01/04/2025

“UDHËTIMI” I FUNDIT I BAJRAM CURRIT: DRAGOBI – KOLGECAJ – ZOGAJ – KRUMË…

0
Bajram-Curri

Bajram Curri, atdhetar e luftar i zjarrtë, për çeshtjen mbarkombtare shqiptare, “Hero i Popullit”

ME 29 MARS 2025 MBUSHËN 100 VJET QË RA HEROIKISHT HEROI I POPULLIT BAJRAM CURRI

(Kujtime të bashkëkohësit Ukë Arif Ahmeti)

Nga Ibrahim Hajdarmataj

1 – Babai im, Ukë Arif Ahmeti-Hajdarmataj, në moshën 96 vjeçare, që në rini më pat treguar episode të ndryshme për traditat atdhetare e luftarake të të parëve tanë. Sidomos i kam dëgjuar me interes dhe i kam regjistruar në kujtesë ngjarjet e tij rreth figures së ndritur të “Plakut të maleve” dhe “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit. Është krenari për të gjithë ne që me emrin e tij, është pagëzuar qyteti i bukur alpin, i cili më parë quhej fshati Kolgecaj. Arif Ahmet Hajdarmataj, gjyshi im, kishte lindur në fshatin e bukur Zogaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë) në1843 dhe vdiq po aty, në moshën 102-vjeçare. Shtëpia e tij dhe e kushërinjve tanë kanë qenë bazë e sigurtë për strehimin e Bajram Currit me luftëtarët e tij, sa herë që atyre u paraqitej nevoja. Po kështu ata morën pjesë në betejat e zhvilluara me udhëheqës Bajram Currin në tërë krahinën e Bytyçit e më gjerë, si në Zogaj, Kam, Qafë Prushi, Krumë e Gjakovë. Për këtë arsye vetë Arifi është arrestuar e gjykuar nëPrishtinë, ku e kanë dënuar me 101 vjet burg. Aty i vuajti disa vite burgim dhe doli prej andej vetëm kur burgu i Prishtinsë u thye nga demonstruesit kosovarë. Më pas ai erdhi në vendlindje, pranë fshatit Zogaj.

Bajram Curri i vrarë

2 – Siç është e njohur, në dimrin e ashpër 1925, kryetrimin Bajram Curri, i cili kishte dhënë aq shumë, me punën dhe luftën e tij të vendosur e të pandërprerë për Kosovën e Shqipërinë, e rrethuan në Shpellën e Dragobisë. Ishte pikërisht data 29 mars e atij viti kur pas një qëndrese heroike, ai u vetëvra, për të mos u dorëzuar i gjallë në duart e kundërshtarëve të tij zogistë. Por gjithashtu, një këngë popullore dëshmon dhe bashkëkohës tregojnë, se është e njohur edhe mundësia që atë e prenë në besë, duke krijuar kushtet që kundërshtarët e tij ta vrisnin atë lehtësisht!? Lajmi i vrasjes së Bajram Begit, siç e quanin malësorët me respekt të veçantë, u përhap kudo, siç thonë, ishte “më i idhtë se zana”. Ai mbërriti edhe në Zogaj dhe në familjen e Arif Hajdarmatajt, kryefamiljar i asaj kohe, si dhe e mbuloi në zi tërë fshatin. Pas vrasjes, trupin e Bajram Currit e zbritën nëpër Grykën e Dragobisë, në Shoshan, Margegaj dhe e lanë, pak kohë, në fshatin Kolgecaj, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë) Pasaj, atë e hipën në një kalë dhe e nisën, udhës për në Krumë të Hasit, ku ishte qendra e Nënprefekurës. Kur trupi i Bajram Currit dhe shoqëruesit e tij mbërritën në Zogaj, aty u bë një ndalesë e paparashikuar, madje e detyruar. I pari u doli atyre përpara Arif Ahmet Hajdarmataj bashkë me Zmajl Zymerin, Rexhep Alinë, Ajdin Zenelin, Bajram Hoxhën e ndonjë tjetër. Sakaq shkëmbyen fjalë paksa të ashpra, me shoqëruesit e të ndjerit Bajram Curri. A na la Begi-a? – iu drejtua atyre Arifi. Po, na la, Arif! – u përgjigjën ata njëzëri. Pra, vdiq dhe “Ora e Malësisë së Gjakovës”, shtoi Arifi me zë të lartë. Ashtu është, Arif…Bile, Ora e Malësisë së Gjakovës, Kosovës e mbarë Shqipërisë, u përgjigjën disa të posaardhur…Atëherë, ku po e çoni ju trupin e Begit tonë? – iu drejtua atyre me zë kumbues. Për në Krumë, kështu kemi vendosur, u përgjigjën shoqëruesit e tij. Pse kështu, bre burra! A doni me na koritë tërë Malësinë e Gjakovës-a? – foli i vendour Arifi. Nuk paska tokë sa për ta shti në varr Begin, pa e dërguar atje-a? Pastaj shtoi i vendosur: – Unë dëshiroj që ta varrosim në tokën time, pra këtu në Zogaj. Tokë kam mjaft e nuk më dhimbset aspak. Kështu do të jemi të gjithë si fshat, të nderuar që ta mbajmë këtu Bajram Currin tonë…

Trupin e pajetë të Bajram Currit, Arif Hajdarmataj me bashkëfshatarët e Zogajve e shoqëruan me sy, me dhimbje e lotë, derisa ata u larguan për në Krumë të Hasit…

Për meritat e tij luftarake dhe mbështetjen që i ka dhënë Bajram Currit gjatë jetës së tij, Presidenti i Republikë së Shqipërisë e ka dekoruar Arif Hajdarmatajn me medalje e urdhra të ndryshëm. Traditën e tij luftarake e vazhdoi edhe djali i tij e babai im Ukë Arif Hajdarmataj. Ky u rreshtua partizan në radhët e Brigadës XXV Sulmuese, e cila u krijua në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).

Familja e Bajram Currit Hajrija

3 – Në mbyllje të këtyre kujtimeve, më duket me interes të tregoj edhe diçka tjetër…Në muajin tetor 1962, në qytetin e Shkodrës zbriti nga Zogajt, Hyrë Islam Hajdarmataj, bashkëshorte e Arif Ahmet Hajdarmatajt.

Ky kishte 10 vajza dhe vetëm 1 djalë, Ukën, pra babain tim, të cilit i la trashëgim disa hektarë tokë, bagëti e bletë. Në atë udhëtim, gjyshja Hyrë vinte që të më takonte mua, nipin, pasi ndiqja shkollën pedagogjike për mësues. Kur ajo shkoi te Hoteli “Adriatik”, mësoi se sportelistja ishte bija e vogël e Bajram Currit, pra Hajria. Kështu, të dyja u përqafuan me përzemërsi. Hajria i tregoi asaj se i iati i fliste vazhdimisht për mikpritjen e mjaft malësorëve, pra dhe atyre të fshatit Zogaj, ku veçonte pikërisht shtëpinë e mysafires, Hyrës, me bashkshort Arif Hajdarmatajn. E mallëngjyer Hyria iu drejtua Hajries: “Po gëzohem sikur të më kishte lindë një djalë, që u njohëm sonte bashkë dhe që je çika e Begit tone të paharruem…! Ndësa Hajria e përqafoi si nënën e saj dhe iu përgjigj: “Sonte nuk ka hotel për ty…!” Sapo e mbaroi punën e asaj mbrëmjeje aty ku shërbente, Hajria e mori Hyrën në shtëpinë e saj bujare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok