23/03/2026

Varfëria politike si pengesë e zhvillimit të Kosovës

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj 

Kosova vërtet ka mosmarrëveshje të thella e historike me Serbinë, me bandat në veri, por problemet më të mëdha e më serioze i ka me vetveten, me jonormalitetin politik, me kulturën e varfër politike, pra me krizën e vet, që është varfëria politike. Kjo varfri ushqehet e mirëmbahet për mrekulli.

Dhe dihet saktësisht kush e mirëmban e në favor të kujt shkon.

Vendi ynë e ka bjerrë udhën e normalitet dhe udhëhiqet pa asnjë ide e pa asnjë vizion. Udhëhiqet nga impulset e improvizimet e përditshme, që bërtasin e pasqyrohen ma së miri në stagnimin e gjithmbarshëm të vendit tonë, në gropat e mëdha që janë çelë brenda e jashtë saj.

Janë stërkequr raportet ndërmjet politikës së brendshme dhe raportet me perëndimin.

Për rrjedhojë, lulëzon si asgjë tjetër injoranca, një gjuhë polarizuese, egërshane dhe popullsite, që njeriun normal e bëjnë të ndihet keq edhe po t’i dëgjonte në një cep tjetër të tokës e jo në vendin e vet.

Kjo gjuhë, jo që nuk sjell përparim e as lumturi për njerëzit e këtij vendi, por jam fort i bindur se përditë e rritë koston e mjerimit. Se edhe mjerimi ka kosto, mund të jetë një faturë që fshihet ose mbetet gjatë në histori, faturë që duhet ta paguajnë breznitë që vijnë.  Kam frikë se ne breznive të ardhme po iu lëmë një faturë shumë të shtrenjtë: mos zhvillimin e vendit.

Pra, që të jem sa më i qartë: problemi themelor dhe më i madhi i Kosovës është paaftësia për ta zhvilluar atë. Është paaftësia për të bërë shkolla normale, ku edukohen brezat e rinj; paaftësia për të bërë libra shkollorë normalë që rrisin formimin e edukimin e njeriut tonë; paaftësia për të përmirësuar gjendjen në shëndetësi; paaftësia për të përfituar nga të mirat globale projekte zhvillimore ekonomike që sjellin vende pune dhe mirëqenie, rrjedhimisht progres.

Zhvillimi i vendit nuk bëhet me politika shterpe, me demagogë e parulla primitive patriotike, se dihet, demagogët janë fatkeqësi kombëtare, por me ide e strategji të mirëmenduara, me njerëz profesionistë e që punojnë me devocion e dashuri për atdheun dhe me miq.

Prandaj, duhet të jemi racionalë dhe ta kuptojmë se nuk është problem madhor i Kosovës as asociacioni, as kufiri, as Serbia, as korrupsioni, por udhëheqësit mashtrues e injorantë, që me politika të varfra kanë molepsë një popull të tërë.

Ne e dimë se gjuha është gjithçka, ajo shëron plagë ose krijon të reja, formon alternativa ose shkatërron ekzistueset, se gjuha krijon ide, idetë sjellin projekte dhe të mira. Po ta analizojmë gjuhën e politikës, e shohim se ajo është tmerrësisht e mjerë, një mjerim që bërtet.

Qeverisja, para se gjithash është kulturë dhe përfaqëson një mendësi kulturore.

Prandaj në botën e përparuar flitet për kulturë demokratike, për kulturë ekonomike, për kulturë juridike.

Çfarë mendësie kulturore përfaqëson sot vendi ynë?

Njeriu që provon të gjejë një përgjigje në këtë pyetje, turpërohet.

Sepse, vendi ynë duket sot se është pjellë e mendësisë së llogoreve, e një mendësie që ka mospërkim esencial me demokracinë si sistem vlerash.

Sepse, duhet ta kujtojmë, demokraci motor të ekzistencës e ka dialogun dhe komunikimin.

Këtu, njerëzit bëjnë monolog, jo dialog, prandaj mjerimi shtrinë fytyrën e trishtë kudo.

Ajo çfarë dëgjohet përditë, këtu, nuk ka lidhje me zhvillim, as me ide, politika ushqehet nga llumi, me instinkte bazike, ku ngatërresat, akuzat, mendësia e fajësimit, kacafytjes, justifikimit, arrogancës, mllefit, izolimit…lulëzojnë si asgjë tjetër.

Pra, problemi real i Kosovës është varfëria politike, që po e shkreton përditë të ardhmen e këtij vendi.

Një gjë tjetër që duhet ta përmendim shpesh është raporti ynë me perëndimin. Se, sa herë, si komb, i kemi kthyer shpinën perëndimit, për ne janë hapë portat e ferrit.

Ekzistenca jonë kombëtare jashtë orbitës së perëndimit njeh mjerimin e prapambeturin si flamuj, që janë valëvitë me shekuj.

Kjo e vërtetë është aq e shndritshme sa nuk ka terr që mund ta fshehë, e thonë të gjithë mendjendritur tanë, nëpër të etapat e zhvillimit si komb.

Tajar Zavalani, te teksti “Ç’pamë në Evropë. Ç’gjejmë në Shqipëri, ndër të tjera shkruan:

“Vërtet kur vjen rasti, ne i stigmatizojmë, dhe me tërë fuqinë, të metat tona si komb. Por këtë e bëjmë për të shpieguar të shkuarën dhe për të kuptuar psikologjinë e masave; edhe jo për të justifikuar apathinë, inercinë, indiferencën dhe mosveprimin tonë. Në qoftë se vjen puna për të ndarë fajet, fajin më të math e kemi ne që i themi vehtes intelektualë. Pse?.., do të pyetni. Puna për mua është aq’ e qartë sa nuk ka nevojë të shpiegohet. Por janë disa të vërteta që nuk bëjnë dëm pse të përsëriten kohë pas kohe. Neve, bijtë e këtij vendi, të dalë nga gjiri i këtij populli, patmë rastin ose fatin të vemë të rrojmë disa vjet në kryeqytetet e shteteve më të qytetëruar të Evropës oksidentale. Atje hymë në kontakt me një botë, një kulturë, një popull që ka arrirë kulmin e përparimit. Atje u munduam, si cilido pas takatit dhe zotësisë, të shkundim pluhrin e mrapështisë ku qemë rritur, të çkëputemi nga idhetë e ndryshkura, paragjykimet e cekta dhe mentaliteti primitiv; u përpoqëm të riedukojmë vehten dhe të armatosemi me dituri dhe vullnet për punë.”

Dhe, nëse politika e varfër dhe paaftësia për të zhvilluar vendin përkthehen drejtpërdrejt në realitetin e përditshëm, më saktësisht në mjerimin që shtrihet kudo, një faj tjetër, shumë të madh, që e përmend Zavalani, por të cilin ndoshta nuk e përkthen drejtpërdrejt realiteti i përditshëm, por e regjistron historia, është faji i atyre që i thonë vetes intelektualë e që nuk bëzajnë përballë këtij mjerimi ose pëshpëritin aq pak sa zëri i tyre duket si e folura e fëmijëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok