22/12/2024

TURIZMI NË THETH, ÇDO KULLË NJË BUJTINË

0
Ndue-Dedaj-Thethi4

NGA NDUE DEDAJ

Para pesë vitesh kemi shkruar “Të gjitha rrugët të çojnë në Alpe” dhe Thethi është njëra nga ato, përndryshe një realitet krejtësisht tjetër nga i djeshmi, qytezë turistike alpine në formim, me rreth 90 hotele, vila, guest hous – e, bujtina, ku në të tilla qenë kthyer së pari kullat e banorëve. Ato mbajnë emërtimet e zonës: “Jezerca”, “Thethi”, “Berishta”, “Harusha”, “Tërthorja”, “Perla e Alpeve”, “Çarku”, “Polia”, “Dreni”, ““Kroni i Micanit”, “Gurra”, “Shpella” etj. “Shtëpi e çifteli” ka qenë një fjalë e urtë në këto male, çka në njëfarë mënyre tregonte se kënga ishte e para, kurse sot mund të thuhet “shtëpi e bujtinë”, që do të thotë se i pari është biznesi i turizmit.

Lajmi tashmë është rruga e asfaltuar, që e ka bërë Thethin një “lagje” të epërme të zonës urbane nga Kopliku në Shkodër. Shkuam dhe këtë verë atje, si qindra e mijëra të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, sepse Thethi nuk është më i vetes, një fshat në Alpet Shqiptare që ka një lumë, disa shtëpi alpine që tymojnë pareshtur, një kishë, një shkollë, burra dhe gra që japin e marrin me gurin e malin për të nxjerrë bukën e tamlin prej tij, pleqnarë, luftëtarë, shtegtarë, rapsodë dhe një kryeplak që ujdis punët e fshatit. Jo, Thethi dhe kur nuk kishte mbërritur këtu, ishte një emër i pashmangshëm, që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur tregtarët shkodranë e “zbuluan” atë si vend çlodhës dhe nisën të hapnin rrugën e gjatë e të largët, me tërmale, kthesa e teposhte sa askund tjetër, që pastaj e mori në dorë qeveria – është publikuar kohët e fundit një foto e përurimit të saj më 1938 nga ministri i Ekonomisë i asaj kohe, Rrok Gera. Malësorët e këtyre malësive ndihen krenarë për historinë e tyre që vjen dhe përmes këngëve të Nik Çarkut, kënduar në “Sofrën e Dukagjinit” mes Nju Jorkut etj. Vlerat e trashëgimisë të kësaj treve i kanë çmuar dhe dijetarë të huaj, si Robert Elsie, që e pati lënë “amanet” ta kishte varrin në Theth, para të cilit ndalemi sa herë vijmë këtu.

Teksa flasim për shndërrimin e Thethit në atraksion turistik kryesor të vendit, Besiani kujtohet për njërin nga arkitektët e zhvillimit të turizmit malor shqiptar, Ismail Bekën, që përmes mbështejes së GIZ-it zhvilloi nismat e para të kullave-bujtina për turizëm familjar në Theth, Kelmend, Pukë, Valbonë, Dibër etj. Ai nuk rron më, por ka mbetur i paharruar emri i tij si promovues i zhvillimit të vendit të vet. Kemi qenë dhe para tre vitesh këtu dhe ndryshimi është i dukshëm, në njëfarë mënyre i përditshëm, duke përfshirë dhe Bogën. Nga Qafë Thorja, rruga e ngushtë sipër humnerës, që ishte makthi i banorëve dhe turistëve, është rikonstruktuar me murembajtës, duke u bërë e qarkullueshme dhe në dimër.

Thethi sot flet të gjitha gjuhët, pasi turistët e huaj janë dhe “banorët” më të shumtë të tij, gjermanë, italianë, polakë, çekë, amerikanë, anglezë, austriakë, kroatë… Është një qytezë alpine që punon katër-pesë muaj dhe pastaj zbrazet në më të shumtën e kohës. Por nëse brenda “shtëpisë” çdo gjë po shkon në përmirësim, pjesa e jashtme publike nuk ka ende ndonjë gjë pozitive për t’u shënuar, as trotuare e kalldrëm në rrugët gjithë pluhur, as parqe e stola, ura të vogla për kalimin e turistëve dhe mbi të gjitha ka shumë gardhiqe, që ndajnë bujtinat nga njëra-tjetra, arat dhe livadhet e pronarëve të tokës. “Nuk bahet turizëm me gardhe”, na thotë Ndoci i bujtinës “Buni i Shqipes”. Pak si e habitshme është se dhe kisha, në vend që të ndikonte për heqjen e gardheve, krahas rikonstruksionit si godinë, është rrethuar dhe vetë me gardh dhe për të hyrë në oborrin e saj duhet të ngjitesh katër-pesë shkallë dërrase. Me gjasë për të mos livadhisur lopët e fshatit, çka mund të ishte zgjidhur në një mënyrë tjetër. Edhe pse është shtuar kujdesi mjedisor për pastërtinë, ende aty-këtu vëren papastërti. Kishte tërhequr vëmendjen një turiste kosovare e martuar me  një amerikan që mblidhte mbeturinat dhe i hidhte në kosh, duke mbetur e vetme në “nismën” e saj qytetare. Por shpresohet se “pluhuri” mbytës nuk do të zgjasë përtej kësaj vere. Vijon rikonstruksioni i rrugës nga Thethi në Ndërlysaj, ka nisur puna për ndërtimin e shëtitores (pedonales) nga shkolla deri te kisha dhe “kulla e ngujimit”, pra që rrok krejt qendrën, siç ka nisur dhe një projekt për mbulimin e çative të banesave me dërrasë, në stilin e njohur të shtëpive alpine.

Teksa shohim të shërbehen gatime të llojllojshme, mendja na vete të kuzhina vendase, por ajo nuk ka shumë duk, jo se ka dhe kuzhinierë të huaj që gatuajnë këtu, po se ende Thethi që po shndërrohet në industri e turizmit malor nuk ka fermën dhe fermerët e vet. Mund të gjesh ujë Dajti nëpër bujtina(?), por jo dhallë vendi, pasi tufat janë e s’janë. Dedë Çobani, njëri nga blegtorët në zë, ka mbi 500 krerë dhi, dele e lope, çka është për t’u përshëndetur, por sa e zbut kjo shifër bagëtish “urinë” e Thethit për prodhime bio mishi dhe bulmeti? Ka dhe ndonjë tufë tjetër, ashtu siç thethianët furnizohen me prodhime blegtorale e bujqësore dhe nga fshatrat e tjerë të luginës së Shalës. Fjala është për më shumë agroturizëm, ndaj të vjen mirë kur shesh se kanë filluar serat e para të perimeve. Është si kudo dhe problemi i punëtorëve, thotë Lini e bujtinës “Zorgji”, nuk ka punëtorë për sezonin turistik, aq më tepër t’i gjesh të trajnuar e shkolluar për turizmin. Turistët bëjnë vërejtje për shërbimin e çmimet, ku siç thotë njëri nga bujtinarët “edhe më i miri ndër ne nuk është aty ku duhet të jemi”, pra në standardin e kërkuar. Ka dhe gjeste që nuk mund t’i harrosh: kishim ndaluar në oborrin e bujtinës “Tinari”, vetëm për pak minuta dhe i zoti i saj, që as ia mësuam e as na i mësoi emrat, na shërbeu kafe pa pranuar pagesën, siç ndodhte me shtegtarët që mikpriteshin kahdo shkonin maleve tona.

Paçka problematikave të natyrës “as fshat, as qytet”, turistët e kanë Thethin të parin në axhendat e tyre, burra dhe gra, sidomos të rinj, nga vende të ndryshme shtegtojnë për këtu me të gjithë llojet e mjeteve, nga motoçikleta, fuoristradat, furgonat, makinat-bujtina që vendosën nëpër kampingje me ditë e me net. Nuk kemi parë vetëm kuaj, që një ditë me siguri s’do të mungojnë as ata. Turistët nuk pyesin për vështirësitë, ka plot të dhënë pas turizmit të aventurës, si dy vajza çeke, Adela dhe Veronika, që kishin përshkuar këto ditë një terren të thyer nga Thethi në Valbonë e deri në Pejë, shpesh duke ecur nëpër dëborë këndej e andej Jezercës. Ti mund të habitesh se si ka dëborë në korrik, por jemi në Alpe dhe siç thonë malësorët, bora e majave nuk hiqet pa rënë tjetra, përndryshe, zë bora borën. Disa nga “stacionet” nëpër të cilat kalojnë turistët janë ujëvara e bukur e Grunasit, “vaskat” natyrore mbi lumin e Shalës, lendinat, qafat dhe majat rretheqark Thethit, nëpër të cilat shkohet përmes shtigjeve të vjetra të krijuara nga banorët në kohëra. Kemi pasur rastin që disa nga këto bukuri t’i shihnim që para dyzet vitesh, kur si studentë të Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër patëm ndërmarrë një udhëtim “heroik” për në Theth, ku një pjesë të rrugës në kthim e bëmë mbi karrocerinë e një makinë që mbarte arka me kërmij.

Thethi në “gropë”, në ultësirën e lumit të Shalës, Ndërlysajt etj. ka një magji që nuk e bjerr kurrë, një harmoni e përkryer e pyjeve të ahut e pishës, lumit gjithë freski të Shalës me Bjeshkët e Namuna, që kësaj ane shfaqen kryekrejet me masivin e malit të Radohinës, ndër malet shqiptare më të fotografuar. Një madhështi shkëmbore si në mite e legjenda që të lë pa fjalë, le të jesh malësor e bir malesh. Mbi kreshtat e saj ka qenë varur jetë e banorëve për shekuj, kurse sot po krijohet një realitet krejtësisht i ndryshëm nga mbijetesa. Ama, vërtet një atraksioni të tillë nuk i duhet humbur virgjëria dhe egërsia natyrore, por jo sa të mos vësh dorë fare në rrugët, rrugëzat dhe mjediset e tjera të brendshme të qytezës, duke e lënë atë të “egër” dhe në çka nuk duhet. Fshat turistik nuk do të thotë të mos shihet asnjë metër asfalt aty ku të zë frymën pluhuri dhe nuk ka një pëllëmbë shëtitore!? Mbase problemet e pronësisë, mbase ato të keqplanifikimit, në Theth nuk ka mbërritur as “rilindja urbane”, as “projekti i njëqind fshatrave” a diçka tjetër që t’ia kishte ndryshuar pamjen.

Në arealin e Dukagjinit nuk është vetëm Thethi atraksion turistik. Lumi i Shalës sa vjen e bëhet më tërheqës përgjatë luginës së tij panoramike, ku turistë të shumtë, pasi kanë përshkuar liqenin e Komanit me varka, gjendën në një oaz përrallor, që vetëm orët dhe zanat mund ta kishin fat. Tashmë “sytë e kaltër” të alpeve tona kanë filluar të bëhen dhe “sytë” e turizmit shqiptar. Kur njeriu shtegton në zemër të këtyre bjeshkëve zor se kujtohet për axhendat e “nxehta” politike të Tiranës, nëse ikën Presidenti i republikës dhe në vend të tij vjen tjetri, jo se nuk do t’ia dijë për politikën si faktor zhvillimi, por ngaqë nuk beson fort tek aktorët e saj të vjetër e të rinj. Atij i duket se politika tek ne prodhon vetëm skandale dosjesh të Sigurimit, inceneratorësh etj. Njerëzit presin vjeshtën nëse do të ketë të tjera “non grata” nga jashtë, a thua se ato do të ishin shpëtimi nga e keqja e jo ata vetë…

Postscriptum: “Sa herë ta vizitosh Thethin, do të zbulosh diçka të panjohur”, më shkruan miku im inxhinier Gjon Fierza nga këto anë dhe unë e besoj këtë, prandaj do të vij sërish këtu jo vetëm në verë, por dhe në dimër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok