21/12/2024

“VARGNIM GJAKOVE”, VEPËR ANTOLOGJIKE  DHE ME PESHË TË VEÇANTË PËR GJAKOVËN DHE KRIJUESIT E SAJ

0
Migena-Arllati-Vargnim

“Vargnim Gjakove” botoi Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi” Gjakovë.

Shtypshkronja “Lena Graphic Desing, Maj, 2024

NGA TAHIR BEZHANI

Vetë emri Gjakovë është metaforë, është simbol i një sërë ndjenjash të krijuara nga procese e ngjarje të ndodhura e të përjetuara nga njerëzit e Gjakovës në shekuj e dekada, ndjesi të cilat tashmë i rrinë këtij emri si një aureolë.”

Poetja, krijuesja e mirëfilltë, Prof. Dr. Migena Arllati, këto ditë  botoi librin më të ri me poezi të autorëve gjakovarë, duke e titulluar “Vargnim Gjakove,” i cili në brendinë e tij, ngërthen poetët e këtij qytetit të lavdishëm që nga shk. XVII-të e deri në vitet 2010 të shek. XXI.

Një libër i tillë antologjik, i ka munguar Gjakovës, “kryeqytetit” të poezisë shqipe deri me sot. Librin “Vargnim Gjakove” autorja e nxori në kuadër të  60 vjetorit të Mitingut të Poezisë, mbajtur në vitin 1964 dhe në 25 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Autorja e këtij libri shumëdimensional, ka derdhur gjithë talentin, dijen dhe mundin e saj disamuajsh për të hedhur dritë argjendi në historinë e krijuesve gjakovarë në periudha të ndryshme kohore,duke ndriçuar shumë aspekte të panjohura për  lexuesit e kohëve të sotme dhe duke hapur dritaren e  dijes për studime nga shumë aspekte për gjeneratat e reja që synojnë përfeksionimin e dijes nga kjo fushë e shkencës letrare.

Prof.Dr. Migena Arllati, gjatë punës së saj përkushtuese, ka arsyetuar shumëfish dijen dhe shkathtësitë prej një krijueseje më përmasa të gjëra, duke prekur palcën e shpirtit me gjetjet impresionuese nëpër kohë autorësh, ku poezitë e tyre gjithnjë kanë qenë sfiduese, duke përçuar ide e mesazhe të përballshme ndaj okupatorëve të ndryshëm në sisteme gjithnjë antishqiptare …

Prandaj, thotë autorja me të drejtë se  “ poezia e tyre ka fuqinë e lirisë!”

Një ndalesë të veçantë autorja e librit e bënë në parathënien e saj, me kujdes të posaçëm, për “ poetët  e plejadës,” të cilët lanë gjurmë të pashlyera në historinë dhe kulturën tonë letrare e jo vetëm.

Poetët e kësaj “plejade” jetuan e vepruan në një kohë të errët për popullin tonë, atëherë kur na mungonte liria e fjalës dhe e jetës. Autorja me një respekt të veçantë cekë  poetët si Anton Çeta, E. Gjergjeku, D. Mehmeti, R.Hoxha, B. Bokshi, A. Musaj, S. Lokaj ,A.Podrimja,T.Dervishi e shumë të tjerë, të cilët “para se të ngjyenin në bojë, pena duhej ngulur në mish, para se fjala të dilte, duhej guxuar e rrezikuar pasi fjala, vargu, arti ishin kthyer në armë…

Një vlerësim i tillë nga autorja e librit për poetët e “plejadës” së artë, flet qartë se me sa dashuri, respekt e seriozitet i është qasur një libri   me vlerë të pakontestueshme letrare e shkencore.

Në fillim të librit “Vargnim Gjakove”, autorja hedh dritë ndaj krijuesve gjakovarë të shekullit XVII, personalitete kryesisht klerikë fetarë, duke filluar me Yvejs Efendija (1680-1730), Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752), Tahir Efendi Gjakova,(1770-1850), Tahir Zajmi, (1897-1971), Anjez Gonxhe Bojaxhiu/Shën Nënë Tereza,(1910-1997). Për të gjithë këta autorë të cekur, Prof. Migena Arllati, prezanton nga një poezi të tyre  me  biografi të shkurtër, si dëshmi  të përkatësisë gjakovare dhe kontributit të tyre letrar dhe intelektual.

Pos këtyre autorëve, të cilët i përkasin një historie të hershme, autorja e librit “Vargnim Gjakove”, ka vazhduar me renditjen e gjeneratave  si vijon:I(1920-1940), II (1941-1960), III (1961-1980), IV (1980-2010), duke përfaqësuar secilin poet me nga dy poezi, gjenerata e parë, ndërsa me nga një poezi gjeneratat e dyta. Edhe “plejada” e viteve të fundit ,(ajo e IV-a),është një vazhdimësi e ngjyer në palcën e ashtit poetik të dy gjeneratave te mëparshme, që nënkupton  rëndësinë e frymëzimit poetik nga ajo “plejadë” e arte e poetëve gjakovarë, të cekur më lart.

Autorja e librit “Vargim Gjakove,” si një studiuese e dëshmuar e letërsisë, ne parathënien e shkruar me shumë dashuri e përkushtim, jep edhe mesazhe për këdo që merret me këtë art e posaçërisht për gjeneratat e reja kur shkruan:

Një nga pikat më të forta të një artisti të vërtetë është refuzimi i dogmave mendore e shoqërore të kohës, me përkushtimin e pandalshëm të kultivimit të filozofisë jetësore të realizmit në plotëni”.

Libri i Prof.Dr. Migena Arllatit, ka ardhur në kohën e duhur, kur vlerat e artit poetik janë vlerësuar e vlerësohen më tepër se kudo në trojet tona. Për këtë dëshmoi edhe dita e përurimit, me 23 maj 2024 në sallën e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, e cila ishte e vogël për dashamirët e fjalës së shkruar.

Modestia si vlerë intelektuale e njerëzore, dashuria ndaj artit poetik e letërsisë në tërësi,  puna serioze e bashkëpunimi me letrarët e këtij qyteti zëmadh,  imponojnë mendësinë e respektit maksimal ndaj autores së librit “”Vargim Gjakove”, znj. Migena Arllati.

Ndaj plotësisht mendimin me autoren e librit në fjalë kur shkruan:

Nuk është koha për të marrë lavde por është momenti i duhur për të dhënë nderime. Nderime për të gjithë ata që shpirtin e tyre e kthyen në varg e vargun në përkushtim shpirtëror….”

Shpreh falënderimin personal ndaj  z. Migena Arllati, për këtë dhuratë madhore e cila në duar të lexuesve vjen si një sihariq, pasuri në bibliotekat tona personale, shkollore e universitare.

Gjakovë, 26 maj 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok