05/12/2025

Vargje realizmi tranzicionist

0
Blerim-Rrecaj

Nga Blerim Rrecaj
Shkon një ditë vjen një tjetër. Diç sikur jemi bllokuar. Si një veturë që ndalet e edhe pas përpjekjesh s’i ndizet motori. Jepi, jepi, provo, provo, çohu e shtyje. Kërko ndihmë. Shprehu shqetësueshëm. Lëre krejt. Përsëri provo. Bë ecejake rreth e përqark. Duke kërkuar zgjidhje. Dhe… Nxjerr telefonin nga xhepi. Pranon pyetjen çka po kqyr në të. Përpiqesh duke klikuar ta gjesh një këngë të dëgjuar kohë e kohë më parë. Dhe kujton gjithë nga ajo që të ka ngelur në mendje, e endet stacioneve të kujtesës, ndonëse dhe kjo pak e turbullt, pak e mjegullt. Se di as titullin e këngës, as emrin e këngëtarit vetëm fjalët e melodinë: ‘Nëse mbetesh vetëm, e kerri të mbetet pa benzin, mos ngurro lajmërohu në numrin tim… Më thirr mos ngurro, për ty gjithmonë kam kohë, kam kohë…’ Derisa mendja vërtitet te lidhjet e ligështuara familjare e shoqërore në për-gjithësi, për vizita e takime të rralla, ankesa për shpërndarje të afërmish, miqsh e shokësh dyerve të botës…Por edhe për kujdesin që duhet ta kemi gjatë takimeve, sepse na ka kapluar lodhja, kriza e ftohja tek e cila pak po ndikon antifrizi…Ankesat vazhdojnë dhe dikush shprehet më ashpër e dikush bën arsyetime më mirëkuptuese për këtë gjendje pikllëlluese. Sa mbrapshtë. E mirë, e bukur shkarravitëm deri këtu a jo po!? E gjithë kjo vazhdon në arenën e kësaj fletoreje të dhuruar para gati një dekade, në një ndërrim motmotesh. Një fletore kulturore me vulën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e shtatorit 2009. Pas 5 fletëve ose më mirë 10 faqeve pason fleta(faqja) foto-kolor, njëra anë e medaljes me ca artefakte, një shpellë, një lokalitet antik, një kështjellë, një hamam, një tyrbe, një kishë, një teqe, një xhami, dy ura dhe ana tjetër e medaljes mban shënimet informuese me hartën e Kosovës me numrin që tregon vendndodhjen e tyre. Dhe po ha tash shkopinj të njelmët me susam. E troshat dhe susami po mbesin derisa të fshihen. E sillu e pështillu dhe merr rrugën jashtë mureve, qoftë për ndonjë detyrë a obligim, ftesë, me qejf a përtesë. E kushedi se çdo të vëhet në shportën e kujtesës, çfarë detaje, ndodhi, ngjarje. Dhe ecim. Në drurin e oborrit të shkollës kanë hipur disa nxënës vocërrak, ata edhe bisedojnë për detyrën që kanë marrë për të vizatuar hartën e Kosovës, duke theksuar lokalitetet e saj. Më vonë po këta fëmijë zënë njërën nga tavolinat e drunjta e bojëkafe të hapësirës katrore rrethuar me shumëkatëshe. Shkarkohen nga barra e rëndë e çantave dhe në një fletë të gjelbër hameri vizatojnë kufinjtë e kësaj Kosove. Duke parë dhe në librin:Njeriu dhe Natyra. Kanë dhe një hartë arkitektonike të Prishtinës. Por fëmijët sa lozin, sa vizatojnë, në fund lënë vizatimin, janë të pakënaqur me punën e tyre por magjishëm e pavetëdijshëm mbase me ndihmën e engjëjve kanë fshirë kufirin shqiptaro-shqiptar Kosovë-Shqipëri. Nga veranda e këtij restauranti njerëzit shijojnë këto çaste të kësaj dite të butë vjeshte e cila s’i zbut fjalët për përditshmërinë e halleve.E sytë hidhen edhe kah një pupël e bardhë shpendi që bartet duke u përkëdhelur nga puhiza e në shoqërinë e lehtë të ca tingujve instrumentalë, vazhdon rrugëtimin njashtu si një fluskë bore. Paramendoni që krahët e kësaj fluskeje të na hedhin tek një supermarket ku fillimi i muajit, marrja e të ardhurave, rrogave, qirave bën dyndjen e blerësve dhe aty takohen edhe bashkëpunëtor deri dje të afërt partie e sot me rrugë të ndara, e pyetja kureshtare është se a thua u përshëndetën. Hej, njëmend a po shkojmë në zgjedhje thotë dikush veç sa për të thënë diçka derisa mendjen e ka te paratë që do t’ia rrëmbejë kjo shportë me gjësende ushqimore e jo ushqimore familjare. Mbase sërish do fillojnë të bëhen premtime për investime prej miliona, qindra miliona e miliarda fjalësh premtuese. Derisa gjërat ngatërrohen e ngatërrohen, e po po vazhdohet me kultivim pengesash e ngatërresash, e po, po vazhdohet në vend se…Të bie në mend një varg i poezisë që pe e lexove së fundi të Alda Merinit që bukur po niste: ‘Hapësira, hapësira unë dua…’ Dhe ndodhemi te ndonjë hapësirë e rrallë, (edhe kjo s’dihet sa do të mbijetojë), fëmijët lozin e ne mund të vështrojmë luleradhiqet ‘parashutiste’ të cilat s’mund të fluturojnë pasi janë mbërthyer nëpër fije të endura merimangash…

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok