“Vendosni fotografitë e fëmijëve tuaj në zyrat tuaja dhe shikoni në sytë e tyre përpara se të merrni ndonjë vendim” mesazhi i përgjithshëm për politikanët (e ri) të Republikës së Kosovës
Shkruan: Lekë Mrijaj
Thënia e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, “Vendosni fotografitë e fëmijëve tuaj në zyrat tuaja dhe shikoni në sytë e tyre përpara se të merrni ndonjë vendim”, mbetet një apel për ndërgjegjësim për politikanët (e ri) të Republikës së Kosovës. Përtej fjalëve, kjo thënie e sipërme epike është një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata politikanë me karakter kombëtar, kulturor e njerëzor, që mbajnë apo do të mbajnē përgjegjësi publike dhe atdhetare dhe që kanë detyrimin moral t’i shërbejnë interesit të përgjithshëm.
Në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Republikën e Kosovës, kjo thënie Zelenskyt, merr një domethënie të veçantë. Më shumë se kurrë, është e nevojshme që çdo kandidat për deputet i nivelit nacional me orientim pro-perëndimor, çdo qytetar i ndërgjegjshëm dhe çdo vendimmarrës të mos e shohë politikën si një mjet për përfitime personale apo gllabërim pushteti, por si një përgjegjësi të madhe ndaj brezave të ardhshëm dhe vetë Republikës së Kosovës.
Kur liderët tanë politik marrin vendime për drejtësinë, ekonominë, arsimin, shëndetësinë apo sigurinë, ata duhet të shohin larg apo shumë larg, përtej interesave të momentit. Çdo vendim i tyre ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në reputacionin dhe stabilitetin e Republikës së Kosovës, por edhe në jetën e fëmijëve të saj dhe të fëmijëve të tyre.
Çfarë do t’u thonë politikanëve nesër, kur brezat e ardhshëm të tyre t’i pyesin: “Çfarë keni bërë për të ardhmen tonë?”
Demokracia nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një përgjegjësi. Ajo kërkon zgjedhje të mençura, përkushtim ndaj vlerave dhe sakrificë për të mirën e përgjithshme. Për më tepër, kjo përgjegjësi është e lidhur ngushtë me miqtë dhe aleatët tanë gjeostrategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian (BE-së) – të cilët kanë qenë dhe mbeten promotorët më të fuqishëm të lirisë dhe demokracisë sonë në Republikën e Kosovës.
Pa ndihmën ( e çlirimtarëve të atdheut, martirëve të vrarë para dhe gjatê luftês) dhe përkushtimin e NATO-s, e cila drejtohej fuqishëm nga Amerika dhe Evropa, rruga jonë drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit do të ishte shumë më e vështirë, në mos të themi edhe e pamundur. Pikërisht ata kanë investuar në zhvillimin e Kosovës, në forcimin e institucioneve dhe në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Për këtë arsye, çdo vendim që marrim duhet të reflektojë jo vetëm interesin kombëtar, por edhe angazhimin tonë të palëkundur ndaj vlerave demokratike që ne si Kosovë w ndajmë me aleatët tanë besnik.
Prandaj, para se të votojmë në zgjedhjet nacionale të Kosovës dhe para se të marrim vendime kapitale, le të shikojmë sytë e fëmijëve apo të engjujve tanë. Ata sy të pafajshëm engjullorë nuk presin premtime boshe, por veprime konkrete që e ndërtojnë një Kosovë më të drejtë, më të sigurt dhe më të zhvilluar – një Kosovë që ecën përkrah me partneritetin me të fortë global, pra me SHBA-në dhe Evropën.
Në fund, le ta bëjmë këtë reflektim pjesë të ndërgjegjes sonë kolektive:
A po ndërtojmë një të ardhme ku fëmijët tanë do të jenë krenarë për vendin e tyre dhe për miqtë që na ndihmuan? Apo një të ardhme ku ata do të na pyesin pse dështuam?
Përgjigjja për Republikën e Kosovës, brezat dhe familjet është në duar tona.