23/12/2024

Vdekja e Ibrahim Rugovës – fundi i një epoke

0
President-Rugova

Homazhe në acar

Nga Gani Mehmetaj

Rreshtat e gjatë me kilometra, në acarin e dimrit, njërin ndër dimrat më të ftohtë prej se mbahej në mend, ishin formuar para Kuvendit të Kosovës. Durimi i pritjes për t’ia bërë nderimet e fundit presidentit të vdekur, dëshmonte se ata e vlerësonin punën e tij njëzetvjeçare. Pikëllimi e mbërtheu qytetin, e pushtoi Kosovën, pesha e humbjes rëndonte mbi tërë hapësirën shqiptare. Atmosfera e përzishme si rrallë ndonjëherë gjatë historisë e pushtoi shtetin e ri në themelim e sipër. S’kishte nevojë për ndonjë kujdestar që do të mbikëqyrte rendin, as që do të mbante qetësi. Të gjithë ishin të heshtur e të pikëlluar, të gjithë shihnin në zbrazëti, prisnin nga mëngjesi deri në mbrëmje që t’ia jepnin përshëndetjen e fundit presidentit të tyre, që i ruajti dhe i kurseu nga aventurat, që i udhëhoqi drejt ëndrrës së madhe, ndërsa pati presione, mbase pati edhe tundime që t’ia kthente ndryshe, mirëpo i dinte pasojat.

Për t’ia bërë nderimet e fundit kryetarit Rugova, erdhën shqiptarët nga territoret etnike (Maqedoni, nga Kosova Lindore, e Mali i Zi), por mijëra të tjerë erdhën nga Perëndimi e Shqipëria. Ishte një ndjenjë e papërjetuar, e paparë. Niste me kolonën e heshtur nga hoteli “Grand” e më poshtë, për të përfunduar te dyert e Kuvendit të Kosovës, në brendësinë e të cilit qe vendosur trupi i presidentit. Kjo të krijonte një atmosferë si në filma. Heshtje, muzika e përmotshme, lëvizjet e ngadalshme, njerëzit që kalonin përskaj kolonës, duke pëshpëritur, fërkim duarsh nga acari që të thante. Të dukej një atmosferë surreale, e pazakonshme dhe e çuditshme. Askund nuk ishte parë një gjë e tillë: qytetarë që presin me durim të jashtëzakonshëm, sigurisht këmbët nuk i ndienin më nga të ftohtit, duart u mpiheshin, fytyra u digjte nga acari, ndërsa ata nuk donin t’ia dinin. Askush nuk përpiqej të futej pa rend, askush nuk kërkonte privilegje. Për herë të pare të gjithë ndiheshin të barabartë, të njëjtë në pikëllim. Humbja ishte e përbashkët. Një ndjenjë të cilën e ke vështirë ta përshkruash, sepse vetëm mund ta ndjesh e ta mbash për vete.

Me ekipin e redaksisë së gazetës “Bota sot” pritëm me durim, ngrinim, veshët nuk i ndienim për pjesë të trupit tonë, këmbët na ishin mpirë. Një ekip që merrej me organizmin e ceremonisë na futi brenda, na orientoi para vendit ku e kishin vënë arkëmortin me trupin e presidentit. Secili e përshëndeti në mënyrën e vet, duke ikur me një boshllëk në shpirt.

Ishin të paktë ata që nuk e ndien deri në palcë humbjen e njërit ndër personalitetet më të mëdha që patëm, ishin të paktë ata që nuk u emocionuan për vdekjen e tij, ashtu sikurse nuk qenë të paktë ata që pa dashje shtonin pyetjet: Po tash? Kush do të udhëhiqte shtetin? Me kë do të bënim institucionet? Edhe më të pikëlluar ishin ata të cilët mendonin se kur të na e pranonin pavarësinë zyrtarisht bashkësia ndërkombëtare, njeriu më meritor për këtë pavarësi nuk do të ishte ai që do ta shpallte dhe do ta gëzonte së bashku me qytetarët e tjerë.

Ceremonia e varrimit ishte ndër më madhështorët që është mbajtur në Gadishullin Ilirik dhe më gjerë. Një kortezh i gjatë, i gjatë, gati i pafund, ndërsa prapa shkonin disa nga personalitetet e njohura ndërkombëtare.

Ajo që i turpëroi jo ceremoninë, por vogëlinë e tyre, ishte refuzimi i kreut të TMK-së që t’i bënin nderimet e fundit. U bë mirë që kjo trupë, shumë prej të cilëve qysh atëherë dyshohej se janë të kriminalizuar, nuk i bënë nderimet njërit ndër personalitetet më të mëdha të shekullit XX, sepse do ta turpëronin me praninë e tyre.

#

Më mbeti peng që nuk arrita ta realizoj projektin dokumentar në dy vazhdime për jetën e veprën e Ibrahim Rugovës. E kisha bërë skenarin, e kisha kalkuluar edhe aspektin financiar, duhej të hulumtoja nëpër disa arkiva filmike nëpër Evropën Perëndimore, të intervistoja disa personalitete të njohura, për të bërë filmin e gjatë nga fillimi i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe rrugëtimin e Rugovës deri në ditën kur u bë president i vendit. Projektin në fillim ia paraqita ministrit të Kulturës, A. H. , i cili me fjalë të buta më tha sikur nuk ka hije që ai ministër i Rugovës ta mbështeste filmin për presidentin. M’u duk arsyetim idiotësh. Në mungesë të financuesit tjetër ia paraqita projektin presidentit Rugova. Ai kërkoi nga Kryesia e LDK-së që ta mbështeste, mirëpo Kryesia e mefshtë dhe e pazonja sikurse ishte, nuk bënë shumë në këtë plan, megjithëse i premtuan se do ta mbështesin. Madje pos që më thanë gojarisht se do të përpiqen të gjejnë mjete, nuk e bënë asnjë lavër të miut. Ndërkaq, sikurse më thanë, Rugova druante se po këmbënguli më shumë për realizimin e projektit do të tingëllonte sikur ai këmbëngul ta përjetësonte veten. Të tjerët përreth tij, nga ligësia nuk donin që ai të përjetësohej në shiritin e celuloidit.

Në skenar planifikova të gjitha detajet. Fatkeqësisht projekti filmik “Ibrahim Rugova” pret edhe sot e kësaj dite.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok