15/11/2024

URAN KOSTRECI NDËRROI JETË – NJËRI PREJ QENDRESTARËVE MË TË NJOHUR ANTIKOMUNISTË SHQIPTARË

0

Nga Frank Shkreli

Vdekja e Uran Kostrecit, njërit prej legjendave të qendresës antikomuniste në Shqipëri u njoftua nga Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve.  Ai ndërroi jetë të henën në moshën 83-vjeçare pasi dy vitet e fundit të jetës së tij u përball me disa sfida serioze shëndetsore.  Ai vdiq ashtu si jetoi gjithë jetën, luftëtar i patundur kundër regjimit komunist dhe një dëshmitar i rrallë i vuajtjeve të bashkatdhetarëve të vet gjatë komunizmit enverist, njërës prej periudhave më të errëta të historisë së Kombit shqiptar.

Kush ishte Uran Kostreci: Sipas Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, themelues i të cilës ishte ai vet, Uran Kostreci ka lindur më 1938, në Sarandë në një familje me tradita e kontribute të spikatura patriotike.  Me vendosjen e regjimit komunist  në Shqipëri, familja Kostreci banonte në qytetin e Korçës. Kur ishte ende fëmijë komunistët i arrestuan dhe i dënuan të atin si eksponent i Ballit Kombëtar. Me mundime arriti të mbarojë shkollën normale në Elbasan dhe për një kohë të shkurtër punoi si arsimtar në rrethin e Vlorës deri sa u arrestua me 5 gusht 1961.  Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi atë “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, me konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe me humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.  Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit e dënoi me 8 vjetë burg, “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”. Uran Kostreci kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Por pas burgut u dënua prap me 5 vjet internim, (1983-1988) në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua edhe me 3 vjet burg të tjera për largim pa leje nga internimi.  Ka filluar të shkruante poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist. Uran Kostreci ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.  Ai ishte edhe themelues i Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë dhe anëtar i kryesisë kombëtare të kësaj organizate. Ishte gjithashtu kryeredaktori e botuesi i parë i gazetës Liria, gazetë e të përndjekurve politikë të Shqipërisë.

Pas shembjes së Murit të Berlinit, i ndjeri Uran Kostreci u përfshi fort në lëvizjen demokratike në Shqipëri dhe u zgjodh dy herë kryetar i Partisë Demokratike, dega e Elbasanit.  Ishte në krye të forumit për dënimin e gjenocidit komunist në Shqipëri dhe ai ka meritën që akuzoi dhe mblodhi prova që çuan në të vetmin proces gjyqësor për krimet e komunizmit në Shqipëri, ku u akuzuan dhe dënuan disa prej krerëve të lartë të diktaturës komuniste. Në një intervistë me Zërin e Amerikës vite më parë — Uran Kostreci, i dënuari i diktaturës komuniste dhe i vuajturi për një kohë të gjatë në burgjet e komunizmit – ka thenë se nga pikëpamja morale dhe juridike, asnjë nen kushtetute nuk mund të lejojë të jetë gjykatës një njeri i cili ka dhenë dënime politike për mendime dhe për ide në kohën e komunizmit. Është ky një subjekt aktual edhe sot ndërsa bëhen përpjekje – me ndihmën e ndërkombëtarëve — për një regjim të ri drejtësie në Shqipëri me njerëz, që sipas analistëve, kanë dhenë dënime politike në ish-regjimin diktatorial komunist. Ashtu siç jam shprehur disa herë, edhe Uran Kostreci mendonte se është vështirë të besosh në “drejtësinë e re” me protagonistë të drejtësisë së vjetër të komunizmit. Fatkeqsisht, Shqipëria po bëhet një vend — siç ka thenë Sami Frashëri – ku, “Kalben njerëzit e ndershëm, atje ku lartësohen kriminelët.”

Pas kalimit në amshim, vitin që kaloi, të një tjetër disidenti anti-komunist shqiptar, Maks Velos, Frank Shkreli: Maks Velo shkoi amshim | Gazeta Telegraf, ikja e nga kjo botë e Uran Kostrecit është një humbje tjetër e madhe për të gjithë ne, por sidomos për viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre, pasi siç shprehej edhe vetë Kostreci, ai kishte ende shumë për të na dhënë e mjaft për të na thënë.  Sipas platformës “Edhe Muret kanë Veshë”, e cila dokumenton dhe ruan historitë personale të njerëzve të përsekutuar gjatë regjimit të dhunshëm komunist, 1944-1992 në Shqipëri — të qëndronte i heshtur për të shkuarën e tij — për Uran Kostrecin, ishte e pamundur.  “Jeta e Uranit ishte shembull rezistence dhe mbijetese. Kur ishte i ri, i mbijetoi diktaturës në Shqipëri përmes forcës së mendjes dhe vendosmërisë për të mos iu dorëzuar padrejtësive që e rrethonin. Strategjitë e tij të përshtatjes për ta mbajtur mendjen të shëndoshë përfshinin mësimin përmendsh të një poezie 88 faqe të gjatë, përgjatë 20 viteve që kaloi në burgjet politike të Tiranës e Burrelit dhe kampet e internimit të Tiranës, Laçit, Elbasanit e Kurtajt. Kjo krenari dhe ky refuzim për të rënë në dorë të armikut mund ta kenë shpëtuar nga pushkatimi”, thuhet në platformën “Muret kanë Veshë”.

“Na shpëtoi, së pari Zoti, po dhe urrejtja e madhe që kishim për komunizmin”, thotë ai. Kishim një urrejtje të madhe përbrenda dhe ishim të vetdijshëm për të. E dinim në duart e kujt ishim. Përballimi për ne ishte më i lehtë, sepse kishim krenarinë tonë që nuk na lejonte t’i shfaqnim dobësitë përpara armikut. Mund të pyesni veten se si është e mundur, por ja që është”, është shprehur ai për platformën “Edhe muret kanë veshë”. “Këto ndjenja të forta na mbajten gjallë”, ka shtuar qëndrestari i njohur antikomunist shqiptar.

Gjatë këtij tranzicioni të pafund politik, kemi mësuar shumë histori vuajtjesh të kundërshtarëve të komunizmit në Shqipëri. Ndër mijra bashkvuajtës të tij nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, Uran Kostreci është dalluar ndër ta si shembull qëndrese dhe vullneti për të mbijetuar dhunën e diktaturës komuniste në Shqipëri, duke e kundërshtuar atë me “forcën e mendjes dhe me vendosmërinë për të mos iu dorëzuar padrejtësive që e rrethonin”, thuhet në parathenjen e tregimit të tij në “Edhe muret kanë veshë”.  Vullneti i tij edhe për të mbijetuar, me qëllim për të treguar — ashtu siç ka shkruar edhe At Zef Pllumi, françeskani i madh që vuajti dhe jetoi për të treguar krimet dhe torturat mizore të komunizmit – si një detyrim moral e kombëtar ndaj të gjallëve sot dhe për brezat e ardhëshëm, por edhe si një obligim njerëzor ndaj atyre që nuk jetojnë më, dhjetra mija viktimave të komunizmit enverist që nuk mbijetuan dot burgjet dhe kampet e internimit të gulagut të Enver Hoxhës. Ai u qendroi besnik atyre viktimave por dhe vuajtjeve të veta, pa u korruptuar kurrrë, ka shkruar ditët e fundit shkrimtari i njohur shqiptar dhe ish i përndjekuri i regjimit komunist, Visar Zhiti, duke kujtuar mikun e tij bashkvuajtës të burgjeve dhe kampeve çnjer[zore të Enver Hoxhës:

“Më vjen të vë titullin “Kont” kur them emrin Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marçiale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekoratë.”

Falënderojmë Zotin që Uran Kostreci mbijetoi burgjet dhe kampet e regjimit komunist në Shqipëri dhe njëkohësisht i jemi mirënjohës atij që për 30-vjet ndau me ne vuajtjet e veta dhe të tjerëve ashtu siç ka bërë At Zef Pllumi e të tjera viktima të komunizmit duke na treguar se sa i fortë është njeriu — shpirtërisht dhe fizikisht — për të mbijetuar ato kushte djallëzore të jetës në burgjet dhe kampet e Enver Hoxhës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok