26/12/2024

Vdekja e Skënderbeut dhe gjama homerike e Lekë Dukagjinit

0
Kastrioti-Dukagjini

Nga Blerim Latifi

Një nga pjesët më dramatike në historinë e Marin Barletit për Skënderbeun është pjesa ku tregohet për gjamën e Lekë Dukagjinit kur vdiq Skënderbeu, me 17 janar të vitit 1468.

Kur dha frymën e fundit Skënderbeu, Lekë Dukagjini doli në sheshin e Lezhës dhe duke shkulur flokët e rrahur gjoksin, me sa za që pati, lëshoi gjamën : “Mbledhuni o njerëz e princa arbnorë. Sot u banë copë dyert e Arbnisë e Maqedonisë, sot u rrxuen muret dhe kështjellat tona; sot humbi gjithë forca dhe fuqia jonë ; sot ranë fronet e pushtetet tona; sot, së bashku me këtë njeri, u shua çdo shpresë e jonë”.

E kanë krahasuar gjamën e Lekës me gjamën që bën Akili për shokun e tij Patroklin tek Iliada e Homerit, por gjama e Lekës është ma dramatike, ma tragjike, sepse ajo parathotë fatin e zi me të cilin do të përballen shqiptarët pas vdekjes së Skënderbeut.

Gjama e Lekës shpreh thelbin e vetë tragjedisë, në kuptimin që i jep asaj Shelingu: tragjedia është disfata e lirisë në konfliktin e saj më fatin mizor.

Do duhej të kalonin shekuj, para se shqiptarët të ringjallnin ëndrrën e nisur nga Skënderbeu e Lekë Dukagjini dhe nën flamurin e betejave të tyre të fitonin lirinë. Dhe shqiptarët do të mund të jenë të lirë vetëm për aq kohë se mbahen fort të lidhur pas dy shtyllave të besimit skënderbegian : Liri a vdekje dhe veç një aleancë strategjike, aleancën me botën perëndimore.

___________

Është e pashije që dy shtatore të një personaliteti historik të vendosen në një qytet, aq më tepër vetëm disa qindra metra larg njëra tjetrës. Nëse veç është dashur që para Katedralës të vendoset një shtatore, ajo do duhej të ishte shtatorja e Pjetër Mazrekut (1584- 1650), prelatit të hershëm të katolicizmit shqiptar në Kosovë. Me Mazrekun fillon historia e klerikëve të cilët, krahas misionit fetar, punonin me mish e me shpirt edhe për gjuhën shqipe dhe kombin e tyre. Pjetër Mazreku ishte i pari që bëri një fjalor etimologjik në gjuhën shqipe, fjalor i cili humbi në stuhitë e historisë.Kur kardinalët e Romës donin ta fusninin kishën shqiptare nën autoritetin e kishës kroate, Mazreku kundërshtoi kategorikisht dhe ia doli ta ruante identitetin e saj shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok