21/12/2024

Ukraina, Evropa dhe Ballkani

0
Ibrahim-Kabili

Nga Ibrahim Kabili

Bota demokratike pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrahinës duket se po vepron. SHBA, presidenti amerikan Biden, shtetet e BE-së dhe jo vetëm reaguan ashpër dhe dënuan sulmin e Rusisë. Presidenti Putin dhe parlamenti rus, në kundërshtim me të gjitha traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dërguan ushtrinë dhe pushtuan Ukrainën. Ky invazion i ushtrisë ruse u paralajmërua nga shërbimet e fshehta, por përsëri mendonim se Putini nuk do të arrinte në këtë çmenduri. Ai e ndërmori këtë akt dhe pushtoj Ukrahinën. Kjo përbën një rrezik të madh për gjithë vendet e Europës, sigurinë dhe rendit botëror. Paqja është vënë në rrezik. Rusinë dhe ekspansionin e saj mund ta ndali vetëm SHBA, NATO dhe Evropa e Bashkuar. Reagimet në unison të krerëve të fuqive të mëdha të japin shpresë, të bëjnë të besosh se Rusia do e humbë këtë luftë. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Luftë e Rusisë është e padrejtë, grabitqare dhe agresive ndaj  shtetit sovran të Ukrainës, ndaj do dështojë me turp. Shpresojmë sa më shpejt. Brenda 24 orësh ka mbi 57 viktima dhe shumë të plagosur. Nëse ajo zgjat numri i tyre do të jetë i madh. Evropa dhe politikanët e saj duhet ti thërrasin ndërgjegjes dhe kujtesës historike… Duhet ndalur me çdo kusht lufta. Nuk është vonë për të ndalur Putinin… Ai ëndërron të krijojë ish “Perandorinë Ruse” apo ish “BRSS-në” e pasluftës së Dytë Botërore. Unë kam besim të plotë se SHBA dhe Evropa do ta gjunjëzojnë Putinin. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, autokracia nuk mund të fitoj mbi demokracinë.

Natyrisht ky agresion ndaj Evropës rrezikon shumë paqen në Ballkan. Nuk është rastësi që Putini përmend Ballkanin dhe më shpesh Kosovën. Faktet dhe ngjarjet historike tregojnë dhe vërtetojnë se Rusia ka synime agresive ndaj vendeve të Ballkanit. Për ti arritur këto synime, ajo përdor “satelitin” e saj Serbinë. Serbia dhe Vuçiçi përbëjnë një rrezik të madh për prishjen e paqes në Ballkanin “fuçi baruti”. Më i rrezikuar është veçanërisht Ballkani Perëndimor. Evropa tanimë duhet të tregohet objektive me Serbinë. Eshtë momenti që ajo të ndryshojë qëndrim dhe t’ja heqi maskën Serbisë. Evropa duhet ta vejë në provë Serbinë, e cila nuk është gjë tjetër, veçse “Rusia” e vogël e Ballkanit. Si e tillë ajo paraqet probleme për Ballkanin, Kosovën dhe më gjerë. Evropa duhet ta zgjidhë këtë nyje gardiane! Koha është tani. Eshtë tani sa nuk është vonë.  Serbia ka mbi dy dekada që përkëdhelet nga Evropa, në ato “bisedimet” e saj me Kosovën. Ajo po favorizohet në këtë dialog. Kjo nuk është e drejtë. Si shtet agresor ajo duhet të vihet në provë nga BE-ja. Si satelit i Rusisë në ballkan, Serbia, duhet të mbajë një qëndrim të qartë në lidhje me agresionin e Rusisë mbi Ukrainën me datën 24 shkurt 2022. BE-ja tani duhet ta kalojë në një filtër “lakmusi” Serbinë. Serbia duhet të shprehet nëse e dënon agresionin rus ndaj Ukrahinës, apo jo? Meqenëse ajo “dëshiron” antarësimin në BE, duhet të shprehet nëse është me BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, apo jo? Duhet të vendosë tani sanksionet ndaj Rusinë, apo është kundër tyre? Duhet të shprehet nëse e njeh tërësinë territoriale të Ukrainës, apo jo? Natyrisht Serbia nuk ka ndonjë peshë në konfliktin në fjalë por kjo përbën rrezik për paqen në ballkan. Ajo dëshiron të ringjall “mbretërinë” e dikurshme, apo “Serbinë e Madhe”. Kjo përbën një rrezik për Ballkanin dhe aq më shumë për Kosovën.

Për politikën mbarëkombëtare shqiptare duhet:

▪︎ Të unifikohet faktori politik shqiptar në lidhje me Serbinë.

▪︎ Të forcohet mbrojtja e vendit nga dy shtetet shqiptare.

▪︎ Të rishikohen qëndrimet ndaj Serbisë dhe të pengohet çdo nismë e saj për të dalë në Adriatik.

▪︎ Të ndalohet me ligj shitblerja e pronave shtetasve rusë dhe serbë në territoret me rëndësi strategjike shqiptare.

Eshtë shumë pozitiv fakti që politikanët e ri në Kosovë e refuzuan “Open Ballkanin”. Po kështu politikanët e Shqipërisë, dhe ato të Kosovës, dënuan njëzëri agresionin rus në Ukrainë. Ata u pozicionuan qartë pro SHBA-së, BE-së dhe Natos, në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës. Unë shpresoj se politika shqiptare do ta gjejë gjuhën e përbashkët për tu dhënë zgjidhjen e duhur problemeve shqiptare me interes kombëtar. Unë kam shumë besim për këtë! Historia jonë e përbashkët, është e hershme në kohë dhe hapsirë, ajo nuk nis dhe përfundon me politikanët e sotëm!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok