VËLLAMËRIA INTELEKTUALE DHE SHPIRTËRORE: LIDHJA MIDIS DY KRIJUESVE PEDAGOGË, STUDIUES E SHKRIMTARË
Libra dhe personalitete
(Prof. Dr. ISAK SHEMA: “LATIF BERISHA, JETA DHE VEPRA”, Botime Artini, Prishtinë, 2025)
Nga Prend BUZHALA
Vëllimi “Latif Berisha – jeta dhe vepra” i prof. Dr. Isak Shemës përfaqëson veprat letrare dhe studimet shkencore të Latif Berishës, të dokumentuara, të studiuara dhe interpretuara nga Isak Shema. Në këtë rast, vepra si e tillë, shfaqet në disa rrafshe përfaqësimi: në radhë të parë, të marrëdhënieve profesionale e pedagogjike midis dy kolegëve, ku vëllamëria personifikohet në veprën e shkruar, si në jetën akademike dhe kulturore. Kësisoj, kjo vëllamëri, shfaqet në dije dhe letërsi që thekson bashkëpunimin profesional dhe krijimtarinë e përbashkët; është vëllamëri midis fjalës dhe veprës e që e ndërlidh fjalën ligjërimore (mësimdhënien) dhe fjalën e shkruar (veprat shkencore). Është vëllamëri në rrugën e dijes dhe kulturës, meqë shfaqet në dimensionin kulturor dhe arsimor i këtyre raporteve. Është përvoja e ndarjes së përbashkët të dijes, sfidave dhe krijimtarisë, duke i bërë dy njerëz, që ndajnë pasionin për arsimin dhe kulturën, si vëllezër.
Është botim i veçantë, sepse në të shquhen dy personalitete të jashtëzakonshme që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e mësimdhënies dhe të studimeve albanologjike. Figura e tyre përfaqëson një periudhë të caktuar kohore )vitet 1970-1998) që mishëron një përkushtim të rrallë ndaj dijes, arsimit, rezistencës dhe kulturës kombëtare. Ata ishin jo vetëm pedagogë, por edhe udhërrëfyes shpirtërorë e intelektualë për breza të tërë studentësh.
- Jeta si paradigmë e intelektualit shqiptar: përmasakritike dhe kufijtë e veprës
Libri “Latif Berisha – jeta dhe vepra” përbën një monografi të plotë shkencore dhe dokumentare kushtuar njërit prej personaliteteve më përfaqësuese të letërsisë, arsimit dhe mendimit albanologjik në Kosovë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Autori, Prof. Dr. Isak Shema, e koncepton veprën jo vetëm si jetëshkrim faktografik, por si portret intelektual, letrar dhe historik, duke e vendosur figurën e Latif Berishës në kontekstin e gjerë të zhvillimeve kulturore, politike dhe shoqërore shqiptare.
Nga pikëpamja strukturore, libri është ndërtuar mbi një logjikë kronologjike dhe tematike të ndërthurur, ku jeta personale, veprimtaria arsimore, krijimtaria letrare dhe kontributi shkencor analizohen si pjesë të një procesi të vetëm formues. Kjo qasje shmang fragmentarizimin dhe i jep veprës koherencë të brendshme. Metodologjikisht, autori ndjek parimet e kritikës historiko-letrare, duke u mbështetur në burime arkivore, tekste origjinale, dorëshkrime, botime periodike dhe dokumente institucionale. Kjo e bën monografinë një vepër me peshë shkencore dhe jo thjesht një tekst përkujtimor.
Në analizën e jetës së Latif Berishës, libri shpalos figurën e intelektualit shqiptar që formohet, vepron dhe sakrifikohet në kushte historike të vështira. Nuk ka idealizim artificial të subjektit të trajtuar. Personaliteti historik i profesor Latifit paraqitet si produkt dhe njëkohësisht kundërshtar kritik i realitetit historik, politik e kulturor në të cilin jetoi.
Veçanërisht domethënës është trajtimi i periudhës së përjashtimit nga Universiteti i Prishtinës dhe angazhimi i tij në rezistencën kulturore e politike të viteve ’90. Këtu libri fiton përmasë etike dhe dëshmuese, duke e shndërruar jetën e Latif Berishës në simbol të intelektualit që nuk ndahet nga përgjegjësia shoqërore.
Në pjesën kushtuar krijimtarisë poetike, autori e lexon poezinë e Latif Berishës kryesisht në çelësin e lirizmit social dhe patriotik, me vendosjen e kësaj krijimtarie në fazën e hershme të poezisë moderne shqiptare në Kosovë. Përmbledhja “Tufa” analizohet si vepër që shënon kalimin nga poezia tradicionale drejt një shprehjeje më personale, por ende të ngarkuar me mision kolektiv.
Nga aspekti kritik, vërehet se poezia e Berishës shkon përtej eksperimentimit formal radikal, meqë synon qartësinë, komunikimin dhe funksionin ndërgjegjësues. Autori e vlerëson këtë si zgjedhje estetike të vetëdijshme, të lidhur ngushtë me rolin e poetit si zë i kohës.
Pjesa kryesore dhe më e fuqishme e monografisë mbetet analiza e studimeve historike-letrare të Latif Berishës. Autori e paraqet atë si njërin nga studiuesit më konsistentë të romantizmit shqiptar, veçanërisht në trajtimin e De Radës, Naim Frashërit, Zef Serembes dhe letërsisë së Rilindjes, por edhe të Hil Mosit e Ali Asllanit më vonë. Këtu spikat qartazi profili i Latif Berishës si studiues me formim krahasimtar, që e sheh letërsinë shqiptare në dialog me letërsitë evropiane, por gjithnjë të lidhur me kontekstin historik kombëtar. Libri argumenton bindshëm se kontributi i tij ka ndikuar në sistemimin e mendimit albanologjik dhe në konsolidimin e studimeve të romantizmit në Kosovë.
Nga një këndvështrim kritiko-letrar, mund të thuhet se libri mban një ton të dukshëm afirmativ. Në tërësi, “Latif Berisha – jeta dhe vepra” është një vepër me vlerë të shumëfishtë: dokumentare, shkencore, letrare dhe kulturore. Ajo vlen si burim referencial për studiuesit, studentët dhe lexuesit e interesuar për historinë e letërsisë shqipe në Kosovë, por edhe si dëshmi e rolit të intelektualit në ruajtjen e identitetit kombëtar. Libri, duke qenë një homazh për Latif Berishën, është edhe një paraqitje e dramës dhe dinjitetit të kulturës shqiptare në shekullin XX. I konceptuar si monografi shkencore dhe letrare, ky vëllim ndahet në pjesë funksionale që e paraqesin në mënyrë të plotë jetën, veprimtarinë dhe trashëgiminë e Latif Berishës.
“Parathënia” e përcakton qëllimin e veprës, e argumenton rëndësinë historike, letrare dhe kulturore të Latif Berishës dhe e vendos kornizën metodologjike të studimit monografik. Te Pjesa e parë: Jetëshkrimi, flitet për origjinën familjare dhe vendlindjen, për arsimin fillor, të mesëm dhe universitar, për formimi intelektual dhe albanologjik, për veprimtarinë e tij në arsimin parauniversitar dhe universitar. Me peshë domethënëse janë pjesët ku flitet për përjashtimin nga Universiteti i Prishtinës dhe për rezistencën akademike, për angazhimin e tij politik dhe shoqëror, si dhe për vrasjen e tij më 24 mars 1999 dhe për përmasën martirizuese të figurës së tij.
Pjesa e dytë ligjëron për krijimtarinë e tij poetike dhe i përfshin vëllimin poetik “Tufa” e poezitë tjera. Përveçse theksohen motivet e poezisë sociale, patriotike dhe refleksive, vijet në pah roli i poetit si zë i ndërgjegjes kolektive.
Te pjesa e tretë përfshin studimet historike-letrare dhe shkencore të Latif Berishës, siç janë studimet për romantizmin shqiptar dhe evropian, si dhe trajtimi i figurave të Rilindjes Kombëtare (De Rada, Zef de Rada, Naim Frashëri, Zef Serembe, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Ali Asllani etj. deri te autorë bashkëkohorë).
Për derisa pjesa e dytë dhe e tretë janë dorë[shkrime të Latif Berishës, pjesët tjera janë ato të vetë profesor Isak Shemës, të cilat merren me veprimtarinë kulturore dhe mendimin shoqëror, me angazhimin dhe kombëtar të Latif Berishës, në kuadër të veprimtarisë së tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, me rolin e tij në jetën publike dhe kulturore të Mitrovicës, përgjithësisht trajtohet figura e intelektualit të angazhuar.
Prof. Isak Shema i qaset kësaj trashëgimie nga aspekti diakronik dhe ai sinkronik, me përqendrim te kontributi i tij në albanologji dhe kritikën letrare. Duke i dhënë këtij vëllimi karakterin e polifonisë së shkrimeve të shumëllojshme, kah fundi përfshihen vlerësime dhe nderime, reagime kritike dhe vlerësime pas vdekjes, institucione që mbajnë emrin e tij, dekorata dhe mirënjohje shtetërore. Përfundimi sjell një sintezë e jetës dhe veprës, me bibliografinë dhe burimet e pasura, me indeksin e emrave, si dhe me albumin fotografik dhe ilustrimet.
- Një binom domethënës: vëllamëri në dije dhe letërsi
Kur i shohim pranë e pranë emrat e Latif Berishës dhe Isak Shemës, ndeshemi me dy figura që personifikojnë një miqësi të thellë njerëzore dhe një kapitull të rëndësishëm të historisë së arsimit dhe studimeve albanologjike në Kosovë. Ata janë dy personalitete që, secili në mënyrën e vet, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në studimet, letërsinë, arsimin, kulturën dhe mendimin shqiptar.
Latif Berisha shfaqet si një figurë shumëdimensionale: pedagog i përkushtuar, studiues serioz dhe poet me ndjeshmëri të veçantë artistike. Veprimtaria e tij në katedrën e albanologjisë dëshmon për një angazhim të vazhdueshëm në ngritjen e nivelit shkencor dhe në formimin e brezave të rinj. Ai ishte nga ata profesorë që nuk e shihnin mësimdhënien vetëm si profesion, por si mision. Përmes ligjëratave, studimeve dhe krijimtarisë letrare, ai kontribuoi në pasurimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kulturore kombëtare. Jeta e tij u ndërpre tragjikisht gjatë luftës së vitit 1999, duke e kthyer figurën e tij në simbol të intelektualit të përkushtuar që sakrifikoi gjithçka në një kohë të vështirë historike.
Në krahun tjetër qëndron Isak Shema, profesor universitar dhe studiues i dalluar, i cili jo vetëm ndau me Berishën rrugëtimin akademik, por edhe një miqësi të sinqertë. Përgatitja e veprës kushtuar Latif Berishës nga ana e tij merr një domethënie të dyfishtë: është njëherazi homazh dhe dokumentim shkencor. Përmes kësaj vepre, I. Shema ruan kujtimin e mikut të tij, por edhe e vendos atë në kontekstin e merituar historik e kulturor. Ai dëshmon se kujtesa intelektuale është pjesë e përgjegjësisë akademike dhe morale.
Vendosja e këtyre dy emrave pranë njëri-tjetrit krijon një binom domethënës: njëri si figurë që kontribuoi me dije dhe krijimtari, duke u bërë simbol sakrifice, tjetri si studiues që e përjetëson atë përmes fjalës së shkruar. Në këtë mënyrë, vepra përpos që është përmbledhje faktesh, më shumë është një akt respekti dhe vazhdimësie, që ndërlidh jetën, veprën dhe miqësinë në një tërësi kuptimplote. Ata e ngritën nivelin e kërkimit shkencor, duke e orientuar atë drejt metodave bashkëkohore dhe duke e lidhur traditën me perspektivat moderne të studimit. Kontributi i tyre në katedrën e albanologjisë ishte thelbësor. Përmes ligjëratave të përgatitura me seriozitet shkencor, kërkimeve të vazhdueshme dhe përfshirjes aktive në debatet akademike, ata ndihmuan në konsolidimin e studimeve albanologjike si një fushë me peshë të veçantë në botën universitare. Ata e ngritën nivelin e kërkimit shkencor, duke e orientuar atë drejt metodave bashkëkohore dhe duke e lidhur traditën me perspektivat moderne të studimit.
Një tjetër përmasë e rëndësishme e veprimtarisë së tyre ishte botimi dhe ribotimi i veprave të traditës sonë letrare. Duke sjellë në dritë autorë dhe tekste me vlerë historike e artistike, ata kontribuuan në ruajtjen dhe në përhapjen, afirmimin, përforcimin, vlerësimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë letrare, historike e kulturore. Kjo veprimtari aq sa kishte karakter akademik, po aq kishte edhe karakter kombëtar, sepse përmes saj forcohej vetëdija për identitetin dhe vazhdimësinë kulturore.
Midis këtyre dy figurave lind një vëllamëri e rrallë, një lidhje që përjetësohet përmes fjalës së shkruar.
Tashmë, në këtë vëllamëri, bashkëjetojnë homazhi dhe kujtesa: vepra si trashëgimi dhe jeta si sakrificë për Kosovën, nga njëra anë, dhe pedagogu, studiuesi e miku që e shkruan veprën për të, nga ana tjetër. Vëllamëria këtu përpos që është marrëdhënie njerëzore; ajo është bashkëjetesë shpirtërore midis jetës dhe veprës, midis sakrificës dhe reflektimit, midis dhimbjes dhe përkushtimit për ruajtjen e identitetit dhe dijes. Isak Shema, duke dokumentuar dhe interpretuar veprën e Latif Berishës, sa është kronist; po aq ai bëhet pjesë e vetë trashëgimisë, një bashkudhëtar në udhëtimin e dijes dhe kujtesës, që e bën të dukshme për brezat e ardhshëm fuqinë e vërtetë të një vëllamërie intelektuale dhe morale.
Vepra studimore e Latif Berishës, poezia e tij dhe aktiviteti i tij pedagogjik shfaqin një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj kulturës, arsimit dhe identitetit kombëtar.
Poezia e Latif Berishës përbën një hapësirë të veçantë në korpusin e letërsisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, jo vetëm për shkak të kohës në të cilën u krijua, por sidomos për shkak të ndërthurjes organike të vokacionit shoqëror, idealit kombëtar dhe ndjeshmërisë intime. Ajo nuk shfaqet si poezi e izoluar estetike, por si formë e ndërgjegjes historike dhe morale të njeriut shqiptar, i cili jeton mes robërisë, shpresës, dashurisë dhe sakrificës. Që nga poezitë e hershme të përmbledhjes “Tufa”, Latif Berisha e koncepton poezinë si zë të domosdoshëm shoqëror. Figura e poetit është ajo e krijuesit të bukurisë gjuhësore, por esencialisht edhe si zëdhënës i kohës së vet, dëshmitar i dhembjes kolektive dhe nxitës i shpresës. Kjo vihet re qartë në poezitë me tematikë patriotike dhe shoqërore, ku fjala poetike fiton funksion mobilizues dhe emancipues.
Motivet e lirisë, të qëndresës dhe të gjakut të derdhur nuk trajtohen si abstraksione, por si përvoja reale historike. Poezia e Berishës nuk e romantizon vuajtjen, por e kthen atë në argument moral për të drejtën e ekzistencës dhe të lirisë. Në këtë kuptim, vargu i tij merr trajtën e një thirrjeje etike, ku historia dhe poezia bashkohen në një diskurs të përbashkët.
Krahas përmasës shoqërore, poezia e Latif Berishës hap një hapësirë të gjerë për lirizmin intim, veçanërisht në poezitë e dashurisë dhe të rinisë. Këtu, dashuria reshtet nga stolitë romantike dhe shndërrohet në përvojë ekzistenciale, e ndërlidhur ngushtë me kohën, humbjen dhe fajin. Figura e gruas shfaqet si simbol i bukurisë delikate, i dritës që rrezikon të shuhet nën peshën e rrethanave shoqërore dhe morale. Motivet e vjeshtës, të gjetheve të thara, të luleve të këputura dhe të dritës që zbehet, shërbejnë si metafora të karakterit kalimtar të kohës, jetës dhe dashurisë. Poeti është i vetëdijshëm për pamundësinë e ndalimit të kohës, prandaj poezia bëhet hapësirë e vetme për ta ruajtur përvojën e dashurisë si kujtesë. Në shumë poezi, dashuria shndërrohet në pendesë dhe vetëqortim, duke e vendosur subjektin lirik përballë përgjegjësisë morale ndaj tjetrit.
Një nga përmasat më të thella të poezisë së L. Berishës është poetika e kujtesës. Kujtimet e rinisë, të fshatit, të varfërisë dhe të figurës së nënës thurin një univers emocional ku individualja dhe kolektivja ndërthuren natyrshëm. Këto poezi sa janë nostalgjike, po aq janë akte rikthimi kritik, ku e kaluara rishqyrtohet në dritën e së tashmes. Kësisoj, ndjenja e fajit shfaqet si motiv i përsëritur: faji për dashurinë e lënduar, për pranverën e këputur herët, për pafuqinë përballë kohës dhe rrethanave. Ky faj nuk është moralizues, por thellësisht njerëzor. Ai e bën poezinë e Berishës meditative dhe e largon nga një stil i ftohtë e i thjeshtëzuar, duke e afruar me përvojën universale të lexuesit.
Dialektizmat dhe leksiku i lidhur me jetën rurale sado që an duken si ornament lirik, janë tuipare autentike të botëkuptimit poetik. Figura poetike është e qartë, e ndërtuar mbi kontraste të forta: dritë–errësirë, pranverë–vjeshtë, jetë–vdekje, shpresë–humbje. Ritmi i vargut, ndonëse i qetë në poezitë intime, merr tonalitete epike dhe himnore në poezitë patriotike, duke dëshmuar elasticitetin stilistik të autorit. Kjo lëvizje midis lirizmit dhe epikës i jep poezisë së Latif Berishës një shtrirje të gjerë tematike dhe emocionale.
Pjesa e dytë e veprës, kushtuar poezisë së Latif Berishës, dëshmon se kemi të bëjmë me një krijimtari që tejkalon kufijtë e një poetike personale. Ajo përfaqëson një sintezë të ndjeshmërisë individuale dhe përgjegjësisë shoqërore, ku poezia shndërrohet në formë të rezistencës kulturore dhe morale. Në këtë aspekt, poezia e Latif Berishës mbetet një dëshmi e fuqishme e kohës së vet dhe një trashëgimi e qëndrueshme për letërsinë shqipe, sepse ajo flet jo vetëm për atë që ka qenë, por edhe për atë që vazhdon të jetë thelbësore për njeriun: liria, dashuria, kujtesa dhe dinjiteti.
- Mentorë dhe hartues të teksteve shkollore
Të mos harrojmë edhe një punë tjetër që i dallon këta dy pedagogë e studiues: puna në hartimin e testeve shkollore për shkolla të mesme. na duket sikur kjo veprimtari e profesorëve Latif Berisha dhe Isak Shema mbetet në hije përballë studimeve të tyre shkencore: puna e palodhur në hartimin e teksteve shkollore për arsimin e mesëm. Ky angazhim si detyrë profesionale, shndërroeht në mision arsimor që synonte formimin e ndërgjegjes kulturorem, naciuoale dhe letrare të brezave të rinj.
Përveç kontributit të tyre në kërkime shkencore, në monografi e në botime akademike, ata zgjodhën të zbresin edhe në terrenin konkret të shkollës së mesme, aty ku vendosen themelet e para të formimit letrar dhe estetik të nxënësve. Hartimi i teksteve shkollore kërkon një përgjegjësi të veçantë: përzgjedhje të kujdesshme të autorëve dhe veprave, interpretim të drejtpeshuar, gjuhë të qartë e të kuptueshme, si dhe përshtatje metodike sipas moshës dhe nivelit të nxënësve. Në këtë proces, L. Berisha dhe I. Shema arritën të ndërthurin thellësinë akademike me thjeshtësinë pedagogjike, duke krijuar tekste që ishin njëkohësisht të sakta shkencërisht dhe frymëzuese në përmbajtje.
Puna e tyre në hartimin e teksteve ishte një përpjekje e vetëdijshme për ta sjellë letërsinë shqipe më pranë të rinjve, jo si një lëndë e thatë dhe formale, por si një pasuri shpirtërore dhe identitare. Ata ndërtuan fije të qëndrueshme mes dijes universitare dhe mësimdhënies praktike, duke e bërë kulturën letrare të arritshme, të kapshme, të kuptueshme dhe më afër nxënësve. Në këtë kontekst, ndikimi i tyre u shtri përtej auditorëve universitarë dhe u përhap nëpër klasat e shkollave të mesme anembanë vendit.
Ky rol si hartues tekstesh dëshmon për një përkushtim të dyfishtë: ata nuk u mjaftuan me studime të thelluara dhe konferenca shkencore. Përkundrazi. Ata kishin për qëllim që dijet e tyre të konkretizoheshin për nxënësit dhe mësuesit. Përmes këtyre teksteve, ata kontribuuan në kultivimin e frymës kombëtare, në forcimin e ndjenjës së përkatësisë kombltare e kulturore dhe në zhvillimin e mendimit kritik tek të rinjtë. Kështu, figura e tyre shfaqet jo vetëm si studiues dhe profesorë universitarë, por edhe si mentorë të pazhurmshëm e të qetë të mijëra nxënësve, të cilët përmes librave të tyre hodhën hapat e parë në botën e letërsisë shqipe. Në këtë drejtinm, kontributi i Latif Berishës dhe Isak Shemës në hartimin e teksteve shkollore mbetet një dëshmi e qartë se arsimi është një proces i pandërprerë, që lidh universitetin me shkollën, dijen me formimin dhe shkencën me edukimin qytetar.
- Bashkëjetesa e jetës, veprës dhe kujtesës historike
Duke i shqyrtuar këto, Isak Shema na ofron një pamje të hollësishme të jetës së një studiuesi që ishte i lidhur ngushtë me kombin dhe me idealet e tij, duke i dhënë rëndësi të veçantë si aspekteve akademike, ashtu edhe përmasës njerëzore dhe shpirtërore të kësaj vëllamërie. Vëllamëria, në këtë kuptim figurativ, shënjon atë bashkëpunim shpirtëror dhe intelektual që e paraqet bashkëjetesën e jetës, veprës dhe kujtesës historike. Ajo është këpujë midis të kaluarës dhe të ardhmes, mes përpjekjes për ta ruajtur dijen dhe traditën shqiptare dhe nevojës për ta transmetuar atë te brezat e rinj. Përmes këtij libri, vëllamëria shndërrohet në bartëse të kujtesës kolektive, duke bashkuar nderimin për të kaluarën me përgjegjësinë ndaj të ardhmes.
Është ai model që qëndron si shembull i fuqishëm i rolit të dijes dhe kulturës në afirmimin e identitetit kombëtar dhe human, duke shënuar se lidhjet shpirtërore dhe intelektuale mund të jenë po aq të forta sa ato të gjakut, duke bërë që kujtesa dhe veprat e tyre të jetojnë përtej kohës.
Janë të njohura bashkëpunimet e miqësitë e tilla studimore e krijuese jo veëtm në letërsinë tonë, por, sidomos, në atë botërore, siç ishte rasti i Goethe-s dhe Schiller-it (Gjermani) të periudhës së romantizmit që bashkëpunuan dhe krijuan një prirje a formë të njohur si Weimar Classicism, bashkëpunimi që ndikoi në zhvillimin e letërsisë gjermane moderne; apo ai i bashkëpunimit të Thomas Mann dhe Hermann Hesse (Gjermani), i Samuel Taylor Coleridge dhe William Wordsworth (Angli etj.
Në të gjitha këto raste, vëllamëria përveçse është miqësi kolegiale, është bashkëudhëtim shpirtëror dhe intelektual: njëri ofron frymëzim, kritika, apo dokumentim të veprës së tjetrit, duke krijuar një trashëgimi që e tejkalon jetën individuale. Në këtë rast, njëra figurë sakrifikon për kombin dhe krijimtarinë, dhe tjetri e dokumenton dhe përkujton këtë veprim për brezat e ardhshëm.
- Biografia si dramë e ndërgjegjes
Në shënimet biografike për Latif Berishën, profesor Isak Shema ndërthur tri linja të mëdha siç janë: biografia e rezistencës, profilizimi i poetit dhe autoriteti i studiuesit, pastaj zgjerohet në një linjë të katërt: kultura si front i identitetit. Vlera e tij tekstuale qëndron pikërisht te kjo aftësi për ta kthyer një material faktik e bibliografik në një rrëfim domethënës e me peshë.
Biografia lexohet e përjetohet si dramë e ndërgjegjes. Kur teksti hapet me një datë të saktë (“27 nëntor 1991”) dhe me një rrethanë historike (“fushata e regjimit serb…”), e vendos shkrimin në regjistër dokumentar, por menjëherë narracioni merr ngarkesë etike: vendim arbitrar, dekanati i dhunshëm. Këto fjalë përpos që bëjnë një përshkrim; ato janë edhe gjykim i nënkuptuar që i jep lexuesit një pozicion etik. Pika më e lartë e kësaj vlere narrative është fjalia: “megjithatë ka vazhduar punën… deri më 1992” e që është nyja retorike ku krijohet figura e intelektualit që nuk dorëzohet. Pra, teksti e shndërron kronologjinë në dramë të qëndresës: institucioni i regjimit pushtues e përjashton, por ai vazhdon; pushteti shtyp, por ai reziston. Ky tekst është i lidhur me një kohezion të qartë tematik: nga rezistenca politike (LDK, kultura si sektor), te fillimet poetike (gjimnazist, botimet te “Jeta e re”, 1949); te përmbledhja “Tufa” (1957; ciklet), te studimet historiko-letrare (romantizmi, Rilindja, autorët), te shkrimet për kulturën (punimi i vitit 1995), dhe, në fund, te nderimet, citimet poetike dhe lavdia. Kjo rrjedhë krijon një tekst që nuk lexohet si listë shënimesh të heshura aty, por si biografi e plotë e misionit: poeti, studiuesi dhe veprimtari shfaqen si një trup i vetëm. Dhe jo si role të ndara.
Kur teksti rendit botimet dhe studimet, ai nuk ka për qëllim sa për t’i mbushur faqet e librit, por për ta ndërtuar peshën e një trashëgimie. Vetë lista e gjatë e studimeve të Latif Berishës të prezantuara e të përfshira te ky vëllim (De Rada, Serembe, Naimi, Gurakuqi, Mosi, Asllani…) krijon efektin e një harte ku Latif Berisha shfaqet si studiues që ka prekur nyjat themelore të traditës sonë letrare. Së fundmi, bibliografia kthehet në argument: jo pse ai është i rëndësishëm, por për të na thënë: ja ku shihet puna e tij.
Pjesa kushtuar punimit të vitit 1995 është kulm ideor i vepërs. Aty kultura del si diçka shumë më e madhe sesa s’është një aktivitet artistik: ajo është strukturë identitare, objekt dhune dhe po ashtu mjet rezistence. Teksti përdor fjalë me peshë (termat vlerësues e epitetizues: etnokulturore, tjetërsim, dëbim, kontinuitet), që e kthejnë analizën kulturore në analizë historike-politike. Tekstualisht, kjo pjesë ka një vlerë të veçantë: argumenton me logjikë faktike (shembuj, projekte, elaboratë, suprimime institucionale), prandaj e kalon rrafshin e qëndrimit emocional. Profesor Isaku e shndërron biografinë në vlera të mirëfillta tekstuale: e shndërron në rrëfim qëndrese, e lidh poezinë me misionin e poetit-zëdhënës, e përkufizon studimin si punë me akribi dhe provë dhe e vendos kulturën si front identitar përballë okupimit.
- Nata që ndau historinë
Nata e 24 marsit 1999 përbën një nga kufijtë më domethënës në historinë moderne të Kosovës. Ishte nata që ndau historinë. Ajo shënoi çastin kur diplomacia ndërkombëtare u shndërrua në veprim ushtarak dhe kur shpresa kolektive për liri mori formën e një procesi të pakthyeshëm historik. Me fillimin e sulmeve të forcave të NATO-s kundër aparatit ushtarak dhe represiv serb, historia e Kosovës hyri në fazën e saj përfundimtare drejt çlirimit.
Por ndërsa në qiellin e Kosovës po vizatohej harta e re politike e rajonit, në tokë po ndodhnin tragjedi individuale e kolektive që do ta ngarkonin këtë moment historik me kuptime të thella njerëzore dhe morale. Në këtë natë, profesori universitar dhe studiuesi Latif Berisha u vra në pragun e shtëpisë së tij në Mitrovicë, duke e shndërruar jetën e tij në pjesë të pandashme të kësaj kthese historike. Vdekja e tij nuk ishte vetëm humbje personale apo familjare, por një akt simbolik që dëshmonte çmimin e lirisë.
Si dëshmitare e ngjarjes, vajza e tij, Fatmirja, do të ketë mësuar nga kjo përvojë e historisë: ajo natë do të ligjëronte se mësimi dhe edukimi nuk është vetëm fjalë e shkruar në libra; ështëtrajtë e qëndresës përballë dhunës. Latif Berisha i përkiste atij brezi intelektualësh që nuk e ndanë kurrë profesionin nga përgjegjësia qytetare. Ai e kuptonte dijen si përçuese të emancipimit dhe rezistencës kulturore, ndërsa universitetin si hapësirë formimi moral dhe kombëtar. Prania e tij, prandaj, në shtëpinë e vet atë natë, refuzimi për t’u larguar dhe qëndrimi dinjitoz përballë dhunës nuk ishin veprime rastësore, por vazhdim logjik i një jete të ndërtuar mbi parimin e moskompromisit me padrejtësinë. Në mënyrë domethënëse, fjalët e fundit të tij për Luigj Gurakuqin përbëjnë një lidhje simbolike mes dy epokave historike. Gurakuqi, si figurë e mendimit kombëtar shqiptar, përfaqësonte intelektualin që e paguan me jetë përkushtimin ndaj fjalës dhe atdheut. Ky evokim i fundit dëshmon se Latif Berisha ishte i vetëdijshëm për fatin historik të intelektualit shqiptar dhe për rolin që ky fat kishte luajtur në formësimin e tij personal dhe profesional.
Vrasja e Profesor Berishës në atë natë e thekson paradoksin e historisë: ndërsa një popull po i afrohej lirisë, njerëz të dijes po binin viktimë e një dhune që nuk pranonte fundin e vet. Kështu, 24 marsi 1999 nuk mbetet vetëm datë e ndërhyrjes ndërkombëtare, por edhe ditë kujtese për intelektualët që e paguan lirinë para se ajo të bëhej realitet politik. Në këtë kuptim, gjaku i Profesor Latif Berishës sa është shenjë e një krimi të pazbardhur; është edhe vulë morale e një epoke që po mbyllej dhe dëshmi e sakrificës së atyre që e mbajtën gjallë idenë e lirisë përmes dijes, fjalës dhe qëndrimit etik. Historia e Kosovës u nda atë natë, por ajo u shkrua edhe me jetën e njerëzve si Latif Berisha, për të cilët liria nuk ishte vetëm qëllim politik, por vlerë themelore njerëzore.
- Shqipja në dialog me Evropën
Kur profesor Latif Berisha shkruante për romantizmin shqiptar, atë e kundrotne edhe si periudhë letrare, dhe, më esencialisht, si drejtim dhe si metodë, pra si mënyrë të menduari e të shkrimi. Pra, e ngre diskutimin përtej përshkrimit të temave dhe e vendos në nivel të parimeve letrare (kahet, veçoritë, format e shprehjes poetike). Me këtë, romantizmi shfaqet si fenomen që prodhon emancipim kulturor, shpirtëror e kombëtar, sidomos te popujt nën pushtim, pra letërsia shfaqet si “forcë historike”. Së këndejmi, shenjë e standardit shkencor, janë termet diakroni e sinkroni, meqë teksti i jep lexuesit bindjen se studimet e Berishës e ndjekin zhvillimin në kohë (diakronia: nga shek. XVIII e tutje) dhe e shohin fenomenin në të njëjtin horizont kulturor (sinkronia: raportet, ndikimet, format). E paraqet kërkimin si proces të kontrolluar e jo si opinion rasti. Në këtë aspekt, teksti ka një ambicie të qartë: ta vendosë letërsinë shqiptare (Rilindjen, romantizmin) në dialog me romantizmin evropian dhe me fenomene të tij (p.sh. mistifikimi letrar). Shqipja vendoset në dialog me Evropën. Kjo është vlerë e madhe tekstuale sepse shmang provincën: subjekti del studiues që nuk mjaftohet me “brendinë” shqiptare, por kërkon matje, lidhje dhe kundrim në rrjedhat e mëdha kulturore.
Vërtet që procedimi i tillë studimor është i fuqishëm për kohën: e bën Latif Berishën njeri të leximit dhe njeri të provës. Na shfaqet edhe një veçori tjetër: puna empirike (vizita në vendet ku kanë jetuar autorët, arkiva, biblioteka, sistemim materialesh). Këtu kërkimi paraqitet si “punë terreni” e kulturës, pra si një lloj arkeologjie e kujtesës letrare. Një nga pikat më të forta të këtyre shkrimeve, është fakti se si dëshmohet figura e studiuesit me dy shtresa: ajo e pasionit, e adhuruesit të letërsisë, dhe ajo e zellit të studiuesit që synon risi.
Përtej përgjithësimeve, studiuesi ynë merr shembuj konkretë që e bëjnë argumentin të prekshëm: zbulimi i një poezie të De Radës, shkrimi për poezitë autografe të Zef Serembes etj.
Punimi “Gjendja aktuale e kulturës shqiptare në Kosovë…” e zhvendos tekstin nga letërsia në kulturë në një kohë tejet dramatike: e zhvendos nga kultura në politikën e identitetit. Këtu vlera tekstuale krijon një bosht të qartë në raportet letërsia, kultura, rezistenca dhe identiteti. Kur Latif Berisha përdor shprehje si kapitulli më i errtë, dhunë, gjenocid, ndryshim i strukturës etnokulturore, status me rëndësi të dorës së parë etj. janë shenja të një diskursi ku kultura nuk shihet si dekor i jashtëm, por si fushëbetejë simbolike e rezistencës dhe shpirtit nacional. Teksti i jep kulturës funksionin e ruajtjes së kontinuitetit dhe të qenies kombëtare. Dimensionohet vlera e ndërthurjes së regjistrave: nga akademikja te poetikja. Kjo ndërthurje krijon dy efekte: e bën tekstin më komunikues (jo vetëm për specialistë) dhe ndërton një figurë të autorit-studiuesit që është edhe ndjenjë e përjetim dhe jo vetëm metodë. E lidh dijen me shpresën dhe e mbyll argumentin me një ton mobilizues.
Kur studiuesi Prof Dr. Isak Shema në fund të veprës jep listën e planifikuar për botimin e veprave të Latif Berishës (Tufa, Studime letrare, Për kulturën, Monografia, Bashkëkohësit), si dhe bibliografinë e shkrimeve autoriale, të vetat, e bën këtë libër të funksionojë si projekt i kujtesës: jo vetëm tregon çfarë ka bërë Berisha, por çfarë duhet ruajtur e sistemuar nga kjo trashëgimi. Ky aspekt, pra ka rol institucional: e kthen veprën në program të ruajtjes së trashëgimisë sonë.
Shkurt 2026
