14/12/2024

“UDHA E KOMBIT”, NJË HISTORI E PAKRYER…

0
Dedaj-Rruga-Kombit4

NGA NDUE DEDAJ

1

Kanë kaluar 15 vjet që kur është përuruar segmenti i autostradës Rrëshen – Kalimash, në qershor 2009, në një miting te mbikalimi i Rrëshenit, me praninë e presidentit turk Erdogan, që dhe sot është në po ato këmbë që ishte atëherë. Muzikë e lehtë, fjalime, duartrokitje, edhe pse udha numër një e shqiptarëve ishte e papërfunduar dhe gjithsesi e tillë është dhe sot. Vetëm para pak vitesh u ndërtuan urat e mbetura përgjysmë në pjesën Kukës – Morinë. Ura e re e Kukësit, prej çeliku, treqind e dhjetë metra e gjatë, është episodi i fundit i saj, por mund të thuhet dhe segmenti i ri rrugor Thumanë – Kashar, 21 kilometra, paçka se i përket Korridorit Blu, që do të ndjekë itenerarin Kashar – Rrogozhinë – Fier. Duhet ndërtuar së paku dhe pjesa nga Kashari në Durrës (për shkak të portit) që të quhet e përfunduar Udha e Kombit dhe doemos segmenti Milot – Rrëshen, që është me nga një korsi vajtje – ardhje dhe si i tillë nuk përmbush standardet e autostradës. Pavarësisht se si mund të jetë “argumentuar” nga Banka Botërore lënia gjysmake e kësaj pjesë të Udhës së Kombit, duhet thënë se ka qenë diçka e pamenduar mirë, pasi ajo ngushtohet pikërisht aty ku duhej zgjëruar!…

Ndërkohë që në pjesën e Udhës së Kombit, që shtrihet në Kosovë, nga Vërmica në Prishtinë, nuk u la asnjë centimetër pa u kryer në kohën e caktuar. Shto faktin se për të nuk pati as përfolje për abuzime, as përplasje politike, kjo nga ndjeshmëria e lartë patriotike, po dhe interesi për rrugën, për të dalë sa më parë në Adriatik. S’do të vononte e në Milot, Lezhë etj. do të shiheshin emërtesat “Rruga e Kosovës”.

Kemi të gjithë, po dhe secili, historinë tonë me këtë rrugë, ndërtuesit përmes punimeve ditë – natë, ne përmes shkrimeve në gazeta dhe disa, fatkeqësisht, përmes kundërshtimit, jo se nuk e donin udhën ndërkufitare të shqiptarëve, por nuk ishin dakord me “ndërtuesin” e saj politik, pasi do t’i merrte ajo meritat, sigurisht duke treguar me gisht dhe ndonjë qeveritar që sipas tyre kishte abuzuar me fondet e dhëna për ndërtimin e veprës. Agolli pati thënë atëherë se pas njëzet vitesh do të harrohet se kush ishte në pushtet kur u ndërtua Udha e Kombit dhe sa kishte kushtuar ndërtimi i saj, duke i ftuar së pari të vetët të mos bënin politikë me një vepër kombëtare si ajo. Kurse sot kanë rrjedhur shumë ujëra dhe njerëzit, kush me zë e kush në heshtje, e vlerësojnë qeverinë për përkushtimin e saj për përfundimin sa më parë të rrugëve të reja, si ajo Thumanë – Kashar, tuneli i Llogarasë, vënien e afateve (fundi i vitit) për përfundimin e unazës së madhe të Tiranës dhe të Rrugës së Arbërit, më saktë të Tunelit të Murrizit, një vepër që ka zgjatur aq shumë në kohë.

Ka mbetur larg në kohë ajo batuda e hidhur e Kryeministrit të sapo ardhur në pushtet më 2013, “rrugë – rrugë – rrugë”, si një ironi me paraardhësin, pasi tashmë u është futur vetë rrugëve, sigurisht pas marrjes për një mandat a më shumë me qendrat urbane, ku mund të përmendim disa rrugë të reja të përfunduara, si Kardhiq – Delvinë dhe tuneli i Skërficës, Qafë T’thore – Theth, apo rrugë të rëndësishme në ndërtim, si aksi Elbasan – Qafë Thanë (pjesë e Korridorit), rruga Shëngjin – Velipojë, rruga e Dukagjinit, e Lurës etj.

2

Udha e Kombit u fiksua në kronikën e kohës si një histori suksesi. Kujtoj reporterët e Mirditës e Kukësit, që ishin me shkrime të përditshme në faqet e gazetave kryesore, por dhe ata të Prishtinës e Tiranës një sy e kishin përditë kah Udha e Madhe. Asllan Bajrami ishte i pari që do të intervistonte qytetarët e Rrëshenit për RTK-në, ndër të cilët dhe autori iu këtyre radhëve, se si po përjetohej nisja e punimeve brigjeve të Fanit. Ishte hera e dytë, pas hidrocentraleve mbi Drin, që Veriu zgjohej në zhurmën e kantiereve masive ndërtimtare, nga Miloti në Morinë, në një gjatësi prej 136 kilometrash. Ritmet e ndërtimit të Rrugës së re ishin të jashtëzakonshme. Nuk ishte punuar ndonjëherë në Shqipëri ashtu, ku përvoja e fituar nga ndërtuesit tanë aty do të ishte shkollë për ndërtimet e mëvonshme të rrugëve.

Kisha shkuar asokohe me punë në shkollat e Oroshit dhe Fanit dhe deri në Reps më së shumti udhëtoja me doktor Pjerinin, pastaj me makinat e kantiereve të rrugës deri në Klos, Thirrë a Domgjon, të cilave shpesh balta u kishte mveshur xhamat e trashë. Andej zakonisht kabinat e makinave i mbulonte dëbora, kurse tashti ishte radha e baltës, por vetëm për pak muaj, sa të hidhej asfalti. Ishte një emocion i pazakontë për të gjithë, aq më tëpër që udha e re po ngjitej maleve në një kohë që ato po i linin njerëzit. Në të hyrë të viteve ’80, kisha punuar për do kohë me sondat e kërkimit të bakrit në Shpal e Kullagji dhe Karmave të Pëshqeshit u kaloja përditë e përnatë pranë, por pa guxuar me i shkel me këmbë, pasi në ato rrëpira të gurta mund të kalonin vetëm dhitë e egra. Një humnerë e pafundme, poshtë Majës së Malthit dhe Kthesave të Shpalit, aq të rrezikshme, ku kishin ndodhur aq shumë aksidente rrugore, më i rëndi ai i maturantëve tropojanë më 1975, ku tre prej tyre dhe shoferi humbën jetën.

Me këto ndjesi të trishta, në njërën nga ditët e ndërtimit të Udhës, bashkë me kushëririn tim, Gjinin, që inspektonte sigurinë në punë dhe një shofer të zotin që ngiste fuoristradën u futëm bregut të Fanit, rrugë e pa rrugë, një varianti ku mezi kalohej, për të shkuar deri afër urës që po hidhte themelet drejtpërdrejt në lumë. Karmat e Pëshqeshit po jepnin “shpirt”, miti i tyre po thyhej njëherë e përgjithonë, tani vetëm për dhitë e egra nuk do të kishte më shtigje. I kam fotografuar ato çaste pune në atë humbëtirë, që do ta tjetërsonte rruga e re me emrin e kombit, që nuk mund të ishte asnjëherë e vogël, por një rrugë e madhe. Udha e Madhe ishte lajtmotivi ynë në reportazhet e asaj kohe, në gazetat “Shqip”, “Shekulli” etj., pasi vërtetë kishte ekzistuar një e tillë prej kalldrëmi, që përshkonte tërthorën e gjatë nga Shkodra në Orosh e deri në Prizren. Kosovën kishin synim asokohe të gjitha rrugët, dhe ajo që shkonte nga Vau i Dejës në Pukë – Va Spas e Gjakovë, por sidomos udha skenderbegiane, që niste nga bregu i Adriatikut, afër Patokut (porti i Shufadasë) përshkonte luginën e Fanit të Vogël, Kukësin, Lumën dhe mbërrinte në Prizëren. Udha e Kombit shkonte fiks nëpër gjurmën e kësaj të fundit, veçse nuk ngjitej në Qafën e Komit, por përbironte nëpër tunelin e Thirrës/ Kalimashit. Që nga fillimet e shekullit XX ishte hedhur ideja e një hekurudhe nëpër të njëjtin aks, që siç thuhej në vitet ‘70, do të vijë dita që sirena e trenit do të dëgjohet në Kukës. Mirëpo ne së voni sikur u “armiqësuam” me udhët e hekurta, që patën nisur gjatë Luftës së Parë Botërore nga austriakët, ndoshta nga nguti për të parë sa më shpejt autostradat në vendin tonë, pa asnjë kilometër rrugë moderne si në Europë.

Por të kthehemi te rruga Durrës – Kukës – Prishtinë, e cila ende nuk kishte një emër fiks, dikush e quante “korridori verior”, dikush “autostrada e parë shqiptare”, “dikush Egnatia e re”, dikush “udha e kombit”, ku togfjalëshi i fundit erdhi duke u bërë mbizotërues. Tuneli ishte objekt vizitash që në ndërtim. Kolegu ynë i letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit, profesor Bardhoku, në nëntor 2007, mori nxënësit e klasës në kujdestari, i vuri në autobus dhe pas tre orësh mbërritën aty ku kishte nisur tuneli. “Nesër kur të kaloni këtu, ta dini se si ka qenë!” Ky ishte mesazhi. Kam qenë disa herë te Tuneli, në kohën që po ndërtohej, me miq e familjarë, ku na priste Marku, ish – kryetari i komunës, që punonte aty. Një rast kam shkuar bashkë me vullnetarin e Korpusit të Paqes, Patrik O’Brein, me të cilim ishin kolegë në gjimnaz dhe djalin tim të vogël, Mirdianin, që më vonë do të diplomohej në Tiranë si inxhinier ndërtimi dhe, pas tre vitesh pune në atdhe, tani punon në Londër në profesion. Do të shkoja te tuneli dhe ditën e hapjes së tij, bashkë me Zef Ndrekën, ku kishte ardhur dhe Mark Marku tashmë deputet, që para se të niste studimet e larta, kishte qenë pak kohë mësues në shkollën e vogël të Thirrës në kodër. Rrësheni, që dje me skodat e trupave dhe të mineralit bëhej katër orë, tashmë ishte veç njëzet minuta larg. Nuk është se duam të bëjmë retorikë, por infrastruktura e sillte më pranë qytetërimin…

3

Me siguri ka pasur njerëz të politikës dhe jo vetëm që u është skuqur fytyra kur kanë kaluar për herë të parë kësaj Udhe, pasi në çastin që kanë vënë këmbën në të u janë kujtuar deklaratat e tyre anti-rrugë, se rruga ka kosto jashtëzakonisht të lartë, ajo po merr fondet e rrugëve të tjera të vendit, është abuzuar me fondet për ndërtimin e saj etj. Edhe nëse kjo e fundit ka ndodhur, në ndonjë segment, nuk përbënte arsye që deputetë mjeranë e të tjerë të anatemonin Udhën. Më vonë, njerëzit me mandatin e popullit në xhep, kanë shkuar si të habitur dhe mua më janë “përngjarë” me krushqit e ngrirë të legjendave!…

Për ta fiksuar në histori këtë përplasje të panevojshme mes palëve politike poeti dhe publicisti i njohur kukësian Rexhep Shahu, në vitin 2021, boton librin “Apologji për Udhën e Kombit”, me shkrime reporterësh të shumtë, që ndryshe nga politikanët, që bënin llogari elektorale, e pasqyruan rrugën si ngjarjen më të madhe të fillimshekullit XXI. Me sa duket të gjitha gjërat e mëdha të këtij kombi nuk mund të kalojnë pa apologji, kujtoni “Apologjinë” e Frang Bardhit për heroin kombëtar, apologjinë në dhjetëra shkrime e qëndrime për origjinën shqiptare të Nënë Terezës,  në këtë kontekst, dhe apologjia për veprën më të madhe shqiptare, Udhën e Kombit. Shahu shkruan se ideja e kësaj Udhe është e Ibrahim Rugovës, i cili në intervistën e dhënë gazetës kroate “Nedeljna Dalmacija”, të datës 22 korrik 1990, kërkon ndërtimin e udhës Durrës – Prishtinë, që t’u krijojë mundësinë shqiptarëve të Kosovës të mund të udhëtojnë qoftë edhe sikur “për një kafe në Shqipëri”. Siç dihet, disa vite më vonë, më 1999, qeveria socialiste do të miratonte taksën “Majko” për ndërtimin e kësaj rruge. Kryeministri pasardhës Nano bashkë me Presidentin Rugova, në vitin 2004, do të bënin një shkrepje simbolike në Fang, ku kishte nisur të hapej traseja nga forcat e ushtrisë. Por hyri në mes politika dhe kumbarët e parë të rrugës nuk ishin më të një mendje, pasi tashti në pushtet kishte ardhur Sali Berisha dhe sipas tyre nuk duhej ta merrte ai “lavdinë” e një vepre që bënte histori, a thua se ishim në kohën e kreshnikëve!?… Rruga tashmë nuk ndalej, jo thjeshtë se ndërtuese e saj ishte kompania e fuqishme amerikane Bechtel + Enka.

Rexhep Shahu, në librin e tij të vëllimshëm, ka pasur mirësinë të na përfshijë ndër miqtë e kësaj rruge madhore, ku në kreun e tretë të titulluar “Apologjia e Miqve”, ai përmbledh artikujt dhe pohimet e një vargu personalitetesh të njohur, siç i quan ai, “shqiptarë e të huaj, që kanë shkruar me dashuri për Udhën e Kombit Shqiptar, siç janë: Ndue Dedaj, Gjergj Marku, Elinda Marku, Jemin Gjana, Preç Zogaj, Eliot Engel, Uiliam Uoker, Izet Duraku, Edison Ypi, Veton Surroi, Artan Fuga, Kastriot Myftaraj, Pandeli Majko, Kim Mehmeti, Benet Koleka, Aleksandër Çipa, Roland Qafoku, Shkëlzen Maliqi, Dalip Greca, Ramiz Lushaj, Agron Gjekmarkaj, Riza Hoxha, Sulejman Dida, Arbnora Dushi, Jean-Arnault Derens & Laurent Geslin, Karl-Peter Schëarz, Jonuz Hallaçi”. (Gazeta “Nacional”, 29 maj 2012, Tiranë.)

4

Erdhi koha të nxjerrim dhe ndonjë “sekret”. Nëse zoti Shahu e botoi librin e tij fill pas përfundimit të Udhës, një dorëshkrim tonin publicistik kushtuar kësaj vepre e “dogji” vetë ajo, pasi u krye para se libri të shkonte për botim; prej tij u publikuan vetëm dhjetë faqe reportazh me titullin “Epopeja homerike e një rruge” në gazetën “Shqip” të datës 21 maj 2009, që më pas u përfshi në librin “Apologji për Udhën e Kombit”. Nga dorëshkrimi i pabotuar po shkëpusim sythin e titulluar “Celulari i “Bosit” të Autostradës”, ku rrëfehet një detaj i sjellë nga kryebashkiaku i Rrëshenit, Gjon Dedaj, që ka të bëjë me psikologjinë shqiptare të tranzicionit për të pasur sende të shtrenjta!? “Ndodhësha në një takim me funksionarë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, drejtues vendorë, menaxherë rë rëndësishëm, ekspertë punimesh, të gjithë “VIP – a”, ku po flitej për Rrugën, detyrimet e ndërsjellta mes palëve, bashkëpunimin, që ndonjëherë, sa ç’është një fjalë e bukur për tryezat e seminareve, aq i vështirë është kur vjen puna për të vepruar. Përtej këtyre përsiatjeve, sytë më rrëshqitën një çast mbi telefonat celularë në tavolinë, secili më i kushtueshëm se tjetri, ku shkëlqente sidomos ai i ndonjë qeveritari të pranishëm. Dikush kishte dhe nga dy e nga tre telefona dhe nuk përtonte dhe aty të eglendisej me mesazhe. Më shkuan sytë dhe tek telefoni im, që gjithsesi ishte më i shtrenjtë se ai i zotit Majkëll, drejtuesit amerikan të punimeve të Autostradës. Celulari i tij, për çudi, ishte më i thjeshti nga të gjithë, më se i zakonshëm, që nuk kishte duk, por që i mbante bateria një javë, shkurt, një telefon për punë, siç thuhet…” Është mani e tranzicionit, që gjithçka ta kemi të dorës së parë, kurse punën ende jo të tillë…” Punën të parën e kanë amerikanët, gjermanët, anglezët etj.

Edhe një tjetër pasazh nga libri i pabotuar: “Repsi është njëri ndër 3 kantieret (kampet) kryesorë të Ausostradës. Një lloj kantieri i përhershëm, prej më shumë se gjysmëshekulli, që kur këtu patën nisur punimet e para për qytezën e minatorëve të Spaçit dhe flotuesve të fabrikës së pasurimit të bakrit, që tani është një rrënoja… Është e vështirë të përshkruhet ky kantier, i cili kur soditet nga lart, ka pamjen e një qyteze pune komplekse, ku gjithçka është në harmoni dhe përkryerje, selia qendrore e Firmës, me zyrat dhe mjediset e saj funksionale, fjetoret, mensën dhe pak më tej parku i makinerive të shumta, ashtu si dhe reparti i prodhimit të trarëve etj. Një qytezë tipike ndërtimtarie, ku lëvizin pa puashim njerëz dhe mjete, ku të gjithë e dinë se ku do venë, se ku do të jenë tash e më pas. Hanë drekë, ashtu shpejt e shpejt, dhe nisën, dikush te një mur e dikush te një urë. Janë të gjitha racat e kombet këtu, inxhinierë, teknikë, menaxherë, vinçierë, shoferë, gurëthyes, muratorë, sinjalistë, supervizorë, oficerë të sigurisë së objektit, kuzhinierë etj., ndër të cilët dhe femra, që shkëmbehen nëpër turne tre herë në 24 orë. Flitet më së shumti turqisht, pasi shumica e ndërtuesve janë turq. Vendasit me ironi thonë se mund të flitej dhe më shumë “shqip”, pra që të kishte më shumë shqiptarë në ndërtimin e veprës, çka duhej të ishte parashikuar në kushtet e kontratës me kompaninë që në fillim. Se, thonë ata, ka dhe diferenca në pagat, ku për të njëjtën punë, një punëtor turk paguhet dy – tre herë më shumë se një shqiptar!…”

Në ditarin e kohës kanë mbetur të shënuara mjaft thënie speciale për këtë vepër historike, por duam të veçojmë atë të një miku të ndjerë, Liman Varoshit, historian, asokohe rektor i Universitetit të Elbasanit: “Rruga e bën unike botën shqiptare…” Pikërisht kjo nuk ishte e mirëpritur nga gjeopolitika e rajonit, por ky mallkim fqinjësh jo dashamirë nuk ngjiste më, integrimi e donte që ajo të ishte njëherësh dhe udhë e tyre!…

*

Post scriptum. Udha e Kombit nuk mund të thuhet se e bëri më të mirë fshatin, mungesa e rrugëve dytësore, përkundrazi i hodhi fshatrat malorë mbas krahësh. U desh një projekt i ri më vete që të bëhej dalja për në Orosh dhe hyrja për në Mashtërkor. Vetëm tek ne ndërtohen autostrada pa rrugë të dyta për banorët. Trau peseurosh i Kalimashit është si një “lak në fyt” për automjetet, pasi o kalimi aty, dmth nëpër nëpër Udhën e Kombit, o hiç!? Është jo vetëm qesharake, por dhe cinike, t’iu thuash udhëtarëve se ja ku e kani rrugën pa euro, atë nga Fushë-Arrëzi, që ka qenë jo vetëm rruga më e mundimshme shqiptare, por mbase dhe në Ballkan. Vetëm turistët e aventurës mund të kenë nge ta marrin atë rrugë në kohën e sotme, kurse ti si qeveri e quan rrugë alternative për njerëzit më të varfër të vendit, që jo më kot e kanë zbrazur Hasin, Kukësin e Shishtavecin, për Anglinë. Tash do të “ikë” dhe Fushë – Kruja, vetëm 21 kilometra nga kryeqyteti, që autostrada Thumanë – Kashar e la anash!? Kjo ka bërë që banorët e zonës të dalin në protestë në rrugën e re, por dhe për dëmshpërblimin që nuk e kanë marrë. Si mund të ndërtosh sot një vepër të re rrugore, që i largon banorët nga “vetja”, tradita, pronat, biznesi, ekonomia që kanë krijuar aty me mundim. Vërtet aksi iu shërben turistëve, që më së shumti janë të huaj, por a ka kuptim që të lehtësohen miqtë dhe të vështirësohen të zotët e shtëpisë në tokën e tyre!? Nuk mund të jetë trau prej 2.1 eurosh qëllimi i vetëm i një aksi të ri si ai Thumanë – Kashar, një lloj “shtrunge” për të mjelur e vjelur të ardhura që nuk i takojnë konçesionarit dhe shteti për këtë është… aq më tepër një qeveri që mbahet për e majtë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok