Tymnaja primitive politike
![Ndue-Ukaj](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2023/08/Ndue-Ukaj.jpg)
Nga Ndue Ukaj
Janë do shqiptarë që manifestojnë ndjesi sensuale kur flasin për politikë e politikanë dhe si nxënës të këqij të historisë, nuk i dëgjojnë këshillat e të mençurve që thonë, “mos bini në dashuri me politikanët.”
Faik Konica, përpara një shekulli i këshillonte shqiptarët të shëroheshin nga dashuria për individin, sepse, vetëm kështu e ndihmonin Shqipërinë dhe i kontribuonin asaj.
Pas një shekulli, mendimet e Konicës, tingëllojnë krejt aktuale, si të ishin shkruar sot, në këtë tymnajën tonë primitive politike, ku turmat e madhërojnë një person dhe bien të këmbët e tij, si para një të shenjti
Mjerisht, shumica prej atyre që me afsh shkruajnë e komentojnë, duket se i shohin shkronjat, ama nuk kuptojnë asgjë për çka flasin e çka komentojnë. Kjo vlen sidomos për ata që me tejqyra e shikojnë Kosovën prej vendeve tjera dhe turfullojnë plot vnerë.
Ky zjarri patriotik, që u ndez për interesa elektorale, nuk ka lidhje me patriotizmin dhe nuk i shërben vendit tonë. Është zjarr ku mund të digjen idealet tona, pas të cilit mbetet vetëm shkrumi e mjerimi.