26/12/2024
Sami-Islami

Tregim nga Sami Islami

Kur lind fëmija (nëse është djalë) prindërit ia lënë emrin Luan, Sokol, Hekuran dhe emra të tjerë, me dëshirë që kur fëmija të rritet të merr virtyte të emrave që ua lënë: të luanit (trim si luani), të sokolit    ( i shkathtë si sokoli), të hekurit (i fortë si hekuri) etj. Mirëpo zakonisht këto janë vetëm dëshira të prindërve, se rrallë mund të rastis emri me atë çfarë do të bëhet  fëmija kur të rritet në jetë, sepse mund ta ketë emrin Luan, po të jetë frikacak si miu, ose të ketë emrin Sokol e të jetë i ngathtë si huti…

Ja që, për çudi, nga njëherë me emrin qëllon që edhe  fëmija kur të rritet të bëhet  i tillë. Kështu ndodhi me personazhin tonë. Kur lindi fëmija, prindërit e quajtën Pehlivan (kurse shkurtimisht, më vonë,  e thirrnin vetëm me nofkën Vani).

-Ç’është ky emër, pyesnin njerëzit lagjes nga kureshtja? Çfarë domethënie ka?”  -Kjo fjalë domethënë ”akrobat“,  njeri që di të eci edhe nëpër tel dhe nuk rrëzohet! -iu kishte pas përgjigjur prindi i tij, me qesëndi.

-Unë kam dëshirë që djali im të bëhet si pehlivan, sepse vetëm të tillët më së miri kalojnë në këtë jetë!-kishte shtuar.

Dhe për çudi sa po kalonte koha, Vani po rritej dhe si dukej se po e ”arsyetonte“ emrin, nga se,  qysh i ri ia nisi ”pehlivanllëqeve“, të cilat filluan edhe  t’i ”ecnin“  të shkretat. Sa ishte nxënës gjimnazi,  librat i kishte zët, po megjithatë “suksesin“ e kishte ndër më të mirët, ndoshta se ishte  bir funksionari. Dhe  Vani si ”pehlivan“ që ishte e ”nuhati“ herët se në Vilajet  për të nuk do të kishte ”perspektivë“ dhe vendosi të ikte në Perëndim. Po ç’t’ë bënte atje? Punën s’ia donte hiç.  Shkollën s’e kishte përfunduar, megjithatë  apetitet s’e lenin të qetë që të bëhej i madh. Po si t’i hynte këtyre ”pehlivanllëqeve“? Hajt, mendoi, ta regjistroj veterinën, se me para mund ta kryej atë pa farë mundi, dhe, në mos asgjë, bile kur ta ”kryej“ do ta fitoj titullin “dr“! Se ku e dinë njerëzit kur të kthehem në Vilajet se çka kam kryer dhe si e kam kryer? Do t’ju them se jam ”dr“ e hajt. Dhe vërtetë ”i shkrepi“ Vanit. E mori ”diplomën“ e veterinarit dhe sapo deshi të kthehej në vendlindje, tha me vete, çka mund të bëj unë me këtë diplomë atje? Atje dolën prej pune edhe ata që ishin, e unë  po kthehem të punoj , pale!

Vendosi të rrinte edhe më tej aty ku ishte. Kështu e ”këshilloi“ edhe Zeqa.

-Perëndimi është punë  e madhe, shkojmë në Gjermani- tha dhe ia bëjmë disi. Dhe vërtetë s’lanë gur mbi gur, si thonë, duke ushtruar ”profesione“ ndër më të ndryshmet, përveç profesioneve për çka ishin ”kualifikuar“ duke  bërë para të mira.

Një ditë Vani, duke e parë se e kishin ”kullotur“ mjaft Gjermaninë dhe nga frika se mos po u binte kush në gjurmë i tha Zeqës:

– Të holla kemi bërë mjaft, ç’thua të shkojmë në Amerikë!

– Lere pashë Zotin- ia priti Zeqa-pse a nuk po të pëlqen këtu, a?

– Më pëlqen, më pëlqen këtu, po a s’po e sheh se u mbush thesi?!  Shkojmë atje dhe bëjmë diçka më të mençur. Atje  unë kam disa miq dhe me që s’na njeh kush  tjetër për marifetet tona! Në mos asgjë e formojmë një shoqatë- Lere mos bën hajgare-ia priti Zeqa- s’janë ato punë për ne! shoqata shqiptarësh në Perëndim ka sa të duash!

– Po, po – iu përgjigj Vani- E formojmë një shoqatë tjetër. Se mos kanë vdekur budallenjtë? Atje ka shqiptarë sa të duash. Situata në Vilajet është e rëndë dhe nisim ngadalë t’i ”ofrojmë“ shqiptarët. U themi se kemi ardhur të bëjmë diçka për vendlindjen , fillojmë të mbledhim para në emër të shoqatave humanitare!

-Mirë e ke Vani, kërkush nuk ta kalon ty për “pehlivanllëqe”!

Dhe erdhi Vani në Amerikë! I ra kryq e tërthor qytetit ku u vendos. Takoi pak njerëz nga Vilajeti i tij. Por me rëndësi qe se ai aty u takua me Malën, një mik i tij i vjetër, i cili e njoftoi edhe me bashkatdhetarë të tjerë. Mala së shpejti po e martonte djalin dhe për ta nderuar Vanin, e kishte ftuar atë dhe Zeqën në këtë gazmend. Dhe Vani  për ta treguar ”patriotizmin“ e madh, në dasmën e Malës,  u dalldis krejt. E mori flamurin  kombëtar dhe doli në ballë të krushqve (edhe në mërgim dasmat bëheshin sipas traditave shqiptare) dhe kërcente Vani.  Kështu kërceu me flamur u djersit sa mjekra e kuqe e flokët e rralla i pikonin ujë! U dalldis sikur donte ta ”shteronte“  krejt  “patriotizmin”!

-Kush është ky që po bën kaq ”gjymysh“ pyetnin disa?

-Nuk e di po po thonë se qenka një ”i njohshëm” i Malës dhe sa paska ardhur tash vonë prej Vilajetit -sqaroi një i pranishëm!

                                                         ***

Ditët po kalonin e Pehlivani po hulumtonte si të futej në shoqërinë e re. Një ditë e pyeti Malen:

-Si i keni punët këtu në Amerikë, a ka  ndonjë fare aktiviteti ?

-Ka pasur- ai ktheu Mala, -po nuk është duke funksionuar në kohë të fundit. E kemi në plan ta mbajmë një mbledhje dhe të bëjmë diçka. Nëse je i interesuar posa të mbajmë mbledhjen   unë do të propozoj  për kryetar  të shoqatës. Se, ti e di,  këtu mua s’ma prish kush-  u krekos Mala.

Pastaj këtu vetëm “tanët” jemi mjaft. ”Hajde Pehlivan, hajde,  të erdhi rasti ta luash rolin ashtu siç di ti“- mendonte. Dhe Mala shfrytëzoi dasmën për t’i  tubuar shqiptarët. U bënë ato ”formalitetet“ dhe  punët filluan të ecnin  tamam sipas skenarit, nga se edhe në “zgjedhje” nuk pati konkurrencë.

Dhe Vanit filluan t’i rriten veshët edhe më. E pse jo, pa pritur e pa kujtuar u bë kryetar i  shoqatës edhe atë në Amerikë! Fundja kjo ishte si fitorja e Cezarit në Senatin e Romës! Rreth vetes kishte Malen me gjithë “kompaninë” e tij. Dhe kjo në fund të fundit mjaftonte. Njerëzit nga Vilajeti tuboheshin aty. Mala, si “muzikant” që ishte bënte shpesh muzikë ( natyrisht sa për qejf) e nganjëherë luante pingpong,  e të tjerët “organizoheshin” në sektorë të ndryshme. Me rëndësi ishte se  ky Vani (Pehlivani pra) shfrytëzonte çdo rast për të mbledhur para: jo për këtë çështje, jo për atë çështje, po më së shumti i “ndezte” kur   “organizonte” aksion për të mbledhur të holla për atdheun (për Vilajetin) për gjendjen e rëndë atje. Dhe njerëzit jepnin të holla, e ky Vani  nuk i zbriste kurrë veturave më luksoze që kishte në Amerikë!

Me profesionin e veterinarit ishte ndarë definitivisht, po pasi që ishte njëfarë “doktori”, siç thamë, titullin “dr” e kishte shumë në qejf dhe, nganjëherë  edhe kur shkruante (në Amerikë po botohej një gazetë e shqiptarëve) u nënshkruante me “dr  Vani”, edhe pse  ky “nënshkrim” asnjëherë nuk kishte lidhje me atë për çfarë shkruante ky, po me rëndësi ishte të dukej se ky ishte njeri “i madh”. Në Amerikë s’la mbledhje pa e përmendur, pa e propaganduar shoqatën e vet, në emër të së cilës edhe u pasurua. E pat bërë “blozhë” si thonë një farë “komunikate” duke  e lexuar për çdo mbledhje! Tani, jo vetëm “kompania” e Malës  dhe e  Zeqës që e mbanin në duar , por tash ai e “zgjeroi” influencën edhe tek shumë të tjerë.

Për shkak të situatës shumë të turbullt në Vilajet, në Amerikë vinin shpesh edhe shqiptarë të tjerë. Kështu një ditë erdhi edhe Emini. Edhe ky kishte  disa “huqe” sikur edhe Vani. U soll e u soll të futej diku në parti dhe dikur ia arriti qëllimit dhe si të thuash  “u be dora e djathtë” e Vanit. Po as ky nuk shpëtoj pa nofkë. Edhe këtij, posa erdhi, njerëzit ia gjetën nofkën dhe e quajtën shkurt Mini. Si duket edhe nofka Mini i përshtatej se ishte si mini në të vërtetë, si përnga pamja ( se nofullat i kishte pak si të dala jashtë, pa fije floku në kokë dhe me mjekër), por edhe për nga lëvizjet e shpejta që i bënte. Ishte i pakapshëm! Edhe ky, shitej si  “atdhetar” i madh  dhe  “patriot” po “digjej” për fatin e atdheut. Edhe ky, pra,  më në fund u fut në shoqatën e Vanit dhe si të thuash e gjeti fulterja tenxheren. E gjetën njëri- tjetrin. Të dytë ishin me mjekra. Të dytë kishin mjekra ngjyrë të kuqe, por  Vani kishte mjekër të gjërë dhe të rruar me “stil”, kurse  Mini kishte mjekër të mprehtë dhe mbante syza si me hije as të errëta, as plotësisht të ndriçueshme.

                                    ***

Po Vani as me këtë nuk ishte i kënaqur. Synimin e kishte diku tjetër. Ai e dinte mirë se në Amerikë, sado që kishte bërë para të majme nuk do të kishte “autoritet ” sa të kthehej në Vilajet. Zaten edhe thonë “Më mirë i pari në katund, se i fundit në qytet”. Dhe Vani pra po planifikonte të kthehej në Vilajet, pasi që partia e tij, anëtar i së cilës ishte sa ishte atje,  kishte shumë gjasa të fitonte dhe,  doemos ky do të merrte ndonjë vend të mirë në pushtet! Sa për  postin e kryetarit të shoqatës në diasporë kishte planifikuar t’ia lente Minit. Se kush do t’ia “kryente” punët më mirë se Mini (pardon Emini), i cili ishte në gjendje të bënte të pamundurën për “bosin” e tij? Zor. Pastaj ky Mini edhe e kishte dhënë provimin tek Vani për servilitet qysh  se kishte ardhur në Amerikë, kështu që për këtë Vani nuk kishte  asnjë dyshim. Vetëm Mini do të ishte “i denjë” ta zëvendësonte! Dhe Vani u kthye në Vilajet. Ia filloi “dallavereve ” edhe atje.

 Mini po e zëvendësonte në mënyrë të denjë, si thamë, duke  organizuar aktivitete politike e besa edhe aso kulturore. Një natë u organizua një koncert i madh në Amerikë. Ishin tubuar shumë atdhetarë dhe Mini për t’u treguar të gjithëve se sa servil ishte ndaj Vanit u ngrit në këmbë dhe tha:     ” Prej këtu, mendoj se e shpreh edhe mendimin e masës kur them se dua t’i uroj punë të mbarë në Vilajet Vanit”.  Dhe për këtë qëllim kam zgjedhur këngën për Isa Boletinin në Londër”. Duartrokitjet  e “simpatizuesve” të Vanit s’kishin të ndalur. Muzika ia filloi  e Minit nuk po i zinte vendi vend prej gëzimit.

Kështu po vazhdonte jeta në Amerikë, po në Vilajet?

Edhe në Vilajet,  në “zgjedhjet ” që u bënë,  për çudi fitoi  partia e Vanit!  Zatën thonë kur ecë, ecë! U formua qeveria dhe u caktuan ministrat. Filani, ministër  i drejtësisë, tjetri ministër i arsimit, një tjetër ministër i ekonomisë etj. etj. dhe Vani si njeri që kishte të bënte pak a shumë me “mjekësinë”, pasi siç thamë në fillim e kishte të “kryer” veterinën e caktuan Ministër i Shëndetësisë! Dhe Vilajeti më i varfër ekonomikisht,  më në fund, u bë me qeveri të re  dhe si të thuash  më i pasuri me ministra! Po kjo gjë aspak s’po e shqetësonte Vanin, pasi që  punët po ecnin për mrekulli! Ministri shpesh po ftohej edhe në TV, e ai si njeri me “diapazon të gjerë diturie” jepte “ders” miletit se kështu, ose ashtu duhet bërë, madje ata të Televizionit filluan ta prezentojnë si “Dr. Vani ministër i shëndetësisë” etj, etj.

-Hajde, Vani hajde, – dëgjova duke  thënë  një i pranishëm derisa ky po “mbante një fjalë të rastit ” në TV dhe ishte bërë gati të “inauguronte” një spital në Vilajet.

-Ç’të keqe ka  këtu ?- e pyeti një tjetër.

-Jo asgjë- ia ktheu i pari, por po kujtoj një thënie të një urti, i cili njëherë pat thënë:

 “Kur punët të shkojnë mirë, varg e vistër,

Edhe matrapazi bëhet ministër”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok