Vasillaq Vangjeli, mjeku që zgjodhi të bëhej aktor komik
SOT 10 VITE NGA VDEKJA E AKTORIT
Nga Albert Vataj
Pas një bashkëjetese dhe lufte të gjatë me diabetin, më 26 shtator 2011, ende pa mbushur 64 vjeç u nda nga jeta, Vasillaq Vangjeli. Ai dha një kontribut të çmuar në artin shqiptar, duke gdhendur një emër me vlera në panteonin e skenës së humorit.
Tradita e skenës komike është padyshim një nga thesaret e kulturës kombëtare shqiptare, ku vendi i Vasillaq Vangjelit është konsiderues.
Rrugëtimi i kahershëm i kësaj marrëdhënie vlerash dhe përfaqësimi, argëtimi, zbavitjeje por edhe një fshikulli, është gjithçkaja dëshiruese e shumë personaliteteve të shquara, ndër të cilët Vasillaq Vangjeli spikat.
Më shumë se një vlerësim për punën dhe kontributin, që ai ka dhënë në pasurimin e kësaj tradite, kjo ndërmendje është shkas përshpirtje në përvjetorin e vdekjes. Vasillaq Vangjeli ishte dhe mbeti, për tu përjetësuar në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar një zë dhe një karakteristikë, një profil dhe një tipar, unik. Kjo është thelbësore në art, këtë e jetësoi ai në skenë.
Vasillaq Vangjeli njihet kryesisht si aktor komik. Ai i lindur në 19 shkurt 1948. Për më shumë se 45 vjet në skenë, Vangjeli ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë.
***
Në vitin e tretë të Mjekësisë, Vasillaq Vangjeli e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (vitet 1973-1975). Pas përfundimit të tij e çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor e kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti 1976 deri më 1 prill 2005 ka qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohej që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti 1967-1968 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.
Për rreth 45 vjet në skenë, me intuitë të hollë e spontanitet të admirueshëm, Vasillaq Vangjeli ka bërë për vete me qindra dhe mijëra spektatorë duke u kthyer kështu në një ndër artistët më të dashur për ta, kryesisht në fushën e humorit. Ka qenë ndër artistët më të rëndësishëm të Estradës së Tiranës duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Ishte një aktor me diapazon të gjerë, vokal, vesh absolute, humorist, recitues. Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, këto janë disa nga cilësitë e Vasillaqit, i cili me mjeshtëri e finesë diti ti verë në shërbim të asaj çfarë ai bën.
Humorin nuk ta jep shkolla. Ajo vetëm të zhvillon, të drejton nëpërmjet dhuntive të lindura. E kështu ndodh edhe me Vasillaqin. Humori është i lindur që me lindjen e tij. Në rininë e hershme, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte. Djalë i formuar e plot dëshirë. Kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji të Pirro Manit, rol që e realizoi me sukses. Por megjithatë, mendimi i partisë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës ku edhe e emëruan. Urdhëri ishte urdhër pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre. E Vasillaqi nuk donte të shkonte, por pa punë nuk rrihej. Frikë kishte se mos e degdisnin në ndonjë vatër kulturore të humbur, si hakmarrje për moszbatim urdhri. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e karrierës, duke e dashuruar çdo ditë e më shumë artin që po i sillte admirim dhe duartrokitje, artin që bëri të pavdekshëm, artin dhe vlerat që na obligojnë mirënjohje dhe respekt, kujtesë dhe nderim.