30/12/2024

U HAP FUSHATA E ZGJEDHJEVE NË REPUBLKËN E SHQIPËRISË

0
u6_Gjoke_Dabaj

Nga Gjokë Dabaj

Është e natyrhme që, të gjithë shqiptarët, në këto ditë, ta kenë vëmendjen pikërisht te kjo ngjarje, në shtetin i cili tradicionalisht quhet shteti amë.

Si u mblodhën e po mblidhen njerëzit, sidomos në këtë kohë pandemie? Ç’thanë e ç’po thonë kryepartiakët në këta tubime? Cilët qenë e janë premtimet e tyre dhe kush garanton që ata peremtime do të vihen në jetë edhe praktikisht?

Përfundimisht, vit pas viti, legjislacion pas legjislacioni, a kështu do të rrukullisen punët? Hiq e mos e këput dhe, kjo pjesë tepër e rëndësishme e atdheut tonë, me të drejtë cilësuar si shteti amë, a duhet lejuar që të mbetet në të njëjtën gjendje?! A duhet lejuar që Republika e Shqipërisë të vazhdojë të quhet shteti më i prapambetur në Evropë?!

Duhet kuptuar njëherë e mirë që, për kombin tonë, zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë nuk kanë të bëjnë vetëm me fatin e banorëve që jetojnë brenda këtij shteti. Zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë kanë të bëjnë edhe me fatin e qindra mijë të mërguarvet, të cilët, sado që ndoshta ekonomikisht janë disi të rregulluar në vendet ku kanë shkuar, disa më mirë e disa të tjerë më keq se këtu, shpirtërisht nuk mund të shkëputen kurrsesi nga vendi i vet. Zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë lidhen ngushtë edhe me fatin e Republikës së Kosovës, të Republikës së Maqedonisë Veriore, si dhe me fatin e të gjithë shqiptarvet të tjerë që jetojnë brenda Shqipërisë, por jashtë kësaj republike.

Të gjithë shqiptarët, qoftë brenda atdheut, qoftë kudo në botë, i kanë sytë edhe mendjen te kjo pjesë e atdheut të tyre, mirëvajtja apo keqvajtja e të cilit pasqyrohet ndjeshëm në mendjen dhe në shpirtin e të gjithëvet.

Mua, duke medituar, në këto ditë të quajturash ethe zgjedhore, po më rri mendja kryesisht te sistemi, te mekanizmi legjislativ që po përdoret, si dhe te rezulatet e një të këtillë mekanizmi, i cili, fundja, s’është vetëm i shqiptarëvet, por i krejt botës.

Një parti apo disa parti që fitojnë shumicën relative dhe formojnë qeverinë, të tjera parti që nuk e fitojnë shumicën dhe rropaten për ta rrëzuar qeverinë ose për të fituar herën tjetër. Vetë koncepti i shumicës mbetet përjetësisht i papërcaktuar, sepse pala humbëse, në të gjithë rastet, akuzon palën fituese për manipulim votash. Shembull klasik tashmë është reagimi i ish-presidentit Donald Tramp në SHBA. Ai nuk deshi kurrsesi të pranonte se pala tjetër kish marrë vërtetësisht më shumë vota.

Një qëndrim që mua më duket krejt absurd, është silogjizmi mbi gjykatat e pavarura. Ç’do me thënë sistem gjyqësor i pavarur? A nuk nënkupton kjo që ai sistem, nëse është i pavarur, mund të bëjë ç’t’i dojë qejfi?! Po thuhet që sistemi gjyqësor duhet të varet vetëm nga ligjet. Ligjet, po thonë, i hartojnë kuvendet. Por në kuvende (parlamente), janë partitë ato që i hartojnë e miratojjnë ligjet. Veç kësaj, të gjithë gjyqtarët, hetuesit e prokurorët, me përjashtim të avokatëvet që, veç mbrojtjes, kanë “detyrë” edhe t’i rrjepin të akuzuarit, rrogat i marrin prej shtetit, dmth nga Ministria e Drejtësisë, dikaster që e ka krijuar partia fituese.

Duke qenë i sferës së arsimit, mua nuk më rrihet pa pyetur: Sistemin arsimor a duhet ta ketë qeveria në dorë, apo mësuesit dhe profesorët të bëjnë ç’të duan me nxënësit e me nxënëset e tyre? Kush ka para, mund t’i çojë bijtë e bijat e veta atje ku merren njohuri e kulturë botërore, jashtëkombëtare, ose edhe atje ku dëftesat e diplomat blihen me para. Kush nuk ka para… Ç’të bëjë me fëmijën ai që s’ka para?! Jo, ku ta arsimojë, por ku ta çojë fëmijën ai që s’ka para!? Unë nuk mendoj që shkollat private, me pagesë shpeshherë të paarsyetueshme, i sjellin gjë të mirë kombit apo edhe krejt shoqërisë njerëzore. Të paktën fëmijët le të jenë të barabartë në këtë kohë pabarazie kaq shpirtndrydhëse, sa edhe Jezusin do ta bënte të pendohej, pse u kryqëzua e për kë u kryqëzua. Po them: Të paktën fëmijët mos të përjetojnë dilema e trauma kaq të rënda, që në moshën 6-vjeçarare!

Edhe spitalet, a s’do të ish më mirë të administroheshin shtetërisht? Tatimpaguesit, në mënyrë të diferencuar, sipas shtresavet shoqërore, të paguanin edhe për shëndetësinë, ndërsa shteti të kish detyrë për t’u kujdesur për shëndetin e shtetasvet. Jo kompanitë e sigurimevet, por shteti! Kanceri vepron njëlloj, si te i pasuri, edhe te i varfëri! Zorra qorre sëmuret, infektohet, njëlloj si në barkun e të pasurit, ashtu edhe në barkun e të varfërit. Atëherë, përse të jetë më e privilegjuar zorra qorre e një milioneri?!

Forcat e armatosura, ushtria dhe policia, përfshirë aty edhe shërbimin sekret shtetëror apo kombëtar, janë krijuar për të mbrojtur shtetin edhe kombin. Kush tjetër duhet të kujdeset për këta organe mbrojtjeje, përveç shtetit?! Cilido komb që nuk ka ushtri të vetën, frymëzuar, jo nga rroga, nga sasia e paravet që fut në xhep, por nga ndjenjat atdhedashëse, nuk është komb i lirë. Ai komb që nuk ka ushtri të vetën kombëtare, jomercenare, nuk ka liri dhe thotë kot që është i lirë!

Por këtu, në të gjitha këto që thashë, ka një problem që ka krijuar dhe vazhdon të krijojë paqartësira. Kur ndodh ndërrimi i pushtetevet, ushtria dhe policia a duhet të ndërrohen?! Madje, jo vetëm ushtria dhe policia, por edhe mjekët, edhe mësuesit e profesorët, edhe njerëzit e administratës qendrore e lokale, a duhet të ndërrohen dhe a ia vlen barra qeranë që secila forcë politike të ketë armatën e vet, të armatosur edhe të paarmatosur?!

Mjekët, juristët, profesorët, mësuesit, ekonomistët, inxhinierët, punonjësit e administratës, ushtria, policia, organet e sigurimit të fshehtë shtetëror, të gjithë këta dalin dhe duhet të dalin në votime. Por për kë do të votojë ky numër jo i pakët shtetasish? Nëse është e kënaqur, do të votojë për partinë në pushtet, kurse po të jetë e pakënaqur, do të votojë për partinë që kërkon të vijë në pushtet. Mirëpo, kur partia tjetër të vijë në pushtet, kush i garanton se nuk do të pushohen nga puna, sepse, nuk u shkruhet në ballë për kë kanë votuar?! Madje, një shumicë e atyre që kanë votuar kundër, do të thonë: Unë votova për ju! Dhe kjo është pjesa më e neveritshme e shoqërisë njerëzore!

Gjithsesi, këto janë gjëra që shoqëria e sotme s’e ka lehtë t’i qartësojë e konsolidojë. A mos duhet vënë dorë edhe në vetë sistemin apo traditën zgjedhore shumëpartiake?! Për shembull, përse të gjithë zgjedhësit të grupohen në të njëjtat qendra votimi, në një kohë kur ata, në mitingje, grupohen veç e veç? Le të ketë secila parti qendrën e vet të votimit! I vetmi detyrim për secilën qendër votimi të secilës parti, të jetë, që numri i votavet të përputhet me numrin e votuesvet të paraqitur në atë qendër votimi dhe votuesit të jenë të identifikueshëm. S’ka asnjë arsye që vota të jetë e fshehtë, në një kohë kur përkrahësit e njërës apo tjetrës parti dalin e bërtasin hapur nëpër sheshe. Në fund të ditës, kur procesi i votimit të jetë mbyllur, qendrat e votimit të secilës parti t’ia dorëzojnë fotokopjet e dokumentevet komisonit qendror të zgjedhjevet. Kjo do t’ish një mënyrë votimi pa rrëmujë dhe, të paktën pa konfrontime fizikë, tregues atavizmash primitivë.

Nëse komisioni qendror, gjatë kontrollit të dokumentacionit, do të gjente ndonjë person që ka votuar dy herë, ligji të parashikojë që ai zgjedhës falsifikator të dënohet me tre vjet burg. Nëse do të vërtetoheshin shkelje e spekullime nga vetë partitë, komisoni qendror i zgjedhjevet të ketë kompetencën për ta zhvleftësuar pjesëmarrjen e asaj partie në votime. Do të mjaftonin njëmijë vota të falsifikuara për ta skualifikuar cilëndo parti pjesëmarrëse në zgjedhje.

Për rastet kur nuk merr pjesë në zgjedhje 50% e popullsisë me të drejtë vote, kodi zgjedhor duhet të parashikojë skualifikimin e dy partive apo koalicioneve kryesues. Ato dy parti (apo koalicione), për të cilat më shumë se gjysma e elektoratit nuk del në votime, nuk meritojnë të jenë subjekt zgjedhor, sepse nuk e gëzojnë besimin e popullit. Në një shtet, ku nuk del për të votuar gjysma e popullit, ku gjysma e popullit i bojkoton zgjedhjet, nuk ka demokraci. 50% e bojkotuesvet, në të vërtetë, janë kundërshtarë të regjimit. Shto edhe 30% që kanë votuar kundër njërës apo tjetrës parti pretenduese për pushtet, del që secila prej atyre dy partive (apo koalicioneve)  përfaqëson interesat e vetëm 20% të zgjedhësvet. Të tilla parti, me nga 20% përkrahës, sado që shiten si parti të demokracisë, janë realisht parti fashiste. Prandaj, ata dy subjekte zgjedhorë, me nga 20% përkrahësish, edhe ata shumica të manipuluar, nëse në një vend vërtet synohet të vendoset demokracia, duhet të nxirren jashtë ligjit. Duhet t’u ndërpritet çdo lloj financimi, t’u shtetëzohen selitë dhe të shpallet shpërndarja e tyre, parashikuar në ligje qysh më përpara.

Në një situatë të tillë krize, komisioni qendror i zgjedhjevet, në cilësinë e një gjykate supreme, duhet të ketë kompetencën për të shpallur fushatë të re zgjedhore. Partivet të vogla duhet t’u kërkohet që t’i rishikojnë programet e vet dhe njëkohësisht të nismohet krijimi i partivet të reja, me programe të pranueshëm për shumicën e shtetasvet.

Për shembull, do të ish shumë e arsyeshme që të krijohej një parti e gravet dhe vajzavet. Është koha kur gratë edhe vajzat nuk duhet të mjaftohen vetëm me “organizata për mbrojtjen e të drejtavet të femravet”, por të krijojnë parti më vete dhe të synojnë marrjen e pushtetit. Askush më mirë se nënat dhe ato që duan të bëhen nëna, nuk di t’i mbrojë të drejtat e njeriut. Atëherë, përse të mos i jepet mundësia seksit femër të qeverisë, duke siguruar edhe përkrahjen elektorale të mijëra bijve e bashkëshortëve?!

Një qeveri e krijuar nga Partia e Gravet dhe e Vajzavet Shqiptare, apo e cilitdo komb tjetër, do të dijë të mbajë qëndrim edhe ndaj korrupsionit, edhe ndaj përdorimit dhe tregtimit të drogavet, edhe ndaj lloj-lloj armatimesh njerëzimasgjësues, edhe ndaj prostitucionit apo tregtimit të fëmijëvet.

Në këtë mënyrë, njerëzimi ndoshta do ta gjente një rrugë për të dalë nga kolapsi, në të cilin ka rënë në këtë fillim shekulli. Nuk mund të lihet pushteti përjetësisht në duart e ayre partive që nuk sigurojnë kurrfarë progresi.

Nuk mund të lihet pushteti (në këtë rast në Republikën e Shqipërisë) në mëshirën e atyre partive, të cilat në një çerek shekulli nuk i siguruan as shtetit të vitit 1913, as kombit shqiptar në përgjithësi, kurrfarë progresi as ekonomik e as kulturor.

Për ne shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, mjafton të shikojmë ç’programe kanë partitë tona të sotme lidhur me kombin të cilit këto parti i përkasin. Cili është qëndrimi i tyre ndaj vendimevet të Konferencës së Londrës të vitit 1913 që e ka copëtuar Shqipërinë dhe si mendojnë këto parti për ta korrigjuar atë padrejtësi historike që i është shktuar kombit tonë? Me futjen në BE?! Në atë BE, e cila udhëheqësit  e një lufte çlirimtare shqiptare po i burgos e po i mban nëpër burgje?!

Cilët janë programet arsimorë të këtyre partive? A i përfshijnë ata programe edhe shqiptarët që jetojnë jashtë këtij shteti, apo kufizohen vetëm me ata pak fëmijë që kanë mbetur brenda këtyre kufijve?! Kanë mbetur këtu, sepse s’kanë mundur të ikin! Kushtetuta franceze a e parashikon kujdesin edhe ndaj francezëvet, madje edhe frankofonëvet jofrancezë, që jetojnë jashtë shtetit francez?! Kushtetuta sërbe a parashikon, madje a e përcakton si kusht elektoral, edhe kujdesin për sërbët që nuk jetojnë në Sërbi?! Partitë franceze, sërbe etj, a kanë programe kombëtarë, apo shohin vetëm interesat e ngushtë brenda kufijvet të vet shtetërorë, madje edhe ata rrënimisht pjesorë?!

Kështu po meditoj unë në këto ditë kur partitë politike në Republikën e Shqipërisë po tundin, krahas flamujvet të tyre partiakë, edhe flamurin e kombit tonë dhe s’po pushojnë së rëni borivet të makinavet. E përdorin flamurin kombëtar pa folur asgjë për kombin, pa thënë asnjë fjalë në fjalimet e tyre, as për shqiptarët e Tivarit, as për shqiptarët e Filatit, le më për arvanitët apo për shqiptarët e Stambollit që janë sa dyfishi i shqiptarëvet të Tiranës dhe nuk kanë as edhe një shkollë shqipe për fëmijët e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok