21/12/2024

VASFI SAMIM VISOKA – KRIJUES  DHE ATDHETAR I FLAKTË

0
u6_Vasfi-Samim-Visoka

Vitet ’30 e shekullit. XX ishin dekada e mozaikut kulturor, artistik e intelektual shqiptar, prej nga, më vonë, rrezatuan rryma e drejtime të ndryshme letrare, ndërsa bartësit e tyre ishin  intelektualë të mirëfilltë, që ishin shkolluar nëpër metropolet e ndryshme të Evropës e më larg, dhe që ishin ideologët tanë  kombëtarë më në zë.  Njëri ndër ta ishte edhe Vasfi Samim Visoka

Ekskluzive nga Sinan GASHI

1.

Vasfi Samimi është i lindur në Visokë të Mallakastrës më 1908. Pasi që shpërngulet me familje në Stamboll, atje kreu shkollimin e mesëm dhe atë të lartë, ku diplomoi në veterinari më 1927. dy vite pas kthehet në atdhe për organizimin e shërbimit veterinar. Ai mandej specializohet për zooteknikë në Fakultetin Bujqësor e veterinar në Berlin (1933-1840), ku mbrojti titullin e doktoratës me temën ‘Zur Kenntnis der Einwirkung verschiedenarting entfetter Sojaschrote auf das Blutbild des Rindes’. Me kthimin në vendlindje emërohet kryeinspektor i blegtorisë në Ministrinë e Bujqësisë (1940-1944).

Ambiciet intelektuale të Vasfiut janë të mëdha dhe të shumanshme. Ai njëkohësisht merrej edhe me sport, art, gazetari, shkencë, përkthime e tjerë. Që kur ishte në Berlin, ndoqi kurset e natës të tetarit të Max Reinhard-it. Madje, një dramë e tij e shkruar në turqisht, ishte shfaqur një herë një skenat e Turqisë, me mjaft sukses. Viti 1943 e gjen në detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës Popullore të Shqipërisë.

E keqja i ndodhi tek më vonë, mu për shkak të shkrimeve të tij. ai arrestohet më 15 dhjetor 1944, gjykohet me 27 mars 1945 dhe dënohet me 3 vjet burg, me akuzën  se ka shkruar dhe botuar veprën “Nëna Kosovë-Shqipëria e vërtetë” më 1943. Sipas gazetës “Bashkimi” (Tiranë, më 28.III.1945, f. 3), ndër të tjera jepet ky dialog:

“Kryetari i gjyqit (Koçi Xoxe): -Pse e ke botuar atë librin “Nëna Kosovë” që merret me propagandë?

I pandehuri (dr. Vasfiu): -Unë librin “Nëna Kosovë” e kam shkruar me plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë  për përmbajtjen e tij e marr vet. Këtë libër e kam shkruar si një shqiptar dhe ka një stil human.

Kryetari: -Kur e ke botuar?

I pandehuri: -Më 1943.”

Pas vuajtjes së burgut dhe mbajtjes nën kontroll të përhershëm, por duke ia pasur nevojën e ekspertit të pazëvendësueshëm, e angazhojnë në punë në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës, ku bën një jetë modeste, duke qenë, siç shprehet vetë, në konfrontim me pushtetin aktual si dhe me kolegët e paaftë, të cilët në çdo sistem, me servilizëm, u mbështeten atyre për të ekzistuar.

Jetën e përmbylli në vitin 1981.

2.

Gjatë jetës së vetë dr. Vasfiu kishte bërë udhëtime të shumta (Berlin, Budapest, Bukuresht, Paris, Kopenhagë, Stamboll, Athinë, Vjenë, Romë), dhe njëkohësisht ishte marrë me aktivitetet të shumta, të larmishme (ishte ndër portierët e parë të futbollit shqiptar, për të cilën lëmi kishte bërë edhe studime të shumta, kishte ligjëruar në auditorë, duke i botuar po ato ligjërata), e mbi të gjitha vetëdija kombëtare e udhëhiqte edhe në ato shkrime, për të botuar një sërë artikujsh e shkrimesh publicistike. Ishte takuar edhe me aktorin e madh shqiptar, Aleksandër Moisiu, për të cilin kishte shkruar disa reportazhe, kryesisht gjatë viteve ’40. Artikujt studimorë për artin e politikën, për blegtorinë, për shkollën, për dëshmorët tanë, për tema ekonomike, për sportin e tjerë,  i botoi në revista e të përkohshme brenda dhe jashtë vendit, si në ‘Kombi’, Vatra’, ‘Bleta’, ‘Arbëria’, ‘Drita’, ‘Djersa e popullit’, ‘Shty- pi’, ‘Java’, ‘Tomorri’, ‘Shkëndija’,‘Sporti popu -llor’ e tjerë; në ato turke: ‘Vakiz’, ‘Cumhuriyet’, ‘Turk-Yurdu’, ‘Serveti-Funun’, ‘Resimiliaj’, Resimlipershende’; në ato italiane: ‘L’Avvenire Agricoli’, ‘L’Italia Agricolo’ ; në ato gjermane: ‘Zeitsch – rift fuer Schaftzucht’,‘Zeitschift fuer Zeuchtung’,‘Zeit- sch rift fuer Tierzuechtung’, ‘Zeuchtungs biologi’, ‘Criti ca Zooteknika’ e tjerë.

Për t’i shënuar të gjitha punimet e dr. Vasfi Samim Visokës duhet hapësirë e madhe, por vetëm po i përmendim me shifra: botoi 285 artikuj studimorë për blegtorinë, 28 studime nga lëmi i ekonomisë dhe teknikës, 16 vepra të ndryshme shoqëroro-kulturore, 38 studime e vepra të botuara këto në Berlin, Hannover, Istanbul, Parma, Roma, Zug-Schveiz.

Veç këtyre, njihen edhe dy drama  trekatëshe të përkthyera nga gjuha turke në shqip (‘Rrudhat e njollat’ dhe ‘Rrena e shenjtë’), një libër me udhëpërshkrime nga shtetet e Evropës dhe Ballkanit (‘Përshtypje udhëtimi’), një dramë origjinale njëkatëshe (‘Jeta e thyer’), një vëllim me novela e proza të shkurtra (‘Perlat e zeza’), si dhe veprën që e bëri aktual sa edhe i solli probleme të mëdha ‘Nëna Kosovë-Shqipëria e vërtetë’, botuar në Tiranë më 1943, nga shtypshkronja e shtetit, me gjithsej 114 faqe.

Është me interes të thuhet se punimet e shumta ky autor i botonte me pseudonime po ashtu të shumta, si: Olimpia, Olympia, Mimoza, Va-Sa, Mimi, Agim Shkëndija, Vaso, Vasfa, Sportisti me inicialet V.S.V. dhe Blegtori. Çudi në vete paraqet vendosja e pseudonimeve, të cilat ua përshtaste natyrës së shkrimeve. Ja disa shembuj: artikullin ‘Amatorizëm dhe profesionalizëm’ e nënshkroi me limpia (‘Vatra’, nr. 458, Tiranë, 3 dhjetor 1953); punimin ‘Aleksandër Moisiu ka patur dëshirë për t’u bërë princ i Shqipërisë’ e nënshkroi me Mimi (‘Tomori’ Tiranë, 24 mars 1943); ‘Dëshmorët tanë’ kishte për autor Agim Shkëndija (‘Kombi’ Tiranë, 17 tetor 1943); ‘Arti dhe politika’ firmosi me Mimoza (‘Arbëria’ Tiranë 4 shkurt 1944); ‘Një vështrim mbi zooteknikën zvicerane në kohët e sotme’ për autor ishte Blegtori (‘Tomori’, nr. 83, Tiranë, 3 prill 1943, f. 2); për ‘Një ngjarje interesante në stacionin Zooteknik të Prishtinës’ për autor ishte Va-Sa (‘Buletini teknik nr. 2, Tiranë, shtator 1943, f. 236-237); “Vjet i ri për sportin’ me Sportisti (‘Ora’ nr. 261, Tiranë 3 janar 1931) e shumë të tjerë.

3.

Vepra me interes të veçantë dhe të përhershëm  është ‘Nëna Kosovë’, e shkruar në kohëzgjatje ’38-’43, e shtrirë si materie në njëmbëdhjetë kaptina. Ky libër që u dedikohet ‘martirëve të motshëm e të rinjë’, është shkruar nga një penë e atij që ka ‘shkuar pesë herë në Kosovë’ dhe i është bërë ‘pesë herë dashnor’. Vepra është shkruar me frymëzim dhe ndjenjë respekti e adhurimi shpesh të tepruar, për një vend të hyjnueshëm, ku për krijuesin ‘Zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe shkëlqimi i saj është drita e të vërtetës…’.

Në secilën kaptin autori, me nota shpesh romantike e gjithsesi me shprehje artistike, bën përshkrimin e pamjes së tokës së Kosovës, vendit që ishte ëndërr e tij, duke e lidhur gjithmonë edhe me aktualitetin politik e historik të saj, duke e përshkruar madhështinë njerëzore të këtij trolli, pra të Nënës kosovare e Burrit kosovar, që janë edhe emërtime të kaptinave të veçanta.

Duke mos u larguar asnjëherë nga faktet historike, autori ndihet krenar për të gjitha veprimet tona si dhe durimet tona. Që në fillim ai përmend, jo pa shkas, propagandën e Beligradit edhe përmes publikimeve në gjuhë të huaja të pavërtetave dhe shpifjeve. Ndërsa që shqiptari karakterizohej me vetëmohim. ‘Ky vetëmohim nuk rrjedh nga vogëlsija e tokës dhe e popullsisë sonë, por rrjedh nga madhësija shpirtërore e qenjes tonë kombëtare e historike’- thotë Vasfiu që në fillim. Gjithçka e Kosovës dhe në Kosovë për Vasfiun është e mbështjellë me madhështi. Ndjenjat e tij të vala e poetizimi i mendimit plot ndjenjë, e bëjnë veprën të lezetshme për lexim, ndërsa në shumë fakte ruhet aktualiteti edhe në ditët e sotme. Mendimet e tij shpesh janë këshilla e shpesh janë edhe kërkesa të një mençuraku që e ka të qartë se kah është rruga e ecjes përpara. ‘Çoi sytë nga dheu në diell! Vetëm atëherë mund të ndryshosh prej njeriut oriental në njeriun oksidental, dhe vetëm atëherë do të jesh i fortë dhe i lumtur!’, shprehet ai në një rast.

Nënat kosovare anë ato që kanë ditur fare mirë, përtej shekujve, të ruajnë gjakun e kombit, ndërsa që s’ka dyshim se burri kosovar në ‘ballin e lirisë’ do të jep gjakun e freskët dhe martirizohet me vetëmohim për lirinë e vet.  Aktualiteti i mendimit të autorit ruhet edhe kur shprehet: ‘Zëri i njeriut thotë: O njeri, çohu, shkundu!…Hapi sytë dhe shpirtin kundrejt realiteteve të sotme, dritave të shekullit të fundit dhe qytetërimit evropian…!’.

Ishte modë e kohës që veprat të përshkohen edhe me ilustrime, të cilat dr. Samimi i bën me fotoskulpturat e autorëve Anro Breker, Herman Zettlitza, si dhe pikturat e Lothar Sperl-Monako, skulptura e Fritz Klimsch, me fotografi autoktone apo edhe të bashkëpunëtorëve në terren, ndër të cilët spikat edhe fotografia e arsimtarit e atdhetarit të dëshmuar Ibrahim Fehmiu.

4.

Duke shfletuar e lexuar veprat e ndaluara të traditës sonë kombëtare, zbulojmë fytyra të shquara, pena të talentuara dhe mbi të gjitha karaktere që rrallë do të përsëritën me angazhimin, përkushtimin dhe sinqeritetin njerëzor.

Këso rasti të vjen ndër mend një konstatim i Ekermanit, i cili duke e vlerësuar shkrimtarin e shquar gjerman dhe të përbotshëm, Johan Volfgang Gëte, ndër të tjera konstaton: ‘Krijues të tillë mbase do të ketë, po ku të gjendet karakteri i tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok