja që është e pranishme e që gërshetohet me humor të natyrshëm, që zgjojnë tek fëmijët kureshtjen, kënaqësinë, fisnikërimin dhe pasurimin shpirtëror.

I një rëndësie të veçantë është kapitulli ku autori në mënyrë kronologjike jep ‘rritën’ dhe zhvillimin e letërsisë për fëmijë dhe të autorëve  të dëshmuar, që përkundër sistemit komunist në  Shqipëri  krijuan vlera të qëndrueshme, po dhe për veprat letrare të botuara në Kosovë duke filluar nga viti 1953.

Interpretim i veprave të rëndësishme për fëmijë

Në pjesën e dytë të librit “Interpretime veprash” profesor Anton Nikë Berisha merr në shqyrtim përmbledhjet me poezi “Posta e porositur” të Mark Krasniqit, “Pëshurrani i gjyshit” të Rifat Kukajt, si dhe veçanti të poezisë për fëmijë të Agim Devës.

Sipas studiuesit Berisha, përmbledhja “Posta e porositur” e Mark Krasniqit, është njëra ndër veprat më interesante dhe më të rëndësishme për fëmijë në letërsinë shqipe. Kjo vepër i mundëson fëmijës, në të njëjtën kohë, të luajë rolin e spektatorit dhe të pjesëmarrësit ose thënë ndryshe, njësimin e botës së brendshme me nevojat dhe dëshirat e veprimit të përditshëm”.(f. 94).

Për përmbledhjen e Rifat Kukajt “Pëshurrani i gjyshit” Berisha thekson se ajo “[…] pa asnjë dyshim hyn në rrethin më të ngushtë të veprave më artistike të poezisë për fëmijë të shkruara në gjuhën tonë shqipe”. Këtë vlerësim, profesor Berisha e argumenton me analizën e hollësishme që i bën kësaj përmbledhje me të cilën Rifat Kukaj mbërrin një rrafsh të lart poetik duke përftuar me mjeshtëri disa nga pamjet më të rralla e më poetike që njohu deri atëherë poezia jonë për fëmijë; shqiptoi të rëndomtën të ngjizur me të parëndomtën, duke gërshetuar me shkathtësi përditshmërinë dhe përfytyrimin, konkreten dhe imagjinativën. (f. 101).

Në librin “Poetika e letërsisë për fëmijë” prof. Berisha bën objekt studimi dhe poezinë për fëmijë të Agim Devës, ku midis të tjerash shkruan: “Pasuria e vargut dhe formës, që ngjasin brenda një vargu, një strofe ose një vjershe, bashkë me elementet që i zumë ngojë më parë: tematikën aktuale, shumësinë kuptimore dhe gjuhën poetike që përdor ky krijues, i japin poezisë së tij përmasën e origjinalitetit dhe vlerën e padiskutueshme që ka brenda poezisë sonë për fëmijë”. (f. 127).

Vend të rëndësishëm në këtë libër zë edhe trajtimi që studiuesi u bën veprave në prozë “Princi i vogël” Anton dë Sent Egzyperi, “Zogu i bardhë” dhe “Dita e xhufkave” të Rifat Kukajt dhe romanin “Shpella e piratëve” të Petro Markos.

Romanet “Princi i vogël” dhe Zogu i bardhë” autori i librit i cilëson si kryevepra brenda letërsive përkatëse për fëmijë, interpretimi i të cilave dëshmon për aftësinë e autorit të ballafaqohet me vepra të tilla poetikisht të ngritura e të vërë komunikim thellësor me to.

Romanin “Shpella e piratëve” të Petro Markos studiuesi Berisha e vlerëson vepër të aksionit dhe të ngadhënjimit, ku gërshetohet bota gojëdhanore me botën reale: “Hyrja në Shpellën e piratëve është, thënë metaforikisht, hyrje në të kaluarën, është shpalim artistik i fatit, i pësimeve, i flijimeve, por edhe i qëndresës dhe i dinjitetit të njeriut tonë”.(f. 166)

“Roman që rrënjëzon mirësinë dhe mirëkuptimin midis njerëzve” është pjesa që trajton çështje teorike dhe konceptuale të romanit “Dita e xhufkave” të Rifat Kukajt, për të cilin thuhet: “Romani ‘Dita e xhufkave’ i Rifat Kukajt në mënyrë të denjë dëshmon për rritën dhe cilësinë e prozës romaneske për fëmijë në gjuhën shqipe, një vepër artistike, që do ta dëshironin edhe letërsitë për fëmijë të traditave më të mëdha shkrimi se sa e jona”.(f. 179).

Në pjesën e tretë të këtij libri studiuesi Anton Nikë Berisha, jep portretin e dy autorëve të dëshmuar Rifat Kukajt dhe Vehbi  Kikajt.

Veprimtarinë letrare për fëmijë të Rifat Kukajt autori e vlerëson në këtë mënyrë: “Vepra letrare e Rifat Kukajt tashmë është bërë pjesë e artit tonë të fjalës, e pasurisë sonë shpirtërore, sidomos e asaj për fëmijë dhe me kohë do të bëhet edhe më shumë. Një gjë të këtillë e përcaktojnë dhe e përligjin vlerat e mëdha që i cilësojnë veprat e tij.” (f. 194); ndërsa për krijimtarinë letrare të Vehbi  Kikajt vë në dukje sa vijon: “Çështja e parë që meriton të theksohet është se vepra letrare e tij edhe sot e gjithë ditën ka vlera dhe është aktuale. Kikaj ishte i vetëdijshëm se krijimi i veprës letrare artistike është punë që kërkon përpjekje e flijime të mëdha dhe vetëm si vlerë poetike ajo mund të bënte rolin e vet të shumëfishtë. Në mënyrë të veçantë ai kishte kuptuar nevojën e përpjekjeve të shumëfishta të krijuesit të letërsisë për fëmijë për krijimin e veprës artistike, e cila do të komunikojë e do të ndikojë në atë shtresë lexuesish, që njëkohësisht i përket të tashmes dhe të ardhshmes. Kikaj e shihte ndikimin e letërsisë për fëmijë në mënyrë komplekse, edhe si mesazh artistik, edhe si formë e njohjes së botës, edhe si vetëdijesim për jetën dhe veprimin e individit”.(f.195).

Libri “Poetika e letërsisë për fëmijë” i Anton Nikë Berishës është studim i rëndësishëm, mbase më i rëndësishmi i botuar deri më tani për letërsinë për fëmijë, prandaj si i këtillë do t’u shërbejë model studiuesve të letërsisë për fëmijë, studentëve e profesorëve që merren me letërsinë për fëmijë.

Prishtinë, dhjetor 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok